DITA E FUNDIT

“Tung Berush. Shihemi”, janë fjalët e fundit që janë dëgjuar nga Xhemajl Mustafa, gazetar dhe intelektual shqiptar i Kosovës. Ato ia kishte thënë vajzës së tij tinejxhere, Berianës duke dalë nga banesa në Prishtinë mesditën e 23 nëntorit 2000. Teksa afrohet përvjetori i 22 i vrasjes së tij, Beriana që ndoqi rrugën e babati e punon si gazetare ende kwrkon drejtwsi.  

“Mëngjesin e ka filluar zakonshëm, me një kafe dhe duku punuar në kompjuter. I kam thënë: I paske sytë e skuqur pak. Lërë librin se punon më vonë. Ma miratoi në heshtje kërkesën dhe e la librin, u ba gati. E di që ka qenë vjeshtë. Ia kam mbajtë xhaketën. I thashë: Tung, bab’-shihemi më vonë. Më tha: “Tung, Berush. Shihemi”. Ky ka qenë momenti i fundit dhe kujtimi më i freskët”, kujton Beriana.

Do të duhej të ishte ditë e zakonshme edhe për të, por duke u kthyer nga fakulteti hapësira afër banesës së saj ishte mbushur me shirita të një skene krimi.Gjëja e fundit që donte ta besonte Beriana ishte se një familjar i saj ishte viktimë. “Më duket që e kanë vra Xhemajl Mustafën”, i tha një i panjohur Berianës, pa e ditur që bëhej fjalë për babain e saj. Vajza e re shpërtheu kordonin e policisë e shiritat e skenës së krimit për të bërtitur nga dhimbja dhe pabesimi për atë që druhej të ketë ndodhur. Berianës, dhe vëllait të saj, Besianit fillimisht iu tha se Xhemajli ishte plagosur, para se nëna t’ua tregonte të vërtetën e hidhur. 

Beriana kurrë nuk ka pasur mëdyshje – për të vrasja e gazetarit, që ishte edhe aktivist politik me LDK-në, partinë  e parë shqiptare në skenën pluraliste,  ishte me motive të pastërta politike.

“Ajo ka qenë vrasje me motiv politik. Unë besoj janë dy arsye: e kanë bërë për ta dobësuar LDK-në edhe rrethin e Rugovës. Ka qenë një shkrim i tij që nuk besoj që ka qenë arsyeja kryesore, por është një kolumne që e ka botuar në “Bota sot” 2-3 muaj para vrasjes. Në Prishtinë kishte një grafiti: “Kosovë, të qoftë haram gjaku im”.  Kjo ishte pas zgjedhjeve të para lokale që i ftoi LDK-ja. Babi e kishte bërë një shkrim bazuar në ato grafite në kontesktin e rivaliteti politik. Nuk them që arsyeja kryesore është kjo, por që ndonjëherë besoj se ka qenë plus si shtytje për vrasje. Ka qenë edhe konteksti publicisitik. Është vrasje politike, por që është shtyrë prej shkimeve, që nuk i kanë pëlqyer krahut tjetër politik”, e thotë me bindje Mustafa. 

DREJTËSIA VENDORE

Familja Mustafa nuk lë ditë pa shpresuar që drejtësia do të japë përgjigje për vrasjen që e goditi këtë familje. Disa sisteme drejtësie në Kosovë janë ndryshuar ndër vite, dhe Mustafa thotë se askush nuk është marrë vërtetë me ngulm për të sqaruar rrethanat e vrasjes, apo gjetur autorët. 

“Kur Aleksandër Lumezi (ish-kryeprokur i Shtetit deri në vitin 2022) ka qenë Kryeprokuror i Prishtinës e ka pasur një deklaratë publike kur ka thënë se jemi shumë afër për të gjetur vrasësin e Xhemajl Mustafës. Në atë kohë, mamin e kishte ftuar Prokuroria e EULEX-it për të dhënë deklaratë. UNMIK-u ka qenë 2-3 në shtëpinë tonë, por për herë të parë në vitin 2012 EULEX-i e ka ftuar nënën për dëshmi, duke thënë se janë të interesuar për të rikonstruktuar ngjarjen, pasi që kishte mangësi në dosje. Nëna nuk e kishte të freskët memorien, sepse kishte kaluar kogja shumë kohë. Por, hetime serioze nuk e kam pasur ndjenjën se kanë ndodhur ndonjëherë. Njëjtë edhe gjithë familja mendon”, thotë Mustafa. 

Vëllai i Berianës, Besiani është deputet i partisë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës. Në 20 vjet pas luftës, LDK-ja e ka udhëhequr vetëm një herë qeverinë, por ka qenë pjesë e disa prej tyre. Zonja Mustafa thotë se kjo parti i ka përdorur vrasjet politike të pasluftës, për poena politikë dhe asnjëherë nuk ka bërë ndonjë përpjekje të vërtetë për të shtyrë përpara vendosjen e drejtësisë.

SPECIALJA – MUNDËSIA E FUNDIT?

Sikurse për të tjera vrasje engimatike që ndodhën menjëherë pas përfundimit zyrtar të luftës, edhe për vrasjen e intelektualit në zë, shpresë e re janë Dhomat e Specializuara në Hagë, 

“Me sa e di unë rasti i tij bie në domenin e Speciales. Zyrtarrisht nuk jemi njoftuar që dosja e tij gjykohet për Gjykatën Speciale. Por, është edhe deklarata publike e ish-prokurorit, Williamson i cili ka folur për vrasje të kundërshtavëve politikë, kështu që besoj që bie në domen. Sepse, kjo  është puro vrasje politike, e kundërshtave të LDK-së, pa e pasur idenë se kush ka qenë. Unë kam presupozime personale, por që është motiv politik, që është njeri i LDK- së nuk ka dyshim. Janë vrarë vetëm njerëz të LDK-së me dobësu politikisht këtë parti”, thotë Mustafa.

Xhemaj Mustafa, pjesën më të madhe të karrierës punoi për gazetën “Rilindja”, kurse në fillim të viteve 90 kontributin e tij e dha për Qendrën për Informim të Kosovës (QIK), një organ medial i LDK-së, Ai qëndroi në Prishtinë gjatë gjithë kohës së luftës, duke përfshirë 78 ditët e bombardimeve të NATO-s, kohë në të cilën e shkruajti librin “Një lutje për Prishtinën”, të cilën e botoi pak para se të vritej. 

Ai ishte një intelektual i respektuar, dhe familja ndjen që kontributi i tij nuk është respektuar asnjëherë sa duhet nga institucionet vendore.  


Xhemajl Rexha është Kryesuesi i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, organi që përfaqëson rreth 900 gazetarë nga të gjitha prejardhjet etnike në vend. Rexha tani është autor i programit “Prime Time” për temat e aktualitetit në Kanal 10 dhe që nga viti 2005 ka punuar në Kohavision (KTV), ku ishte autor i njërit prej programeve më të shikuar për temat e aktualitetit ‘Interaktiv’.  Bashkë me AGK, Rexha është i angazhuar në mënyrë aktive në ngjarje për njohuri mediatike, përfshirë trajnime dhe raportime për të kaluarën dhe gazetarinë e ndjeshme.