Dy realitete pa pikëtakim

Ndarja e thellë informative mes komunitetit shqiptar dhe serb në Kosovë.

Çdo vit, në fund të vitit shkollor, maturantët e shkollave të mesme të komunitetit serb në Mitrovicën e Veriut dalin në paradën tradicionale që organizohet për të shënuar përfundimin e shkollës së mesme. Zakonisht ata parakalojnë në sheshin e qytetit, zonë e cila është e banuar kryesisht nga qytetarë të komunitetit serb. 

Ndryshe nga vitet e kaluara, kur këtë shesh e frekuentonin fare pak qytetarë shqiptarë, hapja e bizneseve shqiptare në atë pjesë të qytetit dhe prania e shtuar e Policisë së Kosovës (PK), kanë bërë që gjithnjë e më shumë shqiptarë të dalin në anën tjetër të lumit Ibër për të pirë kafe. Në këtë kontekst, vitin e kaluar, më 23 maj, parada mori një kahje tjetër. Teksa maturantët po kalonin nëpër qytet, disa prej tyre brohoritën “Kosova është zemra e Serbisë”.

Gjeste të shkëmbyera mes maturantëve dhe një qytetari shqiptar, të ulur aty pranë në një kafene, rritën më tej tensionet. 

Sipas raportimit të medieve, qytetari shqiptar, u drejtoi maturantëve simbolin e shqiponjës  me duar, një veprim që shpreh identitetin kombëtar shqiptar. Si përgjigje, disa prej tyre reaguan duke ngritur gishtin e mesit apo duke ngritur tre gishtat, simbol që lidhet me identitetin dhe nacionalizmin serb, që u përvetësua e u përdor në masë të madhe në tubime nacionaliste, nga udhëheqës politikë, si dhe forca serbe ushtarake dhe paramilitare gjatë viteve të ‘90-a në luftërat në Bosnjë, Kroaci dhe Kosovë.

Situata përfundoi me ndërhyrjen e PK, e cila e ndau një maturant nga turma, duke e kapur për qafe, gjë që u vlerësua si përdorim i tepruar i forcës nga ana e policisë. Ndërkaq, në ditët në vijim ky incident u shndërua në objekt të dy narrativave të ndryshme në mediat në Kosovë dhe në Serbi.  

Në një video të incidentit, e cila u publikua gjerësisht, u pa një shenjë e kuqe në pjesën e qafës së maturantit. Vetë ai më vonë e pranoi se kjo shenjë ishte bërë me marker gjatë festimeve. 

Megjithatë, ishte pikërisht kjo shenjë që u vendos në qendër të raportimit, veçanërisht nga mediave pro-qeveritare serbe dhe kanaleve në platformën Telegram. Në titujt e lajmeve pretendohej se maturanti ishte “rrahur” ose “gjakosur” nga PK, duke e paraqitur incidentin si një akt dhune të motivuar etnikisht ndaj një të mituri serb.

Fakti që vetë maturanti e kishte pranuar se kjo shenjë ishte bërë me marker gjatë festimeve u shpërfill qëllimisht ose u keqparaqit nga mediat.

Përzgjedhja e pjesshme e fakteve, e në disa raste edhe shtërmbërimi i tyre, e ushqeu edhe më tej narrativën e pretenduar të Qeverisë së Serbisë, mediave pro-qeveritare serbe e kanaleve të Telegramit për dhunën dhe represionin institucional të Kosovës ndaj komunitetit serb.

Ndërkohë, mediat shqipfolëse, u mbështetën kryesisht në versionin e institucioneve të Kosovës. Raportimi u përqendrua në deklaratat e Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) dhe ministrit në detyrë, Xhelal Sveçla, i cili tha se policia veproi profesionalisht për ta parandaluar përshkallëzimin, pas brohoritjeve nacionaliste dhe përdorimit të simboleve provokuese nga disa maturantë.

Shumica e këtyre medieve nuk kërkuan mjaftueshëm dëshmi nga dëshmitarët, pjesëmarrësit, organizatat për të drejtat e njeriut ose burime të tjera të pavarura. Ndërkohë, çështjet si përdorimi i forcës nga policia, përfshirja e një të mituri dhe ndjeshmëria e simboleve etnike u trajtuan sipërfaqësisht.

Një pjesë e mediave shqipfolëse e trajtoi rastin si inskenim ose si përpjekje propagandistike të shtetit të Serbisë për t’i diskredituar institucionet e Kosovës në veri. Kështu, rasti u vendos brenda një narrative më të gjerë për instrumentalizimin e të rinjve nga Serbia dhe përpjekjet për destabilizim në veri të Kosovës.

Këto dy korniza përplasëse përbrenda të cilave u raportua incidenti si në Kosovë, ashtu edhe në Serbi, përbëjnë edhe bazën e analizës të cilën Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (KCSS), e publikoi vitin e kaluar, dhe e cila shqyrton mënyrën se si dezinformimi mund të nxisë radikalizimin etno-politik në Kosovë. Kështu, përbrenda këtyre kornizave, asnjëra hapësirë informative nuk e sfidoi mjaftueshëm narrativën e vet. Për publikun serb, ai u paraqit si dëshmi e cenueshmërisë së komunitetit dhe e dhunës institucionale; për publikun shqiptar, si provokim që synonte ta paraqiste Kosovën si shtet represiv.

Për Sanja Sovrlić, gazetare nga Kosova që punon për N1, televizion i afiliuar me CNN në Beograd dhe i cili vlerësohet si medium i pavarur dhe kritik në Serbi, një pjesë e narrativës dominuese në mediat shqipfolëse i paraqet serbët e Kosovës si instrument të Qeverisë së Beogradit, duke e bërë më të lehtë trajtimin e tyre si shënjestra. Raportimi, sipas saj, përqendrohet kryesisht te struktura kriminale ose shkelje të ligjit. 

“Në këtë mënyrë, problemet reale që ekzistojnë në terren shpesh minimizohen”, thotë Sovrlić.

Ndërkohë, mediat shqipfolëse kryesisht mbështeten në narrativën institucionale të Kosovës, një prirje e evidentuar edhe në raportin e QKSS.

Ngjashëm me raportimin për incidentin e maturantit, edhe gjatë veprimeve që Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë viteve të fundit –– si mbyllja e strukturave paralele serbe –– përfshirë edhe shtimin e numrit të bizneseve të reja shqiptare në veri, mediat shqipfolëse rrallëherë raportojnë përtej asaj që deklarohet e komunikohet nga përfaqësuesit qeveritarë.

Sipas Festim Rizanaj, hulumtues në platformën e kontrollimit të fakteve Hibrid.info, problemi mes narrativave krejt të ndryshme përmes të cilave informohen qytetarët shqiptarë dhe ata serbë të Kosovës qëndron kryesisht te mungesa e një baze të përbashkët faktuale.

“Dallimi kryesor është konteksti narrativ. E njëjta ngjarje mund të marrë fjalor krejt tjetër. Në një hapësirë paraqitet si ‘provokim’ apo ‘sulm ndaj serbëve’, ndërsa në tjetrën si ‘reagim institucional’ ose ‘përpjekje për të vendosur rendin’”, thotë ai.

Sipas tij, kjo e rrit rrezikun e përgjithësimit.

“Një veprim i një individi, politikani, grupi apo institucioni i atribuohet një komuniteti të tërë. Apo një incident i caktuar në vendbanimet me shumicë serbe interpretohet si veprim i ‘shqiptarëve’ pa u ditur vepërkryesi. Ndërsa një deklaratë apo veprim i një politikani serb mund t’i atribuohet të gjithë komunitetit serb”, thotë Rizanaj. “Në këtë mënyrë, përgjegjësia individuale ose institucionale zhvendoset te një grup i tërë etnik dhe krijohet ideja se ‘ata’ janë kolektivisht kërcënim për ‘ne’. Kjo dobëson besimin ndërmjet komuniteteve dhe njëkohësisht edhe besimin në institucione”.

Sipas Rizanajt, kjo mund të krijojë një cikël vetëpërforcues të mosbesimit: një komunitet beson se tjetri e urren ose ka për qëllim ta dëmtojë, prandaj çdo incident i ri interpretohet si konfirmim i kësaj bindjeje. Kështu, kjo nuk ndikon vetëm në perceptimin për një ngjarje konkrete, por përforcon një imazh kolektiv për komunitetin tjetër.

Darko Dimitrijević, kryeredaktor i Radio Goraždevac, një medium lokal serb, thotë së pasojat e mungesës së pikave të përbashkëta të referencës janë të thella. Sipas tij, mungesa e fakteve të përbashkëta, si dhe e mediave e figurave publike të besueshme, i lë të dyja komunitetet të mbyllura në realitete të papajtueshme.

“Si pasojë, faktet shpesh lihen pas dore përballë agjendave politike që synojnë t’i mbajnë popullsitë të ndara dhe lehtësisht të manipulueshme përmes delirit nacionalist. Meqë elitat politike kanë krijuar një hapësirë publike armiqësore, empatia mbetet e rrallë. Shumë pak shqiptarë ose serbë janë të gatshëm të flasin publikisht për vuajtjen, humbjet dhe viktimat e palës tjetër pa u vënë atyre një parashtesë etnike”, thotë ai. “Në këtë mjedis, mediat e pavarura dhe figurat publike që angazhohen për raportim objektiv e etik shpesh përbaltën, etiketohen si tradhtarë ose akuzohen se punojnë për palën tjetër, duke e shkurajuar edhe më shumë çdo përpjekje për ta kapërcyer ndarjen e narrativave”.

Por rasti i vitit të kaluar në Mitrovicën e Veriut shkon përtej mediave tradicionale. Narrativa me gjuhë të urrejtjes dhe përçarëse vazhdojnë të qarkullojnë edhe në platforma të mbyllura komunikimi, ku shpesh shpërndahen e përforcohen me intensitet edhe më të lartë. Ndër platformat kryesoret është Telegrami. 

Përfocimi i narrativave përmes Telegramit

Që nga pushtimi i plotë rus i Ukrainës më 2022, dezinformimi i organizuar rus është zgjeruar edhe në përhapjen e narrativave që synojnë nxitjen e konfliktit etnik në Kosovë, një fenomen që është bërë objekt i hulumtimeve të shumta në Kosovë e në rajon. Një prej hapësirave ku ky fenomen është shfaqur veçanërisht në mënyrë sistematike janë në kanalet e komunikimit në Telegram, ku pas vitit 2022 u shtuan kanalet e fokusuara në Kosovë dhe u rritën ndjeshëm audiencat e tyre gjatë viteve 2021–2024. Në një mjedis me moderim të kufizuar dhe mekanizma kontrolli shpesh joefektivë, në dhjetëra kanale janë përhapur narrativa pro-ruse dhe nacionaliste serbe, nga mohimi i shtetësisë së Kosovës deri te thirrjet për ndërhyrje ushtarake, duke e vendosur Kosovën në qendër të përmbajtjeve që synojnë mobilizimin e anëtarëve.

Në kanalet si BUNT, Bunker, Koridor dhe Srpska Sparta Info qarkullojnë informacione të pasakta, teori konspirative dhe gjuhë urrejtjeje, duke tërhequr dhjetëra mijëra anëtarë nga vende të ndryshme të Ballkanit. Ato e përshkruajnë veten si burime alternative “të vërteta” dhe “pa censurë”, duke ushqyer përceptimin se informacioni që vjen nga mediat profesionale ose institucionet e Kosovës është automatikisht manipulim. Në përmbajtjet e tyre, Kosova pëshkruhet si tokë e shenjtë serbe, serbët e Kosovës si popull i përndjekur vazhdimisht dhe institucionet e Kosovës si të paligjshme ose represive.

Synimi i këtyre narrativave është të prodhojnë reagim emocional dhe përkatësi ideologjike. Zhvillimet në komunat me shumicë serbe, qoftë një vendim administrativ, protestë apo incident, shpesh paraqiten pa kontekst të mjaftueshëm dhe ndërlidhen mes vete si dëshmi të një modeli të vazhdueshëm e sistematik të padrejtësive ndaj serbëve në Kosovë. Karakteri propagandistik nuk qëndron domosdoshmërisht në trillimin e një padrejtësie nga fillimi në fund, por në mënyrën se si një ngjarje reale përzgjidhet, nxirret nga konteksti dhe instrumentalizohet, si në rastin e maturantit, ndaj të cilit policia përdori forcë të tepruar, pavarësisht se, siç u vërtetua më vonë, shenja e kuqe në qafën e tij nuk ishte gjak.

Kanalet funksionojnë edhe si një rrjet i ndërlidhur, ku përmbajtjet riciklohen dhe përforcohen nga njëri kanal tek tjetri, duke krijuar një burim paralel informacioni jashtë mediave tradicionale. Megjithatë, ndikimi i tyre nuk mbetet domosdoshmërisht brenda hapësirës online. Përmes tyre janë bërë thirrje për protesta, bllokada dhe forma të tjera mobilizimi, duke e mjegulluar kufirin mes propagandës digjitale dhe veprimit në terren. 

Sipas Rizanajt, puna e të cilit përfshin monitorimin e kanaleve në Telegram, kjo platformë po luanl gjithnjë më shumë rol të rëndësishëm në përhapjen e narrativave konspirative, spekulimeve dhe përmbajtjeve nxitëse.

“Ngarkesa e vazhdueshme me përmbajtje alarmuese dhe të paverifikuara mund të krijojë pasiguri dhe ndjenjë kërcënimi te komuniteti, duke nxitur reagime të shpejta dhe jo gjithmonë të kontrolluara. Monitorimi dhe demaskimi i këtyre përmbajtjeve është i vështirë sepse një pjesë e tyre nuk mund të verifikohet dhe faktohet”, thotë ai, duke iu referuar sasisë së madhe të këtyre përmbajtjeve që qarkullojnë në këto kanale.

Edhe pse kanalet në Telegram kanë audienca të mëdha, nuk ka të dhëna që tregojnë sa serbë të Kosovës i ndjekin ato, sa prej tyre janë anëtarë aktivë ose çfarë ndikimi kanë këto përmbajtje në qëndrimet dhe ndjenjën e sigurisë së komunitetit. E njëjta mungesë e të dhënave vlen edhe për pretendimin e përhapur se serbët e Kosovës informohen kryesisht përmes mediave pro-qeveritare të Serbisë.

Mediat serbe kanë pa dyshim ndikim të rëndësishëm, por kjo nuk e përshkruan plotësisht mënyrën se si komuniteti serb informohet. Intervistat dhe hulumtimet e disponueshme tregojnë se mediat lokale në gjuhën serbe në Kosovë luajnë rol të rëndësishëm, sidomos në raportimin lidhur me zhvillimet e përditshme në komunitete dhe ngjarjet vendore.

Një anketë e zhvilluar nga organizata jo-qeveritare AKTIV me 520 pjesëtarë të komunitetit serb në Kosovë gjatë vitit 2025 dhe e publikuar në vitin 2026, tregon se rrjetet sociale janë burimi kryesor i informacionit për 35% të të anketuarve, të pasuara nga portalet mediale dhe mediat tradicionale, si televizioni e radioja.

Në veri të Kosovës, varësia nga rrjetet sociale është edhe më e lartë: pothuajse 40% e të anketuarve i renditën ato si burimin kryesor të informacionit, krahasuar me rreth 30% në komunat me shumicë serbe në jug të Ibrit. Anketa i përfshin rrjetet sociale në përgjithësi, përfshirë Facebook dhe X, por nuk e ndan përdorimin sipas platformave apo kanaleve konkrete të Telegramit.

Sipas këtij raporti, mediat serbfolëse në Kosovë gëzojnë nivelin më të lartë të besimit mes burimeve mediale të përfshira në anketë. Megjithatë, mosbesimi mbizotëron ndaj mediave kombëtare nga Beogradi, me 57% dhe atyre të pavarura nga Beogradi me 52%. Mosbesimi është edhe më i theksuar ndaj mediave në gjuhën shqipe në Kosovë, ku 80% e të anketuarve shprehën mosbesim të hapur dhe asnjë nuk deklaroi besim të plotë. 

Sipas Sovrlić, të dhënat e kësaj analize tregojnë se, ndonëse qytetarët e komunitetit serb i ndjekin të gjitha mediat që kanë në dispozicion, priren t’u besojnë më shumë mediave lokale, pasi këto mund të ofrojnë më shumë informacion për atë që po ndodh në komunitetet e tyre.

“Gjatë një krize ose një ngjarjeje të madhe lokale, gazetarët lokalë e kuptojnë më mirë kontekstin, kanë më shumë informacion dhe, për këtë arsye, mund t’u japin njerëzve një pasqyrë më të plotë sesa mediat nga Beogradi”, thotë ajo. “Ka shumë gjëra që i përjetojnë përmes jetës dhe aktiviteteve të tyre të përditshme, prandaj janë plotësisht të vetëdijshëm për atë që po ndodh pa pasur nevojë që t’ua tregojnë mediat nga Beogradi”.

Dimitrijević, vetë kryeredaktor i një mediumi lokal, thotë se mediat e pavarura në gjuhën serbe që veprojnë në Kosovë përgjithësisht ruajnë standardet më të larta profesionale dhe etike, duke e paraqitur komunitetin shqiptar në mënyrë të drejtë, të përgjegjshme dhe me kontekst të nuancuar lokal.

Megjithatë, sipas tij, këto media përballen me kufizime të mëdha burimesh dhe sfida të vazhdueshme të qëndrueshmërisë financiare. 

“Pa mbështetje të mjaftueshme afatgjatë, ekziston rreziku real që ato përfundimisht të humbin terren përballë platformave mediale të pasura, të afërta me shtetin, dhe narrativave të tyre agresive propagandistike”, thotë ai.

Dy ekosisteme të ndryshme informative

Në mediet shqipfolëse, përvojat dhe jetët e qytetarëve të komunitetit serb rrallëherë marrin vëmendje, përveç rasteve kur ndodhin kriza, incidente ose zhvillime politike. Janë pikërisht këto si incidenti me maturantët serbë në vitin 2025, rastet kur komuniteti serb zakonisht shfaqet në hapësirën informative shqipfolëse. Në këtë raportim, “tjetri” shpesh bëhet i qartë për komunitetin shqiptar: një grup qytetarësh që kornizohet si instrument i Beogradit, provokues ose i dhunshëm. Përtej këtyre rasteve, raportimet për jetën e përditshme, shqetësimet dhe perspektivat e tyre mbesin kryesisht jashtë vëmendjes mediale.

Ngjajshëm edhe kur mediat pro-qeveritare serbe në Serbi raportojnë për Kosovë, qytetarët shqiptarë dhe institucionet e Kosovës portretizohen si “tjetri” për publikun serb, që synon t’i dëbojë serbët nga Kosova ose që ushtron dhunë dhe represion ndaj tyre.

Pavarësisht se të dyja komunitetet jetojnë pranë njëri-tjetrit, hapësirat informative që i shërbejnë atyre komunikojnë pak me njëra-tjetrën. Në vend të kësaj, secila jeton në flluskën e vet informative, që ushqehet nga narrativat politike, rrjetet dhe platformat sociale, si dhe mediat e politizuara ose të afërta me pushtetin.

Kështu komunitetet trajtohen si masa homogjene, me të njëjtat qëndrime dhe interesa. Megjithatë, siç thotë Sovrlić, edhe në kohë lufte, lufta nuk është i vetmi realitet.

“Ka njerëz që ndihmojnë njëri-tjetrin”, thotë ajo. “Por kjo është pjesë e logjikës së gazetarisë: lajmi i keq është lajm, ndërsa diçka pozitive ka më pak gjasa të bëhet titull. Kjo vlen për shumë çështje, e sigurisht edhe për këtë”.

Kështu, kur këto marrëdhënie dhe përvoja mbeten jashtë raportimit, mediat mund të krijojnë përshtypjen mbizotëruese se armiqësia është marrëdhënia e vetme mes dy komuniteteve.

“Njerëzit që informohen vetëm nga mediat që ushqejnë armiqësinë mund të besojnë se, sapo hyjnë në një zonë ku jetojnë pjesëtarë të komunitetit tjetër, do të sulmohen, rrihen ose madje vriten”, thotë Sovrlić.

Si për Sovrlić, ashtu edhe për Rizanaj, shqiptarët dhe serbët në Kosovë jetojnë në dy ekosisteme të ndryshme informative, të cilat kanë shumë pak pika takimi. 

“Dy ekosistemet takohen kryesisht në rrjetet sociale, ose kur një ngjarje është aq e madhe sa kalon në të dyja hapësirat informative. Kjo krijon një situatë ku nuk kemi vetëm dy gjuhë të ndryshme të informimit, por shpesh edhe dy versione të ndryshme të së njëjtës ngjarje dhe të realitetit në Kosovë”, thotë Rizanaj.

Dimitrijević thotë se ky mjedis rëndohet më tej nga mungesa e raportimit dygjuhësh. Për pasojë, burimet e informacionit ndryshojnë dukshëm.

Shumica e qytetarëve konsumojnë lajme në gjuhën e tyre amtare, përmes mediave që pasqyrojnë narrativat përkatëse politike, dhe sipas tij, nacionalizmin në rritje në të dyja anët.

“Pikat e përbashkëta janë jashtëzakonisht të kufizuara dhe shfaqen kryesisht përmes një numri të vogël mediash të pavarura që fokusohen në raportim dygjuhësh, nismave të shoqërisë civile ose raportimit të përbashkët për çështje të përditshme e universale, si ekonomia, shëndetësia dhe mjedisi”, thotë ai.

Raportime mediale për bashkëjetesën dhe tolerancën mes dy komuniteteve në mediet shqipfolëse ka pasur ndër vite, por ato kanë qenë kryesisht sporadike dhe nuk kanë arritur ta bëjnë komunitetin tjetër vazhdimisht të pranishëm në hapësirën informative të secilit.

Për shembull, gjatë vitit 2026, K2.0 publikoi një seri artikujsh ku gazetarë serbë dhe shqiptarë bashkëpunuan për të raportuar lidhur me shqetësimet e përbashkëta në komunitetet e tyre, që shkojnë përtej politikës. Ata raportuan për gjuhën e urrejtjes, degradimin e mjedisit dhe lumenjve, si dhe taksën menstruale.

Tetë gazetarë, katër shqiptarë e katër serbë dolën në terren për të raportuar për probleme që tejkalojnë politikën e theksuar mes Kosovës dhe Serbisë. Raportuan për probleme që ndikojnë drejtpërdrejtë në jetën e të dyja komuniteteve, si era e rëndë e lumit Kishnica, që i detyron familjet shqiptare dhe serbe t’i mbajnë dritaret mbyllur, teksa banorët më të moshuar nga të dyja komuniteteve kujtonin periudhat kur kishin notuar e peshkuar bashkë si fëmijë në atë lumë.

Dimitrijević, i cili ishte një nga autorët e shkrimit për degradimin e mjedisit nga deponitë ilegale në Pejë, thotë se raportimi sensacionalist, si ai i mediave pro-qeveritare në Beograd për komunitetin shqiptar, ashtu edhe ai i mediave shqipfolëse në Kosovë për komunitetin serb, e zhvesh raportimin nga dimensioni i përbashkët njerëzor i jetës së përditshme. Vështirësitë sociale dhe ekonomike, shqetësimet mjedisore dhe rastet reale të bashkëjetesës mes fqinjëve shpesh shpërfillen në favor të titujve shqetësues dhe raportimit të ndërtuar mbi kërcënimin.

“Ajo që mungon vazhdimisht në portretizimin dominues, sidomos në raportimin sensacionalist, është dimensioni njerëzor: jeta e përditshme, vështirësitë e përbashkëta sociale e ekonomike dhe rastet reale të bashkëpunimit ndëretnik në terren. Të gjitha këto anashkalohen vazhdimisht në favor të konfliktit politik të nivelit të lartë”, thotë ai.

Sipas Sovrlić, formula për të gjetur pika takimi mes hapësirave informative të këtyre komuniteteve është e thjeshtë: “mediat duhet ta bëjnë punën e tyre profesionalisht.

“Edhe kur raportojnë për kriza, duhet ta bëjnë këtë në mënyrë profesionale. Edhe nëse nuk kanë kohë të prodhojnë storie njerëzore, sepse janë të zëna me lajmet e përditshme, prapëseprapë nuk ka asnjë justifikim për raportim joprofesional”, thotë ajo.

Ajo jep shembullin e mediave nga Prishtina që shkojnë të raportojnë për protesta në Mitrovicë, Leposavić ose Zubin Potok. Nëse ato e paraqesin zonën thjesht si vend të mbushur me njerëz të këqij dhe kriminelë, sipas saj, publiku shumicë shqiptar do të fillojë të besojë se të gjithë njerëzit në veri të Kosovës janë kriminelë ose njerëz të këqij. Kështu, ky perceptim mund të bëhet mbizotërues.

E njëjta gjë, thotë ajo, vlen edhe për mediat në Beograd. Nëse zërat shqiptarë mungojnë, storiet paraqiten vetëm nga njëra anë dhe përdoren terma nënçmues për shqiptarët, kjo ushqen armiqësi dhe antagonizëm ndaj tyre.

“Receta është e thjeshtë: mediat thjesht duhet ta bëjnë punën e tyre. Dhe ne e dimë se cila është ajo punë”, e përmbyll ajo. 

Imazhi i ballinës: Dina Hajrullahu / Kosovo 2.0

Gentiana Paçarizi është gazetare dhe ka përfunduar studimet master në Gazetari dhe Marrëdhënie me Publikun në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”. Ajo ka qenë redaktore menaxhuese në Kosovo 2.0 gjatë periudhës 2022–2026.

Autorja e këtij artikulli është bashkautore e raportit “Si e nxit dezinformimi radikalizimin etnopolitik në Kosovë”, të publikuar nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS). Ky artikull është botuar fillimisht në Kosovo 2.0, në bashkëpunim me Pro Peace.