Tribunali Ndërkombëtar Penal pritet të japë vendimin final në rastin e Radovan Karaxhiqit të mërkurën, më 20 mars. Vendimi do t’i japë fund procesit që ka vijuar për pothuajse një çerek shekulli. Ekspertë të së drejtës ndërkombëtare, bashkëpunëtorë të shumtë të Karaxhiqit dhe familjet e më shumë viktimave janë në pritje të këtij vendimi për tre vjet, duke patur parasysh se edhe mbrojtja, edhe prokuroria kanë paraqitur ankesë ndaj vendimit të shkallës së parë, sipas të cilit ish-presidenti i Republika Srpskas dhe kryekomandanti i forcave të saj të armatosura u dënua me 40 vjet burgim.
Vëmendja e shumicës së qytetarëve të Serbisë do të mungojë, me arsye të justifikuara: shoqëria këtu ka ngecur në kurth që në fillim nën rrënojat e institucioneve demokratike, prej të cilave pushteti është transferuar tek qendrat parashtetërore të vendimmarrjes në mënyrë gjithnjë e më të hapur. Krimi i organizuar dhe kontrolli i plotë i medias në vend nuk janë të vetmet ngjashmëri me periudhën kur u kryen krimet për të cilat akuzohet Karaxhiqi. Gjuha e urrejtjes dhe dhuna sërish janë bërë modeli dominues i sjelljes publike. Nga këtu, ato rrjedhin në jetët private të njerëzve të konsumuar nga mbijetesa, frika dhe mosbesimi.
Protestat anti-qeveri që po vijojnë prej muajsh janë të paartikuluara dhe të shpërndara, njësoj si regjimi të cilin e kundërshtojnë, edhe pse ndërkohë protestuesve u janë bashkuar shumë qytete në të gjithë vendin. Patriotë dhe tradhëtarë, filoevropianë dhe filorusë, aktivistë kundër vaksinimit dhe profesorë universitetesh, homofobë, neoliberalë, ish-përkrahës të Kosovës dhe përkrahës të ardhshëm të Vojvodinës janë bashkë nëpër rrugë, të gjithë të bashkuar në një trup të vetëm, të zemëruar dhe të shëmtuar, por një trup që me kokëfortëzi refuzon të thyhet. Njësoj si krijesat që menaxhojnë kabinetet dhe autoritetet shtetërore.
Mosbesimi dhe pasiguria i mvishen interpretimit magjik të telasheve tona dhe shpalosjes së shkaqeve nëpër “reality shows”, muzikën turbofolk, në globalizim. Çdo zë i arsyeshëm është manipulim potencial i “shtetit të thellë” të agjencive të huaja, që shpërqendron nga disa ngjarje vërtet me rëndësi. Grupet qytetare rreth pushtetit të perceptuar, si politik, ashtu edhe social, ku pushteti dëshmohet duke abuzuar më të dobëtit dhe ku viktimat janë gjithënjë fajtore, sepse ai/ajo nuk e kanë përshtatur sjelljen e vet me kohë. Hapësira publike është e tejmbushur me racizëm dhe misogjini.
Tridhjetë vjet të plaçkitjes sistematike të ekonomisë, fondeve shtetërore dhe mallrave publike kanë rezultuar në qasje gjithnjë e më të vështirë në njohuri dhe ide. Gjuha, që shpreh vlerat e politikës dhe shoqërisë moderne, përfundon në terminologji të burokratizuar, që nuk kuptohet menjëherë nga ata me të drejtat e të cilëve ka të bëjë. Zgjerimi i terminologjive të reja e ka tejbmushur gjuhën me shprehje që personat i përvetësojnë si simbole. Zbatimi i tyre aktivizon operacionin e dëshiruar pa ia ditur kuptimin. Është gjithnjë e më e vështirë të kuptosh botën që na rrethon apo dhe veten në një botë të tillë, idetë politike që na ofrohen dhe pasojat e tyre të mundshme. Së fundmi, e gjitha kjo ndodh në kontekst të erës globale të rreme, d.m.th të “fakteve alternative” dhe të shkatërrimit të kornizës politike traditionale. Bota nuk na jep më sinjale inkurajuese se është në gjendje të emërtojë kërcënimet dhe të krijojë rezistencën, ashtu si ndodhi në shekullin e 20-të, që nga luftërat botërore deri tek politikat e diskriminimit racor dhe gjinor e tek shfrytëzimi i punëtorëve.
Në kaosin e përgjithshëm, Serbia është lënë më vete, duke u çapitur nga viti në vit nëpër cikle identike, me shpresën se këtë herë do t’ia dalë të marrë frymë në pushtetin e sabornost-it, komunitetit shpirtëror,[1] në fotomontazhin e vet politik dydimensional, në mënyrë që me kalimin e kohës, kyçet e pabarabarta të trupit si të monstrës së Frankenshtajnit të mund të njëtrajtësohen natyrshëm. Konsensusi mitik u arrit në vitet e nëntëdhjeta mbi varret e viktimave të luftës në Kroaci, Bosnje e Hercegovinë dhe Kosovë. Cikli ynë i luhatur mund të pasohet nga përvjetorë të krimeve të kryera në Vishegrad, Shtrpci, Prijedor, Vukovar, Suharekë, Vushtrri. Në Sarajevë. Në Srebrenicë.
Kuptimi politik i gjenocidit të kryer në dhe rreth Srebrenicës në vitin 1995, që është pika kryesore në aktakuzën kundër Karaxhiqit, në Serbinë e sotme, nuk është më shumë se sa thjesht manipulim i masave përmes fabrikimeve të tabloidëve për konspiracione globale kundër serbërisë. Persekutimi, shfarosja, vrasjet, deportimet, terrori ndaj civilëve dhe pikat e tjera të aktakuzës janë lënë në harresë, ashtu si vendndodhja e varrit masiv dytësor të civilëve të vrarë në Kosovë që u zbulua në rrethinat e Beogradit, për shembull, apo kryesit e padënuar të krimeve në Kroaci, që sot punojnë në administratën komunale, apo parate e gjakut që janë spastruar përmes kompanive private dhe monopoleve private për dekadada të tëra.
Mosndëshkimi është ajo që lidh me të vërtetë pjesët e papërputhshme të trupit politik në Serbi. Brezat e rinj të bashkëpunëtorëve po rriten, rrjeti që mbulon institucionet shtetërore është rritur nga viti në vit, nga forcat e armatosura dhe policia deri tek gjykatat dhe prokuroritë, tek kompanitë publike dhe madje tek kompanitë e shërbimeve komunale që i kanë transportuar njerëzit të cilët do të pushkatoheshin nga skuadrat e pushkatimit apo që morën pjesë në mbulimin e krimit. Ata janë të ndjeshëm ndaj shantazhit, gjë që i bën ata partnerë idealë për çdo shkelje të radhës të ligjit, për çdo abuzim të radhës të pushtetit, plaçkitje të mallrave publike apo rrahje të kundërshtarëve.
Krimet e luftës nënkuptojnë jo vetëm vendime dhe organizime politike, por edhe logjistikë të zgjeruar teknike dhe financiare, gjurmët e së cilës mbeten të paeksploruara. Gjykimet para Tribunalit Ndërkombëtar Penal gjerësisht pasqyrojnë përjashtimin nga rregulli i caktuar para gjykatave vendore, ku krimet e luftës procesohen në nivel të kryesëve direktë, ndërsa personat që kanë dhënë urdhërat dhe kanë organizuar ekzekutimin dhe mbulimin e krimeve mbeten përtej dorës së drejtësisë. Shumica e kryesëve të krimeve shpeshherë janë rekrutuar nga bota e nëndhëshme dhe detyrat e tyre të luftës shpesh janë financiar nga kontrabandimi i paligjshëm i armëve dhe drogës si pjesë e bashkëpunimit ndërkufitar të klaneve mafioze në Ballkan. pas përfundimit të luftës, u rikthyen në rrugët e Serbisë për të patrulluar shtetin e kapur dhe për të rritur pasardhësit e tyre.
Milica Jovanoviq, gazetare e pavarur nga Beogradi
[1] Termi sabornost (rusisht: Собо́рность), ka kuptimin e “komunitetit shpirtëror të shumë popujve që jetojnë bashkërisht” është krijuar nga sllavofilët e hershëm, Ivan Kirejevski dhe Aleksei Komakjovi për të theksuar nevojën për bashkëpunim ndërmjet popujve në kurriz të individualizmi. (shënim i përkthyesit nga serbishtja në anglisht)