nga Fatmir Menekshe
“Lagje e romëve, por sot pa romë. Një kohë e mbushur, por sot e zbrazët. Një kohë që qeshte, tani po qan.”
Me këto fjalë e nis rrëfimin e tij Azir Jasari, gazetar dhe hulumtues rom nga Prishtina, i cili përmes kujtimeve personale rikthen historinë e lagjes Moravska – një prej lagjeve më të mëdha rome në kryeqytetin e Kosovës, e cila sot pothuajse nuk ekziston më siç ishte dikur. Për Jasarin, Prishtina nuk është vetëm qyteti ku ka lindur dhe është rritur.
Ajo është pjesë e kujtesës së tij personale dhe kolektive, një hapësirë që, sipas tij, është transformuar deri në atë pikë sa gjurmët e dikurshme të komunitetit rom mezi dallohen. “Na i ndryshuan gjurmët, na e rrëzuan, na e shlyen, na e lyen dhe na e mbuluan me ngjyra të tjera”, thotë ai, duke përshkruar ndjenjën e humbjes së identitetit dhe të përkatësisë.
Një komunitet i madh në zemër të Prishtinës
Sipas të dhënave që sjell Jasari, para luftës në Kosovë, në Prishtinë dhe zonat përreth – përfshirë Fushë Kosovën, Graçanicën dhe disa fshatra të tjera jetonin rreth 22 mijë romë. Komuniteti rom në Prishtinë ishte i përqendruar kryesisht në tri lagje: Moravska, Dalmatinska (Divanjolli) dhe Kolibarska.
Vetëm në Moravske, e cila ndodhej prapa Teatrit të Qytetit, pak minuta larg qendrës së Prishtinës, jetonin afërsisht 10 mijë banorë. “
Krahas romëve jetonin edhe shqiptarë, serbë, turq dhe goranë. Jetonim si vëllezër. Nuk kishte konflikte mes nesh dhe jeta zhvillohej në frymë bashkëjetese”, kujton ai.
Komuniteti rom kishte zejtarë të njohur, intelektualë dhe njerëz të arsimuar.
Jasari përmend edhe historinë e farkëtarit Sallqe, mjeshtër i njohur i hekurit, për të cilin thuhet se kishte punuar karrocën mbretërore të mbretit Aleksandër Karagjorgjeviq.
Nga margjinalizimi te emancipimi
Megjithëse kushtet infrastrukturore në lagjet rome ishin të vështira, me mungesë të ujit, kanalizimit dhe rrugëve të asfaltuara, vitet e tetëdhjeta shënuan një periudhë të rëndësishme emancipimi. “Filloi një vrull më i madh i shkollimit të komunitetit rom. Gjithnjë kishte pasur të shkolluar, por atëherë numri i nxënësve dhe studentëve u rrit ndjeshëm”, kujton Jasari.
Sipas tij, falë një brezi intelektualësh romë, gjendja sociale dhe arsimore e komunitetit filloi të përmirësohej.
Megjithatë, ky proces u ndërpre nga shpërthimi i luftës.
Një eksod për të cilin flitet pak
Jasari e përshkruan largimin e romëve nga Kosova si një nga tragjeditë më të mëdha dhe më pak të trajtuara pas luftës.
“Romet përbëjnë përqindjen më të madhe të të larguarve nga Kosova. Rreth 95 për qind e komunitetit u detyrua të largohej”, thotë ai.
Sipas tij, para luftës në Kosovë jetonin mes 150 dhe 200 mijë romë, ndërsa sot numri i tyre është shumë më i vogël. Ai thekson se romët u gjendën mes dy zjarreve gjatë konfliktit.
“Njëra palë na konsideronte bashkëpunëtorë të serbëve, ndërsa pala tjetër, për shkak të emrave dhe religjionit, na konsideronte bashkëpunëtorë të shqiptarëve. Ne kërkonim vetëm të mbeteshim romë.”
Përpjekja për të qëndruar neutralë, sipas tij, ishte pothuajse e pamundur në rrethanat e luftës.
Frika, rrëmbimet dhe dhuna
Në rrëfimin e tij, Jasari flet për raste të shumta rrëmbimesh, zhdukjesh dhe dhune që, sipas tij, kanë mbetur të padokumentuara.
Ai kujton se persona të armatosur dhe me fytyra të mbuluara hynin në lagje, merrnin njerëz me forcë dhe më pas nuk dihej asgjë për fatin e tyre.
“Kemi pasur edhe raste të shumta të dhunës seksuale ndaj romëve, por ato nuk janë raportuar asnjëherë”, thotë ai.
Sipas Jasarit, komuniteti rom kërkonte mbrojtje nga forcat ndërkombëtare pas luftës, por ndihej i braktisur dhe i padëgjuar.
Fundi I Moravskës
Deri më 29 qershor 1999, Jasari qëndroi në Prishtinë me familjen e tij. Ai kujton ditët kur shihte se si familjet rome nxirreshin nga shtëpitë dhe pronat e tyre digjeshin.
“Çdo ditë iknin njerëz. Stacioni i autobusëve ishte plot. Në një autobus hipnin shumë më tepër njerëz sesa mund të mbante. Ishin pamje të rënda.”
Edhe vetë u largua me bashkëshorten dhe tre fëmijët. “Ishte shumë e vështirë ta lëshoja shtëpinë. Gruaja më tha t’i marrim albumet me fotografi. I thashë jo, sepse do të kthehemi. Por ne nuk u kthyem më kurrë.”
Sot, nga e kaluara e tij në Prishtinë, ai ruan vetëm çelësat e shtëpisë dhe të zyrës. “I mbaj ende me vete.”
Kujtesa kundër harresës
Sipas Jasarit, një pjesë e madhe e lagjes Moravska është shkatërruar ose transformuar plotësisht. Shumë ish-banorë nuk e shohin më të mundur kthimin, për shkak të mungesës së sigurisë dhe besimit.
Ai kritikon edhe mungesën e raportimit mediatik për fatin e komunitetit rom gjatë dhe pas luftës. “Askush nuk na pyeti nëse donim të qëndronim apo të largoheshim. Askush nuk pyeti për problemet tona.”
Megjithatë, mesazhi i tij përfundimtar nuk është vetëm rrëfim i humbjes, por edhe përpjekje për të ruajtur kujtesën. “Lagjet tona janë ndërtuar mbi gurë graniti. Kanë mbijetuar shumë luftëra dhe kanë rrënjë të thella. Aty janë varrezat e gjyshërve tanë. Ata do të flasin për ne. Ne jemi betuar se nuk do t’i harrojmë kurrë.”
Për Azir Jasarin, Moravska mund të mos ekzistojë më si dikur, por kujtesa për të vazhdon të mbetet një pjesë e pandashme e identitetit të një komuniteti që kërkon të mos harrohet.
Historia e saj është një kujtesë se ballafaqimi me të kaluarën nuk mund të jetë i plotë pa dëgjuar edhe zërat që për dekada kanë mbetur në margjinat e historisë.
Vegëza e plotë e podcastit në gjuhën rome: https://www.youtube.com/watch
Ky podcast është produkt i Akademisë për raportimin në fushën e Ballafaqimin me të Kaluarën (BmK) dhe Gazetarinë e Sensibilizuar për Konflikte, implementuar nga Pro Peace – Programi në Kosovë dhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës – AGK. Pikëpamjet e shprehura në këtë shkrim janë përgjegjësi e gazetarit dhe ato në asnjë mënyrë nuk pasqyrojnë pikëpamjet e Pro Peace dhe AGK-së




