Kinematë e Kosovës në kontekst: një reportazh

Reflektimi im për marrëdhënien ndërmjet kinemave, hapësirave publike, angazhimit të komunitetit dhe ballafaqimit me të kaluarën në Kosovë mbështetet mbi përvojën time të vazhdueshme me procesin e ringjalljes së ish-kinemave dhe ndërtimit të një institucioni kulturor bashkëkohor të përfshirë në forma eksperimentale dhe artistike të hulumtimit të historisë pamore dhe materiale. Pikënisje ka qenë një ndërtesë e trashëguar e kinemasë që shërbente pjesërisht si arkiv dhe për të cilën nuk kishte histori të shkruar apo as edhe ndonjë datë të caktuar të hapjes. Historicizimi i saj nisi në vitin 2014. Ekipi i fushatës për Nismën për Mbrojtjen e Kinemasë “Lumbardhi”, me ndihmën e ekspertëve vendorë të trashëgimisë kulturore, paraqitën nominimin që e shndërroi kinemanë në vend të trashëgimisë kulturore dhe ndaloi privatizimin dhe shkatërrimin e mëtejshëm të saj.

Sensibilizimi i komunitetit dhe i palëve të interesit përgjatë viteve rezultoi në nevojën dhe mundësinë për të studiuar arkivat dhe për ta kontekstualizuar kinemanë e Lumbardhit brenda historisë moderne të Prizrenit dhe të zhvillimit të kinemave në Kosovë. Studiuesi i filmit dhe medias Bengi Muzbeg së bashku me sociologun Tevfik Rada, të cilët i kanë studiuar me themel arkivat e Kino “Bistricës” dhe Kino “Rilindjes”, si edhe arkiva dhe burime të tjera, e kanë bërë këtë me shumë zotësi. Gjatë këtij procesi, ata kanë grumbulluar njohuri, që do të paraqitet në formën e ekspozitave dhe publikimeve gjatë viteve 2021 dhe 2022. Njohuri të tilla do t’i japin drejtimin edhe hulumtimeve të mëtejshme. Mësimet nga ky bashkëpunim dhe hulumtimi i tyre i kanë dhënë formën njohurive të mia të përgjithshme për zhvillimin e filmit në Kosovë dhe kanë udhëhequr disa nga idetë dhe vlerësimet në këtë tekst. 

Historia e kinematografisë së Kosovës

Dëshmitë e para për shfaqjen e filmave në Kosovë shkojnë pas deri në vitin 1911. Sipas gazetës Male Godine që botohej në Beograd, një kinema shëtitëse nga Cetinja shfaqi një film në Hangarin e Pejës. Përmendet edhe një kinema ushtarake e epokës së Austro-Hungarisë në Kosovë, e quajtur Feldkino, para Luftës së Parë Botërore. Po ashtu, ka referenca për filma të shkurtër dhe dokumentarë që janë filmuar në vend në ato vite. Pas Luftës së Parë Botërore, në vitin 1939, Mbretëria e Jugosllavisë miratoi ligjin për rregullimin e kësaj industrie të re dhe themeloi “Jugoslovenski prosvetni film”, apo institucionin e parë të këtij lloji në rajon, që prodhoi një sërë dokumentarësh dhe materiali propagandistik në Kosovën e viteve ’30-të. Thyerja që pasoi me Luftën e Dytë Botërore dhe pushtimin italian rezultoi në shkatërrimin apo humbjen e shumë prej këtyre dokumentarëve pamorë, ndërsa periudha e pasluftës shënoi fillimin e një epoke të re edhe për këtë industri. 

Prodhimi i filmit në Jugosllavi nisi në vitin 1949 me produksionet në Beograd, si Avala Film dhe Slavija Film. Institucioni i parë për produksion dhe shpërndarje të filmave, “Qendra Kulturore dhe e Propagandës së Rajonit Autonom të Kosovës dhe Metohisë” u themelua në Prishtinë në vitin 1960. Ajo vazhdoi me produksionin e filmave dhe dokumentarëve, përfshirë edhe filmin e parë në gjuhën shqipe, deri kur veprimtaria e saj pushoi në vitin 1970, pas themelimit të Kosovafilmit në vitin 1969. Megjithatë, kinematizimi i vendit, apo vala e ndërtimit të kinemave publike, veçse kishte filluar pas luftës, me një ritëm urgjent gjatë të gjithë viteve ’50-të. Deklaratat e politikanëve të asaj kohe theksonin rëndësinë e kinemave jo vetëm për qëllime argëtimi, por edhe edukimi. Sallat e kinemave u shndërruan në qendra të projektit për modernizimin e shtetit dhe shoqërisë.

Kinematë e Kosovës si dukuri masive

Të ndërtuara përmes aksioneve kolektive dhe me pjesëmarrjen e ndërmarrjeve dhe qytetarëve lokalë, kinematë sollën botën në qytezat e vogla të Kosovës, që po kalonin nëpër një transformim me ritme të përshpejtuara. Nacionalizimi dhe shpronësimi i pronës private i hapi rrugën ndërtimit të ngrehinave të reja publike, përfshirë kinemave. I tillë ishte rasti i shtëpisë dhe kopshtit që i përkisnin familjes Petkoviq në Prizren, ku në vitin 1952 u hap Kino “Bistrica” (“Lumbardhi”). Në shtatëdhjetë vjetorin e saj, ajo qëndron si kinemaja më e vjetër aktive në Kosovë. Përveç këtyre tipareve të veçanta, historia e saj përfaqëson fatin e shumë kinemave kudo në vend. Deri në vitet ’80-të, kinematë ishin hapësira për përvoja masive, ku shfaqeshin një shumëllojshmëri filmash, nga ata me partizanë apo të kinemasë jugosllave deri tek filmat me arte marciale dhe uestern, e produksione të Bollivudit e Hollivudit, madje ndonjëherë edhe filma të pavarur. Pas rënies së audiencave për shkak të shfaqjes së formave të reja për të parë filma, sidomos VHS dhe qasjes më të gjerë në televizorë gjatë viteve ’80-të, të gjendjes politike dhe të embargos, të kapërcimit drejt pornografisë dhe kushteve të luftës në vitet ’90-të, të mbylljes së Kosovafilmit dhe shumë ndodhive të tjera, kinemaja preku fundin. Në të njëjtën kohë, kjo krijoi një vakuum brenda të cilit qytetarët, profesionistët dhe entuziastët do të merrnin përgjegjësi dhe do të ofronin apo kërkonin alternativa.

Kinemaja e Kosovës së pasluftës
Në Kosovën dhe Prizrenin e pasluftës nuk ka patur gatishmëri për të adresuar çështjen e kinemave apo për të tentuar gjetjen e sistemeve të reja për ringjalljen dhe funksionimin e tyre. Për shkak të paqëndrueshmërisë ekonomike, ndërmarrja e Kino “Bistricës” e ndërpreu veprimtarinë në fillim të viteve 2000, duke e bërë Prizrenin qytet pa kinema. Nga ana tjetër, “Lumbardhi” u shndërrua në hapësirë të braktisur ku rrinin ish-punëtorët dhe ku ndonjëherë mbahej ndonjë festival apo koncert lokal. Në krahasim me 42 kinematë që funksiononin në vitin 1975 dhe 34 në vitin 1983, në vitin 2000 Kosova kishte vetëm një: Kino “ABC” në Prishtinë, deri në vitin 2013 kur nisën të (ri)shfaqen kinema të vjetra dhe të reja.

Pas mbylljes së Kino “Bistricës”, qytetarët donin rikthimin e kinemasë në Prizren, ky qytet me traditë të shkuarjes në film dhe me breza të tërë të kinodashësve. Kjo kërkesë u paraqit në formën e një festivali të filmit, DokuFest, që e shfaqi filmin e tij të parë në Kino Bahçe (kinemaja e hapur)më 9 shtator 2002. Ky edicion i festivalit në rritje u përsërit çdo vit. Në vitin 2007, Kryetari i Prizrenit reagoi duke nënshkruar vendimin për ta shkatërruar Kino “Lumbardhin”, që t’i hapte rrugën një parkingu apo qendre tregtare.

Ky veprim nxiti protestën gjatë edicionit të gjashtë të DokuFestit. Fushata mblodhi 8,000 nënshkrime, që e ndaluan procesin, duke e shpëtuar kinemanë. Në vitin 2012-2014 ajo funksionoi si bar joformal, duke e tërheqëur sërish vëmendjen e autoriteteve. Në korrik 2014, administratori i pronës, Agjencia Kosovare e Privatizimit, shpalli likuidimin dhe privatizimin e saj. Ky veprim nxiti një tjetër zinxhir reagimesh nga organizatorët e festivalit dhe nga komuniteti vendor dhe ndërkombëtar. Gjatë ceremonisë së hapjes së DokuFest-it, ata organizuan një akt proteste, të përcjellë me një fushatë mediatike dhe debate. Nën ombrellën e “Nismës për Mbrojtjen e ‘Kinema Lumbardhit’” që koordinohej nga DokuFest dhe OJQ EC Ma Ndryshe u bënë bashkë 58 organizata jofitimprurëse. Ato patën sukses me nominimin e kinemasë që të shndërrohej në vend trashëgimie nën mbrojtje. Në vitin 2015, u themelua Fondacioni Lumbardhi për të vijuar me kërkesa të tjera afatgjate të komunitetit dhe për ta aktivizuar kinemanë. Kjo çoi drejt përmirësimit gradual të ndërtesës dhe zhvillimit të programeve që ia rikthyen funksionin kinemasë. Gjithashtu, gjeneroi interesim për të hulumtuar historinë e Kino Lumbardhit dhe të kinemave të Kosovës në shekullin e 20-të.

Revelanca aktuale e kinemasë në Kosovë

Ekzistojnë dy zhvillime paralele me rëndësi të njëjtë për të ardhmen dhe të tashmen e kinemasë në Kosovë. Së pari, pas dekadës së ’90-tave kur filmohej me teknologjinë VHS, Kosova nisi të zhvillojë ngadalë skenën e filmbërësve dhe festivaleve të filmave. Kjo shtroi rrugën për rrjetëzim ndërkombëtar, për mundësi edukimi dhe për zhvillimin e filmbërësve dhe (bashkë)produksioneve që u shfaqën në vitet 2010-të. Ata morën pjesë në festivale filmash ndërkombëtarë të mëdhenj dhe morën shumë shpërblime me vlerë. Një sukses i tillë ka krijuar mendim pozitiv për rritjen e investimit në kulturë dhe për rolin e arteve në portretizimin e realiteteve dhe përvojave komplekse të shoqërisë.

Së dyti, organizatat e pavarura kulturore nga Peja, Prizreni dhe Prishtina kanë krijuar festivale të filmave që i kanë kontribuuar zhvillimit të një vale të filmbërësve dhe kulturës së kinemasë në Kosovë. Në vitin 2013, këto organizata ndërtuan Kino “Europan” (mbi rrënojat e Kino “Radnik”) në Prizren. Ato aktivizuan Kino “Jusuf Gervallën” në Pejë në vitin 2014, Kino Lumbardhin në Prizren në vitin 2015 dhe Kino “Armatën” në Prishtinë në vitin 2018. Të gjitha këto salla kinemaje janë ndërtuar ndërmjet viteve ’50 dhe ‘70. Në vitin 2020 mori jetë nisma për aktivizimin e Kino “Rinisë” në Prishtinë. Edhe Ministria e Kulturës ka shprehur qëllimin për të aktivizuar rrjetin e sallave të kinemave në Kosovë dhe për të investuar në ringjalljen e infrastrukturës së tyre.

Kinematë e Kosovës si vende për ballafaqimin me të kaluarën

Sallat e kinemasë ecin krah për krah me shfaqjen e hapësirave të tjera kulturore dhe shoqërore në qytetet e Kosovës, në formën e partneriteteve ndërmjet organizatave, komunave dhe autoriteteve të tjera dhe me problemet specifike që janë shfaqur. Ekziston një nevojë urgjente për të rregulluar infrastrukturën financiare dhe ligjore dhe bazuar në përvojat e mëhershme, për të projektuar modelin për menaxhimin dhe zhvillimin e muzeumëve, sallave të kinemave dhe hapësirave të tjera kulturore.

Shfaqja dhe aktivizimi i këtyre hapësirave ka bërë bashkë historinë e varrosur dhe brezin e ri të aktivistëve dhe profesionistëve. Gjithashtu kanë nxitur dialog ndërmjet brezave për të kujtuar jetët e kaluara të këtyre institucioneve me ata që janë të zellshëm të mësojnë për to dhe t’i bëjnë këto hapësira të përdorshme. Kanë ofruar modele funksionale për menaxhimin dhe mirëmbajtjen e vendeve të trashëgimisë kulturore dhe infrastrukturës publike përmes qasjeve poshtë-lart, duke inkurajuar ndërkohë njohjen dhe ruajtjen e trashëgimisë moderniste apo krijimin e Arkivit digjital të Historisë Orale. Këto hapësira janë shndërruar në pikëtakime me historinë e një ndërtese dhe të një periudhe, vende ku diskutohet për dhe ku vizitohen historitë dhe trashëgimitë e tyre, por edhe vende të gjalla për performanca, shfaqje, takime dhe biseda, apo platforma të rezistencës kundër zhvillimit urban të pakontrolluar dhe për konceptim të vizioneve, menaxhimit dhe shfrytëzimit të hapësirave publike me pjesëmarrjen e të gjithëve.

Disa studime për Kino “Lumbardhin”, “Rilindjen”, Kino “Jusuf Gervallën” dhe Kino “Rininë”, krahas me punën e komunitetit të hulumtuesve nëpërmjet individëve dhe organizatave që merren apo mbështesin hulumtimet kanë hedhur dritë mbi potencialin e madh të subjekteve nga historia e kulturës që na ndihmojnë të kuptojmë zhvillimet dhe ndryshimet nga e kaluara, por edhe mbi mungesën e arkivëve dhe burimeve të mirëorganizuara dhe të qasshme të njohurive për hulumtuesit ose për publikun.

Edhe pse ka zhvillime pozitive dhe rritje të bashkëpunimit ndërmjet aktorëve, ndikimi më i madh kërkon investim afatgjatë. Kapacitetet duhet të ngrihen përmes instituteve, programeve për arsim dhe mbështetje dhe bashkëpunimit ndërkombëtar. Restaurimi dhe rivitalizimi i vendeve të përzgjedhura të kujtesës, si dhe digjitalizimi dhe hapja e burimeve të ndryshme për qasje të publikut ka nevojë për kohën e vet. Mirëpo këto kushte janë të domosdoshme që hapësirat të funksionojnë, që programet dhe formatet e ndryshme t’u ofrohen audiencave për një kohë të gjatë, që të arrihet i kuptuar më i mirë i përvojave nga shekulli i 20-të dhe të gjenerohen arkiva dhe narrativa pluraliste, gjithëpërfshirëse dhe të qasshme. 

Ares Shporta është Bashkëthemelues dhe Drejtor i Fondacionit Lumbardhi. Ai udhëheq ringjalljen dhe zhvillimin institucional të Kinemasë Lumbardhi. Shporta ka gradën Master në Arte për Menaxhim Kulturor nga Universiteti Bilgi në Stamboll me fokus tek modelet përfshirëse të qeverisjes kulturore në nivel lokal. Ai ka shkruar tekste, ka hartuar strategji dhe ka shërbyer në disa borde, komitete dhe këshille lidhur me politikat kulturore dhe urbane, bashkëpunimin qytetaro-publik dhe zhvillimin e shoqërisë civile. Shporta është Kryetari i Platformës Kooperativa, një platformë rajonale për kulturën në Evropën Juglindore. Ai është edhe Kryetari i Rrjetit të Organizatave Kulturore në Prizren dhe anëtar i Bordit Këshillimor të Parkut të Inovacionit dhe Teknologjisë në Prizren.