David Tolbert: Aktgjykimet ndaj Sheshelit, Karaxhiqit dhe Gotovinës kanë qenë zhgënjyes

Burimi: recom.link

David Tolbert, foto Laura Barisonzi

Mendoj se puna e ICTY sjell një tablo të përzier. Është arritur mjaft dhe janë marrë vendime dhe aktgjykime shumë të rëndësishme, që do t’i rezistojnë provës së kohës dhe, shpresoj, do të sjellin ndryshimin për viktimat dhe ngjarjet historike në rajon dhe më tutje.

Është e vërtetë që duhet të marrim parasysh se kjo është një gjykatë e ligjit dhe nuk do të pajtohemi me secilin vendim. Mendoj se një sërë sferash të Tribunalit kanë bërë punë të mirë. Do të veçoja vendimet për genocidin në Srebrenicë dhe disa nga rregullat e paprecedenta lidhur me një sërë sferash të tjera, si në aspektin e procedurës penale, ashtu edhe në zhvillimin e ligjit penal ndërkombëtar material. Këto sjellin përfitime të mëdha si për viktimat dhe popujt në rajon, ashtu edhe ndihmojnë për të siguruar përgjegjësinë penale në kuptim më të gjerë – thotë David Tolbert për ‘Danas’. David Tolbert është Kryetari i Qendrës Ndërkombëtare për Drejtësi Tranzicionale (ICTJ) dhe ish-Zëvendësprokuror në Tribunalin e Hagës. Sikurse ka theksuar, në punën e Tribunalit të Hagës ka patur edhe disa zhgënjime shumë të thella, si aktgjykimi ankimor i Gotovinës, standardi i “drejtimit specifik” të Perishiqit (që tani duket se është zgjidhur në mënyrë më të kënqshme në vendim e mëvonshme), etj.

Pastaj sërish, puna e gjykatave në çdo vend të zhgënjen, bën gabime, madje lejon edhe padrejtësinë – vazhdon Tolbert.

Nga Jelena Dikoviq

Tani, Vojislav Sheshel është një njeri i lirë. Sipas mendimit tuaj, pse Tribunali i Hagës mori një vendim të tillë?

Për fat të mirë, në këtë rast do të ketë ankesë dhe një mundësi që Dhoma e Ankesës ta rishikojë vendimin e Tribunalit dhe ta hedhë poshtë. Për mua, aktgjykimi i Tribunalit nuk është bindës dhe pajtohem plotësisht me kundërshtimet në këtë rast. Do të doja të vë në dukje se ky është një rast ku shumica e akuzave të rënda janë mbështetur tek nxitja (për të kryer krimet për të cilat akuzohej) dhe këto lloj rastesh janë të vështira të dëshmohen. Megjithatë, ka patur dënime për nxitje për kryerjen e krimeve të rënda (genocid) në ICTR dhe duke marrë parasysh këta precedentë, vendimi i ICTY ka qenë thellësisht zhgënjyes. Është vërtetë një aktgjykim shumë i vështirë për t’u pranuar, sidomos nga viktimat, por mendoj se së pari duhet të shohim se çfarë vendimi do të marrë Dhoma e Apelit dhe t’i japim asaj mundësinë të merret me gabimet në aktgjykimin e Tribunalit, para se të japim mendimin final për punën e ICTY në këtë drejtim.

A është shpaguar drejtësia në rastin e Radovan Karaxhiqit, i cili së fundmi u dënua me 40 vjet burgim?

Sipas mendimit tim, rasti i Karaxhiqit ka qenë në përgjithësi, mjaft i fortë. Gjykata bëri punë të mirë me analizimin e fakteve dhe zbatimin e ligjit. Besoj se aktgjykimi do të ketë jetëgjatësi historike dhe shpresoj se do t’i japë formë versionit përfundimtar të atyre ngjarjeve të tmerrshme. Dy prej pjesëve në aktgjykim për mua ishin më pak bindëse. Së pari, duke u mbështetur tek të kuptuarit që kam për provat, mendoj se Tribunali do të kishte gjetur se ka patur genocid, të paktën në disa prej komunave, pasi provat për genocid ishin të fuqishme. Po ashtu, sipas mendimit tim, nëse ka patur ndonjëherë dënim të përjetshëm të merituar, ky do të kishte qenë rasti i Karaxhiqit. Nuk e kuptoj pse nuk u dha dënimi i përjetshëm, duke patur parasysh malin me prova që u sollën dhe sa të rënda ishin krimet. Pra, si shumë viktima dhe vëzhgues, unë u befasova që dënimi nuk ishte burgim i përjetshëm. Prandaj, nuk pajtohem aspak me këtë aspekt të vendimit të trupit gjykues.

Po pajtimi në rajon? A është i mundur, pas këtyre aktgjykimeve dhe kthimit të partive politike nga vitet 90-të?

Mendoj se pajtimi është proces afatgjatë dhe se faktori kryesor për të arritur pajtimin nuk do të vijë nga vendimet e gjykatës në Hagë. Disa nga gjetjet e aktgjykimit janë shumë të rëndësishme dhe shpresojmë se do të pranohen më gjerësisht me kalimin e kohës. Ajo që në fund të fundit ka më shumë rëndësi është se mohimi merr fund dhe se shtetet dhe udhëheqësit politikë marrin përgjegjësi për krimet që kanë kryer paraardhësit e tyre, që ata të kërkojnë falje dhe të paguajnë dëmshpërblimet. Në fund të fundit, njerëzit e mirë në secilin vend të rajonit duhet të ngrihen në këmbë për të vërtetën e asaj që ka ndodhur. Shkollat duhet të fillojnë të tregojnë të vërtetën për atë që ka ndodhur në rajon dhe jo të përhapin propagandë. Gjykatat ndërkombëtare mund të luajnë një rol duke ndihmuar me përcaktimin e gjendjes, mirëpo në fund të fundit mbetet në dorë të vetë shoqërive të shohin se çfarë kanë bërë dhe të marrin përgjegjësi. Pa ndodhur kjo, nuk mund të fillojmë të kemi pajtim. Kjo gjë kërkon kohë dhe lidership. Vili Brand ra në gjunjë para memorialit të viktimave të Getos së Varshavës. Ne kemi nevojë të shohim liderë që bëjnë të njëjtën gjë në memorialet e Srebrenicës. Mendoj se kemi nevojë të shohim një angazhim shumë aktiv të shoqërisë civile për t’i dhënë fund mohimit. Në këtë drejtim, aktgjykimet e ICTY mund të luajnë rol të rëndësishëm, mirëpo para së gjithash rajoni ka nevojë për Brandë dhe Mandelë që të bëjnë një hap para dhe të udhëheqin me të vërtetën e asaj që ka ndodhur. Vetëm atëherë mund të flasim për pajtim.

Cilat janë planet e ICTJ për të ardhmen?

Ne vazhdojmë të jemi shumë aktivë në ICTJ në shumë drejtime. ICTJ ofron këshilla dhe asistencë teknike për procesin e paqes në Kolumbi, që po i sjell shpresa një vendi me rëndësi, i cili ka përjetuar një konflikt të gjatë dhe të përgjakshëm. Po punojmë në Tunizi me Komisionin për të Vërtetën dhe Dinjitetin që po bën punë të paprecedentë si dhe me Dhomat për të Drejtat e Njeriut. Në Liqenet e Mëdhenj të Afrikës ne kemi mbledhur ministrat e drejtësisë dhe prokurorët e përgjithshëm të vendeve fqinje në rajon që të ndihmojnë për të siguruar llogaridhënien penale të kryerësve të krimeve të llahtarshme. Në Lindjen e Mesme po punojmë me grupe të shoqërisë civile për të kuptuar se cilët janë hapat që duhen ndërmarrë tani për të ndihmuar me trajtimin e krizës së dhimbshme të zhvendosjes (nuk kemi fjalë për ta përshkruar këtë) që prek jo vetëm këtë rajon, por edhe pjesë të Afrikës dhe të Azisë.

Sapo jam kthyer nga diskutime me zyrtarë të lartë të Unionit Afrikan lidhur me kornizën e drejtësisë tranzicionale të UA-së dhe bashkë me Kofi Ananin kemi lansuar raportin e përbashkët të ICTJ dhe të Kofi Ananit mbi Komisionet e të Vërtetës dhe Proceset e Paqes, që mendojmë se do t’u ndihmojë shumë negociatorëve të paqes.

Për ta përfunduar: ajo që më mungon më së shumti nga ditët e mia në ICTY është angazhimi me njerëzit nga ish-Jugosllavia. Ndonjëherë, bisedat tona ishin me zë të lartë dhe ne nuk pajtoheshim, mirëpo më mungon të komunikoj me shumë nga miqtë e mi dhe partnerët me të cilët debatonim në të gjithë rajonin. Shpresoj të rikthehem së shpejti.

Publikuar në Danas, 06 maj 2016