Arsimi shumëetnik është i nevojshëm nga mosha e re

Fëmijët kanë dëshirë të mësojnë në diversitet, prandaj dhe ne duhet të mbështesin dhe të fuqizojmë shkollat shumëetnike, jo vetëm në Maqedoni, por kudo, argumenton Kristina Atovska.

Për të krijuar një shoqëri shumëetnike të përgjegjshme dhe paqësore, arsimi si faktor i socializimit duhet të ketë përparësi gjatë politikëbërjes. Në një vend si Maqedonia, nevoja për arsim të integruar, që fuqizon të kuptuarin reciprok, si dhe tejkalimi dhe pranimi i dallimeve, është me rëndësi jetike. Mirëpo këto kushte arrihet të krijohen dhe klasat shumëetnike funksionojnë vetëm në pak shkolla në vend. Njëra prej tyre është shkolla fillore Petar Zdravkovski Penko në Shkup, ku orët mësimore mbahen në maqedonisht, shqip dhe turqisht.

Profesoresha Hatixhe Topalli nga Shkolla Fillore Petar Zdravkovski Penko thotë se efekti i të nxënit bashkërisht  të dallimeve reciproke sjell të kuptuar më të mirë të së tashmes. Po ashtu, të nxënit bashkërisht në praktikë nënkupton krijim të përbashkët të së ardhmes, pra, të shoqërisë si të tërë. Lidhur me pyetjen se si studiohet historia, pra, a i kontribuon përmbajtja e librave shkollorë konfrontimit të së kaluarës në drejtim të të kuptuarit të dallimeve dhe pranimit të tyre, Topalli thotë se ajo çka mësohet nëpër libra shkollorë nuk është e mjaftueshme.

Përveç arsimit formal dhe asaj që mësohet në klasat e shkollës, është me rëndësi t’i kushtohet vëmendje marrëdhënies që fëmijët ndërtojnë jashtë shkollës. Sjellja e tyre gjatë pushimeve apo pas mësimit tregon shumë për të mirat e arsimit shumëetnik. Topalli thekson se në shkollën e tyre ku mësohet në tri gjuhë, nxënësit nuk kanë probleme me njëri-tjetrin.

“Gjatë pushimeve, nxënësit janë bashkë gjatë tërë kohës, shoqërohen dhe diskutojnë mësimet. Megjithatë, ka ende punë për t’u bërë për marrëdhëniet e tyre pas shkollës “, thotë Topalli. “Të mirat e studimit në një shkollë shumëetnike janë socializimi në një mjedis pozitiv në shkollë, njohja e kulturave dhe traditave të ndryshme. Mendoj se kjo ndihmon shumë për të kuptuar të kaluarën”.

Nxënësit nuk marrin ndonjë rrëfim të plotë, të përshtatshëm për moshën, të asaj që ka ndodhur në të kaluarën. Mirëpo sistemi nuk është përshtatur për të mundësuar të kuptuar të saktë të historisë, më kanë thënë shumë profesorë.

E kaluara e afërt ka qenë veçanërisht e vështirë për arsimin, pasi ka gabime diskriminuese në përmbajtje dhe librat shkollorë janë tërhequr. Megjithatë, rishikimi i përmbajtjes ende nuk është bërë. Nuk mund ta shpërfillim faktin se sistemi ynë i arsimit ka dështuar në ndërtimin e një shoqërie tolerante, prandaj dhe i duhet dhënë përparësi reformës së sistemit të arsimit. Vlerat dhe normat shoqërore mësohen që nga mosha e re dhe kjo gjë imponon nevojën për shkolla  më shumëetnike. Shumë nga profesorët me të cilët u takuam vunë në dukje nevojën për programe shumëetnike, që duhet të fillojnë të zbatohen jo vetëm në ciklin fillor, por edhe në shkollat e mesme.

Ajo çka mund të vërehet në sjelljen e studentëve nga shkollat ku mësohet në një gjuhë është mungesa e tolerancës. Njohja e gjuhëve forcon edhe më shumë marrëdhëniet miqësore ndërmjet fëmijëve që nga mosha e hershme. Po ashtu, sikurse kanë vënë në dukje shumë profesorë, fëmijët kanë dëshirë të mësojnë në diversitet dhe për diversitetin. Për ta plotësuar këtë dëshirë, shkollat shumëetnike që deri tani kanë qenë fare pak, duhet të zbatohen në më shumë institucione arsimore në mbarë vendin.

Kristina Atovska është gazetare nga Maqedonia. Ajo e nisi karrierën e saj menjëherë pas diplomimit. Ajo punon  për TV 24. Përveç çështjeve politike, ekonomike dhe të krizave, ajo raporton edhe për të drejtat e punëtorëve nga burimet prej sindikatave. Ajo mbron e paepur të drejtat e gazetarëve dhe lirinë e medias dhe e ka bërë këtë edhe para se të pushohej nga puna e saj e parë si gazetare pasi shkruajti një artikull ku kritikonte ashpër ish-Ministrin e Punëve të Brendshme.