Po rrapin kur do ta heqin? 

Çdo shkurt, ashtu si unë festoj ditëlindjen, edhe Tirana feston përvjetorin si kryeqytet.

Por çdo 11 shkurt, më vjen i njëjti mendim: ndërsa kryeqyteti rritet, ai duket sikur humbet një pjesë të kujtesës së tij? Ndoshta sepse shumë nga vendet që mbaj mend nga fëmijëria ime nuk ekzistojnë më.

Kur erdha në jetë, në fund të viteve ’90, shumë nga ndërtesat fetare të vendit tim ishin shkatërruar. Jo për shkak të luftës, si në shumë nga vendet fqinje në Ballkan dhe as për shkak të ndonjë fatkeqësie natyrore. Ato u shkatërruan nga regjimi diktatorial, në emër të krijimit të një identiteti të ri socialist dhe, sipas propagandës së kohës, të çliruar nga ndikimi i fesë, e cila paraqitej si një prapambetje e së kaluarës. Në vitin 1967, diktatori Enver Hoxha nisi një fushatë kundër besimeve fetare duke përndjekur klerikët, si dhe duke shkatërruar mbi 2000 xhami, kisha dhe teqe në të gjithë vendin. Fushata kulmoi me shpalljen e Shqipërisë vend ateist zyrtarisht, 10 vjet pas, në vitin 1976. 

Pas rënies së diktaturës, në fillim të viteve ’90, me rikthimin e lirisë për të besuar, disa prej këtyre ndërtesave u rindërtuan, edhe me mbështetjen e donatorëve të huaj. Në disa raste u përdorën elemente arkitekturore, që nuk i përkisnin traditës lokale të ndërtimit, e cila karakterizohet nga forma të thjeshta, çati druri ose kupola modeste dhe një organizim rreth oborrit me funksion komunitar. Ndërsa në raste të tjera u rindërtuan, sipas parimit “siç ishte, aty ku ishte”, një praktikë e përdorur në restaurimin e trashëgimisë kulturore, që synon të rikrijojë ndërtesën sa më besnikërisht të jetë e mundur në formën dhe vendndodhjen e tij origjinale. 

Rindërtimet nxitën debate në medie dhe mes profesionistëve të trashëgimisë kulturore rreth pyetjeve qendrore: a po riktheheshim te trashëgimia kulturore apo po ndërtohej një identitet i ri mbi themelet e saj dhe kur një ndërtesë rindërtohet nga e para, a rikthehet historia e saj apo vetëm forma?

Tek rritesha, Tirana nuk pushonte kurrë së ndërtuari. Çdo vit shfaqeshin pallate të reja, ndërsa diku tjetër mbeteshin rrënoja nga fabrikat e dikurshme që, përveç papunësisë, nuk prodhonin asgjë tjetër. Zhurma e makinerive që gërmonin dëgjohej edhe natën deri në orët e para të mëngjesit. Dukej sikur Tirana ishte gjithmonë në proces për t’u bërë diçka tjetër dhe rrallëherë për të ruajtur atë që kishte qenë.

Në Tiranë, ndërtesat fetare nuk kanë qenë vetëm objekte kulti, por edhe hapësira me funksion shoqëror dhe komunitar. E megjithatë, pavarësisht shkatërrimit të mijëra objekteve fetare gjatë komunizmit, disa prej tyre arritën të mbijetojnë. 

Një prej tyre ishte Xhamia e Et’hem Beut, e cila nuk u shkatërrua për shkak të vlerave të saj historike dhe arkitekturore, por prapëseprapë u mbyll nga regjimi dhe nuk funksionoi si vend kulti derisa u rihap më 18 janar 1991. Kështu, u bë njëfarë simboli i rikthimit të lirisë fetare dhe shndërrua në një nga objektet më të njohura të kryeqytetit. Së bashku me Sahatin, një tjetër monument i ndërtuar në fillim të shekullit XIX, ajo shërbeu për breza me radhë si pikë referimi në qendrën e qytetit. Por ndryshimet që përfshinë qytetin nuk kursyen as vendet që për dekada kishin qenë simbolet e tij. Sheshi “Skënderbej”, ku ato ndodhen, ka qenë i rrethuar me kantierë rindërtimi dhe në transformim të vazhdueshëm deri në vitin 2017.

Për brezin tim, këto monumente mbahen mend më shumë si pjesë e imazheve zyrtare të qytetit në kartolina, libra shkollorë dhe artikuj promovues sesa si hapësira ku kalonim përditshmërinë dhe krijonim kujtime të drejtpërdrejta me to. Nëse monumentet e qendrës përfaqësojnë imazhin zyrtar të kryeqytetit, kujtesa ime si banore e Tiranës, lidhet me vende më domethënëse dhe më të prekshme për mua: hapësira ku kam kaluar fëmijërinë, ku kam luajtur.

Një prej këtyre vendeve ishte Teqja e Sheh Dyrrit. Teqja e Sheh Dyrrit, një monument pranë qendrës së Tiranës, është e organizuar rreth një oborri të brendshëm dhe me arkitekturë të thjeshtë, me elemente druri. Për herë të parë hyra aty kur isha rreth tetë vjeç. M’u duk si një vend i veçantë, krejt ndryshe nga qyteti që njihja. Përtej portës kishte zhurmë, bori makinash, ndërtime; brenda mbizotëronte qetësia. Mbaj mend qilimat me motive dhe aroma e drurit të vjetër. Në atë moshë nuk e kuptoja vlerën historike të vendit, por më dukej sikur po hyja në një kohë tjetër. Vetëm më vonë kuptova se teqja nuk ishte e pazakontë; ajo ishte një nga shembujt e mbetur të banesave të ndërtuara përpara viteve 1945. Në të vërtetë, e pazakontë ishte bërë Tirana përreth saj. 

Çka më pati bërë më shumë përshtypje ishte rrapi i madh në oborr. Kujdestarët e teqesë më thanë se kishte jetuar për disa shekuj. Për një fëmijë që po rritej në një qytet ku gjithçka dukej e përkohshme, ndërtesa që ngriheshin dhe të tjera që shembeshin, rrugë që ndryshonin vazhdimisht, ideja që një pemë mund të kishte jetuar për shekuj e paprekur dukej pothuajse e pabesueshme. Dhe më kujtohet se si mendova: po rrapin kur do ta heqin? Në Tiranë, asnjë monument nuk jeton kaq gjatë.

Vite e vite më vonë, në fund të vitit 2021 dhe fillim të vitit 2022, gjatë një projekti kërkimor mbi ndikimin që shkatërrimi i objekteve të kultit islam gjatë komunizmit ka pasur në identitetin dhe kujtesën kolektive të Tiranës, realizova 360 pyetësorë dhe zhvillova intervista me qytetarë të Tiranës, si në terren, pranë objekteve fetare, ashtu edhe online.

Gjatë këtij projekti zbulova se ndjesia e shkëputjes nga e kaluara e qytetit nuk ishte vetëm e imja. Shumë prej qytetarëve me të cilët fola tregonin se dinin pak ose aspak për historinë e ndërtesave fetare në kryeqytet. Disa prej njerëzve jetonin ose punonin prej vitesh pranë objekteve të kultit, por nuk dinin as kur ishin ndërtuar dhe as çfarë kishte ndodhur me to gjatë komunizmit. Xhaminë e Dine Hoxhës, atë të Kokonozit dhe të Tabakëve, të gjitha objekte të ndërtuara pas viteve ‘90, kalimtarët, pronarët e dyqaneve të vogla, shitësit ambulantë i njihnin vetëm si pika orientimi në përditshmëri si “xhamia e pazarit”, “xhamia e qendrës”, por jo si emra dhe histori.

Kur pyetjet kalonin te historia e këtyre vendeve, hutoheshin ose përgjigjeshin: “pyet dikë më të madh në moshë, ata e dinë më mirë”. Në disa raste, banorët e përshkruanin veten si “të ardhur” ose thoshin se “jetonin momentalisht në Tiranë”.

Këto biseda më bënë të kuptoj se shkatërrimi i objekteve fetare kishte ndërprerë edhe zinxhirin e rrëfimeve, që lidhnin brezat me historinë e qytetit. Për shumë banorë, këto vende ishin pjesë e peizazhit, por jo e kujtesës kolektive. Si pasojë, lidhja me qytetin bazohej më shumë mbi përvojën e përkohshme sesa mbi njohjen e së kaluarës së tij.

Disa qytetarë, të ndikuar nga dekadat e ateizmit, e quanin praninë e ndërtesave fetare si një identitet të ri pas viteve ‘90. Nga ana tjetër, disa besimtarë, të cilët kishin qenë fëmijë gjatë komunizmit, e mohonin plotësisht shkatërrimin e tyre, madje thonin: “Kush do të guxonte të vinte dorë mbi shtëpinë e Zotit?!”

Këto reagime pasqyrojnë sa pak dihet për shkatërrimin e objekteve të kultit edhe për mënyrën se si historia është transmetuar. Periudha komuniste trajtohet në mënyrë të kufizuar dhe shpesh sipërfaqësore në arsimin parauniversitar, ndërsa marrëdhënia me të kaluarën shpesh karakterizohet nga boshllëqe dhe kujtime të fragmentuara.

Edhe në tekstet shkollore, historia lokale zë pak vend krahas historisë kombëtare. Si pasojë, njohja e së kaluarës së qytetit mbështetet kryesisht te kujtesa familjare, te rrëfimet e të moshuarve ose te interesi individual për ta kërkuar atë. Kur këto rrëfime humbin dhe hapësirat që i mbartnin transformohen, dobësohet edhe lidhja mes qytetit dhe banorëve të tij.

Tirana ka kaluar valë të vazhdueshme migrimi nga qytetet e tjera dhe zona rurale. Për pasojë, shumë qytetarë, edhe pse të lindur në Tiranë, nuk kanë kujtime dhe rrëfime të trashëguara për Tiranën e para viteve ’90, gjë që e bën më të vështirë përcjelljen e historive dhe kujtimeve të qytetit nga një brez te tjetri.

Por kujtesa e një qyteti nuk ruhet vetëm nga banorët apo nga ndërtesat që i mbijetojnë viteve. Ajo varet edhe nga mënyra si dokumentohet dhe transmetohet. Në Tiranë, në emër të zhvillimit dhe së resë, trashëgimia kulturore ka kaluar periudha të shumta transformimi.

Shumë prej objekteve historike të qytetit nuk kanë tabela shpjeguese që të tregojnë kur janë ndërtuar, çfarë kanë përfaqësuar apo çfarë ka ndodhur me to gjatë periudhave të ndryshme historike. Për një kalimtar, ato shpesh mbeten thjesht ndërtesa, pa kontekstin që u jep kuptim. Si pasojë, një pjesë e së kaluarës humbet jo vetëm nga hapësira fizike, por edhe nga kujtesa publike. Historia e këtyre vendeve u tregohet më shpesh vizitorëve të huaj përmes guidave turistike, sesa vetë banorëve të qytetit.

Kjo nuk do të thotë se kujtesa është zhdukur plotësisht. Ajo është zhvendosur nga hapësira publike në rrëfime familjare dhe kujtime personale, që jo gjithmonë arrijnë të kalojnë te brezat e rinj. Nuk është rastësi që grupet nostalgjike në Facebook kushtuar Tiranës së vjetër numërojnë mijëra anëtarë. Aty qarkullojnë fotografi, histori lagjesh dhe kujtime për vende që nuk ekzistojnë më. Në mungesë të një kujtese të dukshme në qytet, qytetarët duket se po krijojnë arkivat e tyre informale.

Kur isha fëmijë, transformimin e qytetit e lidhja me ndërtesat që shembeshin dhe ato që ngriheshin në vend të tyre. Sot mendoj se një qytet ndryshon edhe kur humbasin historitë që lidhen me këto vende. Ndoshta një qytet nuk e humbet kujtesën kur shembet një ndërtesë. Por e humbet kur askush nuk e di më pse ajo ka qenë e rëndësishme dikur. 

Ilustrimi: Albana Hajdini / Pro Peace

Oriada Dajko është e angazhuar në shoqërinë civile dhe projekte kulturore. Artikujt e saj mbi tema sociale dhe kritika teatri janë botuar në media ndërkombëtare, përfshirë Deutsche Welle, Seestage dhe Balkan Insight.

Ky blog është pjesë e serisë Rrëfime të Papërfunduara. Zbuloni më shumë rrëfime këtu.