Të dënuarit boshnjakë për krime lufte paguajnë për të mos hyrë në burg

Burimi: balkaninsight.com

Foto: BIRN

Dzana Brkanic BIRN Sarajevë

BIRN ka zbuluar se gjykatat boshnjake kanë lejuar pesë të dënuar për krime lufte të shmangin dënimin e tyre me burg në këmbim të pagesës së një gjobe – një praktikë që kritikët shprehen se tallet me drejtësinë. 

Hulumtimet nga Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Investigative kanë zbuluar se gjykatat kantonale dhe ajo e Shkallës së Parë në Brcko kanë lejuar pesë të dënuar që ishin dënuar me deri në një vit burg të paguanin gjoba për të shmangur kryerjen e dënimit në burg.

Gjykatat urdhëruan secilin prej tyre të paguante rreth 18,400 euro, një llogaritje e bërë bazuar në faktin se, mesatarisht, një ditë burg i kushton autoriteteve rreth 51 euro.

Amir Coraliç është një nga të dënuarit që pagoi 18,400 euro për të shmangur burgun. Pasi e pranoi fajin para gjykatës kantonale në Bihac, vitin e kaluar ai u dënua me 11 muaj burg për përdhunimin e një minoreneje në zonën e Cazinit në vitin 1993.

Megjithatë, BIRN nuk mundi të konfirmonte nëse Coraliç i pagoi apo jo viktimës 25,500 euro kompensim, siç u urdhërua nga gjykata.

Gjykata kantonale në Zenica ndërkohë konfirmoi se i dënuar Atif Krkaliç pagoi 18,400 euro në vend që të kryente dënimin e tij.

Krkaliç u shpall fajtor për keqtrajtimin fizik të tre civilëve serbë ndërsa i kontrollonte për të parë nëse kishin armë në Jelah në komunën Tesanj në qershor dhe korrik 1992.

Kërkesa e tij për ta zëvendësuar dënimin e tij me burg me një gjobë, duke argumentuar se ishte familjar, se kishte shprehur pendim dhe ishte sjellë mirë gjatë gjyqit, dhe se krimi nuk kishte pasur ndonjë pasojë të dëmshme.

Prokuroria në Zenica nuk e kundërshtoi kërkesën e tij dhe në vendimin e saj, gjykata kantonale tha se gjoba i shërbente qëllimit të ndëshkimit, se Krkaliç ishte një person i moshuar që s’ishte dënuar më parë, se kishte kaluar një kohë e gjatë që nga kryerja e krimit dhe se palët e dëmtuara nuk pësuan ndonjë dëmtim permanent.
Gjykata e Shkallës së Parë e rajonit të Brckos ka dhënë gjithashtu dy vendime ku zëvendëson dënimet me burg me gjoba në çështje krimesh lufte.

Branko Pudiç, i cili ishte dënuar me një vit burg për abuzim me të ndaluarit në kampin e burgimit Luka në Brcko, e ka paguar tashmë gjobën.

Një vendim në çështjen e dytë është në fazë apelimi. Avokatja mbrojtëse për Nijaz Hodziç, i cili u dënua me një vit burg për krime kundër të burgosurve të luftës në zonën e Brckos, apeloi kundër vendimit pavarësish sasisë së parave që duhet paguar për gjobën e tij.

“E kemi apeluar vendimin, sepse familja nuk ka të ardhura. Mendoj se vetëm një anëtar është i punësuar dhe ka një rrogë minimale,” tha avokatja e Hodziç, Lejla Coviç.

Ndërkohë, Hodziç u dërgua në burg të kryente dënimin e tij, por mbrojtja apeloi edhe kundër atij vendimi.

Gjobës që duhet të paguajë i duhen zbritur ditët që ai ka kaluar në burg.

“Një krim lufte nuk është një shkelje për tejkalim shpejtësie”

Edhe pse ligji lejon që dënimi me deri një vit burg të zëvendësohet me gjoba, disa gjyqtarë dhe prokurorë besojnë se kjo do të thotë së të dënuarit për krime lufte nuk po ndëshkohen si duhet.

Bojan Steviç, presidenti i Gjykatës Rajonale në Trebinje, u shpreh se krimet e luftës janë ndryshe nga krimet e tjera.

“Më duket e neveritshme që dikush të paguajë para për një krim luftë. Është një karikaturë. Vetë krimet e luftës janë të rënda, pavarësisht nga kohëzgjatja e dënimit, sepse dënimet mund të ulen për shumë rrethana lehtësuese, por sërish mbetet një krim lufte dhe jo një shkelje ligji për tejkalim shpejtësie,” tha Steviç.

Senad Ibrahimefendiç, presidenti i Gjykatës Rajonale në Sarajevën Lindore, ndërkohë u shpreh se përfitimet e buxhetit nga vendosja e gjobave dhe për sistemin e burgjeve për lirim hapësirash në burgje nuk ishte mjaftueshëm shpërblyese.

“Mundësia e zëvendësimit të dënimit me deri në një vit burg me një gjobë ndikon në të ardhurat e buxhetit, por çështja është nëse ajo i shërben apo jo qëllimit të ndëshkimit. Megjithatë, në këtë mënyrë ata krijojnë hapësira në burgje,” tha Ibrahimefendiç.

Por mbrojtësit e të drejtave të njeriut shprehen se të dënuarit për krime lufte duhet të kenë të njëjtat të drejta si të gjithë të tjerët dhe se kjo gjë garantohej nga konventat ndërkombëtare.

Praktikat gjyqësore dhe ligjet në këtë fushë në dy entitetet e vendit, Federatën e Bosnjës dhe Hercegovinës dhe Republikës Srpska, nuk janë njësoj, e cila, sipas ekspertëve, është gjithashtu një bazë për shkelje të mëdha të të drejtave të njeriut.

Ligji i Federatës thotë se dënimet me deri në një vit burg mund të zëvendësohen me një gjobë, ndërsa në Republikën Srpska kohëzgjatja maksimale është gjashtë muaj. Asnjë dënim për krime lufte nuk është zëvendësuar ende me gjoba në Republikën Srpska, zbuloi BIRN.

“Si qytetar, mund të them se kodet penale në të dyja entitetet, si edhe në praktikat gjyqësore, duhet të jenë njësoj,” tha Dusko Ninkoviç, president i Gjykatës Rajonale në Doboj.

“Një autor i dënuar me deri në një vit burg ka mundësi ta zëvendësojë dënimin e tij me gjobë në një entitet, por nuk mund ta bëjë këtë gjë në Republikën Srpska nëse dënimi i tij është më i gjatë se gjashtë muaj burg. Kjo shkakton pakënaqësi dhe pabarazi midis banorëve në të njëjtin vend,” shtoi Ninkoviç.

Rada Kafedziç nga seksioni i të drejtave të burgosurve në zyrën boshnjake të avokatit të popullit tha gjithashtu se nuk ishte e drejtë që gjobat ndonjëherë llogariten ndryshe nëse i dënuari është i punësuar ose jo.

“Të gjithë të dënuarit duhet të jenë në gjendje të paguajnë të njëjtën sasi parash nëse vendoset që dënimi i tyre me burg zëvendësohet me një gjobë. Deri më tani kjo s’është vënë në praktikë,” tha Kafedziç për BIRN.

“Ne kemi theksuar se legjislacioni jo i njëjtë është baza për shkelje të të drejtave të njeriut për vite me radhë. Pavarësisht se për cilën gjykatë po flasim, trajtimi duhet të jetë i njëjtë,” tha ajo.

Redzo Deliç, kreu i sektori të krimeve të luftës dhe krimeve ekonomike në prokurorinë kantonale në kantonin Zenica-Doboj, u shpreh se autoritetet duhet ta analizojnë të gjithë praktikën, duke u shprehur se nëse krimet e luftës zëvendësohen me gjoba, ndëshkimi nuk është mjaftueshëm i rëndë për krime kaq të rënda.

“Për mendimin tim personal, zëvendësimi i një dënimi me burg për një krim lufte me një gjobë, nuk është aspak e përshtatshme. Megjithatë, legjislatorët na paraqitën një fakt tashmë të vendosur. Ata duhet të kishin thënë se dënimet m burg për disa krime të caktuara nuk mund të zëvendësohen me një gjobë,” tha Deliç.