Dr. Feride Rushiti, avokuese e shquar për të drejtat e njeriut dhe drejtoreshë ekzekutive e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e Viktimave të Torturës (QKRMT) është nominuar për Çmimin Nobel për Paqe 2025. Ky nominim, i propozuar nga deputeti suedez Magnus Jacobsson, njeh kontributet e rëndësishme të Ferides dhe QKRMT-së për drejtësinë, të drejtat e njeriut dhe rehabilitimin e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Me këtë jo vetëm që nderohen përpjekjet individuale të Dr. Rushitit dhe QKRMT-së, por gjithashtu theksohen edhe përpjekjet e pareshtura të shoqërisë kosovare të pasluftës për drejtësi dhe shërim.
forumZFD në Kosovë dhe QKRMT-ja kanë bashkëpunuar në një sërë projektesh dhe nismash, duke kontribuar bashkërisht në përgatitjen e hulumtimeve dhe nxitjen e një diskursi të hapur dhe gjithëpërfshirës shoqëror mbi trashëgiminë e dhunës seksuale gjatë luftës. Për më tepër, përpjekje të tilla kontribuojnë në luftimin e stigmës dhe paragjykimeve, duke e përfshirë në këtë çështje shoqërinë e gjerë, studiuesit, komunitetin e artistëve dhe akademinë.
forumZFD e përgëzon përzemërsisht Dr. Feride Rushitin për nominimin për Çmimin Nobel për Paqe 2025. Nominimi i Dr. Feride Rushitit për Çmimin Nobel për Paqe është një njohje e përpjekjeve të saj të mëdha si drejtoreshë e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e Viktimave të Torturës (QKRMT) për t’i mbështetur të mbijetuarit e dhunës seksuale në kohë lufte dhe për të avokuar për drejtësi, shërim, pajtim dhe dinjitet njerëzor që nga lufta e Kosovës e viteve 1998/1999. forumZFD zhvilloi një intervistë me Dr. Rushitin duke ofruar kështu një reflektim të thellë mbi atë se çfarë do të thotë ky nominim—jo vetëm për QKRMT dhe ekipin e saj të përkushtuar por edhe për të mbijetuarit në Kosovë dhe më gjerë.
1. Çfarë do të thotë për ju personalisht nominimi për Çmimin Nobel për Paqe, dhe si ndikon në punën tuaj në Qendrën Kosovare për Rehabilitimin e Viktimave të Torturës (QKRMT)?
Ky emërim personalisht është një nder i madh për mua. Por nuk ka të bëjë vetëm me mua apo ekipin e QKRMT-së, por mbi të gjitha është një nderim për guximin dhe qëndrueshmërinë e palëkundur të të mbijetuarve të dhunës seksuale të kohës së luftës. M’i kujton në kampet e refugjatëve të Kukësit, në Shqipëri, gjatë luftës në Kosovë në vitet 1998/1999, ku, si mjeke e re, hasa për herë të parë në heshtjen e përhumbur të atyre që në vete mbanin histori traumatizuese me dhimbje të paimagjinueshme. Që nga ai moment, misioni im u bë i qartë: të sigurohesha që zërat e tyre të mos mbeteshin të padëgjuar dhe që vuajtjet e tyre të mos harroheshin kurrë.
Për kolegët e QKRMT-së, ky nominim është një tjetër dëshmi e përpjekjeve tona të pareshtura për të sjellë drejtësi, shërim dhe shpresë për të mbijetuarit e dhunës seksuale të kohës së luftës. E nderon besimin që të mbijetuarit e kanë në ne dhe prek të gjitha gratë dhe fëmijët e ndikuar nga dhuna me bazë gjinore dhe refugjatët. Guximi i tyre na frymëzon çdo ditë dhe e forcon vendosmërinë tonë për të ecur përpara, pavarësisht nga pengesat që hasim.
Mbi të gjitha, ky nominim është një dritë shprese, një dëshmi e fuqishme se historitë e tyre kanë rëndësi dhe se puna jonë njihet jo vetëm në Kosovë por në mbarë botën. Është një thirrje për të vazhduar luftën për dinjitet, drejtësi dhe një të ardhme më paqësore për të gjithë, duke intensifikuar përpjekjet për të parandaluar torturën dhe dhunën kudo që ajo ndodhë.
2. Çfarë mesazhi u jep ky nominim të mbijetuarve të dhunës seksuale të kohës së luftës në Kosovë dhe jashtë saj?
Ky nominim dërgon një mesazh të fuqishëm dhe inkurajues për të mbijetuarit: Ju shohim, ju dëgjojmë dhe nuk e harrojmë dhimbjen tuaj. Për një kohë të gjatë, të mbijetuarit e dhunës seksuale të kohës së luftës kanë duruar heshtjen dhe margjinalizimin, shpesh të fshehur nga diskurset publike. Kjo njohje u tregon atyre se historitë e tyre janë të rëndësishme dhe se komuniteti global i njeh betejat dhe qëndrueshmërinë e tyre.
Për të mbijetuarit në Kosovë, është një moment i thellë i vlerësimit të përpjekjeve të tyre, duke u treguar se guximi i tyre për të folur dhe për të kërkuar drejtësi ka arritur shumë përtej kufijve tanë. Jashtë vendit, pra në nivel ndërkombëtar, ky nominim shërben si një simbol solidariteti për të mbijetuarit kudo që ndodhen, duke u kujtuar atyre se nuk janë vetëm në rrugëtimin e tyre sfidues. Me këtë dërgohet një sinjal i qartë se edhe përkundër që drejtësia mund të vonohet, lufta për llogaridhënie dhe shërim është e vazhdueshme dhe mbështetet në nivel global. Ky nominim inkurajon të mbijetuarit që të vazhdojnë të ndajnë historitë e tyre, duke e ditur se mund të frymëzojnë ndryshimin dhe të kontribuojnë në një të ardhme pa mizori të tilla.
3. Si mund të ndikojë nominimi juaj në përpjekjet ndërkombëtare për trajtimin dhe parandalimin e dhunës seksuale gjatë luftës?
Për rastet e dhunës seksuale gjatë luftës nevojiten veprime urgjente dhe të menjëhershme nga bashkësia ndërkombëtare. Ky nominim është një thirrje për t’u përqëndruar në llogaridhënie, drejtësi dhe mbështetje me në qendër të mbijetuarit, duke thyer heshtjen dhe stigmën që i ka mbajtur të mbijetuarit në hije. Zërat e tyre duhet të dëgjohen dhe duhet të bëhen përpjekje globale për të krijuar ndryshime domethënëse.
Trajtimi i kësaj çështje vjen vetëm duke kaluar nga fjalët drejt veprimeve reale dhe të qëndrueshme. Duhet të përballemi me shkaqet e një dhune të tillë dhe të punojmë drejt një të ardhmeje ku ajo nuk tolerohet më. Drejtësia, rehabilitimi dhe reparacionet duhet të jenë në qendër të këtij procesi, me një përkushtim ndaj ndryshimeve sistematike.
Qeveritë dhe politikëbërësit duhet t’i japin përparësi zgjidhjeve me në qendër të mbijetuarit në formësimin e ligjeve dhe përpjekjeve për ndërtimin e paqes. Përvojat e të mbijetuarve duhet të jenë baza e këtyre proceseve, duke siguruar që drejtësia të mos mbetet vetëm shpresë, por një realitet që e arrijmë së bashku. Kjo pra është një thirrje për botën që të veprojë tani për t’i dhënë fund dhunës seksuale të kohës së luftës dhe për të siguruar që ajo të mos ndodhë më kurrë.
4. Çfarë do të thotë fitimi i Çmimit Nobel për Paqe për punën tuaj dhe për përpjekjet e Kosovës në adresimin e historisë së kohës së luftës?
Fitimi i Çmimit Nobel për Paqe do të ishte një moment transformues, si për punën tonë në QKRMT, ashtu edhe për Kosovën në tërësi. Për QKRMT-në, kjo do të ofronte një platformë të pashembullt për të mbrojtur të mbijetuarit e dhunës seksuale të kohës së luftës dhe për të forcuar aftësinë tonë për të ofruar mbështetje, drejtësi dhe shërim. Kjo do të na mundësonte që ta zgjerojmë shtrirjen tonë, të përmirësojmë programet tona dhe që zërat e të mbijetuarve të jehojnë në shkallë globale.
Për Kosovën, kjo do të nënkuptonte një hap kyç në ballafaqimin dhe adresimin e historisë së saj të kohës së luftës. Do të tërhiqte vëmendjen ndërkombëtare ndaj plagëve të pashëruara të së kaluarës, duke inkurajuar dialogun dhe një kuptim më të thellë të nevojës për drejtësi dhe llogaridhënie. Gjithashtu do ta ndihmonte Kosovën të pozicionohej si një shtet që avokon për të drejtat e njeriut dhe ndërtimin e paqes në skenën globale, duke demonstruar se edhe kombet e vogla mund të udhëheqin me qëndrueshmëri dhe vendosmëri.
Fitimi i çmimit do të rikonfirmonte se vuajtjet e përjetuara gjatë luftës nuk duhet të përsëriten kurrë dhe se shërimi është i mundur kur e vërteta dhe drejtësia vihen në rend të parë. Gjithashtu, kjo do t’i frymëzonte gjeneratat e ardhshme që ta vazhdojnë luftën për paqe, dinjitet dhe për të drejtat e njeriut, duke siguruar që mësimet e historisë së Kosovës të kontribuojnë për një botë më të drejtë dhe më të dhembshur.
Zyra e forumZFD në Kosovë dhe QKRMT janë partnerë zyrtarë që nga viti 2017, dhe kanë bashkëpunuar në publikimin dhe promovimin e librave si “Dua të më dëgjojnë”, “Përtej dhimbjes, drejt guximit”, dhe “Zëra të padëgjuar”, së bashku me nisma të ndryshme për avokim.