Ekzistojnë tre fakte për filmin si medium që duhet theksuar këtu, por edhe në përgjithësi. I pari është se audienca shpesh harron se filmi është kryesisht një produkt tregtar që synon të sjellë një lloj fitimi për investitorët. Ky fitim nuk është gjithmonë financiar; ndonjëherë është “prestigj artistik”, i shfaqur përmes çmimeve të ndryshme të festivaleve. Fakti i dytë është se filmi është një medium që ne e lidhim me realitetin. Pavarësisht sa joreale ose të pamundura mund të duken komplotet, nëse realizohen mirë, ato janë bindëse. Pra, pavarësisht nëse na pëlqen apo jo, filmi lidhet me realitetin. Fakti i tretë është se filmi është (shumë) shpesh një mjet propagande. Citate të shumta nga politikanët, nga Woodrow Wilson te Lenini dhe madje edhe betejat aktuale ligjore të Trumpit mbi The Apprentice, e mbështesin këtë fakt.
Filmi si një medium u shfaq në 1895. Filmat e hershëm kryesisht përshkruanin skena të jetës reale, si Arrival of a Train at La Ciotat ose Baby’s Lunch.[1] Megjithatë, kjo qasje e incizimit dhe paraqitjes së realitetit u braktis shpejt në favor të tregimit të historive. Ky ndryshim solli portretizimin e ngjarjeve historike nëpërmjet filmit, me një nga shembujt më të hershëm që ishte The Battle of Hampton Roads (1898), i cili përpiqej të rindërtonte një ngjarje nga Lufta Civile Amerikane. Menjëherë pas kësaj, ngjarjet aktuale filluan të rindërtoheshin, me shfaqjen e një zhanri të papërpunuar të quajtur film d’actualité (film mbi ngjarjet aktuale), duke paraqitur video incizime të shkurtra ose rindërtime të ngjarjeve historike. Në ato kohëra të hershme, portretizimet ishin aq të thjeshta sa, për shembull, një anije që po fundosej ilustrohej duke zhytur një lodër në një akuarium.
Me ardhjen e zërit, përmbledhjet e lajmeve – filma të shkurtër që shfaqeshin para ose ndërmjet filmave – u bënë të njohur, veçanërisht në programet me shumë filma. Është interesante se filmi dhe shprehja vizuale janë lidhur me luftën ose fatkeqësitë që në fillim. Përparimet në teknologji, si kamerat 16 mm, lejuan xhirimet e para të luftimeve dhe që nga Lufta e Dytë Botërore, ne kemi material të gjerë dokumentar të betejave dhe zonave të luftës, ndërkohë që praktika e rindërtimit të ngjarjeve aktuale vazhdoi gjithashtu. Filmat për luftëra dhe beteja specifike u shfaqën shpejt pas zhvillimit të tyre. Vlen të theksohet se ngjarjet historike në filma shpesh janë të lidhura me luftërat si pika të rëndësishme të kujtesës kolektive dhe që nga Lufta e Dytë Botërore, filmi, deri diku, ka formuar narrativën historike kolektive. Ata që dyshojnë për këtë do të habiten kur të kuptojnë se ka njerëz që besojnë në narrativën historike nga Inglourious Basterds të Quentin Tarantinos, ku Hitleri qëllohet në një kinema franceze. Ky film është interesant në këtë kontekst sepse përdor filmin si një mjet hakmarrjeje, duke treguar një histori alternative.
Pesëdhjetë vjet pas Luftës së Dytë Botërore, lufta në Bosnje dhe Hercegovinë përfundoi – një ngjarje që do ta ndikonte kolektivisht shoqërinë në çdo aspekt, duke përfshirë edhe atë të filmit. Që nga filmi i parë i pasluftës, Rrethi i përsosur nga Ademir Kenović, “filmi i luftës” është zhvilluar në Bosnje dhe Hercegovinë si një zhanër unik. Suksesi i mëvonshëm i Toka e askujt e forcoi më tej këtë formë të krijuar, duke tërhequr audiencë vendase dhe ndërkombëtare dhe duke sjellë potencialisht prestigj përmes çmimeve të festivaleve. Megjithatë, praktika tregon një pasqyrë tjetër.
Pas pothuajse tridhjetë vjetësh dhe pavarësisht një prodhimi minimal nga industria e filmit e Bosnjës dhe Hercegovinës, kjo formë është bërë e mërzitshme për audiencën ec cila sipas deklaratave të saj kërkon përmbajtje të ndryshme. Problemi nuk duket të qëndrojë tek tema, por tek mënyra se si paraqitet. Kemi parë filma lufte të realizuar më mirë, jo vetëm teknikisht, por edhe në aspektin narrativ. Disa filma të huaj, përmes temave universale, arrijnë të kapin më mirë natyrën e konfliktit njerëzor, përfshirë edhe atë që ka ndodhur në rajonin tonë, sesa filmbërësit vendas. Lufta si temë, veçanërisht në filmat artistikë, është kthyer në një “patericë” apo edhe një “karrocë invalidësh” ku regjisoret dhe skenaristët mbështeten për të mbushur boshllëqet narrative ose formale. Në këta filma, karakteret janë tejet të thjeshtuara, bota paraqitet në ngjyrë të zezë dhe të bardhë, e kufizuar në dy role – viktimë dhe ekzekutues.
Filmat dokumentarë, megjithatë, marrin një reagim tjetër. Shikueshmëria e dokumentarëve në festivalet lokale, veçanërisht pjesëmarrja në programin “Dealing with the Past” në Festivalin e Filmit në Sarajevë, tregon se audienca është e gatshme të shikojë dhe përjetojë tema të rënda. Këtu, parametrat ndryshojnë; në filmat dokumentarë, elementët teknikë ose të hartimit të skenarit kanë rëndësi më të vogël sesa kërkimi i së vërtetës në ngjarjet e paraqitura. Cilësi të ngjashme mund të jenë të pranishme edhe në filmat artistikë, siç shihet në suksesin e “Quo vadis, Aida?”, i cili është i bazuar në ngjarje të vërtetë, që ndërthur një histori triller rreth garës së një nëne kundër kohës për të shpëtuar familjen e saj.
Arti nuk mund ta ndryshojë botën, por mund të ndihmojë një individ të transformohet nga brenda. Përmes tij, njeriu mund të arrijë një të kuptuar më të thellë të asaj që do të thotë të jesh njeri, të prekë esencën e vet dhe ndoshta të arrij një transformim të brendshëm. Por ta ndryshoj botën? Arti nuk mund ta bëjë këtë.
I vetëdijshëm për të gjitha këto, në vitin 2019, fillova të punoj në një film të shkurtër dokumentar autobiografik B4, i cili rindërton specifikisht një ngjarje nga jeta ime – një plagosje gjatë luftës në Bosnje dhe Hercegovinë. Filmi paraqet një tjetër figurë kyçe, një fqinj që më dërgoi në spital atë natë, duke më shpëtuar jetën. Nuk ishim takuar për 26 vjet që nga ajo ngjarje.
Fillova të punoja në këtë film pas një sëmundjeje të gjatë, gjë që më bëri të rishikoj dhe rijetoj momentin më të keq të jetës sime. Nuk kishte të bënte me “përballjen me të kaluarën,” pasi pasojat e asaj ngjarjeje janë ende pjesë e jetës sime të përditshme. Kryesisht, doja të dokumentoja një ngjarje me fillim, mes dhe fund të qartë. E bëra filmin për arsye personale, “për veten time”, pa imagjinuar një audiencë specifike. Fakti që është një dokumentar i shkurtër, një formë me audiencë dhe popullaritet të kufizuar, më dha lirinë të eksperimentoja në mënyrë të strukturuar me materialin, përveç dokumentimit të takimit dhe rindërtimit verbal.
Reagimet ishin çuditërisht pozitive. Nuk e prisja një përgjigje të tillë ndaj një historie personale dhe, siç thuhet shpesh, “të rëndë”, veçanërisht pas afro 30 vjetësh “kinema lufte”. Mendoj se arsyeja është se bëhet fjalë për një histori intime. Është një tregim personal brenda një historie kolektive dhe mënyra se si trajtohet përmban një nivel autenticiteti që audienca e njeh si të vërtetë. Jo vetëm e vërteta si fakt, por edhe ajo “e vërteta” e papërshkrueshme që shpesh i referohemi kur shpjegojmë pse një vepër arti përcjell emocione. Ajo hap një derë tek një hapësirë që mund ta përshkruajmë më së miri si “e vërteta”.
Pa dashur ta konsideroj filmin që kam bërë si vepër arti apo zotërim të së vërtetës absolute. E kam bërë për arsye thellësisht personale dhe vetjake, në mënyrë që kjo ngjarje të dokumentohej. Nëpërmjet këtij krijimi, kam mundur që për një moment t’i ofroj shikuesit diçka më shumë nga ajo që prisnin apo që ishin mësuar. Procesi i zhvillimit të një kulture të kujtesës në një shoqëri përfshin filmin si mjet, dhe duke pasur parasysh historinë moderne, filmat kontribuojnë në mënyrë të konsiderueshme në këtë drejtim. Autorët kanë përgjegjësi kur trajtojnë tema të luftës, veçanërisht nëse nuk duan të bien në shërbim të propagandës ose të ripërsërisin tema tejet të përdorura.
Alen Šimić është regjisor filmi, i lindur në Tuzla në vitin 1988. Ai diplomoi në Akademinë e Arteve Skenike në Sarajevë, ku ka studiuar nën drejtimin e Pjer Žalica dhe Elmir Jukić. Ai ka punuar si asistent mësimor në Elementet e Filmit dhe Zhvillimi i Stileve të Filmit për tre vjet. Në ndërkohë, ai drejtoi pesë shfaqje profesionale, tre filma të shkurtër dhe mbi tridhjetë episode të serialeve komedi. Filmi i tij dokumentar B4 fitoi çmimin Filmi më i Mirë Studentor në përzgjedhjen e Bosnjës dhe Hercegovinës në Festivalin e Filmit në Sarajevë në vitin 2020 dhe filmi i tij i shkurtër artistik Dëshmitari u shfaq si premierë në Festivalin e Filmit të Sarajevës vitin e kaluar dhe u nominua për çmimin “Zemra e Sarajevës” në konkursin e filmit të shkurtër .
[1] Bordwell, David. McGraw Education Ltd, 2009. p. 34.