Njerëz të (jashtë)zakonshëm. Arkivë e dokumentave për bashkëekzistencën shqiptaro-serbe në Kosovë, shekujt 19 – 21-të

Më shumë se dy dekada pas konfliktit të Kosovës, marrëdhëniet serbo-shqiptare dhe kosovaro-serbe vazhdojnë të portretizohen me metafora ogurzeza si “aparteidi i Evropës”, “sistemi i ndarjes etnike”, “konflikt i ngrirë” ose “lufta e pafund e tarifave”. Pavarësisht disa përmirësimeve në sferën e marrëdhënieve dypalëshe, mbrojtja e të drejtave të minoriteteve dhe pjesëmarrja proaktive politike dhe shoqërore e minoriteteve në nivel institucional në Kosovë dhe në Serbi, mosbesimi e madje armiqësia e dyanshme, ende mbizotërojnë në masmedia, në historiografinë zyrtare dhe në ligjërimet politike (populiste). Në terma të përgjithshëm, përjashtimi mbi baza etnike dhe perceptimi i marrëdhënieve ndëretnike pothuajse ekskluzivisht nëpërmjet këndvështrimit të dhunës së motiavuar në baza etnike tashmë janë konsoliduar si normë në publikun serb dhe atë kosovar. Mirëpo, duke shkuar përtej këtij konteksti në shkallë të gjerë të konstrukteve të shtytura nga politika, shpeshherë gjejmë perceptime të kundërta në radhët e atyre që e kanë përjetuar në të vërtetë realitetin e bashkëekzistencën ndëretnike në Kosovë. 

Në vend se të dekonstruktojmë direkt narrativat helmuese etnocentrike, puna jonë synon që të ofrojë burime historike dhe t’u japë zë atyre njerëzve të thjeshtë, rrëfimet jetësore të të cilëve kundërshtojnë stereotipet dhe paragjykimet e komuniteteve etnike përkatëse. Kështu, qëllimi ynë është të mbledhim dhe t’i bëjmë të dukshme rrëfimet pozitive dhe pohuese të bashkëekzistencës serbo-shqiptare në Kosovë gjatë shekujve 19-21. Bashkë me organizatat tona partnere në Kosovë (OJQ-të Aktiv dhe Qendra për Veprim Social Afirmativ nga Mitrovica e Veriut dhe Rrjeti i Lëvizjes për Paqe nga Kamenica) ne kemi nisur procesin e mbledhjes së burimeve historike (dokumenta arkivorë, artikuj nga gazetat, fotodokumentacion) dhe literaturë si dhe të ofrojmë rrëfime të historisë orale (intervista) që dokumentojnë shembujt pozitivë të ndërveprimit ndërmjet dy grupeve etnike. Të gjitha këto materiale janë në dispozicion si “Arkiva e dokumentave të bashkëekzistencës shqiptaro-serbe në Kosovë, shekujt 19-21 në uebfaqen e projektit në tri gjuhë (SHQ/SRB/ANG). Në vitin 2021 ekipi ynë e përfundoi pilot-projektin dhe një mostër të hulumtimit në terren në kuadër të aktiviteteve tona të projektit. Materialet e mbledhura dhe rezultatet e përgjithshme të pilot-projektit na kanë bindur për realizueshmërinë e aktiviteteve të synuara të projektit dhe të agjendës së përgjithshme të projektit të paraqitur në këtë projekt-propozim. 

Mund të mos dalë ashtu, mirëpo gjetjet tona paraprake tregojnë nivele të larta të pranimit dhe vlerësimit pozitiv për bashkëekzistencën shumëetnike në radhët e kosovarëve të thjeshtë që jetojnë në komunitete të përziera etnike. Kjo ka të bëjë me rrëfimet e tyre për gjendjen në lagjet e tyre në periudhat para, gjatë dhe pas konfliktit të viteve 1990-të. Kemi hasur në reflektime të tilla pohuese në intervistat që kemi zhvilluar në Shtërpce, Prishtinë, Kamenicë, Mitrovicë, Ranillug dhe Gjilan. Të intervistuarit, serbë dhe shqiptarë, na kanë rrëfyer tregime goditëse për vlerësimin dhe bashkëpunimin ndëretnik që ka qenë para, gjatë dhe pas konfliktit. Informacioni më i vlefshëm i referohet akteve individuale të ndihmës dhe përkrahjes ndëretnike gjatë konfliktit; për shembull, ato që mishërojnë kurajon dhe vendosmërinë e atyre që rrezikuan jetët e tyre për të mbrojtur apo për t’u ofruar strehë fqinjëve që i përkisnin grupit “armik”. 

Mostra jonë e hulumtimit mund të mos korrespondojë me mendësinë e të gjithë njerëzve në Serbi dhe në Kosovë, mirëpo për shkak të ndasisë etnike në Kosovë, shumica e njerëzve nuk kanë përjetuar ndonjëherë jetë në komunitete të përziera. Kur fokusohemi për shembull tek marrëdhëniet ndëretnike në komunitete të përziera etnikisht, si në Kamenicë, niveli i njohjes dhe respektit të ndërsjellë duket të jetë më i lartë në krahasim me komunitetet përkatëse etnike dhe elitat e tyre etno-kombëtare, detyrë e të cilëve është të ngrenë dhe t’i ruajnë qëndrimet e tilla të përgjithshme në shoqëritë e tyre përkatëse. Të paktën nga kjo mostër e nënpërfaqësuar duket sikur në Kosovën moderne bashkëekzistojnë dy realitete paralele: njëri ku qytetarët jetojnë si individë të përgjegjshëm me virtyte qytetare dhe me aftësinë për gjendje komplekse të bashkëekzistencës dhe një tjetër, ku të njëjtët njerëz jetojnë vetëm brenda kolektivëve të tyre etno-nacionalistë, të ngarkuar nga urrejtja dhe mosbesimi. Ne mendojmë se ky “realiteti tjetër” nuk është veçse konstrukt i krijuar nga elitat e papërgjegjshme, që duhet vënë në pah dhe duhet luftuar.

OJQ-ja jonë ka botuar dy broshura edukative në tri gjuhë (SRB-SHQ-ANG) që i kushtohen 1) marrëveshjeve të besës shqiptaro-serbe (1906-1907) dhe 2) pjesëmarrjes së rekrutëve shqiptarë dhe serbë në ushtrinë serbe gjatë L2B. Që të dyja broshurat merren me çështje kundërthënëse nga e kaluara e përbashkët e rajonit dhe synojnë të paraqesin një shqyrtim shumështresor dhe shumëperspektivësh të marrëdhënieve shqiptaro-serbe në Kosovë. Broshurat kombinojnë qasjen aktiviste dhe akademike.