Burimi: recom.link
Përkujtimi që u bëri Presidenti Hashim Thaçi viktimave serbe në Grackë të Vjetër është një ngjarje me rëndësi në procesin e ballafaqimit me të kaluarën – por i pamjaftueshëm.
Nga Teuta Hoxha
Pas një lufte, palët e përfshira zakonisht nuk janë në kontakt me njëra-tjetrën për shkak të dëmit të shkaktuar ndaj të dy palëve. Ndaj ato kanë urrejtje të ndërsjellë dhe nuk ka hapësirë për pajtim. Zakonisht, komunitetet merren vetëm me viktimat e ‘anës së tyre’ duke mos treguar asnjë pikë empatie për ‘palën tjetër’. Kjo rezulton në atë lloj të mentalitetit që njëra palë etiketohet krejt si viktimë, ndërsa tjetra shihet si krejtësisht kriminale – kriminelët janë gjithnjë në anën tjetër.
Në korrik 1999, kur forcat e NATO-s hynë në Kosovë, në fshatin Grackë e Vjetër u vranë 14 civilë serbë, ndër ta dhe një djalë 17 vjeçar. Vizita e Presidentit Hashim Thaçi në atë fshat me 20 korrik të këtij viti për të nderuar dhe përkujtuar këto viktima është një ngjarje me rëndësi në procesin e ballafaqimit me të kaluarën. Gadishmëria politike e Presidentit të Kosovës është unike dhe një hap pozitiv para që vjen nga një person me një pozicion të tillë, mirëpo ky veprim nuk duhet të lidhet me personalitetin e një individi, por me institucionin që ai përfaqëson. Kjo nismë duhet të shihet si përmbushje e përgjegjësive institucionale, në këtë rast atyre presidenciale dhe jo si një akt i vullnetit të mirë nga një individ i cili ka pozita të caktuara.
Shoqërisë kosovare ende i mohohen informata të bazuara në fakte lidhur me atë që ka ndodhur gjatë luftës dhe menjëherë pas saj. Shqiptarët, për shembull, nuk kanë informacion të plotë apo të saktë rreth asaj që u ka ndodhur shqiptarëve të tjerë dhe ata kanë edhe më pak informacion se çfarë u ka ndodhur komuniteteve jo-shqiptare në Kosovë.
Pavarësisht faktit se kanë kaluar 17 vjet, institucionet lokale ende nuk kanë ndonjë listë zyrtare të të gjithë viktimave të luftës dhe kjo krijon hapësirë për manipulim të numrave. Gjykimet për krime lufte janë të pamjaftueshme, sidomos kur është fjala për individë të profilit të lartë. Shfajësimet e vazhdueshme i kontribuojnë krijimit të heronjve dhe mitizimit të ngjarjeve të luftës. Për më tepër, nismat e krijuara dhe të mbështetura nga institucionet deri tani kanë qenë unilaterale dhe ekskluzive.
Të rinjtë shqiptarë të Kosovës jetojnë në komuna ekskluzivisht shqiptare dhe kanë pak apo aspak kontakte me komunitete të tjera dhe janë të ekspozuar ndaj narrativave etnocentrike të miratuara nga institucionet e popullatës shumicë. Librat e historisë nuk kanë asgjë për viktimat jo-shqiptare të luftës, ndërsa numri i viktimave shqiptare është ekzagjeruar dhe nuk mbështetet në fakte konkrete. Për këtë arsye, nderimi i viktimave jo-shqiptare konsiderohet i gabuar dhe i papranueshëm nga masat.
Viktimat e fshatit Grackë e Vjetër u vranë teksa po korrnin të mbjellat e tyre; ata ishin civilë të pafajshëm. Për shkak të dështimit institucional për ngritjen e vetëdijësimit të shoqërisë lidhur me vrasjen e civilëve kosovarë gjatë dhe menjëherë pas luftës, për shoqërinë tonë është e vështirë ta pranojë realitetin e hidhur të ekzistencës së viktimave jo-shqiptare në Kosovë. Viktimat civile janë margjinalizuar dhe nuk njihen publikisht ashtu si kategoritë e tjera të viktimave të luftës sa i përket mbështetjes sociale dhe financiare nga shteti.
Memorialet që u kushtohen viktimave civile dhe ushtarëve kryesisht financohen dhe ngrihen nga familjet e viktimave. Institucionet duhet të jenë ata që miratojnë ndërtimin e këtyre memorialeve, që të parandalojnë shfaqjen e elementeve të fjalorit të urrejtjes mbi to.
Vizita e Thaçit në Grackën e Vogël ka qenë një hap përpara i rëndësishëm, edhe pse ai u kritikua shumë që nderoi viktimat serbe, komuniteti i të cilëve i kujton si “viktima të terrorit shqiptar”. Mbishkrimet e plota mbi pllakat përkujtimore “Žrtve šiptarskog terora na žetvi jula 1999 (viktima të terrorit shqiptar gjatë korrjeve të korrikut 1999)” dhe sidomos fraza “šiptarskog terora” (terrori shqiptar) janë fjalor i urrejtjes dhe një përgjithësim i shqiptarëve dhe nuk duhet të vendosen mbi një pllakë përkujtimore për qëllime nacionaliste. Një qasje e tillë nuk i kontribuon paqes së qëndrueshme dhe pajtimit, ajo vetëm sa thellon ndarjen ndërmjet komuniteteve që veçsë kane marrëdhënie të brishta.
Gadishmëria politike dhe deklarative e Presidentit Thaçi është e mirëseardhur, edhe pse e pamjaftueshme, sepse në këtë rast duhet ndarë drejtësia. Aktakuzat janë shumë të rëndësishme në procesin që ka të bëjë me besimin e institucioneve publike dhe shërbejnë për paqen e qëndrueshme dhe sundimin e ligjit. Nisma të ngjashme duhet të ndërmerren edhe nga politikanë të tjerë në rajon në mënyrë që t’u jepet prioritet viktimave civile të luftës duke u dhënë hapësirë gjithëpërfshirëse dhe mbështeteje më të madhe financiare.
Akturoja është U.d. e Drejtoreshës së Iniciativës së të Rinjve për të Drejta të Njeriut, YIHR, në Kosovë
(Botuar në Prishtina insight, 29.07.2016)