Viktimat e luftës po bëhen të padukshme në kohërat e paqes

Burimi: http://www.balkandiskurs.com/

Nga Mlladen Llakiq

“Nuk kam përjetuar asnjë mbështetje apo empati, apo të kem dëgjuar dikë të thotë ‘më vjen keq’. Jo! Kam dëgjuar shumë njerëz të thonë ‘Mori atë që meritonte’. Kjo të lëndon”.

“Po të kisha qëndruar këtu, në Bosnie, do të kisha patur një jetë aspak normale”, thotë MR, një grua e cila është viktimë e përdhunimit gjatë luftës. Kur lufta përfundoi, ajo u largua nga Bosnia e Hercegovina (BeH). Bashkëshorti i saj e di se çfarë ka kaluar ajo, mirëpo ajo nuk ka guxuar t’i thotë asgjë fëmijës. “Kurrë nuk kam mundur ta bëj. Edhe sikur të kisha dy jetë të tjera për të jetuar” vazhdon MR, duke na kërkuar të mos ia zbulojmë identitetin.

“Sot, unë punoj dhe kam një jetë që dikush mund të thotë se është jetë e qetë, mirëpo nuk jam më i njëjti person. Ajo gjë të shenjon për të gjithë jetën dhe nuk ka as mjek, as mjekim, që të ndreq”, thotë MR.

“Gjithnjë i them vetes: e kam edhe një mundësi. Po të kisha qëndruar këtu [BeH]… kush e di” ajo ndalet për të marrë frymë. “E di, në komunitete të vogla njerëzit i marrin vesh këto gjëra. Të shohin sikur je… sikur është faji im, a thua se unë e doja atë” shpjegon MR.

“Nuk më vjen turp nga vetja. E di që ia kam dalë mbanë në jetë, por kur kthehem atje [BeH] e gjitha më rikthehet në mendje… Prandaj nuk më pëlqen të shkoj atje, më pëlqen këtu, ku i kam të gjitha, ku kam veten time të re” vazhdon MR gjatë intervistës së saj për Balkan Diskurs.

Ajo nuk do të na e tregojë se cilës fe i përket, sepse mendon se shumë gra, pavarësisht fesë së tyre, po përballen me të njëjtën barrë. “E keqja na zgjodhi për shkak të saj [fesë], por nuk shoh ndonjë dallim” thotë ajo.

Sipas të dhënave nga Kombet e Bashkuara, gjatë luftës në vitet 1992-1995 në BeH janë përdhunuar rreth 50,000 gra, vajza, burra dhe djem. Sot, 21 vjet pasi lufta ka përfunduar, viktimat ende kërkojnë drejtësi dhe mirëkuptim. Shumë prej tyre nuk flasin për atë që ka ndodhur, sepse kanë frikë për sigurinë e tyre dhe të familjeve të tyre dhe nuk duan të paragjykohen nga shoqëria. Shumë prej tyre nuk u kanë treguar as më të dashurve.

NN1, një e intervistuar nga Brçko, thotë: “Nuk kam përjetuar mbështetje apo empati apo të dëgjoj dikë të thotë ‘Më vjen keq’. Jo! Kam dëgjuar shumë njerëz të thonë ‘Mori atë që meritonte’. Kjo më lëndon” shprehet NN1. Ky është vetëm një shembull i llojeve të mendimeve që fqinjët, miqtë, pjesëtarët e familjes dhe shoqëria kanë sa i përket viktimave të këtyre krimeve. Më shumë hollësi gjenden në studimin që ka bërë Fondi për Popullsi i Kombeve të Bashkuara (UNFPA) në BeH.

Tërheqja nga shoqëria

Sabiha Husiq, Drejtoreshë e organizatës jo-qeveritare Medica Zenica ka kaluar 24 vjet duke ofruar në mënyrë aktive asistencë për viktimat e përdhunimit gjatë kohës së luftës dhe të formave të tjera të dhunës. “Etiketimi i viktimave të përdhunimit i detyron ato të mbyllen në vetvete dhe nga një heshtje e tillë ato nuk mund të kërkojnë të drejtat e tyre. Shumë pak kanë kurajon të angazhohen në procese ligjore dhe të sigurohen se është ndarë drejtësia” thotë Husiq. Sipas saj, shumë njerëz do t’ju tregojnë se nuk njohin askë që të jetë viktimë e këtij lloj krimi, miëpo ku llogaritet numri, është e qartë që kjo nuk është e mundur.

Husiq paralajmëron për diskriminimin që ndodh gjatë procesit të marrjes së statusit zyrtar si “viktimë civile e luftës”. Ajo shpjegon më tutje: “Me ndryshimet e reja në Ligjin për Mbrojtje Sociale, kjo fushë është e rregulluar mjaft mirë në Federatën e Bosnie e Hercegovinës, me shumë ndihmë nga shoqëria civile dhe nga organizatat ndërkombëtare. Mirëpo në entitetin e Republika Srpskas, viktimat nuk kanë të drejta të tilla, sepse afati ligjor për regjistrimin e statusit ka skaduar në vitin 2007”.

Avokatja e Popullit për të Drejtat e Njeriut në BeH Jasminka Xhumhur thotë se goditja më e dhimbshme ndaj viktimave është mosmarrja e atij statusi. “Ligji për Mbrojtjen e Viktimave të Torturës që paraqet kategori të definuara qartë në kuadër të kësaj lëmie duket se është zgjidhja më e mirë dhe miratimi i tij do të përmirësonte mjaft këtë padrejtësi”.

Xhumhur vëren se dhënia e statusit të njohur viktimave është shumë e rëndësishme, sepse shumë prej tyre kanë nevojë për asistencë mjekësore dhe beneficione të ngjashme. Mirëpo, edhe viktimat që kanë status të njohur kanë telashe me institucionet që supozohet t’u ndihmojnë.

NN3, një e intervistuar nga raporti i UNFPA-së thotë: “Unë paraqita kartën time të shëndetit në recepsion në orën 6:30 të mëngjesit, por m’u desh  të pres deri në orën 2:30 pasdite që të më kontrollonin. E pyeta mjekun ‘Si ka mundësi që dikush vjen tek mjeku kaq herët dhe i duhet të presë kaq shumë orë që ta kontrollojnë?’ Karta ime shëndetësore e thotë qartë ‘Grua viktimë e luftës’. Mjeku më pyet ‘Si ka mundësi që je viktimë e luftës?’ Dhe pastaj fillojnë ofendimet… Ai thotë se po të mos e kisha dashur vërtetë, asgjë nuk do të më kishte ndodhur. Ai ma gjuan kartën në tokë a thua se jam qen”.

Të pandehurit nuk kanë para

Të gjithë të intervistuarit tanë pajtohen se shteti është i obliguar të ofrojë të drejta të plota për viktimat e dhunës seksuale gjatë kohës së luftës. “Zbrazëtitë që ekzistojnë janë në mospërputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe konventa të ndryshme, si dhe shteti duhet të ofrojë një mekanizëm për t’i ndaluar këto praktika të këqija”, thekson Xhumhur.

Ajo kujton se Gjykata e BeH ka nxjerrë tre akgjykime për krimin e përdhunimit në kohën e luftës dhe i akuzuari nuk kishte para për t’ia paguar viktimës. “Në raste të tilla, shteti konsiderohet si bashkë-përgjegjës dhe duhet të sigurohet që pagesa bëhet. Nga ana tjetër, viktima ka të drejtën të angazhohet në proces të mëtejshëm, mirëpo rrjedhimisht e humbet statusin e dëshmitares së mbrojtur gjë që mund të jetë shumë e rrezikshme” shpjegon Xhumhur.

Organizata jo-qeveritare TRIAL ka organizuar një grup punues me ekspertë që synon të përgatisë amendamentet për një sërë ligjesh për konteste civile dhe procedurat e ekzekutimit. Amendamentet synojnë të mundësojnë lansimin e këtyre procedurave pa nevojën për hedhje poshtë apo revizionim të masave të marra për të mbrojtur identitetin e dëshmitarëve. Këto amendamente do t’i dërgohen Parlamentit në të ardhmen e afërt.

“Edhe kur flitet në gjykatë, avokatët të shohin si një grua më pak të vlefshme” thotë NN1 (raporti i UNFPA-së).

Viktimat e dhunës seksuale të kohës së luftës përballen me mungesë nga komunitetet e tyre dhe nga institucionet që duhet t’u ofrojnë asistencë mjekësore, psikologjike dhe forma të tjera. (foto: Mirko Pincelli)

Xhumhur vazhdon të shpjegojë se janë bërë shumë gjëra të mira për ta mbajtur funksional këtë segment. “Në zyrat e prokurorëve dhe nëpër gjykata është punësuar staf i ri që të ofrojnë mbështetje për dëshmitarët, investimet nga donatorët ndërkombëtarë janë përdorur për përmirësimin e sallave ku dëshmitarët japin dëshmitë e tyre, janë punësuar psikologë… Këto të gjitha janë përmirësime” na përkujton Xhumhur teksa vë në dukje se ka ende hapësirë për përmirësime të tjera.

Më vonë Husiq vë në dukje se shpeshherë viktimat përdoren si mjet për manipulim për qëllime politike dhe shpjegon se kjo është një ndër arsyet pse ajo bashkëpunon me shoqatën e Grave nga Banja Lluka.

“Me anë të këtij bashkëpunimi, ne tregojmë se viktima nuk ka nacionalitet dhe se kjo është e rëndësishme tani dhe në të ardhmen”.

Xhumhur e përmbyll duke thënë se përvojat tona të dhimbshme nuk mund të shërbejnë vetëm si shembull për të tjerët, por edhe për vete, për të përmirësuar atë që është e gabuar në mënyrë që viktimat të marrin drejtësi.