Njerëzit dhe Kujtimet Flasin

Komunikatë për media

“Njerëzit dhe Kujtimet Flasin – Edicioni Rajonal”

Kujtime nga lufta… Dëshmi rrënqethëse … Përjetime tunduese… Sfidat për mbijetesë… Rrëfime që bëjnë historinë … Ballafaqim me të kaluarën … Kërkimi i së vërtetës … Zëri i viktimave… Nevoja për drejtësi …

Në vazhdën e programit “Ballafaqimi me të Kaluarën dhe Drejtësia Tranzicionale”, Organizata Integra njofton mediat, grupet e interesit, shoqatat e viktimave, institucionet, organizatat, universitetet, studiuesit, artistët dhe qytetarët për prodhimin dhe transmetimin e ciklit të dokumentarëve narrativ “Njerëzit dhe Kujtimet Flasin – Edicioni Rajonal”. Në këtë cikël, janë prodhuar 30 dokumentarë narrativ me viktimat e luftës nga ish Jugosllavia, respektivisht: Kosova, Bosnja dhe Hercegovina,  Kroacia, Serbia dhe Maqedonia.

Rrëfimet dhe përjetimet e viktimave nga profile të ndryshme etnike, gjeografike, fetare dhe profesionale, të cilët ishin dëshmitarë të krimeve të luftës në ish Jugosllavi, janë realizuar në formatin e Filmave Dokumentarë Narrativ (dëshmi dixhitale) dhe do të transmetohen në televizionet lokale dhe nacionale të këtyre shteteve. Në rastin e Kosovës, këto prodhime mediale do të transmetohen në KTV (Koha Vision) në formatin serik, çdo javë një film dokumentar, duke filluar nga data 7 Mars 2016, çdo të Hënë, në ora 21.00. 

Duke regjistruar, dokumentuar dhe publikuar dëshmitë autentike dhe historitë e jetës nga luftërat e fundit në Ballkan, projekti synon të ruajë përvojat individuale njerëzore në mënyrë që të ndihmoj drejtpërdrejt në statusin e viktimave, fuqizimin e viktimave, dhe të nxisë paqen ndëretnike dhe bashkëpunimit rajonal. Për më tepër, projekti synon të kontribuojë në procesin e ballafaqimit me të kaluarën në rajon, të promovoj dhe forcoj kujtesën individuale dhe kolektive përmes njohjes së natyrës universale të vuajtjes njerëzore dhe të solidaritetit.

 Deri më tani, Integra ka qenë e angazhuar në realizimin e 30 Filmave Dokumentarë Narrativ, ndërsa qëllimi përfundimtar i  është prodhimi i 100 dokumentarëve me rrëfimet dhe dëshmitë e viktimat të luftës nga vendet e ish-Jugosllavisë.

Filmat dokumentarë narrative “Njerëzit dhe Kujtimet Flasin – Edicioni Rajonal”, nën regjinë e Kushtrim Koliqit, janë realizuar nga Integra (Kosovë), Documenta (Kroaci), Humanitarian Law Center (Serbi), Prijedor 92 dhe Bridges for the Future Association (Bosnje dhe Hercegovinë), Center for Research and Policy Making (Maqedoni), dhe mbështetur nga Ambasada Zvicerane në Prishtinë dhe Fondacioni MOTT.

Ju lutemi gjeni të bashkangjitur posterin zyrtar të projektit.

Integra

Rruga Rrustem Statovci pn,

Objekti II, Kati 3, Nr 3. Prishtinë, Kosovë

+ 383 38 246 717, info@ngo-integra.org