Sarajeva kujton viktimat serbe të luftës

Një grup njerëzish u mblodhën të Sarajevë për të përkujtuar vrasjen e civilëve serbë gjatë rrethimit të qytetit në vitet 1990 dhe për të ngritur një pllakë përkujtimore të bërë vetë, për t’i nderuar viktimat.

Autori: Denis Xhidiq,  BIRN Sarajevë

Të hënën, rreth 30 vetë u mblodhën në Parkun At Mejdan në qendër të Sarajevës për të përkujtuar vrasjen e fqinjëve të tyre serbë gjatë luftës nga Ushtria Boshnjake në Kazani në kodrat mbi qytetin e Sarajevës.

Ngjarja përkujtimore u organizua nga një grup i quajtur Sepse ka të bëjë me mua, që ngriti në park edhe një pllakë të improvizuar kushtuar të vrarëve, ku shkruhej: “Për viktimat civile të krimeve të luftës në Sarajevë të bëra nga pjesëtarët e Brigaës së Dhjetë të Ushtrisë Boshnjake”.

Në fjalimin e mbajtur gjatë ngjarjes përkujtimore, Aldijana Okeriq nga Iniciativa e të Rinjve për të Drejta të Njeriut tha se ka ardhur koha që “politizimi i krimeve në Kazani të ndalojë”.

“Sarajeva ka vuajtur nga krime të llahtarshme nga forcat që e mbanin qytetin nën rrethim, por nuk duhet t’i as harrojmë viktimat brenda qytetit. Për këtë krim flitet shumë pak. Ne, qytetarët e Sarajevës, e kemi përgjegjësi t’u kthejmë viktimave dinjitetin. Sot ne i nderojmë ata”, tha Okeriq.

Ajo u bëri thirrje autoriteteve që të ndërtojnë një memorial të përhershëm në Kazani për viktimat dhe që të themelojnë një komision të pavarur për të gjetur të vërtetën e vrasjes së serbëve dhe kroatëve në Kazani nga trupat e Ushtrisë Boshnjake.

Adnan Hasanbegoviq, ish-pjesëtar i Brigadës së Dhjetë të Ushtrisë Boshnjake i tha BIRN-it se mori pjesë në ngjarjen përkujtimore pasi krimet në Kazani po shpërfillen.

“Kjo është një ngjarje e papërfunduar. Gjykatat nuk e kanë përfunduar ndjekjen penale për këtë krim dhe shpeshherë, ky krim mohohet. Kjo është arsyeja pse na nevojitet e vërteta dhe një memorial në qendër të qytetit. Si pjesëtar i kësaj brigade, dua t’u shpreh keqardhjen time të gjithë viktimave”, tha Hasanbegoviq.

Gjatë tre zhvarrimeve të kryera në Kazani janë gjetur mbetjet e 23 personave dhe 15 prej tyre janë identifikuar.

Instituti i Bosnjes për Persona të Zhdukur i tha BIRN-it se këto ishin mbetjet e pesë viktimave femra dhe dhjetë viktimave meshkuj, të moshave 27 deri 66 vjeçare.

Dy nga viktimat ishin ukrainas – një çift i martuar, Ana dhe Vasilj Lavrov – ndërsa dy viktima ishin kroatë, një boshnjak dhe dhjetë ishin serbë.

Viktimat në Kazani besohet të jenë vrarë nga trupat e Ushtrisë Boshnjake të udhëhequra nga komandanti famëkeq Musan Topalloviq, alias Caco, i cili u vra në tetor October 1993 dhe u varros në një varr të fshehtë, por që më vonë u zhvarros dhe pati varrimin e një heroi në Sarajevë.

Katër ish-ushtarë, Zijo Kubat, Esad Tucakoviq, Refik Çollak dhe Mevludin Selak janë dënuar me gjashtë vjet burgim për vrasjet në Kazani. Edhe tetë ish-luftëtarë të tjerë janë burgosur për dhjetë muaj për mosraportim të krimit dhe të kryerësve të krimit. Një tjetër, Samir Bejtiq, ka qenë në gjykim për më shumë se dhjetë vjet lidhur me krimet e luftës të kryera në Kazani.