Ditari që mbeti përgjysmë

Atë mbrëmje në fund të marsit të vitit 1999, ndodhesha në shtëpinë e prindërve të mi te pazari i vjetër në Prishtinë. Alba, vajza ime, ishte nëntë muajshe dhe ditët e mia silleshin rreth saj. Jeta dukej e zakonshme, me aq përulësi sa mund të thuhej kjo, duke qenë se prej muajsh ndienim se diçka e rëndë po afrohej. 

Kur filluan bombardimet e NATO-s, gjithçka ndryshoi brenda pak orësh. Policët serbë ishin kudo. Prej dritares shihnim kolonat e njerëzve nëpër rrugë me fëmijë në duar, me çanta të vogla dhe me fytyra që tregonin se askush nuk e dinte se ku po shkonte. Disa qanin në heshtje e disa mbanin fëmijët fort për dore sikur të kishin frikë t’i humbnin nga një çast në tjetrin. 

Ndonjëherë, dritat fikeshin dhe rruga mbetej bosh. Dëgjoheshin hapat e shpejtë, përshpërimat e njerëzve dhe sirena nga larg që të krijonin ndjesinë se frika po lëvizte bashkë me natën. Çdo trokitje në derë më bënte të ngrija kokën. Çdo zhurmë e makinave gjatë natës më mbante zgjuar. Asgjë nuk ishte më e sigurt. Bashkëshorti im, Beni, punonte në Maqedoni. Bombardimet e zunë atje, ku mbeti i bllokuar anipse tërë kohën po tentonte të kthehej tek ne. Prindërit e tij, përgjatë atyre ditëve, ishin dëbuar me forcë po ashtu drejt Maqedonisë. 

Papritur u gjenda vetëm me Albën time në krahë, me prindërit dhe dy vëllezërit e mi, pa e ditur kur dhe nëse do ta shihja përsëri Benin. Pa e ditur se çka ndodhej para nesh.

“24 mars 1999

Situata ishte e rëndë. Pakti (NATO) mbrëmë solli vendimin se do të sulmojë. A thua ç’do të ngjet me mua dhe ty, Albë? Ti ishe mësuar me një kujdes të veçantë, e unë s’dija se si t’ia bëja me ty. Ushqimin dhe ca barna t’i kisha siguruar më herët, por si do ta kalonim këtë gjendje nuk dihej. Në mbrëmje rreth orës 19:00 u ndal rryma. Për herë të parë, mbi qiell fluturuan aeroplanët e NATO-s. Ata fuqishëm goditën dhe bombarduan caqet ushtarake serbe. Zemra ime filloi të rrahë fuqishëm. Të shikoja ty, e ti vetëm përcillje pa ditur se ç’po ndodh…”

Këto janë fjalët e para që shkrova në ditarin tim të improvizuar, nga një fletore e vjetër e shkollës, me një kopertinë shumë-ngjyrëshe, tanimë të vërenjtur nga koha, që e gjeta në shtëpi. Nuk ishte një vendim i menduar gjatë. Ndoshta ishte një mënyrë për të mbajtur mend atë që po ndodhte. Ndoshta ishte një përpjekje për të vendosur pak rregull në kaosin që na rrethonte. Një mënyrë për të folur me dikë, në një kohë kur ndihesha e vetmuar.

Çdo mbrëmje, kur Alba flinte, merrja fletoren dhe shkruaja disa rreshta. Në fillim shkruaja për ngjarjet e ditës. Më pas fillova t’i drejtohesha Albës. I shkruaja sikur po i flisja asaj, sikur po përpiqesha t’i shpjegoja botën që po shembej rreth nesh.

“A thua ç’do të ngjet me mua dhe ty, Albë?” ishte pyetja qendrore. Nuk prisja përgjigje; ishte frika ime e shkruar në letër.

Shkruaja për gjëra që sot mund të duken të zakonshme, por që atëherë më dukeshin jetike. 

“Sot u zhvendosëm në bodrumin e fqinjit. Jemi më shumë se pesëdhjetë veta në një hapësirë aq të vogël. Jam me ty, Albë, dhe me shumë fëmijë të tjerë nga lagjja jonë. Çudi më vjen sa e qetë je. Nuk bën zë fare, sikur edhe ti e ndien se duhet të rrimë të heshtur”.  

Çdo ditë, mami im dhe unë, përpiqeshim të siguronim gjëra më shumë për Albën: ushqime që mund të ruheshin gjatë, batanije apo rroba shtesë në rast se do të detyroheshim të largoheshim papritur. Mbaj mend si i kontrolloja vazhdimisht çantat që i mbaja gati pranë derës, duke menduar se mund të vinte momenti kur do të duhej të dilnim pa pasur kohë të merrnim asgjë tjetër. Në ditar shkruaja edhe për netët pa rrymë, për errësirën dhe heshtjen që thyheshin vetëm nga zhurma e avionëve mbi qytet dhe për mënyrën se si zemra më rrihte fort sa herë ato afroheshin. 

Ditari m’u bë një lloj strehe. Kur i shkruaja gjërat në letër, ndihesha sikur për pak çaste po i nxirrja jashtë vetes. Frika nuk largohej, por bëhej më e durueshme. Të paktën për aq kohë sa mbaja lapsin në dorë.

Ditët kalonin ngadalë. Lajmet vinin nga njerëz të ndryshëm dhe shpesh nuk dinim çfarë të besonim. Në shtëpi hynin e dilnin njerëz që kërkonin strehim, informacion ose thjesht dikë me të cilin të ndanin ankthin e tyre. Disa i njihnim, disa jo. Askush nuk pyeste shumë. Të gjithë po përpiqeshin të kalonin një ditë më shumë. Telefonat nuk punonin, e shumë rrallë mund të kontaktoja me Benin. Tek kur përfunduan bombardimet e kuptova se ai kishte kaluar secilën ditë duke shkuar në kampet e Maqedonisë për të na kërkuar. 

“Lutjet e mia ishin drejt Zotit. Edhe lutjet e babit tënd më tingëllonin pa ndërprerë në vesh kur dhimbshëm thoshte: ‘Zoti ju ruajt’”. 

Ndërkohë, unë dhe dy vëllezërit e mi po përpiqeshim të largoheshim nga Kosova në secilën mundësi që po na ofrohej. Prindërit e mi, që të dy, po mundoheshin të na largonin, teksa vetë refuzonin ta linin vendin.

“Zëri i babit tim më erdhi fuqishëm kur tha: ‘Merre Albën, bëhu e fortë, e fillo të largohesh ngadalë pas meje…’.” 

Ai ishte i vendosur që ne të largoheshim, edhe pse vetë nuk pranonte të largohej nga shtëpia. E provuam rreth pesë herë. Çdo tentim përfundonte pa sukses. Alba kishte lindur në maternitetin e improvizuar “Nënë Tereza” dhe nuk kishte dokumentet që kërkoheshin për të kaluar kufirin. Ose ishte fati im i keq; në atë kohë më dukej se vetëm neve po na ndodhte kjo padrejtësi, sepse gjithnjë vinte komenti i njëjtë: “ku po shkon me këtë fëmijë”? 

Gjatë njërit prej tentimeve për t’u larguar, pasi na kthyen prapa, u gjendëm në një autobus aq të mbushur sa mezi mund të lëviznim. Frika ime më e madhe nuk ishte më se ku po shkonim, por nëse Alba po mund të merrte frymë. E ngrita lart në krahë, sa më afër tavanit të autobusit, vetëm që të kishte pak më shumë ajër. E mbajta ashtu gjatë, duke u përpjekur të mos e tregoja panikun që ndieja, ndërsa rreth nesh njerëzit shtyheshin dhe përpiqeshin të gjenin pak hapësirë.

Pas çdo tentimi, kthehesha edhe më e frikësuar. Isha aq afër, por s’e arrija dot. Pas çdo përpjekjeje të dështuar ndihesha më e lodhur, më e pasigurt dhe më e pashpresë. Andaj edhe me tentimin e fundit atë javë të fundit të majit, vendosa se s’do të largohesha më. Do të rri e të pres në shtëpi.

Pas rreth dy javësh, një mbrëmje, pasi Alba kishte fjetur, mora fletoren si zakonisht. E hapa dhe qëndrova për disa minuta duke parë faqen bosh. Mendova për Benin. Mendova për tentimet e dështuara për t’u larguar e të atij për t’u kthyer. Mendova për njerëzit që po humbnin shtëpitë, familjet dhe jetët e tyre; për të afërmit që s’e dija ku ishin. Kisha shumëçka për të thënë, por nuk gjeta forcën për t’i shkruar. 

E mbylla fletoren dhe e vendosa në sirtar.

Aty mbeti. Lufta përfundoi dhe, si shumë të tjerë, ne vazhduam me jetën tonë. Ditën e parë kur u hapën kufijtë, Beni u kthye në Prishtinë. E kujtoj zërin e gruas së axhit tim poshtë shtëpisë së prindërve, ku po bërtiste me gëzim se ai ishte aty; nuk e di se si kam shkuar deri tek hyrja e shtëpisë, vetëm e mbaj mend atë përqafim që më solli në realitet, ishim të dy gjallë, ishim përsëri bashkë. Edhe sot më duket e pabesueshme që ishim vetëm 22 vjeç. Ai përqafim nuk ishte vetëm gëzim: në sytë e tij mund të shihje edhe peshën e të gjitha ditëve që kishte kaluar me frikën se mos na kishte humbur përgjithmonë. Ndërsa unë përpiqesha të shkoj të ai, ai kalonte ditët duke kërkuar rrugë për t’u kthyer te ne. 

Vitet kaluan. Alba u rrit. Ditari mbeti në shtëpi, i ruajtur midis dokumenteve dhe kujtimeve të asaj kohe. Për një kohë të gjatë nuk e hapa. Jo sepse e kisha harruar, por sepse sa herë e shihja, më kthente në një kohë të cilën nuk e kisha të lehtë ta kujtoja. 

Por Alba një ditë e gjeti dhe filloi ta lexonte. Nisi të më pyeste për emrat që kisha përmendur nëpër faqe, për njerëzit që kishin hyrë e dalë nga shtëpia jonë, për vendet dhe ngjarjet që për të ishin vetëm fjalë në letër e për mua ishin kujtime shumë të gjalla. Ndonjëherë lexonim bashkë nga një pjesë dhe ndaleshim gjatë në një fjali të vetme, sepse pas saj fshihej një histori që nuk kisha arritur ta shkruaja.

Atëherë e kuptova se ditari nuk ishte vetëm i imi. Unë e kisha filluar për të përballuar frikën dhe pasigurinë e atyre ditëve, por me kalimin e kohës ai u bë edhe një mënyrë që Alba të kuptonte jo vetëm luftën, por sidomos njerëzit që e kishin përjetuar atë.

Vitet kalonin e pyetjet e saj thelloheshin. Ajo filloi të interesohej për kujtesën, për mënyrën se si njerëzit i tregojnë historitë e tyre dhe për atë që mbetet pas një konflikti. Më vonë shkoi në Gjenevë të Zvicrës për të studiuar drejtësinë tranzicionale dhe sot punon në fushën e paqes dhe transformimit të konfliktit. Ndonjëherë, kur e dëgjoj të flasë për kujtesën, për historitë personale dhe për rëndësinë e dokumentimit të përvojave njerëzore, më kujtohen ato net kur shkruaja në fletoren time, ndërsa ajo flinte pranë meje.

Për shumë vjet kam menduar se ditari im mbeti i papërfunduar. Në fund të fundit, ndalova së shkruari dhe shumë nga ato që përjetuam nuk arritën kurrë në letër. Por sot nuk jam më aq e sigurt se është historia e një ditari të papërfunduar. Ndoshta ai thjesht arriti aq sa mund të arrinte në atë kohë.

Pjesa tjetër nuk u shkrua në ato faqe. U shkrua në bisedat që patëm më vonë, në pyetjet që Alba më bëri kur u rrit dhe në mënyrën se si ajo zgjodhi t’i kushtojë jetën kuptimit të historive si kjo.

Ilustrimi: Albana Hajdini / Pro Peace

Arlinda Gashi Jakupi ka studiuar gjuhë dhe letërsi shqipe në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Prishtinës dhe më pas ka vazhduar formimin profesional në fushën e aviacionit dhe turizmit. Për më shumë se njëzet vjet, ajo punon në sektorin e turizmit, aviacionit dhe udhërrëfimit kulturor, duke ndihmuar në lidhjen e njerëzve me vendet, historitë dhe përvojat e Kosovës dhe më gjerë.

Ky blog është pjesë e serisë Rrëfime të Papërfunduara. Zbuloni më shumë rrëfime këtu.