Për gratë që nuk strehohen në harresë

Po të ecësh rrugëve të Kosovës, e ke të lehtë të përmbledhësh një libërth me larminë e emrave të burrave që këto rrugë mbajnë. Tabelat e kaltra sikur përputhen rastësisht me stereotipin se e kaltra është ngjyrë për burra. Rrugët që mbajnë emra të grave mbase do të mund të përmblidheshin në një faqe A5. Statuja, përmendore, vende, parqe, objekte apo institucione, panatyrshëm janë okupuar nga burrat, duke i dhënë kahje po kështu të panatyrshme dhe të imponuar kujtesës sonë kolektive.

Kjo udhë e përcaktuar se nga duhet të shkojë kujtesa jonë kolektive, padyshim që na distancon nga udha organike e të kujtuarit të ngjarjeve. Shkurt, na e devijon kujtesën duke e bërë atë selektive, të pavërtetë dhe të padrejtë ndaj grave, të cilat janë të fshira nga hapësirat kyçe që ne i shfrytëzojmë për kujtesë. Domethënë, rrugët, sheshet dhe hapësirat e tjera publike në Kosovë, shpërfaqin një rrëmujë transarkitekturore. Kështu, në  vend se arkitektura dhe planifikimi urbanistik të mund të shërbenin si mjete funskionale dhe efektive për të na sjellë në kujtesë se edhe gratë kanë qenë dhe mbesin figura kyçe në ngjarjet e mëdha të Kosovës, bëhet e kundërta. Një mjet, për të cilin paguajmë taksa njëlloj, si gratë, ashtu edhe burrat, shërben për të thelluar pabarazitë dhe për të thelluar transmetimin e gabuar të ngjarjeve. Rrjedhimisht, krijohen perceptime të gabuara për historinë dhe nxitet kujtesë gjysmake.

Mund të tingëllojë klishe, por emërtimi i rrugëve apo universiteteve bën pranimin e figurave, të paktën kjo është përshtypja që na është dhënë sa herë që me ceremoni shtetërore njerëzit disi janë “dekoruar” me emra rrugësh. Gratë nuk po njihen në këtë dimension relativisht të rëndësishëm. Kjo mosnjohje i shkon për shtati shoqërisë përgjithësisht patriarkale. Jo vetëm që i shkon për shtati, por e ushqen atë, e mirëmban dhe nuk e sfidon, anipse ka potencial e fuqi për ta sfiduar. Emërtimet e rrugëve nuk janë të shkëputura nga mendësia e përgjithshme, e cila është institucionalizuar. Pra, qytetarët e Kosovës po paguajnë taksa për të mbajtur të paprekur shtypjen, ndërsa institucionet përgjegjëse për promovimin e barazisë po i shpërdorojnë taksat e qytetarëve duke promovuar qëllimisht të kundërtën.

Shënjimi i rrugëve dhe i hapësirave të tjera me emra grash nuk është zgjidhja për pabarazinë, ashtu si emërtimi i këtyre hapësirave me emra burrash nuk është tregues se vetëm burrat kanë bërë histori. Megjithatë, njohja e barabartë e figurave të të gjitha gjinive do të kontribuonte në ardhjen e një forme të re të mendimit dhe kujtesës. Është e frikshme që nuk ka reagim të përditshëm kundrejt kësaj veprimtarie jobarazimtare. Me gjasë, kjo dëshmon që kujtesa për burrat e mëdhenj, kujtesë ku burrëria asociohet me histori të bujshme dhe për më tepër merret si e mirëqenë, paska hedhur rrënjë. Pra, në mënyrë të pavetëdijshme jemi vendosur përballë një tendence të sforcuar për të promovuar padrejtësinë.

Kjo padrejtësi, shkon paralelisht me padrejtësitë konsistente në librat e historisë. Figura qendrore janë burrat, kurse gratë krejtësisht periferike. Për fat të keq, këtë mund ta mësojmë qysh në hyrjet e auditorëve mësimorë, ku shohim që universitetet na “mirëpresin” me emra dhe statuja burrash në oborret e tyre. Nuk është e vështirë të provohet kjo, kur e dimë që universitetet publike bartin emra ekskluzivisht të burrave: Universiteti “Kadri Zeka” në Gjilan, Universiteti “Ukshin Hoti” në Prizren, Universiteti “Isa Boletini” në Mitrovicë, Universiteti “Hasan Prishtina” në Prishtinë dhe Universiteti “Haxhi Zeka” në Pejë.

Gratë përgjithësisht mbesin të ”padekoruara” historikisht. Lista e shumëpërfolur e presidentit të shtetit rendit një varg të gjatë të emrave të burrave që e meritokan konsolidimin dhe shtetndërtimin e Kosovës. Pa vënë në pikëpyetje kontributin e këtyre burrave, duhet vënë në pikëpyetje mosnjohja e qëllimshme e grave.

Kryeqyteti, në mbi dy mijë rrugët e emërtuara, ka vendosur që “t’i rehatojë” gratë me një 2 përqindësh të rrugëve. Kjo është tragjike.

Lista e përbërë prej më shumë se 2 mijë emrash ka emra ideologësh, heronjsh, dëshmorësh, aktivistësh politikë, filozofësh, poetësh, prozatorësh, artistësh të skenës, piktorësh, etj. Po ashtu, ka emra edhe të personaliteteve kombëtare e ndërkombëtare nga të gjitha periudhat historike, të ngjarjeve me rëndësi kombëtare e ndërkombëtare, të qyteteve etj. Por, 98 përqind janë emra të burrave.

Kështu kemi të bëjmë jo me kujtesë kolektive, por me harresë kolektive. Harresë dhe mjegullnajë të padrejtë ndaj grave. Kemi të bëjmë me zgjatim të sistemit patriarkal, kudo që hedhim hapin. Sheshet e mëdha dhe rrugët jehojnë me emra të burrave, ndërsa ne përpiqemi t’i rezistojmë përditë një përpjekjeje të jashtëzakonshme për ta bërë kujtesën tonë të devijojë. Nuk ka pse të vendosemi në situata të tilla. Rezistencën institucionale për të njohur kontributin e grave duhet ta sfidojmë sa më shpejt me rezistencën tonë ndaj kësaj padrejtësie. Duhet të sfidohet nga ne, sepse ne sot përjetojmë frytet e mbjella nga gra ikonike. Nga gra që nuk strehohen dot në harresë. 

Dardan Hoti është gazetar dhe redaktor që më shumë se gjashtë vite dhe ka punuar në media të ndryshme në Kosovë. Gjatë punës së tij si gazetar, është shpërblyer me çmimin e parë për raportimin për varfëri nga Agjencitë e Kombeve të Bashkuara, UNKT. Është anëtar i bordit në Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës, prej vitit 2014, tanimë në mandatin e dytë.”