Arkitortura e dy dekadave të fundit

Në vitin 2014 kam shkruar një tekst për Bienalen e Venecias me fokus tek leximi i shtresave historike të qyteteve kosovare se si shtresëzim u krijua si rezultat kompleks i rrethanave historike, shoqërore e deri sistemeve politike. Nuk e kisha vështirë t’i identifikoja gjurmët e pastra të secilës periudhë. Vullneti i Perandorit Justinian që, përmes shkëlqimit të Ulpianës, të linte gjurmë në viset prej nga e kishte prejardhjen shihej qartë, ashtu si edhe ndikimi i kishës ortodokse mbi rendin shoqëror mesjetar përmes kishave dhe manastireve. Sundimi pesëqindvjeçar osman la gjurmë në çdo pore të jetës duke dominuar siluetat e vendbanimeve me kupola dhe minare të panumërta. Njollat e neoklasicizmit austro-hungarez, sado tërthorazi që të kishte kaluar këndej, e deri tek Jugosllavia e pas Luftës së Dytë Botërore që parrullën e “barazisë absolute të rendit sociaclist vetëqeverisës dhe të uniformimit të masave pa klasa shoqërore” e shtrinte edhe në politikat e zhvillimit të qyteteve përmes ndërtesave të balancuara në kosto dhe shprehje. Periudhën më të vështirë për ta artikuluar e pata, e në masë të madhe e kam ende sot, atë të pas luftës së fundit (që nga viti 1999). Kjo, ndoshta edhe për shkak të afërsisë kohore. Fundja, është edhe rregull fizik që gjërat që i ke më pranë nuk mund t’i shohësh në plan të gjerë. Nga një perspektivë e përgjithshme këtë periudhë e kam përkufizuar si konfuze, të shpërqendruar, të paqartë në vizion, e që u pasqyrua në të njëjtën masë dhe formë konfuze, të shpërqendruar dhe pa vizion edhe në arkitekturë. Ende po përpiqem ta kthjelltësoj, së paku duke dhënë një këndvështrim krejtësisht individual, pa këmbëngulur aspak në vërtetësinë absolute të tij.

Menjëherë pas luftës, në Prishtinë dhe në qytete të tjera të Kosovës filloi një bum i madh i ndërtimeve. Fillimisht, kjo u duk si nevojë për kulm mbi kokë, pak si rrjedhojë e shkatërrimeve të luftës e pak nga ndalimi i ndërtimeve përgjatë regjimit dhjetë-vjeçar të Millosheviqit. Mirëpo, shumë shpejt, nga nevojë për strehim u transformua në epsh për pasurim. Qyteti filloi të trajtohet si parcelë gjigante ndërtimi ku në çdo ngastër trë lirë të tij duhej të ngulitej nga një ndërtesë. Shtëpitë individuale dhe zonat e banimit të ndërtuara me dashuri në vitet e 80-ta, të mbuluara nga gjelbërime me shije nëpër lagjet si: Pejtoni, Bregu i Diellit, Dodona, Tophanja, Emshiri, u detyruan që ato t’ua japin ndërtuesëve në kompensim të disa apartamenteve. Pra, parcelat që dikur këndshëm komunikonin me shtëpitë individuale të vendosura në përputhshmëri me madhësinë e tyre duke krijuar harmoni në mes veti, u përdhunuan nga ndërtesat gjigande shumëbanesore.

Në mungesë të librave kadastralë që ishin vjedhur nga sistemi i Millosheviqit deri sa po e lëshonte Kosovën, keqpërdoruesve të ndryshëm iu dha mundësia që nëpër sipërfaqe të shumta publike të ndërtonin ndërtesa shumëbanesore për qëllime afariste.

Një mënyrë tjetër që ndikoi dukshëm në shpërfytyrimin e qytetit është mënyra e privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore. Në shumicën e rasteve, prona të këtyre ndërmarrjeve privatizoheshin jo për të rigjallëruar karakterin industrial apo biznesor të tyre, por duke u parë si parcela atraktive për ndërtim. Rasti më flagrant është lagja “Fazita” në zemër të Prishtinës, që nga një zonë ekonomike me ndërtime dhe dendësi super të ulët u kthye brenda natës në zonë ndërtimi të lartë deri në 40 kate, pa u menduar fare për kurfarrë intervenimi shtesë në infrastrukturën e nevojshme publike!    

Këta tre skenarë të shkatërrimit të qytetit: sulmi mbi lagjet e banimit individual, sulmi mbi pronat publike dhe abuzimi me procesin e privatizimit, nuk ndodhën aksidentalisht, por sipas një strategjie të pastër për superpërfitime nga ana e ndërtuesve. Qytetet u trajtuan si parcela ndërtimi me qëllim pasurimi maksimal duke harruar krejtësisht cilësinë e jetës së qytetarit apo adresimin e nevojave të përbashkëta, duke shkatërruar, shpërfytyruar dhe shpërfillur gjatë këtij procesi edhe praninëe së kaluarës së dhunshme dhe traumatike.  

Prandaj, këtë periudhë njëzetvjeçare nuk do të mund ta kuptojmë pa hedhur edhe një vështrim se si u trajtuan ato pak hapësira publike, si: sheshet qendrore, shëtitoret, parqet, etj., që nuk mundën t’i privatizojnë apo uzurpojnë. Edhe pse ato nuk u privatizuan, nuk do të thotë se nuk u keqpërdorën. Pushtetet e kësaj kohe e kishin fare të qartë rëndësinë e manifestimit të fuqisë së tyre përmes të qenit të pranishëm në qendër të publikut. Kështu, pavarësisht se nuk u lodhën për të krijuar asnjë hapësirë publike të re, ata u bënë të pakompromis për të qenë me çdo kusht të pranishëm në ato ekzistuese. Për pak vite pas luftës, duke vazhduar edhe në ditët e sotme, hapësirat publike u mbushën me skulptura të protagonistëve të luftës së fundit. Dhe deri këtu është krejt e kuptueshme. Nuk bënë asgjë që nuk bënë gjithë pushtetet të paktën në 2500 vjetët e fundit të civilizimit gjithandej nëpër botë. Ajo që bie në sy, është mënyra se SI E BËNË?! e që në fakt na jep të kuptojmë edhe PSE E BËNË?! Të gjitha këto skulptura të vendosura në të gjitha sheshet e Kosovës lehtësisht mund të ndahen në dy kategori. Kategoria e parë, ato me me defekte të theksuara proporcionale, të punuara nga autorë amatorë, dhe e dyta, ato të realizuara korrekt brenda parimeve të realizmit socialist të pas Luftës së Dytë Botërore. Këto të dytat, përgjithësisht të realizuara nga skulptorë eminentë nga Republika e Shqipërisë, ku kjo rrymë ishte shumë e zhvilluar, arrijnë shpesh edhe përkryeshmërinë brenda kësaj fryme, por përsëri e pamjaftueshme për të gëzuar statusin e veprës artistike për shkak të shpërfilljes së komponentit të domosdoshëm VEPËR – KOHË. Pra, si nga rasti i parë, ashtu edhe nga i dyti, vërejmë lehtësisht se ardhja e këtyre protagonistëve nëpër hapësirat publike shumë më shumë se sa vullnet i çiltër për të nderuar sakrificën e tyre ishte vullnet politik për të imponuar dhe nënvizuar se KUSH E SOLLI LIRINË. Pra, në këto skulptura, i gjithë fokusi artistik përqendrohet tek detajizimi dhe theksimi i arsenalit ushtarak dhe fare pak tek psikologjia dhe intelekti i protagonistëve dhe aspak tek ideali i tyre sublim: LIRIA. Pra, heroi i lirisë sonë mund të ketë edhe të kaluar intelektuale, si Hamëz Jashari – mësues, Agim Ramadani – poet e artist, Edmond Hoxha – student, por të derdhur në bronz assesi nuk guxojnë të jenë pa PUSHKË, sepse duhet këmbëngulur se liria erdhi vetëm si rezultat i PUSHKËS dhe në asnjë mënyrë i ndonjë aktiviteti tjetër. E gjithë kjo, përfshirë edhe gjuhën e domosdoshme estetike socialisto-realiste që vinte si kërkesë eksplicite e porositësve të tyre, apo e fuqisë politike në ardhje që edhe ideologjikisht ishte e lidhur me socializëm-realizmin. donin të tregonin fuqinë politike në hapësirë dhe që domosdoshmërisht duhet të përputhej me ideologjinë politike që ata përfaqësonin. Në këtë mënyrë, ata trasonin të ardhmen e tyre politike duke manifestuar fuqinë e tyre në hapësirë.   

Për fund, nuk e di sa janë të mjaftueshme 20 vjet që një periudhë të emërtohet me emrin e saj, por nëse do të duhej ta bëja këtë, duke u nisur nga funksioni themelor i arkitekturës – që është ofrimi i mjedisit sa më të mirë për jetesë, nga ajo çka ka ofruar mjedisi i ndërtuar këto njëzet vitet e fundit, emërtimi që do t’i shkonte më së miri do të ishte ARKITORTURË.

Arbër Sadiki (1977) arkitekt, ligjërues, kritik. Mban gradën Doktor i Shkencave Teknike në Fushën e Arkitekturës dhe Urbanizmit nga Universiteti i Beogradit. Fusha e ngushtë e hulumtimeve të tij lidhet me marrëdhëniet në mes rrethanave shoqërore dhe arkitekturës. 

Asistent kurator i pavionit të Kosovës në Bienalen e 14-të të Venecias. I nominuar në Aga Khan Aëard for Architecture, Gjenevë.

Fitues i “Çmimit Vjetor për Vepër Shkencore në fushën e Trashëgimisë Kulturore”, 2020, ndarë nga Ministria e Kulturës, për botimin me titull: “Arkitektura e Ndërtesave Publike në Prishtinë: 1945-1990, Faktorët Shoqërorë dhe Formësues”.