Rojtarët e kujtimeve

Një ditë të çuditshme, dikush vendosi të fillojë luftën në Sarajevë. Me vetëdije ose pa të, kjo gjë ndryshoi fatin e të gjithëve ne që kishim lindur dhe jetonim aty. Askush nuk na pyeti për llojin e jetës që do të donim të kishim. E njëjta Sarajevë që ishte djepi i emocioneve, i të ndryshmeve, kulturave dhe ngrohtësisë, brenda ditës u shndërrua në djepin e tmerrit. Teksa përpiqeshim të shpëtonim veten, morëm me vete dy çanta. E çfarë mund të  fusë brenda dy çantave një familje katër-anëtarëshe, dy prej të cilëve fëmijë të vegjël? Në raste të tilla, prindërit, që në atë kohë ishin në të tridhjetat, duhej të ishin gati për t’u larguar sa më larg që t’i çonin këmbët. Nevojiteshin dy çanta, të përshtatshme për të vrapuar. Kështu u larguam – duke lënë pas gjithçka që kishim. Kështu lamë pas vetes apartamentin e gjyshes dhe gjyshit – si një rojtar të kujtimeve. Aty, koha ndaloi dhe gjithçka e vogël kishte kuptimin e të gjithë jetës për ne. Çdo send në apartament rrezatonte energjinë e dashurisë. Mirëpo gjatë luftës, kur dikush vendosi të hynte atje dhe ta “pushtonte”, nuk kishte sende të vlefshme. Kjo ndodhi një ditë, gjatë trazirave të luftës, kur një burrë vendosi ta shpallte apartamentin si të vetin. I tërbuar që apartamenti nuk kishte asgjë që t’i siguronte të ardhura shtesë, ai mori fotografitë tona dhe i gjuajti jashtë. Sipas fqinjëve tanë, ato u shpërndanë kudo nëpër shkallë. Fotografitë tona të para – të lindjes, të ditëlindjes së parë, fotografi me gjyshen dhe gjyshin që nuk ishin më… gjithçka e shpërndarë nëpër shkallë, ndërkohë që bombat fluturonin ngado. Në atë kohë, unë e dëgjoja shpesh nënën time kur thoshte se keqardhja e saj e vetme ishin fotografitë, se të gjitha të tjerat mund të fitoheshin sërish dhe të zëvendësoheshin – mirëpo fotografitë do të mbeteshin përgjithnjë pika e saj e dobët – çdo dëshmi e jetëve tona të lumtura dhe e dashurisë që ishin zhdukur. Një ditë të çuditshme, dikush vendosi t’i japë fund luftës në Sarajevë. Pas ca kohësh, prindërit e mi shkuan në qytetin e shkatërruar – për të gjetur kushedi se çfarë. Ndërsa ishin atje, ata trokitën në derën e fqinjës sonë të parë, një grua që jetonte përballë apartamentit të gjyshes dhe të gjyshit. Fqinja e kishte kaluar atje të gjithë luftën. Ajo ishte nga një grup etnik tjetër nga i yni, mirëpo me sa duket kjo nuk kishte aspak rëndësi. Nuk kishte patur rëndësi më parë dhe nuk pati rëndësi as më vonë. Në apartamentin tonë ishin njerëz të tjerë, qiraxhinj dhe nuk ishte veprim i mençur që ne të flisnim me ta. Fqinja i priti prindërit e mi mirë dhe me përzemërsi, si çdo herë. Etni të ndryshme, telashe të njëjta. Të njëjtët persona, të njëjtat frikëra. E njëjta dashuri si më parë. Ajo grua vërtet na donte. Dhe ne e donim atë. Ajo u ofroi kek dhe gjithçka që kishte. Ajo u tregoi gjithçka që i kishte ndodhur asaj, mirëpo më e rëndësishmja ishte fakti që ajo kishte mbijetuar, që çdo gjë tjetër mund të zëvendësohej. Për një çast, ajo shkoi në dhomën tjetër dhe u kthye me dy çanta  të mbushura plot. Këto dy çanta ishin plot me fotografitë tona… të njëjtat fotografi që ishin shpërndarë nëpër shkallë… Ajo i kishte gjetur dhe i kishte mbledhur. Këto fotografi kishin pritur për fundin e luftës dhe për ne bashkë me të. Ajo e dinte se një ditë do të takohej me ne. Ajo grua kishte ruajtur të gjitha kujtimet tona. Kjo zonjë, e lindur në një grup etnik të ndryshëm nga i yni, ruajti fotografitë tona që i kishte hedhur zotëria, i cili rastësisht ishte i të njëjtës etni si ne. Ky është dhe absurditeti i luftës. Mos i ndodhtë më kurrë askujt.

Dushica Stevanoviq ka lindur në Sarajevë në vitin 1982. Ajo ka master në ekonomi. Jeton dhe punon në Banja Lluka.