Filmi është kapsulë kohe

A e kupton ndërgjegjja njerëzore se kur bëhet një luftë e madhe, ajo gjithnjë pasohet nga luftëra të vogla? A e mendon vallë ndonjëherë populli shqiptar se pasi ka parë gjakun të përmbytë rrugicën e tmerrit në Masakrën e Reçakut, pasi ka qenë shënjestër e një shteti tjetër për luftë, pas shumë skenarëve të ngjashëm, se ai paska kaluar nëpër luftërat e mendjes, të traumës kolektive, të tensionit, vetëm për t’u ballafaquar me ato që pala tjetër la pas kur iku pasi bëri kërdinë?

Bauman shkruan se luftërat i lejon moderniteti dhe perfeksionimi i mjeteve. Traumën e ballafaqimit me luftën e kërkon mendja e (jo)shëndoshë e viktimave, të cilët kërkojnë paqe aq sa kërkojnë ta njohin veten pas një goditjeje të fortë.

****

Në blogun e kaluar përmenda pak kulturën, filmat, kinematografinë. Në luftë, njerëzit dhunohen. Kjo ndodh për disa arsye. Së pari, dhuna përul moralin e personit që dhunohet. A nuk është ky qëllimi kryesor i dhunuesit? Së dyti, dhuna shkakton dhimbje, jo vetëm të atypëratyshme dhe jo vetëm fizike. Më pas, nuk dhunohet vetëm një individ nga një individ, por dhunohet e shtypet një ideologji nga një tjetër, një regjim nga një tjetër, një gjak trupi nga një gjak trupi tjetër, një shtet dhunon dhe ushtron fuqinë absolute ndaj një shteti tjetër.

Kur merret vesh se disa prej grave të katundit janë dhunuar, burrat çmenden dhe kërkojnë kush e kush i pari ta zhdukë lajmin e vërtetë. Lusha, një mësuese, e zbulon sekretin e saj. I ndalohet të japë mësim, ta ushtrojë shenjtërinë e saj prej mësueseje. Pastaj ajo ka probleme me burrin, me familjen, i ndalohet të shkojë në festë apo në hidhërim. Lusha është secila grua e dhunuar nga serbët në luftën e fundit në Kosovë.

Kjo është arritja e “tjetrit”. “Tjetri” ka dashur që ne t’i shohim të dhunuarat si fajtore. Ne rrallë jemi ballafaquar me këto gra, të cilat janë cënuar pa dashur. Regjimi ka dashur që kjo të ndodhë në luftë. Edhe sot nuk flasim shumë për këto gra. Flasim vetëm atëherë kur dikush e hap debatin, por që zgjat me sekonda. Ne nuk protestojmë për to sa protestojmë për burrat hijerëndë të shtetit tonë. Ende nuk jemi ballafaquar me to sy me sy. Në fakt, ato duhet të ballafaqohen me ne, sepse nuk i lejuam të tregonin të vërtetën që do t’i çlironte nga ajo që u ka ndodhur e kushedi sa herë u shfaqet në makthet e gjumit. Jo, ato nuk janë fajtore për atë që u ndodhi. Dhe po, ne shpesh sillemi a thua se po të kishim qenë edhe në rrethana paqeje, nuk do ta ndalnim dhunimin.

Regjisori Isa Qosja e trajton këtë temë në filmin e tij “Tri dritare dhe një varje”. Burrat e Kosovës nuk pajtohen që gratë u janë dhunuar nga burrat e një shteti tjetër. Gjejeni logjikën. Burra që u mungojnë emocionet bazë njerëzore: empatia, dashuria, madje dhe solidariteti me gratë. S’kanë dhimbje, s’u vjen gjynah.

*****

Kinemaja është mjet i mirë për t’i treguar botës të vërtetën, aq sa për të vetëdijësuar qytetarët e vendit ku ka ndodhur lufta. Një vend ku ka pasur luftë e ka të domosdoshëm të paktën një film që e tregon të vërtetën. Unë nuk e di a e kemi ne një film të madh mbi luftën, por regjisorët tanë dhe të huaj kanë tentuar që t’i qasen asaj çka ndodhi nga këndvështrime të ndryshme.

E kur e kemi të dokumentuar historinë, mund t`ia përplasim vetes në fytyrë dhe të provojmë ta përqafojmë e të ballafaqohemi me të. Filmi “Shok”, me historinë e dy djemve që e mbajnë shoqërinë e tyre në rrethana lufte, u nominua për Oscar para disa vitesh. Është e nevojshme të besosh në diçka që i mban të bashkuar dy shokë edhe në një kohë të tillë. Sekondat e fundit të filmit nuk janë aspak të lehta për t’u shikuar.

Megjithatë, ballafaqimi me të kaluarën kërkon të vërtetën si bazë mbështetëse. Si ndryshe do t`ua lejojmë brezave të ardhshëm ta kuptojnë këtë periudhë të errët që i ndodhi shqiptarëve të Kosovës në vitet 1998-99, por që u kamuflua vite e vite më parë? Ballafaqimi nuk është harresë. Harresa ose nuk është ballafaquar kurrë, ose është ballafaquar nga fillimi deri në fund në të gjitha anët e medaljes.

Filmi “Shok” është sa i dhimbshëm, aq edhe i nevojshëm. Angelina Jolie, kur vendosi të bënte film për luftën në Bosnje, nuk e la jashtë skenën e foshnjës që hidhet nga ballkoni në pikën e të ftohtit. Edhe tek filmi “Shok”, njëri nga djemtë – Oki, në fund vdes nga e shtëna e një ushtari. Më lehtë do të ballafaqohemi po ta dimë se edhe të tjerëve u ndodhi ajo që na ndodhi ne, sepse lufta e secilit prej nesh e pati kulminacionin e saj, e arriti pikun e mizorisë. Lum Veseli dhe Andi Bajgora, pos aktrimit që nuk do shumë fjalë, kanë ndihmuar që fëmijët e sotëm dhe fëmijët e asaj kohe që sot janë në moshë të rritur, të mund ta kuptojnë më mirë vuajtjen e tyre, emocionin e tmerrit, por edhe faktin se në luftë nuk pati kufij. Gjithçka u lejua e gjithkush u dhunua dhe u torturua. Lufta nuk ishte e sinqertë, por filmi dhe regjisorët mund dhe duhet të jenë.

****

Sepse filmat dhe aktorët nuk na lënë të harrojmë. Kujtesa është përmbledhja e ngjarjeve që ka ndodhur. Dikush ka kaluar nëpër to, e dikush jo. Festivali i Filmit në Sarajevë ka krijuar një program të veçantë për filmat që trajtojnë temën e ballafaqimit me të kaluarën dhe pasi Ballkani është toka e gjakut – më modernia e kësaj ane në Evropë, atëherë gjithçka bëhet më relevante. Filmi “Kthimi” i Blerta Zeqirit e tregon histerinë e kthimit dhe të ballafaqimit të një burri se ka një fëmijë më shumë në shtëpinë e tij, edhe ky si rezultat i një dhunimi.

“Kukumi”, vite më parë, film edhe ky nga Isa Qosja, e solli çmendurinë e luftës dhe pasojat që ajo i lë, e të cilat kur nuk fliten e analizohen peshojnë edhe më shumë mbi kurrizin e viktimës, por edhe të vetë popullit viktimë – kosovarëve.

Filmi është kapsulë kohe. Filmi mund t’i tregojë të vërtetat pa ndërhyrje politike. Historitë personale, narrativat njerëzore do të na ndihmojnë në duelin me psikologjinë tonë të pasluftës. John Udpike shkroi në ditarin e tij se “çdo mëngjes ne zgjohemi si një njeri tjetër, më ndryshe dhe personi që ishim dje veç ka vdekur”. Ndoshta edhe ne të gjithë kemi vdekur në luftën e fundit në Kosovë dhe sot, të zgjuar, do të ishte mirë të ballafaqohemi me një prej plagëve dhe tregimeve më të trishta të popullit të Kosovës.

Arbër Selmani është gazetar i kulturës dhe shkrimtar nga Prishtina. Ai ka përfunduar studimet për marketing ndërsa fushat e interesit të tij përfshijnë studimet kulturore, multikulturalizmin, ballafaqimin me të kaluarën dhe çështjet mbi komunitetin LGBT. Në nëntor të vitit 2013-të ai morri çmim nga UNWomen dhe UNDP.

Twitter: @arberiani