Dhimbja që jeton me ne

Një natë e heshtur e muajit gusht në vitin 1998, e heshti edhe lagjen dikur të hareshme të banuar kryesisht me romë. Familja ime e priste xhaxhain tim, asokohe 19-vjeçar, të kthehej në shtëpi. Jo vetëm familja, por e gjithë lagjja: familjarë, fqinjë, që e kishin kërkuar gjithë ditën. 

Më në fund e kishin gjetur afër parkut të qytetit, të shtrirë në tokë. Qysh nga fëmijëria, nëpër familje tregohet ngjarja: xhaxhain, person me aftësi të kufizuara, e kishin rrahur e torturuar persona që mbetën të paidentifikuar sot e asaj dite. Kjo ngjarje rrënjosi frikë të përhershme te të gjithë. Pos që ishte pamje e rëndë, ishte edhe një mesazh: se kjo mund t’i ndodhte çdo njërit nga ne dhe se lufta brutale s’bënte përjashtim për askënd, as për persona me aftësi të kufizuara, as për fëmijë, as për pleq. Ishte po ashtu njëfarë paralajmërimi i hidhur se mizoria nuk ndalet vetëm tek viktimat e drejtpërdrejta.

Aty nisi një dhimbje, gjurmët e së cilës ndryshuan sjelljet e secilit: një kujdes i vazhdueshëm për të gjithë ata që janë të pambrojtur, një ndjesi e vazhdueshme e pasigurisë dhe vigjilencës, një frikë në ajër. Shenjat në trupin e xhaxhait mbetën shenja të paharrueshme në mënyrën se si i jetuam vitet në vijim, jo vetëm familja ime, por e gjithë lagjja.

Vera e vitit 1998 ishte e akullt në Kosovë. Lufta kishte filluar të thyente harenë e lagjeve gjithandej. Qarkullonin lajme për plaçkitje, djegie, dhunë e vrasje. Prindërit më tregonin që fëmijët nuk donin t’i linin të vetëm në shtëpi, gratë dhe burrat përpiqeshin të mbikëqyrnin çdo lëvizje në rrugë dhe çdo hap i çuditshëm, jashtë normës, ngjallte tmerr. 

Gjithçka kulmoi pastaj në vitin 1999, ku pos shqiptarëve, edhe shumë romë, ashkali dhe egjiptianë u detyruan t’i lënë shtëpitë e tyre. Pas një lufte të dhimbshme, ku u vranë mbi 10,000 civilë, shumicë dërrmuese shqiptare, erdhi liria. Por jo për të gjithë njëlloj. Ngjarja që i kishte ndodhur xhaxhait tim një vit më parë, u bë më e zakonshme për romët, ashkalitë dhe egjiptianët. Mijëra pjesëtarë të këtyre komuniteteve u dëbuan prej shtëpive të tyre, shpesh të damkosur me titullin “tradhtar” dhe u bënë refugjatë nëpër vendet fqinje dhe shtetet e Evropës perëndimore, derisa të tjerë u bënë viktima të dhunës së pamëshirshme.

Nëna më thoshte se kur e kujtonte atë ditë kur e gjetën xhaxhain, e ndiente dhimbjen që një prind do të ndiente duke parë fëmijën e vet të lënduar dhe të pafuqishëm. Gjyshi dhe gjyshja, ndërkohë, nuk jetojnë më, por kujtimet e tyre për frikën, trishtimin dhe ndjenjën e pafuqisë jetojnë me mua, anipse isha krejt i vogël gjatë luftës e mbase i paaftë të vlerësoja saktë se çka po ndodhte para syve të mi fëmijërorë. Por, nuk harrohen lehtë zëri që dridhej i gjyshit dhe gjyshes, lotët që u rridhnin vetvetiu, sa herë flisnin për ngjarjen. Ndieheshin të shkatërruar dhe fajësonin veten që s’kanë mundur ta mbronin xhaxhain. 

Kjo dhimbje ka formësuar mënyrën se si jetojmë dhe perceptojmë botën. Lagjet ku jetonin romët u ndryshuan: njerëzit ecnin më të kujdesshëm në rrugë, fëmijët nuk lëshonin më dorën e prindërve dhe çdo zhurmë e papritur shkaktonte tension dhe kujdes të shtuar. 

Edhe xhaxhai mbeti me trauma të thella: frikë nga çdo tingull i papritur, pasiguri që çdo lëvizje mund të sjellë rrezik, kujtime të dhimbshme, që rikthehen herë pas here. Vetëm ai e di se cili cep i qytetit ishte dëshmitar i dhimbjeve të tij. Ai ka mësuar të jetojë me një përzierje të hidhur të kujtimeve dhe frikës dhe për ne të afërmit kjo do të thotë të jemi gjithmonë të pranishëm, të kujdesshëm dhe të gatshëm për të ofruar mbështetje. Kemi mësuar se dhuna nuk është përvojë individuale; ajo prek gjithë rrjetin e familjes dhe të komunitetit. Kemi mësuar edhe se disa dhimbje, si duket, janë më pak me vlerë për t’u kujtuar e dokumentuar. 

Edhe pas më shumë se dy dekadash, vuajtja e romëve ka mbetur në heshtje, pa memoriale madhështore, pa pllaka përkujtimore dhe shpesh pa vend në historinë zyrtare. Viktimat rome të luftës së Kosovës kanë mbetur në hijen e kujtesës kolektive, sikur dhimbja e tyre të ishte më pak e rëndësishme. Nuk përkujtohet tragjedia e tyre, edhe pse plagët vazhdojnë të jetojnë në kujtimet e familjeve dhe brezave që mbijetuan. Heshtja ndaj kësaj historie nuk është vetëm mungesë memoriali, por edhe mungesë drejtësie dhe njohjeje njerëzore. 

Dëshira ime, si fëmijë dikur e tash i rritur me rrëfime që tregoheshin me zë që dridhej, është që njerëzit të kuptojnë se trauma nuk zhduket thjesht me kalimin e kohës, por duhet trajtuar me kujdes, ndjeshmëri dhe veprime konkrete. Prandaj, është e domosdoshme të thyejmë heshtjen dhe të mos e minimizojmë dhimbjen.

Rasti që kemi përjetuar ne duhet të shërbejë si një thirrje për të gjithë shoqërinë: të krijojmë një mjedis ku fëmijët romë rriten ndryshe nga ç’jam rritur unë. Ndryshimi i vërtetë nuk vjen vetëm nga fjalët apo ndjenjat, por nga mënyra se si dëgjojmë, reagojmë dhe veprojmë për të mbrojtur ata që kanë më së shumti nevojë për ne. 

Jetojmë me dhimbje dhe frikë, por nuk dua ta lejoj që frika të ma përcaktojë trajektoren e jetës. E kaluara më shërben si thirrje për ndjeshmëri, për kujdes për tjetrin. Për ne, si familje rome, kujdesi për xhaxhain tonë nuk është barrë, por pjesë e dashurisë dhe lidhjes sonë familjare. 

Ne kujdesemi që ai të jetë i lumtur, i respektuar dhe kurrë i vetmuar. Pikërisht në këtë kujdes të përditshëm, ne e shndërrojmë dhimbjen në forcë dhe thirrje që edhe dhimbja e tij, e edhe dhimbja jonë, të njihen si të tilla. 

Ilustrimi: Albana Hajdini / Pro Peace

Fatmir Menekshe është aktivist, menaxher projektesh, redaktor mediatik dhe punonjës kulturor nga Prizreni, me përvojë të gjerë në fushën e kulturës, letërsisë, teatrit, medias dhe avokimit për të drejtat e komunitetit rom. Ai ka diplomuar për gjuhë dhe letërsi shqipe në Universitetin “Ukshin Hoti”.

Ky blog është pjesë e serisë Rrëfime të Papërfunduara. Zbuloni më shumë rrëfime këtu.