Në kurthin e lajmeve të rreme

Foto:Fitim Gashi

Paralajmërim: ky artikull përmban gjuhë përshkruese që paraqet dhunën seksuale kundër grave gjatë luftës’në Kosovë.

Në ditën kur Kuvendi i Kosovës miratoi Rezolutën për gjenocidin e Serbisë në Kosovë, një deputete shkaktoi skandal me një fotografi . Në majin e vitit të kaluar, deputetja Flora Brovina e shokoi publikun duke ia shpalosur një fotografi për të cilën tha se ishte pamje e dhunimit të një gruaje shqiptare nga forcat serbe, në kohën e luftës në Kosovë, në vitin 1999.

Pak orë pasi ish-e burgosura politike na e tregoi fotografinë ne gazetarëve që ishim mbledhur në ndërtesën e Kuvendit, pothuajse të gjitha mediat ranë në grackën e këtij lajmi të rremë dhe e publikuan si të vërtetë. Në grackë ranë edhe politikanë e aktivistë të ndryshëm, të cilët e shpërndanë fotografinë.

Si gazetar, shpesh vendosesh para dilemave të tilla: ta plasosh lajmin në medium apo të përmbahesh për ta verifikuar atë, sidomos në raste të tilla. Fatmirësisht, mediumi ku punoj i jep përparësi saktësisë e jo çdoherë shpejtësisë së lajmit. Prandaj verifikimi ishte i domosdoshëm, para se ky lajm t’i paraqitej publikut si i vërtetë.

Pasi kthimit në redaksi, me një kërkim të thjeshtë ishte e mundur të vërtetohej se ajo fotografi, e palosur në çantën e Brovinës, prezantohej si aktrim pornografik diku në Irak. Por lajmi i rremë tashmë ishte përhapur gjerësisht në rrjetet sociale. Kjo nxiti një valë reagimesh brenda dhe jashtë Kosovës. Ky rast shtron nevojën e mësimit të shkathtësive dhe teknikave për vërtetësinë e lajmeve. Sidomos kur vjen puna tek raportimet për krimet e luftës dhe ballafaqimi me të kaluarën në epokën digjitale.

Shtatorin e vitit të kaluar, bashkë me një grup gazetarësh nga Kosova ishim pjesë e një programi në Gjermani për rëndësinë e verifikimit të fakteve. Ishte me interes të shihnim “betejën” që mediat atje bëjnë kundër lajmeve të rreme. Të fokusuar rreth temës “Gazetaria e pavarur – raportimi i bazuar në fakte dhe parandalimi i lajmeve të rreme në mediat gjermane”, shtëpi të mëdha mediale rrëfenin përvojat e tyre. As Gjermania nuk është imune ndaj lajmeve të rreme. Por për dallim nga vende të tjera, përfshirë Kosovën, media në Gjermani i kushton rëndësi të madhe kontrollimit të fakteve dhe burimeve.

Revista e njohur gjermane “Der Spiegel” u trondit në fund të vitit 2018 pas zbulimit të skandalit me gazetarin që sajonte artikuj me burime të rreme. Claas Relotius (35), i vlerësuar disa herë me çmime, i falsifikonte prej vjetësh artikujt e tij. Përballë akuzave të një gazetari tjetër, me të cilin kishte punuar për një temë mbi kufirin e Meksikës me SHBA, Relotius e pranoi përfundimisht se kishte sajuar citime dhe skena ku ai nuk kishte qenë kurrë i pranishëm. Në redaksinë e ”Spiegel”-it, të cilën e vizituam, e pranuan se ky skandal kishte ndikuar keq në imazhin e tyre. Por kishin nxjerrë një mësim, që do duhej të vlente për të gjitha mediat profesionale. Redaksia e njohur gjermane tani ka instaluar një shërbim të fortë të brendshëm të kontrollimit të fakteve për artikujt që shkruajnë gazetarët e vet. Këta të fundit nuk e dinë se kush do t’ua kontrollojë faktet.

T’i kthehemi Kosovës. Ballafaqimi me të kaluarën është një proces kompleks që supozohet t’i ndihmojë shoqërive të shkatërruara nga lufta dhe të sigurojë paqe të qëndrueshme. Kjo bëhet duke luftuar pandëshkueshmërinë, duke rivendosur sundimin e ligjit si dhe duke rehabilituar viktimat. Prandaj, media mund të japë një kontribut të rëndësishëm për këtë qëllim. Por edhe ky proces nuk kursehet nga lajmet e rreme. Epoka e digjitalizimit u ka krijuar terren edhe politikanëve që të shpërndajnë lajme të rreme dhe të nxisin urrejtje ndëretnike.

Kështu ndodhi së fundi, kur zyrtarët më të lartë serbë e mohuan në kor krimin në Reçak. Fyerjet që pasuan deklaratat e tilla nëpër mediat online, të shumtën e rasteve nuk u censuruan, duke bërë që mediat të shndërroheshin në platforma ku nxitej urrejtja ndëretnike.

Sfidat në trajtimin e një çështjeje kaq të ndjeshme sikurse krimet e luftës janë të mëdha, si në raport me institucionet, ashtu edhe me qasjen e kujdesshme që duhet përdorur në raport me viktimat. Skandali me fotografinë e deputetes e ka prodhuar efektin e kundërt. Publikimi i pamjeve pa censurë ua ka rikthyer kujtimet e tmerrshme të luftës shumë grave, burrave e fëmijëve që kanë përjetuar këtë tmerr.

Aktualisht ekziston një ambient toksik kur flitet për krimet e luftës dhe për ballafaqimin me të kaluarën.

Në mungesë të transparencës dhe dokumentacioneve, për ne si gazetarë shpesh është më lehtë të sigurojmë informacionet e domosdoshme nga organizata të Shoqërisë Civile. Në këtë drejtim, një kontribut të madh e ka dhënë edhe Fondi për të Drejtën Humanitare (FDH), që vazhdon të shërbejë si platformë e rëndësishme për marrjen e informatave që kanë të bëjnë me dokumentimin e krimeve të luftës apo përpjekjet për zbulimin e varrezave masive.  

Përveç raportimeve, një mundësi e mirë për ta trajtuar drejtësinë tranzicionale janë edhe takimet rajonale dhe shkëmbimet e përvojave ndërmjet gazetarëve. I tillë ishte takimi i mbajtur në shtatorin e vitit të kaluar në Beograd mes gazetarëve nga Kosova, Serbia, Bosnja dhe Hercegovina, Kroacia e Mali i Zi. Një shembull për t’u ndjekur sa i përket vënies së digjitalizimit në shërbim të informimit është ai që tregonin kolegët nga Bosnja dhe Hercegovina. Ky shtet tashmë ka lansuar hartën online të rasteve të krimeve luftës të kryera në vend. Gjykata e shtetit në Bosnjë dhe Hercegovinë po ashtu ka krijuar një databazë me të gjitha rastet e krimeve të luftës. Zbatimi i kësaj qasjeje mundëson rritjen e besimit qytetar në proceset gjyqësore si dhe zvogëlon manipulimet dhe informatat e pasakta në media.

Në thelb qëllimi i këtij artikulli është vetëdijësimi se të gjithë kanë përgjegjësi për t’i luftuar lajmet e rreme dhe dezinformimin, veçanërisht kur bëhet fjalë për çështje të ndjeshme, siç janë krimet e luftës. Kjo mund të bëhet vetëm duke mbështetur gazetarinë hulumtuese dhe duke vendosur epokën dixhitale në funksion të informimit objektiv dhe të saktë.

Fitim Gashi ka përfunduar studimet pasdiplomike për Shkenca Politike dhe Administrim Publik. Me gazetari merret që nga viti 2006. Ka punuar në disa media: “Kosova Sot”, “Lajm”, “Tribuna”, “Gazeta Sport” etj. Që nga viti 2013 punon në gazetën “Koha Ditore” si Reporter i Lartë dhe mbulon zhvillimet politike, të drejtësisë dhe sigurisë. Ka qenë pjesëmarrës në disa konferenca dhe programe ndërkombëtare për promovimin dhe avancimin e gazetarisë