23 vjetori i sulmeve ajrore të forcave të NATO-s – Fillimi i fundit

Kur flasim për të kaluarën tragjike të Kosovës, shpesh ky narrativ përmbyllet me fushatën e sulmeve ajrore të NATO-s, këtë nderhyrje e gjejmë si përfundim të një periudhe të dhunshme në Kosovë.

Në 23 vjetorin e sulmeve ajrore 78 ditore të forcave të NATO-s kujtojmë historikun e shkurtër të shpërbërjes së ish-Jugosllavisë dhe pozitës së Kosovës si krahinë socialiste autonome e saj.

Epoka e përplasjeve mes etnive në ish-Jugosllavi ka filluar si pasojë e paknaqësive të republikave, krizës ekonomike si dhe ngritjes së nacionalizmit pas vdekjës së presidentit Josip Broz Tito në vitin 1980.

Shpërbërja e Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë filloi praktikisht pas shkëputjes së Sllovenisë dhe Kroacisë, të cilat e shpallën pavarësinë në vitin 1991. Sllovenia kaloi një luftë të shkurtër dhe me një numër të vogël të viktimave, përderisa lufta në Kroaci zgjati për 4 vite e 7 muaj duke lënë pas mbi 18.000 persona të vrarë dhe/apo të zhdukur.

Në Bosnjë dhe Hercegovinë lufta ka filluar një vit më vonë se ajo e Kroacisë, pra në muajin prill të vitit 1992 dhe ka përfunduar në dhjetor të vitit 1995, një muaj pas përfundimit të luftës në Kroaci. Lufta në Bosnjë dhe Hercegovinë u përcjell me numrin me të madh të viktimave gjatë shpërbërjes së Jugosllavisë, përkatësisht në “Librin e të vdekurve të Bosnjes’’ të Qendrës për Hulumtim dhe Dokumentim, figurojnë mbi 96.000 persona që kanë humbur jetën apo/dhe janë zhdukur gjatë luftës. Lufta në Bosnjë dhe Hercegovinë përfundoi me marrëveshjen e Dejtonit në dhjetor 1995. Përkundër pritshmërive, çështja e statusit të Kosovës nuk u shtrua për diskutim në bisedimet në Dejton dhe kjo e bëri të qartë që konflikti do të përcillej edhe në Kosovë duke marrë parasysh kërkesat e shqiptarëve të Kosovës për pavarësi.

Që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore, Kosova ka mbetur pjesë e Serbisë në Republikën Socialiste Federative të Jugosllavisë (RSFJ). Që nga ajo kohë, Kosova ka bërë përpjekje të vazhdueshme, fillimisht për t’u kthyer në Republikë si pjesë e shtetit federativ, pastaj për të drejta të barabarta me kombet tjera të ish-Jugosllavisë, si arsimi në gjuhën shqipe, përdorimi i simboleve kombëtare, etj. dhe në vitet 90-ta për pavarësi të plotë.

Gjatë viteve të 90-ta shtypja e shqiptarëve mori përmasa drastike të cilat kanë marrë përgjigje përmes protestave dhe demonstratave.

Meqë çasja paqësore nuk solli përmirësim e situatës të shqiptarëve në Kosovë, përkundrazi e perkeqësoi atë, në vitin 1997, Ushtria Çlirimtare e Kosovës shfaqet publikisht në fshatin Llaushë të Skënderajit ku edhe prezanton qëllimet dhe arsyet e themelimit. Kësisoji UÇK iʼu përgjigj dhunës së forcave ushtarake, policore dhe paramilitare serbe, me dhunë.

Edhe pse diskriminimi ndaj shqiptarëve në Kosovë u bë shumë më i dukshëm në fillimin e viteve 90-ta, sipas TPNJ-së, si datë zyrtare e fillimit të luftës në Kosovë njihet 28 shkurti i vitit 1998, me fillimin e luftimeve në mes UÇK-së dhe forcave serbe në Likoshan dhe Çirez.  Situata mori përmasa tjera me masakrën e Prekazit e që vazhdoi me vrasjet masive të civilëve në Obri të Epërme në muajin shtator 1998, dhe vrasjet në Reçak në muajin janar të vitit 1999. Këto ishin disa nga ngjarjet e mëdha tragjike që ishin shtysë e një përgjigjeje të bashkësisë ndërkombëtare deri atëherë të përçarë, e cila organizoi Konferencën e Rambujesë në muajin shkurt të vitit 1999, me qëllim të gjetjes së një zgjidhjeje paqësore të konfliktit.

Në fillim të vitit 1999, pas dështimit të negociatave për paqe (Rambuje dhe Paris), Aleanca Veri-Atlantike – NATO dhe aleatët e saj, filluan me datën 24 mars të vitit 1999, sulmet ajrore ndaj caqeve ushtarake jugosllave për 78 ditë me radhë. Në shenjë hakmarrje ndaj intervenimit të NATO-s në Kosovë, sulmet e forcave serbe u ashpërsuan. Vetëm një ditë pas fillimit të fushatës ajrore, 25 mars 1999, forcat serbe vranë dhe/apo zhdukën 298 civilë shqiptarë në vendet si: Brestoc dhe Bellacërkë të Rahovecit, Goden të Gjakovës, Tërnje të Suharekës, Randobravë të Prizrenit e kështu me rradhë.

Sipas të dhënave nga Libër Kujtimi i Kosovës nga 20 marsi i vitit 1999, deri në 14 qershor të të njejtit vit janë vrarë 6,872 shqiptarë në Kosovë.

Civilët shqiptarë gjatë kësaj kohe u përballën me një hakmarrje të ashpër dhe masive të forcave serbe të cilat dëbuan dhe vranë civilë, djegën prona private e publike. Gjatë asaj periudhe vetëm në komunën e Gjakovës u vranë 909 civilë shqiptarë, në Rahovec 577, në Mitrovicë 362, në Vushtri 389, në Pejë 496, në Gllogoc 640, në Prishtinë 413, në Prizren 414, në Suharekë 351, etj.

Më 27 prill 1999, në një ditë të vetme, forcat serbe vranë në fshatin Mejë mbi 300 fshatarë shqiptarë, shumica e trupave të të cilëve u gjetën në varre masive në Batajnicë afër Beogradit.

Në muajin maj të vitit 1999, mbi 2500 persona humbën jetën dhe/apo u zhdukën, prej tyre 2061 ishin shqiptarë, 454 ishin serbë ndërsa 65 persona i përkisnin komuniteteve jo-shumicë.

Viktima pati edhe nga sulmet e NATO-s, ku sipas FDH-së, u vranë 754 persona, 454 civilë dhe 300 anëtarë të forcave të armatosura.

Lufta zgjati deri më datën 10 qershor të vitit 1999 dhe përfundoi me nënshkrimin e marrëveshjes së Kumanovës, e cila parashikonte tërheqjen e forcave jugosllave të sigurisë nga Kosova, vendosjen e NATO-s dhe themelimin e UNMIK-ut, misionit civil të OKB-së.

Bashkë me tërheqjen e forcave serbe të sigurisë, Kosovën e lëshuan edhe një  numër i madh i popullsisë serbe, rome dhe pakicave të tjera. Dhe në anën tjetër, menjëherë filloi rikthimi i mbi 800 mijë shqiptarëve të cilët ishin dëbuar nga Kosova.

Intervenimi i NATO-s dhe i aleateve të saj ndaj forcave serbe, vazhdon të mbetet çështje e diskutuar në rajon dhe me gjerë. Fillimisht, se sa ishte i drejtë dhe i ligjshëm një intervenim i tillë dhe lidhur me këtë  vazhdon të  diskutohet çështja e mos-përgjegjesisë  penale lidhur me viktimat civile që kanë  humbur jetën si pasojë e sulmeve ajrore gjatë 78 ditëve të vitit 1999. Perceptime të kundërta kanë shqiptarët dhe institucionet e Kosovës nga njëra anë dhe serbët dhe institucionet serbe nga ana tjetër. Përderisa shqiptarët dhe institucionet shtetërore të Kosovës, intervenimin e NATO-s e konsiderojnë si intervenim humanitar në  pergjigje të krimeve serbe që ndodhnin ndaj popullsisë shqiptare gjatë viteve të 90-ta, në anën tjetër serbët dhe institucionet shtetërore serbe e konsiderojnë si ndërhyrje ndaj sovranitetit të Serbisë . Kjo qasje e kundërt përcillet edhe në memorializim, literaturë shkollore dhe në  historinë e re të këtyre dy vendeve.

Vesa Qena ka studiuar Dramaturgji në Universitetin e Prishtinës dhe është bashkëthemeluese e kolektivit artistik Haveit. Vesa i është bashkuar ekipit të FDHK-së në vitin 2018. Ajo tani punon si menaxhere në Qendrën për Dokumentim të Kosovës – hapësirës publike të FDHK-së.