E vështirë ballafaqimi me të kaluarën kur shpalosen dhimbjet

Kanë kaluar thuajse dy dekada nga përfundimi i luftës në Kosovë, por për dikë ende kujtimet janë të freskëta dhe nuk mund të harrohen.

Aq më tepër që shumë pak apo aspak personat që kanë humbur anëtarë të familjes, që kanë kaluar nëpër trauma të ndryshme nuk janë trajtuar në mënyrë institucionale, rrjedhimisht nuk janë trajtuar fare.

Po ashtu nuk kanë pasur se kujt t’i drejtohen, me kë të flasin që t’i nxjerrin jashtë gjithë ato kujtimet që ia rëndojnë jetën.

Ballafaqimi me të kaluarën nuk është aspak i lehtë kur shpalosen kujtimet të cilat ngjallin dhimbjet e ngulitura thellë.

Prandaj, në një rajon që synon paqe pas luftërave është esenciale të ketë një fjalor korrekt, të përmbajtur dhe që nuk zgjeron konflikt, e nuk ngjall kujtimet e luftës.

Dhe kjo duhet nisur që nga politikanët, sidomos kur bëjnë vizita në vendet e dala nga lufta. Askush më mirë se njerëzit e një rajoni të dalë nga lufta nuk mund ta dinë rëndësinë e një fjalori korrekt, të përmbajtur dhe që nuk prek plagët e luftës.  

Duke pasur parasysh se kam raportuar disa vite rresht për vizitën e ‘pelegrinëve’ serb në Gjakovë dhe protestat e qytetarëve gjakovarë, që shumica kanë familjarë të humbur gjatë luftës e kam kuptuar saktë atë se sa kujdesshëm duhet t’i qasesh njerëzve të cilët kanë pësuar në luftë.

Është shumë e vështirë të lësh pas krahëve periudhën e luftës kur të bie të ballafaqohesh me persona të cilët në një mënyrë apo tjetrën kanë qenë të përfshirë në të bëmat gjatë luftës.

Po ashtu, është vështirë të raportosh për ngjarje, në të cilat dëgjon nëna duke treguar rrëfime se si i janë vrarë fëmijët, familja e tërë, e që kërkon drejtësi për ta.

Duke raportuar për ardhjen e ‘pelegrinëve’ serbë që bëhet thuajse çdo vit vijnë në Gjakovë, e kupton që edhe 20 vjet pas lufte ende rëndojnë kujtimet.

Nuk ka se si të realizohet një ‘pelegrinazh’ i tillë në mënyrë paqësore, kur liderët politikë mohojnë të bëmat gjatë luftës, apo kur provokohet gjatë vizitave të tilla.

Herën e fundit të raportimit për pelegrinët serb në Gjakovë, ata nuk erdhën fare pasi nuk kishin lajmëruar në mënyrë zyrtare. Por ajo çfarë ka rëndësi të thuhet, është se protestuesit, që shumica kishin humbur dikë nga lufta gjatë vitit 99, thoshin se nuk janë kundër ardhjes së ‘pelegrinëve’ serb në Gjakovë, por janë kundër disa personave që po fshihen nën petkun e pelegrinëve, e të cilët kanë kryer krime në Gjakovë.

Si ka shkuar përgjatë viteve ky ‘pelegrinazh’ i serbëve në Gjakovë? Gjithmonë është përcjellë me protesta, e gjithmonë ka pasur provokime të ndryshme nga vizitorët.

Shtrohet pyetja? A mund të qëndroj njeriu i qetë nëse dikush nga familja i ishte vrarë, e në mesin e të ardhurve pelegrinë ka të tillë që dyshon se kanë marr pjesë në vrasje?

Ballafaqimi me të kaluarën nuk është aspak i lehtë. Atëherë pse nuk del dikush nga organizatorët që të deklarojë se nuk ka të dyshuar për krime lufte në mesin e vizitorëve pelegrinë, në mënyrë që vizitat të shkojnë qetë dhe protestat të mos ndodhin?

Kjo besoj se do të relaksonte situatën dhe të paktën familjet e viktimave do të ishin më të qeta.

Prandaj, për relaksimin e raporteve ndërshtetërore e ndërqytetare është esenciale të ruhet niveli i komunikimit, të mos provokohet pala tjetër, të respektohen të drejtat qytetare dhe drejtësia të shkojë në vend.

Vetëm duke shkuar drejtësia në vend, duke respektuar njëri-tjetrin, duke u solidarizuar me familjet që kanë humbur më të dashurit dhe kuptuar dhimbjen e tyre, rajonit mund t’i kthehet paqja dhe siguria në plan afatgjatë.

Besnike Salihu është gazetare nga Prishtina. Ka përfunduar Fakultetin e Shkencave Politike në Universitetin e Prishtinës më 2006, ndërsa në 2009 ka përfunduar studimet Master në po të njëjtin drejtim. Salihu për 14 vjet rresht mbulon lajmet politike dhe sociale si dhe 10 vitet e fundit punon si redaktore përgjegjëse në Telegrafi.com.