E kaluara si supermarket

Burimi: recom.link

Nga Dragan Markovina

Edhe pse periudhat kur mund të ushqenim optimizëm racional sa i përket përballjes me ndershmëri me të kaluarën apo pritshmërive për progresin e përgjithshëm të shoqërisë kanë qenë të pakta në rajonin jugosllav në 25 vitet e fundit, pak vetë do të kishin pritur një kthim të plotë të paradigmës së viteve të nëntëdhjeta.  Mbështjellë në një retorikë më të butë plastike, të njëjtat mesazhe politike që de facto kanë çuar drejt shkatërrimit të plotë të secilës prej shoqërive në fjalë tani janë këtu sërish.  Është pikërisht ky lloj i atmosferës që ka mbizotëruar këto vitet e fundit, të disa momenteve paradigmatike që kanë ndodhur në vitin 2016 – duke vërtetuar, në çdo kuptim të fjalës, faktin se po jetojmë kohën e një kundërrevolucioni, për të parafrazuar fjalët e Erik Hobsbaumit.  Në Kroaci ka ardhur në pushtet një grup i klero-nacionalistëve agresivë dhe simpatizuesve haptazi të NDH-së, bashkë me projektin e tyre për krijimin e të ashtuquajturës paradigma e re nacionale.  Shkurt e shqip, kjo do të thotë se e drejta e veprimit publik i rezervohet ekskluzivisht atyre që këmbëngulin tek mitomania nacionaliste dhe konceptet mitike të “tjetrit”, ndërkohë që të gjithë të tjerët duhet të censurohen, të lihen anash, t’u hiqet fuqia dhe të privohen nga mundësia për të krijuar çfarëdo dialogu.  Kjo gjë vërtetohet më së miri nga fakti se edhe pse më shumë se pesë mijë figurat më të njohura të kulturës dhe intelektualë të rajonit kanë nënshkruar një peticion kundër emërimit të një njeriu me pikëpamje të hapura revizioniste si Ministër i Kulturës, kjo nuk ka ngjallur asnjë reagim nga personat në pushtet.  Në nivel ideologjik, kjo lloj politike ka çuar drejt klerikalizimit të plotë të medias publike, por edhe tek përpjekje të fshehta për të shkrirë bashkë Universitetin Katolik dhe Universitetin e Filozofisë në Zagreb, që do t’i mundësonte Kishës Katolike dhe dogmave të saj të pushtojnë hapësirën që ka për synim inkurajimin e mendimit kritik.  Dhe për t’i çuar deri në fund këto procese, përfshirë dhe shmangien e pyetjeve rreth trashëgimisë së Tugjmanit dhe rezervimit të një vendi mitik në historinë e pavarësisë së Kroacisë dhe Luftës për Atdhe, ata që janë në pushtet kanë filluar të rishikojnë të gjithë historinë e Luftës së Dytë Botërore.   Për shkak të kësaj, gazeta si Vjenac matice Hrvatske dhe Glas Koncila (por edhe media më popullore si Večernji list) me vite të tëra tashmë kanë ngritur pretendime se nuk ka patur kamp të vdekjes në Jasenovac, se shumica e njerëzve atje kanë vdekur pas luftës dhe se në fakt kriminelët e vërtetë ishin partizanët dhe anti-fashistët.  Në pretendimin e tyre gjithnjë e më të shpeshtë se ka patur dy sisteme totalitare, jo vetëm një, kjo paradigmë që po merr përkrahje domethënëse logjistike nëpër Evropë, krejtësisht lë anash autenticitetin e gjendjes jugosllave dhe historinë e rezistencës partizane në rajon.  Nuk ka asnjë dyshim se e gjithë kjo po bëhet me qëllimin për të dekonstruktuar tërësisht trashëgiminë më të vlefshme të rezistencës së tyre – besimin dhe respektin e ndërsjellë ndërmjet popujve jugosllavë, dhe në këtë rast, ndërmjet kroatëve dhe serbëve.  Është po aq e qartë se jemi dëshmitarë se i njëjti proces po ndodh në Serbi, me të njëjtat motive, ku edhe historianët profesionistë dhe zyrtarë të lartë të Partisë Socialiste Serbe po tentojnë të barazojnë lëvizjet partizane dhe çetnike, si në kuptimin e civilizimit, ashtu dhe sa i përket vendit të tyre në sistemin tonë të vlerave.  Nëse kthehemi pas në ngjarje të tjera paradigmatike të kohëve të fundit (përveç mohimit mbizotërues të realitetit të Jasenovacit në Kroaci, që për shembull po bëhet duke barazuar mashtrimet nga Jakov Sedlar me punën serioze hulumtuese të Slavko Goldsteinit), përfshirë dhe shndërrimin e dukshëm në estradë të NDH-së, që dalëngadalë po bëhet një fakt kulturor gjithnjë e më i pranishëm, ne nuk do të jemi në gjendje të shmangin paraqitjen e akteve të egra si ato që u panë rishtazi në Mostar, apo e gjithë situata kontroverse lidhur me vendimet e Hagës në rastet e Karaxhiqit apo Sheshelit.  Sigurisht, Mostari mbetet një njollë e errët e politikës së Tugjmanit, edhe pse kjo çështje është shmangur formalisht dhe me shumë elegancë nga miratimi i deklaratës parlamentare që mohon pjesëmarrjen e Kroacisë në luftën në Bosnje e Hercegovinë, ndërkohë që situata aktuale në terren në Mostar është më e keqe.  Edhe para se të ndodhnin aktivitetet më të fundit në rrugë nga e djathta ekstreme, kur një flamur i madh kroat u shpalos mbi shpatin e malit Planinica që bie mbi qytet, apo kur në mes të natës guri memorial që përkujton vuajtjet e vitit 1993 u rrëzua dhe u hodh në lumin Neretva, askush, as më naivi prej nesh, nuk pati dyshime se kishte ndodhur një katarsis social.  Për më tepër, në vend se të përballeshin me faktin se pjesa lindore e Mostarit ishte shndërruar në geto lufte dhe të pranohej shkatërrimi i simbolit kryesor të qytetit (një monument nën mbrojtjen nga UNESCO në atë kohë), politika nacionaliste kroate jo vetëm refuzoi ta bëjë këtë, por në fakt vazhdon të kryejë krimin pa ndërprerë, sikurse u demonstrua nga shembulli rishtazi i memorialit prej guri.  Duke patur këtë prasysh, ne vërtet që nuk duhet të habitemi se askush nga Departamenti i Artit të Universitetit të Filozofisë së Mostarit ka ndonjë interes tek pamja e përsosur e varrezës së rrënuar të partizanëve që gjendet jo më larg se 90 metra, apo që të kujdeset për gjendjen e këtij monumenti unik kulturor.  Emërtimi i konviktit të studentëve në Pale me emrin e kriminelit të luftës Radovan Karaxhiq është pjesë e të njëjtës mënyrë të të menduarit – qëndron si një shembull unik në botën bashkohore ku një ndërtesë merr emrin e një personi që ende është gjallë, që nuk ka asgjë të bëjë me atë ndërtesë dhe që mbi të gjitha është dënuar për krime lufte.  S’mund të ketë dyshim se një veprim i tillë paraqet një mesazh shumë të qartë se nuk do të ketë ballafaqim me të kaluarën dhe se çdo përpjekje për ta bërë këtë nuk do të tolerohet, gjë që ri-ofendon të gjithë ata që kanë vuajtur pasojat e politikës së Karaxhiqit.  Aktgjykimi nostalgjik në rastin e Sheshelit bie nën të njëjtën kategori, pasi praktikisht ka rehabilituar këtë propagandist të palëkundur të luftës, duke e mbështjellë atë me velin e pafajësisë.  Po t’i shohim këto shoqëri nga larg, do ta kuptonim se në secilën prej tyre po ndodhin të njëjtat procese për të mbajtur gjallë ideologjitë e luftës dhe për të rehabilituar forcat kolaboracioniste të Luftës II Botërore, të shoqëruara nga një mungesë e plotë e vetëdijes së elitave politike, akademike dhe intelektuale për përgjegjësinë morale që kanë për këtë gjendje të mjeruar të shoqërive ku gjenden.  Duke patur këtë parasysh, do të ishte pothuajse e pamundur që të presim procese serioze të katarsisit social apo të ballafaqimit me të kaluarën dhe me krimet e kryera në emër të kombit tonë.  Ky problem është sidomos i dukshëm në bashkëpunimin gjithnjë e më të pranishëm ndërmjet historiografëve revizionistë serbë dhe kroatë që padashje vetëm sa po konfirmojnë atë që po përpiqen të mohojnë – pra, që nacionalistët e rajonit gjithnjë e kanë kuptuar njëri-tjetrin më së miri, gjithnjë kanë ushqyer njëri-tjetrin dhe dorë për dore kanë ushqyer kaosin me të cilin duhet të përballemi ne tani.

Autori, historian me PhD, ka publikuar katër libra: ‘Ndërmjet të kuqes dhe të zezës’ (2014) dhe ‘Historia e të mundurve’ (Jesenski i Turk, 2015), ’Jugosllavizmi pas gjithçkaje’ Mostart dhe ‘Mostar-Heshtja e qytetit të mundur’ (Centar za kritičko mišljenje Mostar, 2015)