Tejkalimi i paragjykimeve të së kaluarës përmes TV-së, teatrit dhe muzikës

Media të ndryshme që përcjellin mesazhe, si televizioni, teatri dhe muzika, luajnë rol të rëndësishëm për rritjen e pluralizmit dhe tolerancës, por edhe për të tejkaluar stereotipet dhe narrativat etnocentrike në kulturën popullore. Oferta artistike dhe kulturore mund të krijojë lidhje ndërmjet njerëzve, të ekspozojë paragjykimet e së kaluarës, vlerat themeltare që më pas barten nga komunitetet lokale tek niveli vendor, si parim i përbashkët.

Shembulli i parë që vjen në mendje është seriali televiziv ‘Nashe maalo [Mahalla jonë]’, që është transmetuar nga viti 1999 deri në 2004. Do të mbetet si një nga projektet më të suksesshme, sidomos për shkak se ka inkurajuar bashkëekzistencën dhe mirëkuptimin ndëretnik me pesë sezonet e veta, në total 40 episode që kanë mbushur jetët e përditshme me aventurat e të rriturve dhe të fëmijëve – Beni, Ice, Xhejlani, Zana, Mali dhe Darko dhe të pjesës tjetër të personazheve, të cilët u kanë mësuar njerëzve nëpërmjet ekranëve të televizorëve vlerën e cilësisë të diversitetit, jo origjinën apo fenë.

“Ideja ishte të bënim diçka për të zgjidhur konfliktet ndërmjet të rinjve. Patëm udhëzime shumë të mira nga bashkëproducentët e parë të ‘Mahallës sonë’, të cilët janë pionierë të Punëtorisë për Televizionin e Fëmijëve, krijuesit e ‘Rrugës Sesam’. Patëm edhe një seminar të mirë me persona kreativë nga e gjithë Maqedonia, përfshirë Goran Stefanovskin, ideja origjinale e të cilit ishte për të ndërtuar ‘Karmenin’ me fjalë të tjera. Pra, lansuam një seri për fëmijë të një cilësie shumë të mirë”, thotë producenti Ivo Antov i ‘Mahallës sonë’.

Ata e kishin bërë planin për sezonet. Disa episode fokusoheshin tek të mësuarit e zakoneve të komuniteteve të ndryshme etnike, të tjerë fokusoheshin tek konfliktet bazë njerëzore. Për shembull, ata adaptuan historinë e qafores së vjedhur dhe burrit të akuzuar padrejtësisht të shkruar nga Gi dë Mopasan, për t’i mësuar fëmijët që të mos i stigmatizojnë bashkëmoshatarët më të varfër si “hajdutë” e kështu me radhë.

“Gjithçka kishte të bënte me edukimin dhe mirëkuptimin në përgjithësi. U argëtuam shumë dhe mund ta shihja se si vetë aktorët ndikuan tek një brez i tërë dhe rrethi i tyre. Një brez i tërë u rrit me serialin dhe ata njerëz i jetuan vitet e tyre formative në mënyrë më të përshtatshme se ata që u rritën në periudhën e urrejtjes dhe antiurrejtjes, mendjehapur dhe antimendjehapur, anulues dhe antianulues, ku polaritetet dhe jo përbashkimi vihen në dukje”, thekson Antovi.

Sipas Antovit, seriali ‘Mahalla jonë’ ishte pasqyrë dhe mundësi për lagje të ndryshme në Maqedoni. Që të gjithë kishin një fqinj apo mik që ishte i “asaj” kombësie.

“Shkupi gjithnjë ka qenë qytet i përzier, shumëkulturor. Këtu kanë jetuar njerëz nga të gjitha kombësitë, ata kanë folur gjuhë të ndryshme, kishin kultura të ndryshme, por i festonin festat bashkë. E kemi ditur si të jetojmë ashtu, por me kalimin e kohës u duk sikur harruam. Sot, qëllimi i medias është t’u mësojë konsumatorëve se çfarë kanë harruar. Ai do të ishte mesazh për të gjithë politikëbërësit, por edhe për ata që i implementojnë”, thekson Antovi.

Përveç televizionit, edhe teatri luan rol me rëndësi. Regjisorja Dragana Gunin, e cila përveç pjesëve në maqedonisht vë në skenë edhe pjesë në shqip dhe turqisht, beson se teatri ka një qasje të ndjeshme dhe tërësore për çdo temë në përgjithësi ndaj edhe për paragjykimet dhe stereotipet. Kur ajo punon për ndonjë pjesë, ajo nuk i paraqet paragjykimet si të tilla, por i dekonstrukton për vete dhe ndaj vetes.

“Shoh se deri në ç’masë i kam brenda vetes dhe i shoh ato dhe i përpunoj përmes një ideje të re. Nuk dua të imponoj tekat dhe frustrimet e mia tek audienca. Teatri mundet vetëm ta ‘shkatërrojë’ diçka nëse ata që merren me të ‘shkatërrojnë’ paragjykimet që kanë vetë… ose nëse nuk munden, atëherë së paku të jem e ndershme dhe të filloj me idenë se ky është pozicioni im për momentin dhe të shoh se çfarë mund të bëj. Por nën asnjë rrethanë nuk duhet ta imponoj një mendim. Mund të jetë me rrezik, sepse skena është e fuqishme”, thotë kjo regjisore teatri.

Në vitin 2022, në një produksion të pavarur, Gunin vuri në skenë pjesën “Largime” në Teatrin Shqip në Shkup, në gjuhën maqedonase dhe shqipe. Më parë, në vitin 2018, ajo ishte regjisore e pjesës “Anna dhe Hanna/Anna ve Hanna”, që u luajt në Teatrin Turk – Shkup në turqisht, si dhe pjesët “Terapia” dhe “Rrjeti rajonal” që e patën premierën në Novi Sad dhe Zagreb, që të dyja në serbisht.

Sa i përket numrit të shikuesve kur duhet të përcjellin performanca në një gjuhë që nuk e kuptojnë, Gunin beson se situata është përmirësuar në krahasim me të kaluarën. Ka përkthim, thotë ajo, por ideja është që teatri të komunikojë me audiencën në nivel më të thellë.

“Ideja e atij që drejton një teatër është t’i bëjë pjesët e kuptueshme edhe kur jo të gjithë e kuptojnë gjuhën. Kur punoja me të rinjtë, në studion time të dramës, me qëllim ne përdornim fjalë/shprehje na gjuhë të tjera në ato pjesë. Kur je në audiencë dhe jo pjesëtar i teatrit, sigurisht që nuk është e lehtë të shohësh një pjesë tre orë në një gjuhë që nuk e kupton. Prandaj përkthimi është i rëndësishëm, edhe pse nuk e kam patur në performancat e fundit për shkaqe teknike. Megjithatë, edhe pse nuk jam në seksionin që përcjell statistikat, në pjesët e mia ka audienca që vijnë edhe kur pjesa nuk është në gjuhën e tyre amtare”, vëren ajo.

Një nga shembuj se si kultura popullore na përbashkon është muzika. Në Maqedoni, shembuj të tillë shumëkulturorë i japin, ndër të tjerë, bendi i rokut shqiptaro-maqedonas nga Shkupi “Bla Bla Bla”, i krijuar në vitin 1988, nga këngëtari Arben Beni Shaqiri me bendin e tij si dhe grupi i Tetovës “Këpurdhat”.

Rok-grupi i pavarur “Këpurdhat” u krijua në fund të vitit 2013 dhe ka performuar në mjedise të ndryshme, në shumë qytete nëpër Maqedoni, por edhe në Serbi, Kosovë, Shqipëri dhe Zvicër dhe thonë se kudo janë ndjerë shumë mirë.

“Audienca gjithnjë e vlerëson muzikën tonë dhe atmosferën që sjellim. Nuk lka të bëjë me gjuhën që flet, por me energjinë dhe pozitivitetin që përçon. Sinqerisht mund të themi se nuk ka mungesë të respektit për një grup të përzier etnik sikurse ne. Pra, nuk e shohim si shteg apo pengesë”, thonë pjesëtarët e Këpurdhat.

Arti, në këtë rast muzika, sigurisht që mund t’i përbashkojnë grupe të ndryshme të njerëzve. “Muzika është magji, paqe dhe kënaqësi për shpirtin”, thonë qartazi artistët nga Tetova.

Autorë: Bojan Shashevski, Angela Boshkoska, Martin Koloski