Duam t’i dëgjojmë kujtimet tuaja. Na shkruani.
Ndonjëherë, të jetosh me kujtesën është e veshtirë. Mund të dëgjosh rrëfime për luftën të cilën s’e ke përjetuar vet, por që jeton brenda mureve në familje. Mund të ulesh në tavolinë, ku heshtja për të kaluarën flet më zëshëm se fjalët. Mund të kujtosh këngët e fëmijërisë, por të cilat nuk përputhen me të tashmen që përballesh. Mund të ecësh në lagje, ku çdo cep të kujton në diçka që ka shkuar. Mund ta lësh vendlindjen, dhe kujtesa bëhet mënyra e vetme për të shiquar pas.
Lista është e gjatë. Por, edhe kur kujtimet janë të brishta, urat që ato ngrehin mund të jenë më të forta se çdo pengesë. Ura që lidhin breza, gjeorgrafi dhe identitete. Ura të cilat dëshmojnë se kujtesa nuk i përket vetëm të kaluarës, por formëson edhe atë se çfarë jemi sot dhe atë që synojmë të bëhemi nesër.
Ne duam të dëgjojmë për këto ura të kujtesës. Ndonëse jeni nga Kosova apo diaspora, shkruani për profesion, pasion apo nuk keni shumë pervojë në shkrim, cilado qoftë mosha apo këndvështrimi, jemi kureshtar për rrëfimet tuaja.
Së pari, për t’u dhënë hapësirë përbrenda zhurmës së përditshmërisë, dhe së dyti, të frymëzohemi nga ju, komuniteti, traditat dhe aktet tuaja të kujtesës. Duam të dëgjojmë nga individë që mbartin histori migrimi, që përballen me heshtjen rreth luftës, që përpiqen të ruajnë këngët, tregimet e ritet që rrezikojnë të humbasin, dhe nga ata që guxojnë të kujtojnë atë që të tjerët përpiqen ta harrojnë.
Duam të dëgjojmë prej të gjithëve, kujtesa e të cilëve shpesh mbetet në margjina. Ftoheni të shkruani blog prej 900–1,200 fjalësh, në gjuhën shqipe ose angleze, mbi urat e kujtesës që mbartni ose që ndërtoni.
Blogu nuk është shkrim akademik, por artikull personal ku ndani këndvështrimin, tregimin apo përvojën tuaj. Për këtë thirrje, shkrimi mund të jetë reflektiv, emocional ose kreativ, pa pasur nevojë të ndiqen rregulla strikte.
Si frymëzim mund t’i konsideroni këto pyetje:
- Kur ishte hera e parë që ndjetë peshën e kujtesës?
- Cilat rrëfime, këngë ose heshtje ju formësuan?
- Kur e kuptuat se të kujtuarit ose të harruarit mund të jenë një akt rezistence?
- Si jetoni me kujtesën për dhunën, humbjen ose shpërnguljen në përditshmëri dhe si ballafaqoheni me ato?
- Çfarë urash kujtese keni ndërtuar? Cilat ura janë shembur?
- Si ju ka afruar apo larguar kujtesa nga të tjerët?
Tekstet e përzgjedhura do të publikohen në platformën DWP (Dealing with the Past), hapësirë e dedikuar punës rreth kujtesës në Kosovë dhe më gjerë. Përmes kësaj platforme, fjalët tuaja do të vendosen përkrah fjalëve tjera, duke ndërthurur lidhje përgjatë përvojave, këndvështrimeve dhe brezave të ndryshëm.
Dërgoni blogun në adresën: luca.teseilibassi@propeace.de deri më 31 tetor 2025.
Për cdo pyetje apo sqarim shtesë, mos hezitoni të na kontaktoni në të njëjtin email; ekipi ynë do të jetë i gatshëm t’ju ndihmojë. Autorët, tregimet e të cilëve do të përzgjidhen për botim, do të përfitojnë kompensim financiar dhe mbështetje redaksionale.
I presim tregimet tuaja!
Rreth Pro Peace
Pro Peace u themelua në vitin 1996 nga grupe gjermane për paqe dhe të drejta të njeriut si përgjigje ndaj Luftërave në Ballkan, fillimisht me emrin Forum Civil Peace Service (forumZFD). Sot, organizata punon në 13 vende në Evropë, Lindjen e Mesme dhe Azinë Juglindore. Misioni i saj është të forcojë aktorët e shoqërisë civile që angazhohen për paqe dhe mosdhunë në mes të konflikteve. Pro Peace këshillon, mbështet dhe bashkëpunon me nisma lokale, dhe avokon për politika të qëndrueshme paqeje në nivel ndërkombëtar.
Programi në Kosovë
Në Kosovë, Pro Peace fokusohet në nxitjen e dialogut, ballafaqimin me të kaluarën dhe ndërtimin e qasjeve jo të dhunshme për transformimin e konflikteve. Përmes platformave si nisma DWP (Dealing with the Past), programi amplifikon zëra dhe tregime që përndryshe do të mbeteshin të padëgjuara. Duke bërë këtë, ndihmon të lidhë breza dhe komunitete, dhe krijon hapësira për reflektim, shërim dhe terren të përbashkët.




