Paragjykimet në Ballkan rreth diversitetit seksual në kontekst më të gjerë përmes shembujve (kryesisht) nga kinematografia maqedonase

Shpeshherë, kur dëshironi të flisni për diçka, por ndonjë arsye apo tjetër nuk ndjeheni rehat, duket sikur gjëja më e lehtë për t’u bërë është të distancoheni nga problemi, ta paraqisni si problemin e dikujt tjetër dhe të flisni për të nga një distancë “e sigurtë”. Në biseda të zakonshme me njerëz të afërt, shpeshherë kjo shpërfaqet duke përdorur përvoja të të njohurve ose duke ritreguar ngjarje, duke nënkuptuar dhe duke “lënë të kuptohet”.

Në situata të mjediseve relativisht intelektuale, në të kaluarën, këtë mundësi e kanë dhënë librat, por sot, si mundësia më e mirë për të bashkëndjerë me gjëra që nuk na interesojnë dhe për të kërkuar përgjigje për pyetjet që nuk mund t’i shqiptojmë, është që të përballemi me to nëpërmjet artit, me fjalë të tjera, kombinimit të arteve – pra artit të shtatë, apo filmit.

Për shkak të specifikave ku jetojmë, të kushtëzuar mbi të gjitha nga mjedisi ynë, i cili ka paragjykimet e veta tipike, pikëvështrimet, paragjykimet, rezistencën e pabazë që shkaktohet mbi të gjitha nga frika e së panjohurës, duket se mënyra më e lehtë për të përballuar, analizuar dhe pranuar gjërat është që të përdorim realizimet nga kinematografia, si dhe nga kinematografia pranë nesh në kuptim të mentalitetit.

Këtë herë, fokusi i vëzhgimeve tona do të jenë filmat që kanë si subjekt çështje të homoseksualitetit, transgjinisë dhe transseksualitetit.

Prandaj sugjeroj që të kërkojmë shembuj tek filmat e bërë në vend në dhjetë vitet e fundit.

Por para se ta bëjmë këtë, si hyrje, le të kujtojmë disa autorë dhe tituj që kohë më parë (5 dekada më parë për të qenë të saktë) shkaktuan revolucion mbarëbotëror sa i përket këtyre temave… Nga Viskonti deri tek Bob Fos ose Hektor Babenko tek Abdelatif Keshish, Sebastian Lelio, Tod Hejns apo Ang Lee, por kryesisht Pedro Almodovar, nga Uilliam Hart deri tek Kolin Fërth, Hith Lexher dhe Xhejk Xhilenhall, Gi Pirs, Antonio Banderas, Rupert Everet… deri tek Kejt Blanshet, Runi Mara ose Daniela Vega, Lea Sejdu,… shumë artistë që me krijimtarinë e tyre kanë avokuar për tejkalimin e paragjykimeve dhe për t’i kapërcyer stereotipet.

Por gjithçka që në botë doli të ishte prirje e çlirimit, në kinematografinë rajonale dhe sigurisht në atë maqedonase ndryshoi më ngadalë. Nga performancat rajonale në kinematë maqedonase, më pak në repertore (“Parada” nga Sërgjan Dragojeviq, “Kushtetuta e Republikës së Kroacisë” nga Rajko Gërliq) dhe më shumë më shfaqje në festivale (“Dasma” nga Blerta Zeqiri), sidoqoftë ia dolëm të kishim një të kuptuar të përpjekjeve artistike për të tejkaluar disa tema që ende, pavarësisht se në komunitete më të vogla, kanë konotacione tabuje.

Ne kinematografinë dhe produksionin televiziv maqedonas, në fazat e hershme, prekja e “diversitetit seksual” zakonisht kishte kontekst më të lehtë, episodik, që me kujdes shmangej (“Magjia cigane” nga Stole Popov e vitit 1997). Mirëpo, nga performancat komedi të programeve kabare-argëtuese me nuanca teatrore (shfaqja “Orkestra e grave”), “trajtimet” më serioze kanë kaluar në ekranin e vogël dhe të madh.

Një veçori bazë e prekjes së një shkalle të gjerë të ngjarjeve intime me nuanca (para së gjithash) homoseksuale në dramën maqedonase është reduktuar në 2 tipare bazë: karikaturë e mbitheksuar ose shtypje shumë subtile. Ajo që DINASTIA ishte për botën televizive të viteve ’80-të të shekullit të kaluar (personazhi i Stivenit), është tani e pranishme në të dy sezonet e serialit FAMILIATA MARKOVSKI, por edhe në serialin komik PRESPAV dhe personazhi që luan Vasil Zafirçev, i cili ende mbahet mend nga bravura në DHOMA E PIANOS. Përkatësisht, tejkalimi i paragjykimeve me një qasje komike tentohet edhe në serialin e popullarizuar televiziv “Prespav”, që është transmetuar për disa sezone në stacione të ndryshme të televizionit kombëtar. Personazhi i Marios të cilin e interpreton Vasil Zafirçev e paraqet personazhin pikërisht nëpërmjet një karikature të ekzagjeruar të shprehjes fizike dhe gjesteve të ekzagjeruara. Mirëpo është përvoja e përkryer e aktrimit të Zafirçevit që i ka sjellë kinematografisë maqedonase rolin e jashtëzakonshëm të Iras në filmin e Igor Ivanov-Izit të vitit 2013 “Dhoma e pianos”. Burri, pra bashkëshorti, në njërën nga skenat në dhomën e pianos së hotelit, i veshur si grua dhe në pritje të partnerit, flirton me pasqyrën, mirëpo edhe merr vesh se është i infektuar me virusin HIV.

Ngjarja në debutimin e Darian Pejovskigt “Tri ditë në shtator” i vitit 2015 është krejtësisht i ndryshëm dhe drejtohet në mënyrë delikate “tek shtresa e hollë”, ku dy personazhet kryesorë interpretohen në mënyrë mjeshtërore pa fjalë nga Irena Ristic dhe Kamka Tocinovski. Dyshja e tyre antiheroike e stilit “Telma dhe Luiza” mund të numërohet lirisht në mesin e roleve më të mira femërore në kinemanë tonë. Edhe pse personazhi i Tocinovskit që ka rënë në fund duket se i sjell aktores një lloj lehtësimi teksa ndërton karakterin, aftësia e Risticit për t’u përballur me atë që duket se i ofron pak nuanca në rolin e parë madhor në film çon drejt një besueshmërie që arrin në katarsis dhe mahnit shikuesin. Kimia ndërmjet dy marionetave të fatit është arma më e fortë që nuk lë askë indiferent. Mirëpo, linja kryesore e filmit lë pak hapësirë për zhvillimin e marrëdhënies ndërmjet dy personazheve femra dhe e lë audiencën pa frymë në pritje të marrë vesh nëse dhe deri në ç’masë mund të zhvillohet marrëdhënia e tyre.

Dhe ndoshta me serialin “Familja Markovski” (2017), ne mundemi vetëm se të shpresojmë se trajtimi njerëzor i problemeve të personave me seksualitet të ndryshëm në ekranin e vogël ka filluar, në kuptimin që “gjërat e zakonshme” u ndodhin edhe atyre dhe se ata nuk tregohen as me karikatura të tepruara, as me patos, as të palumtur apo që me patjetër jetojnë jetë me një fund tragjik. Mirëpo, mbetet të shohin se çfarë sjellin për ne projektet e ardhshme të kinematografisë maqedonase.

AL: Toni Cifrovski është gazetar dhe prezantues në Radio-Televizionin Maqedonas prej shumë kohësh, aktualisht është redaktori i programit të kulturës të radios maqedonase – Radio Shkupi.

Ai ka bashkëpunuar si korrespondent për kulturën për Radion Radio Deutsche Welle (1996-2006), ka redaktuar dhe drejtuar emisionin “Le të jetë film” në programet e televizionit maqedonas dhe për shumë vite ka publikuar kritika për filmin në të përditshmen “Dnevnik”. Ai është autor i tre librave me kritika për filmin “Kineenje 1-3”. Ai është anëtar i federatës botërore të kritikëve të filmit FIPRESCI dhe në Bordin Redaktues të revistës për histori, teori dhe kulturë të filmit KINOPIS pranë Cinematheque të Maqedonisë. Në vitin 2015 ka marrë çmimin “Script Present” për angazhimin e tij shumëvjeçar si kritik dhe për kontributin e tij për artin filmik, këtë çmim ia ka dhënë fondacioni “Macedonia Present”. Në korrik të vitit 2006 ai u nominua për çmimin prestigjioz “PRI EUROPE” për emisionin dokumentar-radiofonik “Simon Trpceski – nga dhoma e vogël në skenat e mëdha botërore”.Deri më tani, ka realizuar mbi 6,000 njësi bibliografike në fushën e filmit dhe arteve të tjera.