Shefki Popova – Gazetari i Rilindjes që u vra pas një ndeshjeje futbolli 

Përfundimi zyrtar i luftës në Kosovë, më 12 qershor 1999 nuk e solli për të gjitha familjet qetësinë e shumëkërkuar pas luftës brutale që nisi në shkurt 1998. Vrasjet misterioze vazhduan edhe për disa vjet të tjera. Gazetarët e dy nacionalitetve më të mëdha, shqiptarë dhe serbë u bënë cak i vrasjeve, ose zhdukjeve me dhunë. Në një mini-seri shkrimesh, ZFD Forum dhe AGK do të sjellin rrëfimet e familjarëve në kërkesën e tyre të pandalshme për drejtësi. 

Shefki Popova – gazetari i Rilindjes që u vra pas një ndeshjeje futbolli 

Sytë ndriçojnë dhe buzëqeshja shfaqet në fytyrën e Dijar Popovës, në momentin që pyetet si ishte babai i tij, gazetari Shefki Popova. “Një gazetar profesionist dhe një prind i përkushtuar, i cili kishte aurotitet në gjithë Kosovën”, thotë Popova, 42 vjeçar, që punon me një agjenci shtetërore të Kosovës. Babai i tij, gazetari i Rilindjes, Shefki Popova u vra me dy plumba më 10 shtator 2000, në hyrje të banesës së tyre, në Vushtrri, në veri të Kosovës. Edhe pse kur Diari e nëna e tij u afruan ai ishte gjallë, gazetari 49 vjeçar në atë kohë, vdiq rrugës për spital. 22 vjet më pas, Dijari nuk ka asnjë përgjigje nga drejtësia dhe asnjë person nuk është mbajtur përgjegjës për vrasjen e babait të tij. Edhe pse kanë kaluar shumë vjet, Dijari e kujton ditën e fundit me babain. “Unë isha 18 vjeçar dhe më kujtohet fare mire se atë dite ishim së bashku në një ndeshje futbolli në Gjilan dhe pasi që u kthyem, u ndalëm në një kafiteri në stadiumin e qytetit në Vushtrri dhe pastaj une u ktheva në banesë, ndërsa që babai mbeti me disa shokë aty. Pasi që është kthyer mendohet se dy persona kanë qenë duke e pritur në hyrje të banesës në Vushtrri. Babai ynë është vrarë nga dy persona më 10 shtator 2000 rreth orës 22:00. Vrasja ka qenë e organizuar dhe e urdhëruar nga njerëz të krimit të cilët ushqehen me krim çdo ditë dhe janë në Kosovë dhe të cilët nuk e dëshirojnë një Kosovë në të cilën sundon ligji, por një Kosovë ku sundon anarkia, sepse ata më së miri ashtu i realizojne interesat e tyre me bazë krimin e organizuar”, pohon Popova.

Motivet

Popova kishte punuar në gazetën simbol në gjuhën shqipe qysh prej vitit 1974, dhe njihej e çmohej nga bashkëpuntorët si parimor e i guximshëm. Popova nuk ka asnjë dyshim që vrasja e tij engimatike lidhet me punën e tij prej gazetari. “Motivi i vrasjes është puna e babait tonë prej gazetari, të një gazetari të matur dhe një familjari të devotshëm i cili asnjëherë nuk ka lejuar që shkrimet e tij të censurohen nga askush”, thotë me bindje ai. Sipas djalit, që ishte adoleshent në kohën e vrasjes, puna e babait në kohën e pushtimit serb të Kosovës ka qenë shumë sfiduese. “Ne si familjarë jemi të bindur se vetëm puna e babait tonë si gazetar jane motivet e vrasjes së tij dhe se Gjykata Speciale do të merret dhe do të zbardhë krimin makabër ndaj prindit tonë, i cili gjatë gjithë jetës së tij ka punuar me nder dhe përkushtim të rrallë dhe që shkrimet e tij janë karakterizuar gjithmonë me guxim gazetaresk, saktësi e profesionalizëm, sidomos gjatë viteve të okupimit serb ku puna e gazetarit ishte një profesion mjaft sfidues dhe që po pengohej vazhdimisht nga makineria shtypëse e Millosheviqit në mënyrë që realiteti se çfarë po ndodhte në Kosovë të mos plasohej në media”, rrëfen Popova.

Kërkesa për drejtësi – sytë kah Specialja

Sistemi aktual i drejtësisë e ka lënë shumë të zhgënjyer Popovën. Ai mendon se qëllimisht shumë vrasje, duke përfshirë atë të babait të tij nuk janë zbuluar. “Drejtësia në Kosovë që nga paslufta është një drejtësi e kapur dhe kalbur në të cilën punojnë njerëz të korruptuar dhe te inkriminuar nga bandat kriminale me bazë në politikë dhe të cilët kanë ndërhyrë dhe nuk kanë lejuar që këto vrasje të zbardhen, andaj edhe shpresa e jonë në këto institucione ka qenë e pakët. Jo vetëm ne, por edhe familjarët e vrasjeve të tjera enigmatike dhe politike të pasluftës jemi te zhgenjyer pasi që drejtësia ka vonuar shumë dhe nuk është bërë asgjë në këtë drejtim. Këtu rol kanë të gjitha partitë politike pa dallim pasi që kanë qenë pjesë aktive e të gjitha pengesave që këto vrasje të mos zbulohen asnjëherë dhe për të mos i dëmtuar raportet politike nëpër koalicione të ndyshme që për bazë kanë pasur vetëm interesin personal dhe pasurimin e tyre dhe familjarëve të tyre”, thotë Popova. Por, nëse jo në sistemin vendor të drejtësisë, ai sytë i ka drejtuar kah Haga. Në gjykimet e Dhomave të Specializuara, të krijuara nga Kuvendi i Kosovës, në vitin 2015, Popova e sheh shpresën e fundit që të marrë përgjigjen për pyetjen që e ka shtruar vazhdimisht tash e 22 vjet. “Gjykata Speciale është shpresa e fundit për ne që rasti i vrasjes së babait tonë të marrë epilogun e pritur tash e 22 vite. Duke e parë seriozitetin dhe profesionalizmin e kësaj Gjykate shpresojmë se në fund të triumfojë drejtësia e vonuar”, e thotë me bindje Popova. Krejt çka i mbetet Diarit është të presë ditën kur vrasësit e babait do të dihen me emër, dhe do të vendosen para drejtësisë. 


Xhemajl Rexha është Kryesuesi i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, organi që përfaqëson rreth 900 gazetarë nga të gjitha prejardhjet etnike në vend. Rexha tani është autor i programit “Prime Time” për temat e aktualitetit në Kanal 10 dhe që nga viti 2005 ka punuar në Kohavision (KTV), ku ishte autor i njërit prej programeve më të shikuar për temat e aktualitetit ‘Interaktiv’.  Bashkë me AGK, Rexha është i angazhuar në mënyrë aktive në ngjarje për njohuri mediatike, përfshirë trajnime dhe raportime për të kaluarën dhe gazetarinë e ndjeshme.