Gjykimeve po u vjen fundi – po pastaj?

Foto: Jovana Prusina

Kur flasim për drejtësinë tranzicionale, bëjmë fjalë edhe për drejtësinë penale, për viktimat dhe dëshmitarët, për të pagjeturit dhe personat e zhvendosur brenda vendit dhe familjet e tyre, për varret masive dhe të drejtën për të vërtetën, për reparacionet, lustracionet dhe më shumë. Lufta depërton në të gjitha zgravrat e shoqërisë dhe bashkë me të, edhe proceset e drejtësisë tranzicionale.

Diskursi më i gjerë rreth drejtësisë tranzicionale në këto vende (në Ballkan) kryesisht përmblidhet në drejtësinë penale, përkatësisht në punën që bën TNPJ (tani Mekanizmi Ndërkombëtar i Tribunaleve Penale) dhe gjykatat vendore për trajtimin e rasteve të krimeve të luftës. Në këto gjykime janë përfshirë edhe UNMIK-u, edhe EULEX-i. Gjykata Speciale, që ende duhet t’ia nisë punës për t’i trajtuar këto procese, do të jetë një tjetër shtesë në listën e organizatave të përfshira.

Tani që shumica e tribunaleve ndërkombëtare ose e kanë përfunduar punën e vet, ose janë në fazën e fundit, pritet që këtë punë ta marrin përsipër gjykatat vendore. TPNJ-ja ka zhvilluar vetëm gjykimet kundër zyrtarëve të lartë, mirëpo aktgjykimet dhe dokumentacioni mbështetës përmendin shumë emra mbi të cilët gjykatat e vendit mund të ndërtojnë raste. Për fat të keq, kjo nuk po ndodh. Në të vërtetë, shumica e gjykatave vendore po e ulin numrin e aktgjykimeve dhe të seancave dëgjimore. Transparenca dhe efikasiteti me të cilin punojnë nuk është për t’u patur zili. Pasojat e mungesës së vullnetit politik dhe kalimi i kohës ndjehen gjerësisht – interesi i publikut të përgjithshëm po zbehet, dëshmitarët dhe kryesit e krimeve po plaken dhe po vdesin dhe komuniteti ndërkombëtar nuk ushtron më presion mbi vendet e rajonit që t’i përmbyllin këto procese, të paktën jo në atë shkallë si dhjetë, pesëmbëdhjetë apo njëzetë vjet më parë. 

A do të thotë kjo se drejtësisë tranzicionale, si njihet në anët tona, po i vjen fundi?

Në një situatë ku numri i gjykimeve, si procesi më i dukshëm i drejtësisë tranzicionale, po ulet, ngrihet pyetja: si dhe kur do t’i gjejnë gazetarët, hulumtuesit, artistët, aktivistët dhe palët e tjera të interesuara burimet dhe materialet që u nevojiten për të raportuar për drejtësinë tranzicionale në të ardhmen? Ku do ta mbështesë punë e vet ‘brezi i ardhshëm’? Kur, pas tridhjetë vjetësh, dikush do të dojë të studiojë, lexojë apo shkruajë për krimet e kryera në Vllasenicë, Vukovar apo Gjakovë, kujt do t’i drejtohen? Arkivat e gjykatave duken si përgjigja më e qartë. Databaza online e TPNJ-jsë ku jepet qasje është një nga shembujt e ndritur. Çdo gazetar mund të ketë qasje aty për të lexuar aktgjykimet e gjykimeve, dëshmitë dhe transkriptet dhe të shohë dëshmi të dokumentuara, foto ose video që janë përdorur gjatë gjykimeve.

Po arkivat e gjykatave të vendit? Në vitin 2020, pritet që të gjitha dokumentat e gjykatave dhe transkriptet nga gjykimet të jenë të digjitalizuara dhe të gjithë sendet e përdorura si dëshmi të jenë magazinuar si duhet. Mirëpo nuk është kështu. 

Në vitin 2019, Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese (BIRN) lansoi Hartën e aktgjykimeve të krimeve të luftës, një platformë interaktive që shpalos të gjitha aktgjykimet përfundimtare për krimet e luftës të kryera gjatë luftërave në ish-Jugosllavi, të vëna në dispozicion të publikut edhe nga gjykatat vendore, edhe ato ndërkombëtare. Procesi i mbledhjes së këtij dokumentacioni nuk ishte i thjeshtë. Gjykatat vendore nuk kanë ndonjë praktikë uniforme. Disa i publikojnë aktgjykimet dhe dokumentat e gjykatës me emrat e plotë (p.sh. Gjykata e Bosnje e Hercegovinës), disa i publikojnë këto, por vetëm me inicialet e të pandehurve (p.sh. Gjykata e Lartë e Republikës Srpska), ndërsa gjykata të tjera japin të dhëna krejtësisht anonime (p.sh. Departamenti për Krimet e Luftës i Gjykatës së Lartë të Beogradit). Në disa raste, informacioni mungon krejtësisht në databazat online të gjykatave, që do të thotë se duhet të kërkosh nëpër raportet e organizatave vendore dhe ndërkombëtare që i kanë përcjellë gjykimet dhe mbi atë bazë, të kërkosh dokumenta nga gjykata, me shpresen se Ligji për Qasjen e Lirë në Informacionin me Rëndësi Publike do të respektohet. 

BIRN-i pa nevojën që të gjitha të dhënat dhe dokumentacionin në dispozicion për gjykimet e krimeve të luftës ta prezantonte para publikut në mënyrë transparente dhe ku të ofrohej qasje, ndaj dhe nisi procesi i krijimit të hartës online. Duke nisur me arkivën e vet të pasur, si rezultat i punës shumëvjeçare në përcjellje dhe dokumentim të gjykimeve të krimeve të luftës, BIRN-i më pas i mblodhi të gjitha të dhënat dhe dokumentacionin në dispozicion të publikut nga gjykatat dhe organizatat e shoqërisë civile. Rrjeti raportues besonte se ishte e rëndësishme që të përfshihej materiali i mbledhur nga të gjitha organizatat e përfshira në monitorimin e gjykimeve të krimeve të luftës përgjatë viteve. Kështu, Harta e aktgjykimeve të krimeve të luftës përmban raporte të BIRN-it, vegëza tek aktakuzat dhe aktgjykimet nga gjykatat, si dhe tek dokumentat e gjykatave që më herët janë mbledhur nga organizata relevante të shoqërisë civile në të gjithë rajonin. 

I gjithë procesi i mbledhjes së të dhënave dhe i krijimit të hartës për fat të keq ka konfirmuar hipotezën se nuk ka ndonjë qasje uniforme nga ana e institucioneve sa i përket arkivimit të të dhënave dhe se transparenca e punës është në nivel shumë të ulët. Kjo nuk u ndihmon atyre që dëshirojnë të punojnë mbi temën e ndjeshme të ballafaqimit me të kaluarën.

Përse paraqet problem kjo gjë? Këtu i kthehemi një çështjeje të ngritur më parë. Koha që kalon lë pasojat e veta. Kjo nuk vlen vetëm për gjykatat, por edhe për njerëzit në përgjithësi. Ballafaqimi me të kaluarën është një temë për të cilën ka dhe nuk ka njohuri. Është në të njëjtën kohë e pranishme dhe e munguar. Në diskursin publik, dëgjojmë edhe mohimin e fakteve të vërtetuara nga gjykata, edhe “historitë e luftës më kanë ardhur në majë të hundës”. Sado keq që është, ky është edhe sinjal për të ndryshuar se si e shohim dhe i qasemi drejtësisë tranzicionale.

Edhe pse në dy dhjetëvjeçarët e fundit fokusi ka qenë tek mbledhja e të dhënave për shkeljen e të drejtave të njeriut në vitet e fundit, detyra kryesore sot është që t’i jepet publikut qasje në këtë informacion. Është në dorën e institucioneve që këtë informacion ta vënë në dispozicion dhe është në dorën e vet publikut dhe të brezave të rinj të lindur pas luftërave që të mësohen me kohërat ku po jetojmë.

Jovana Prusina punon për BIRN-in si koordinatore e programit për Drejtësinë Tranzicionale në Ballkan (DTB) që nga viti 2018. Ajo ka diplomë nga Fakulteti Juridik i Universitetit të Beogradit dhe ka punuar për Nismën Rinore për të Drejtat e Njeriut. Puna e Jovanës në BIRN fokusohet tek fuqizimi i kapaciteteve të mediave lokale dhe shoqërisë civile për të arritur pajtimin dhe dialogun ndërkulturor.