Muzeu i Bosnjes nxjerr në pah përvojat e luftës gjatë fëmijërisë

Burimi: bbc.com

Një muze i ri është duke dokumentuar përvojat e fëmijëve gjatë luftës së Bosnjes në vitet 1990 dhe kërkon nga njerëzit që të kontribuojnë me sende personale nga fëmijëria e tyre.

Muzeu i Luftës së Fëmijërisë pritet të hapet këtë vit në Sarajevë dhe do të ekspozojë sende nga  njerëzit që janë rritur gjatë konfliktit në vitet 1992-1995. Në mesin e sendeve të grumbulluara deri më tani gjenden një sërë paketimesh të ushqimeve nga ndihmat që janë mbledhur nga një fëmijë i Sarajevës dhe që i ka ruajtur për dy dekada.

Është edhe një libër i djegur i nxjerrë nga rrënojat e Bibliotekës Kombëtare të qytetit që u shkatërrua nga e reja Alma Telibeqireviq. Në letrën shoqëruese ajo thotë: “Atëherë nuk kisha si ta dija sa do të zgjaste lufta dhe çfarë do të ndodhte më pas, mirëpo m’u duk se kishte kuptim që ta shpëtoja atë libër”.

Në një postim në faqen e vet në Facebook, muzeu thotë se sendet mund të duken “modeste dhe jorelevante në pamje të parë”, mirëpo secili send përfaqëson një përvojë të fëmijëve. “Këto histori nuk janë vetëm histori trishtimi, por edhe gëzimi, krenarie, nostalgjie dhe pasionesh të tjera” thuhet aty.

Organizatorët e muzeut ende janë në kërkim të një ndërtese të përhershme, mirëpo rishtazi kanë organizuar një ekspozitë të përkohshme në Sarajevë dhe tani planifikojnë të shëtisin në pjesën tjetër të Bosnie-Hercegovinës.

Për Mela Softiqin, e cila ia dha muzeut këpucët e saj të para të baletit, ky është një rast që njerëzit të ndajnë historitë e tyre pa tone politike. Ajo thotë për Balkan Insight: “Ishim tepër të rinj për të ditur ndonjë gjë për gjendjen politike në atë kohë… kështu që thjesht mundemi të ndajmë të vërtetën për luftën dhe përvojat tona personale.”

Gati dy milionë libra u shkatërruan kur  bombardua Biblioteka Kombëtare – por ky libër u shpëtua nga një adoleshente