Ballafaqimi me të kaluarën përmes takimeve të të rinjve nga shoqëri të ndryshme të pas-konfliktit

Gjatë muajit korrik 2017 patëm mundësinë të ndjekim një shkollë verore krejt ndryshe nga ato ku kemi qenë më parë. Në këtë shkollë verore erdhën 20 adoleshentë nga vendet e ish-Jugosllavisë, të cilët patën mundësinë të mësojnë rreth historisë së rajonit nga këndvështrime të ndryshme. Shkolla verore emërtohej “Sfido historinë” dhe jo vetëm që na ndryshoi pikëpamjen tonë për historinë, por na ndryshoi krejt mendimin që kishim për të kaluarën dhe për të ardhmen e rajonit.

“Sfido historinë” 2017 u mbajt në Mostar, (Bosnje dhe Hercegovinë), një nga vendet më të bukura dhe me kulturë të pasur në Ballkan. Ideja për të shkuar në atë vend ishte që pjesëmarrësve t’u jepej mundësia për të vizituar shumë monumente kulturore dhe në të njëjtën kohë të mësojnë lidhur me këndvështrime të ndryshme të historisë. Në shkollë kishte shumë ligjërues, secili prej tyre me diplomë të masterit apo doktoraturë në fushat e tyre përkatëse. Po ashtu, ishte dhe ekipi i jashtëzakonshëm organizativ që u sigurua që gjithçka të shkonte sipas planit. Pak e nga pak, konferenca u shndërrua në një ngjarje që u ndryshoi jetën të gjithë pjesëmarrësve.

Në fillim, ne ishim thjesht disa adoleshentë nga vende të ndryshme të Ballkanit që rrinim me grupin që vinte nga shteti jonë. Mirëpo menjëherë pas ditës së parë, nuk mund të identifikonim më se cili grup vinte nga Kosova, nga Bosnia e Hercegovina apo Serbia, pasi që të gjithë rrinim bashkë në grupe të përziera. Na kujtohet që njëri nga ligjëruesit na tha: ‘Nëse popullsia e përgjithshme e vendeve tona do të kishte të njëjtin mentalitet si njerëzit në këtë dhomë, do të ishim në situatë shumë më të mirë, si politikisht, ashtu edhe ekonomikisht’. Ky ishte dhe një nga rezultatet e përgjithshme të dëshirueshme të shkollës verore, t’u ndihmohej të rinjve të përqendrohen tek e ardhmja dhe të në të njëjtën kohë të mos e harrojnë të kaluarën.

Ligjëratat e para u përqendruan tek identiteti shoqëror, se si njerëz të ndryshëm kanë mendime krejt të ndryshme për grupe të tjera shoqërore dhe se si një person gjithnjë priret të pëlqejë grupin e vet dhe të mos pëlqejë grupe të tjera. Kjo temë synonte që pjesëmarrësit të kuptonin më mirë se përse sot, vende të ndryshme e mësojnë historinë ndryshe. Ligjërata e dytë kishte të bënte me strukturën e narrativave dhe se si narrativa të ndryshme e pengojnë procesin e pajtimit. Pastaj mësuam se nuk ndodh vetëm në rajonin e Ballkanit që historia të pësojë ndryshime kur shkon nga vendi në vend, pasi ky problem ndodh edhe në vende të tjera të botës. Pas dy ligjëratave të para, ne vizituam disa lokacione në Mostar ku pamë artin e rrugës. Arti i rrugës është shumë i popullarizuar në Mostar dhe ndryshe nga qytetet e tjera, atje nuk vizatohen fjalë vulgare, por në shumë pjesë të qytetit gjen art kuptimplotë dhe artistik. Shumë njerëz e shprehin kreativitetin e tyre në këtë mënyrë, përfshirë dhe artistët ndërkombëtarë që kanë udhëtuar gjatë për në Mostar për të dhënë kështu kontributin e tyre në këtë qytet. Objektet që vizatohen zakonisht janë ndërtesa të braktisura dhe rrënoja të pasluftës. Edhe ne patëm mundësinë të pikturojmë në një bazë ushtarake të braktisur, duke lënë kështu gjurmën tonë në qytet.

Një nga ligjëratat ishte e mbajtur jashtë, në një monument të stërmadh të braktisur të kohës së Jugosllavisë – një përkujtimore e varrezave të partizanëve. Atje mësuam se përkujtimorja ka qenë dikur një strukturë e bukur, por tani, për shkak të mospëlqimit ndaj regjimin komunist dhe nga mungesa e fondeve, përkujtimorja është rrënuar dhe ka mbetur vetëm një copëz e asaj që ka qenë dikur. Atje, ne luajtëm një lojë ku secili nga pjesëmarrësit aktroi një rol, si historian, artist, politikan apo qytetar i thjeshtë i Mostarit. Gjatë kësaj loje argëtuese dhe interaktive, ne mësuam për qëndrimet njerëzve dhe ndjenjat e tyre ndaj monumentit, kështu që si pjesëmarrës ishim në gjendje të analizojmë rolin e trashëgimisë kulturore në narrativa të ndryshme sfiduese historike. Loja u pasua nga një ligjëratë për ndjekjen penale ndërkombëtare të personave që kanë kryer krime lufte gjatë luftërave të Jugosllavisë. Kjo ligjëratë na prezantoi me ICTY-në (Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë) dhe arritjet e tyre kryesore. Gjatë kësaj ligjërate ne gjithashtu u përqendruam tek e ardhmja dhe mësuam një term të quajtur ‘drejtësia tranzicionale’ që merret me masat gjyqësore dhe jo-gjyqësore që ndërmerren për të ndaluar abuzimin me të drejtat e njeriut dhe për t’iu ndihmuar atyre që janë prekur nga këto abuzime. Më pas, ndoqëm një ligjëratë për monumentet që ndodhen në vendet e ish-Jugosllavisë dhe për rëndësinë e tyre në trashëgiminë kulturore të rajonit. Gjatë asaj ligjërate pamë edhe një film të shkurtër të shkëlqyer, ku shfaqeshin shumë monumente të famshme në të gjithë rajonin dhe ku bëhej fjalë për bashkëpunimin e tyre që të zgjidhej misteri i zhdukjes së njërës prej monumenteve. Kështu mësuam për rëndësinë e monumenteve dhe për rolin e tyre si dhe kujtesën e historisë dhe se si ato i kanë kontribuar krijimit të identiteteve kombëtare dhe etnike, por mësuam edhe se si njerëzit i ndryshojnë monumentet apo dhe i shkatërrojnë me kalimin e kohës në rast të ndryshimeve të qeverisë dhe se si këto ndryshime bëjnë që njerëzit të harrojnë krejtësisht ndonjë periudhë të historisë.

Ligjëratat e fundit u përqendruan sërish tek narrativa të ndryshme të historisë. Gjatë një ligjërate pamë një dokumentar që jo vetëm merrej me ndryshimet në historinë që mësohet në vende të ndryshme, por edhe për mungesën e figurave historike femra në historinë e rajonit. Edhe pse ka patur shumë gra që kanë ndihmuar në krijimin e historisë së rajonit, ato rrallë përmenden ose janë harruar krejtësisht. Ligjërata trajtoi edhe paragjykimet gjinore që mbizotërojnë në rajonin tonë. Në fund, ndoqëm një ligjëratë dhe më pas diskutuam për atë që mund të thuhet se është ngjarja më e rëndësishme në Ballkan në 500 vitet e fundit: vrasja e Franc Ferdinandit. Gjatë kësaj ligjërate mësuam se si edhe në një vend të vetëm, këndvështrimi për vrasësin ka ndryshuar shpesh brenda një periudhe të shkurtër kohore, në varësi të qeverisë. Qëllimi i ligjëratës ishte që të nxiteshin këndvështrime të ndryshme dhe të inkurajoheshim për të kërkuar nëpër burime të ndryshme për një histori, e jo vetëm në librat shkollorë, por edhe në internet, media sociale etj., dhe që të mos i besojmë verbërisht asaj historie të anshme që mësohet nëpër shkolla. Kështu, pak e nga pak të fillojmë të kemi një histori të përbashkët. Kjo gjë ndihmon me procesin e pajtimit.

Gjatë shkollës verore, ne si pjesëmarrës patëm mundësinë që jo vetëm të ndajmë historitë tona personale lidhur me historinë e rajonit, por edhe të mësojmë nga historitë e tjera që u rrëfyen. Kjo gjë na bëri të mundur të krijonim një mendim të përbashkët se çfarë ka ndodhur në rajon, edhe pse në fillim secili prej nesh kishte mendësi krejt të ndryshme lidhur me historinë tonë. Po ashtu, diskutimet interaktive na ngacmuan paragjykimet ndaj të tjerëve dhe u zhvilluan në të menduar kritik. Shkolla verore ishte një përvojë që na ndryshoi jetën, që në thelb shndërroi këndvështrimet tona për historinë dhe për të ardhmen e vendeve tona. Ajo na tregoi se historia nuk është gjithnjë ajo që mësojmë në shkollë apo çfarë mësojmë nga popullsia e gjerë, por që historia është diçka e cila duhet të shkruhet me kujdes dhe me objektivitetet duke marrë parasysh rrëfime të ndryshme. Ne rekomandojmë që çdo adoleshent mendjehapur dhe që është i gatshëm për përvoja që të ndryshojnë jetën të aplikojë për shkollën verore vitin e ardhshëm, pasi është diçka për të cilën nuk do të pendohen.

Autorë të këtij blogu janë:

Amil Salihi – nxënës i shkollës së mesme dhe aktivist i ri nga Prizreni

Drin Krasniqi – nxënës i shkollës së mesme dhe aktivist i ri nga Prishtina