…po sikur të ishim në këpucët e palës tjetër?

E kam pasur frikën e madhe të ulem me serb, e të dëgjoja gjuhën e tyre. Pas luftës, sa herë i kam dëgjuar më janë mbushur sytë me lot, e mendja është pushtuar nga imazhe të asaj kohe. Kam menduar që duke u rritur do të largohem nga mendimet për të kaluarën, dhe nga fëmijëria e ndërprerë, si e qindra moshatarëve rreth meje. Në fakt, nuk ndodhi kështu, pasi sa më shumë kohë që po kalon, mua më qartësohen momentet e asaj kohe të errët – e duket sikur po ndodhin tani. Kam menduar me veten se: si është e mundur që ata/o nuk e pranojnë që mua më është ndalur fëmijëria në gjysëm? A e dinë ata që mua më është mbyllur shkolla, e abetarja e klasës së parë më ka mbetur mbi bankë? Duke mos e analizuar asnjëherë që realiteti im nga ai i tyre dallon rrënjësisht, e kam pasë shumë të vështirë për të pranur që ata/o se dinë fare çfarë ka ndodhur në Kosovë –  thjesht ka qenë e pakuptueshme për mua.

E lindur në një qytet tashmë të ndarë në dy grupe njerëzish me tipare të njëjta biologjike, por që aksidentalisht që në lindje të veshur me dy lloje të ndryshme kostumesh etnie, jeta u bë një paradoks i vështirë për t`u jetuar, dhe kuptuar! Gjithë periudhën e pasluftës nuk flitej për zhvillim, a mirëqënie, por vetëm për “dallimet” tona dhe qëndrimet e kundërta, siç ndodh  në  të  gjitha vendet e luftës. Kjo, padyshim që nuk mund të ishte ndryshe, pasi vërtetë në atë kohë ka qenë ëndërr të dalësh përtej llojit tënd si nga frika e cenimit fizik, ashtu edhe nga stigma e shoqërisë. Shumë shpesh më vinte në mendje një bërtitmë akuze: ju ma keni marrë qytetin tim! Pa menduar, se perveç kuptimit juridik të qytetit si njësi administrative, qyteti mund të jetë edhe thjesht një ndjenjë. E në fund kush jam unë që të kem të drejtë ta përcaktoj se kujt i takon një qytet…

Në moshën kur është dashur të flitet për teatër, balet, e shumë aktivitete të tjera, unë kam folur për njerëz të humbur, shtëpi të djegura, orë policore, masakër, dhunim, e shumë fjalë të tjera të cilat fëmijët e taborit tjetër nuk i kishin të njohura. Kur jam takuar për herë të parë në aktivitete të përbashkëta me fëmijë e të rinj të tjerë nga komuniteti serb, e kam marrë shqiptarinë mbi supe sikur po ulem te kuvendoj për statutin e Kosovës! Në të vërtetë po u them që peshonte jashtë mase shumë. Peshonte dhimbje, e traumë e për më tepër sepse unë isha vetëm një fëmijë. Rezistenca për ta pranuar atë që ka ndodhur, është më e dhimbshme se vet dhimbja e trauma. Si qënie njerëzore isha e shqetësuar për perspektivën e prerjes si me thikë, ndarjes dhe izolimit psiko-fizik.

Kam menduar që unë kurrë s`kam për  t’i falë!

Takimet e para ishin shume refuzuese, si për nga gjuha e trupit ashtu edhe ajo verbale – nuk pranoja as të flisja. Duke vazhduar me takime të ndryshme, trajtim të temave, problemeve të përbashkëta, fillova të dëgjoj më shumë, dhe kështu duke i thyer muret e duke i’u dhënë mundësi më shumë njerëzve që të flasin po shihja të ndodhte një lloj ndryshimi te vetja. Nëpër vite e shihja këtë transformim timin, në kuptimin që isha më e relaksuar në përjetim të qëndrimeve të kundërta nga ato që unë i kisha. Në  këto raste fillon e kupton që lufta nuk është një përvojë vetjake, dhe vuajtja e krijuar fillon të zbutet tek vetja duke u reflektuar pastaj edhe në kontekst shoqëror.

Duke hapur horizontin e pamjes, fillova t`i parshtroj vetës pyetjen: Se cfarë do të mendoja unë në rast se do të isha në pozitën e komunitetit tjetër!? Kur arrin në një dimension tjetër personal që vështirë të thuhet me fjalë, qëndrimet e të tjerëve dhe mospranimi i të vërtetës tënde nga ana e tyre nuk kanë ndikim më në racionalizmin tënd. E kupton që  ke arritur në  një  nivel të çlirimit të qënies tënde, dhe të kuptimit të të gjitha palëve përtej asaj që ata mund ta marrin me mend. Nuk të duhet pranimi, as falja – thjesht e kupton që këta njerëz kanë këto qëndrime sepse rrethanat e tyre kanë qene të ndryshme, dhe këto rrethana janë të vërtetat e tyre!

Konsideroj që ballafaqimi i vetës në  një  të  kaluar të hidhur si kjo e jona është një ndër proceset më të vështira në jetë, proces ky i cili kërkon energji, kohë, përkushtim, e tejkalim të vetës. Por që është çelësi për të gjetur së pari paqen brenda vetës, e pastaj ta sjellësh atë në mjedisin ku ndërvepron. Mundja e frikës nga njohja e realitetit të tjetrit  mendoj që është thelbi për parandalimin e rifillimit të konfliktit. Këtë mund ta bëjmë veç nëse ballafaqohemi, shprehemi, pajtohemi e veprojmë për kauza të përbashkëta që na mundojnë si qenie njerëzore, e që janë larg më të mëdha se vetëm petku i dallimit tonë etnik – ky koncept i thatë.

Edhe mua njëjtë si të tjerët kujtesa e trupit, norma shoqërore, miti i peshës së mbrojtjes së llojit të  njejtë, dhe stigma më ka ngulfatur përtej infinitit. Ne, të gjithë kemi frikë të ndryshojmë – e kam përjetuar këtë frikë. Kemi frikë  ta pranojmë  që  sikur të  ishim në  këpucët e palës tjetër njejtë do të  mendonim, dhe kjo vetëm si ide na tmerron. Kjo madje është normale dhe nuk duhet gjykuar, sepse duhet kuptuar që pasoja, thellësia dhe aroma e frikës ndryshojnë për secilin individ andaj nuk pritet të manifestohet njejtë tek të gjithë. Por nëse arrijmë ta bëjmë këtë, atëhere jemi çliruar! Duke krijuar mundësi për të dalë përtej zonës së frikës arrijmë ta zbërthejmë frikën. Arsyeja merr formë, dhe fiton kundrejt frikës, pastaj krijohet mundësia për të krijuar mendimin racional në bazë të provave faktike, dhe të gjykosh në bazë të saj. Gjithcka jo faktike të shtyn në paragjykime, ose në burgosje të mendjes që askush nuk e vuan më shumë këtë robëri sesa vetja. 

Ky shkrim është eksperiencë personale e autores, dhe nuk paraqet qëndrim të asnjë institucioni, ogrganizate, apo grupi tjetër të interesit.

BIO: Selvije Kurti ka lindur aksidentalisht në Mitrovicë, një qytet në veri të Kosovës. Ajo është një person kritik, e cili është i apasionuar për t`i vënë në pikëpyetje strukturat dhe normat shoqërore, dhe në reflektim se sa të dobishëm ose shtypëse janë ato struktura dhe norma. Kurti është e interesuar në atë se si njerëzit bashkëveprojnë përtej identiteteve, dhe fusha e saj kryesore e interesit është zgjidhja e konflikteve në vendet e pas luftës. Ajo hamendeson se si do të dukej bota nëse do të ngrihej në këmbë për njerëzimin, dhe jo vetëm të përqendrohet në kufijtëv e identiteve dhe ato gjeografike. Për dhjetë vitet e fundit, ajo ka qenë e përfshirë në mënyrë aktive në programet e të drejtave të njeriut, zgjidhjen e konflikteve dhe ndërtimin e paqes. Pa anashkaluar ndikimin e së kaluarës në formimin dhe bindjet e saj, ajo është e përkushtuar të shijojë momentin e tanishëm dhe njerëzit dhe proceset përreth, duke preferuar të mos jetë viktimë e planeve, apo të ndalet në atë që ishte në të kaluarën, apo do të jetë në të ardhmen.