Ballkani dhe kultura e kujtesës: vrasësit si qytetarë model

Burimi: slobodnaevropa.org

Mirsad Behram

Edhe më shumë se 20 vjet pas luftërave në ish-Jugosllavi, në shoqëritë e shteteve që kanë dalë nga shpërbërja e saj, kryesisht nuk ka kulturë të kujtesës, por ka kulturë të gënjeshtrave dhe mohimit, ashtu si thonë disa nga kritikët më të njohur të elitave politike nacionaliste nga Ballkani. Gjatë një mbledhjeje në Mostar u deklarua se të kujtuarit e asaj që ka ndodhur gjatë luftërave në të nëntëdhjetat u “filtrua”, viktimat ishin gjithnjë ‘ne’ dhe armiku ishin ”ata”, ashtu si thonë disa nga kritikët më të njohur të elitave politike nacionaliste nga Ballkani dhe që paralajmërojnë se po përballemi me rrezikun që t’u lëmë pas fëmijëve tanë një botë me vrasës që do të bëhen qytetarë model.

Drejtori i njohur i filmit dhe teatrit nga Sarajeva, Dino Mustafiq, beson se vetë  termi “kulturë e kujtesës” nënkupton zhvillimin e një kulture të dhembshurisë. Mirëpo shoqëritë e rajonit janë shumë larg saj.

“Për fat të keq, më duhet të them se jetojmë në një shoqëri ku kujtesa është shumë e filtruar; ajo kalon përmes një diskursi socio-politik dhe ne kryesisht i kujtojmë ato data, ngjarje apo fakte që e bëjnë popullin ‘tonë’ viktimë dhe refuzojmë të kujtojmë apo të përkujtojmë ato data, vite dhe fakte ku disa grupe të caktuara përjetuan rënien e moralit të qytetërimit”, thotë Mustafiq.

Oliver Fërljiq, drejtor i njohur i teatrit, na përkujton se në Kroaci u miratuan dokumenta të ndryshëm me qëllim që shoqëria të detyrohej të fshinte disa çështje nga kujtesa e saj.

“Në këtë drejtim, unë shpeshherë i referohem Deklaratës së Luftës së Pavarësisë, që deklaron se lufta e udhëhequr nga Kroacia ishte ekskluzivisht luftë mbrojtëse. Banorët e Mostarit me siguri e dinë këtë më mirë se deri në ç’shkallë ajo ishte luftë mbrojtëse, çfarë bënte një shtet në territorin e një shteti tjetër, duke shkatërruar monumentet e tij të kulturës dhe duke hapur kampe përqendrimi në fund të shekullit të 20-të”, thotë Fërljiq.

Drejtorët thonë se me art mund të bëhet shumë, mirëpo punët që kanë të bëjnë me temën e ballafaqimit me të kaluarën nuk mirëpriten çdo herë me duartrokitje. Oliver Fërljiq jep edhe një shembull kur ai po bënte një shfaqje për Srebrenicën në Suboticë. “Në atë çast m’u duk se ishte mënyra e duhur për shoqërinë serbe të përballej me përgjegjësinë për atë tragjedi. Ajo shkaktoi edhe një sërë reagimesh. Unë akuzohesha vazhdimisht se shfaqjet e mia ishin si pamflete”, thotë Fërljiq.

Kriminelët e luftës  – “yje” dhe “qytetarë model”

“Dua të them, për çfarë kulture të kujtesës flasim kur kriminelë lufte të dënuar janë bërë sërish yje të televizionit? Ata janë në TV gjithë kohën, botojnë librat e tyre, i promovojnë këto libra, komentojnë për ngjarje politike dhe sociale, komentojnë për vendimet e Tribunalit të Hagës. Kjo nuk ndodh në asnjë vend tjetër. Është çmenduri. Kjo nuk ekziston askund tjetër”, thekson drejtori Dino Mustafiq, ndërsa flet gjatë një takimi për kulturën e kujtesës në Mostar.

Shoqëritë e shteteve të ish-Jugosllavisë janë ndarë në ‘ne’ dhe ‘ata’, ndaj ndodh që kriminelët e luftës janë rehabilituar në vend se të pengohen që të mos kenë funksione të rëndësishme.

“Vesna Peshiq ka shkruar disa ditë më parë një tekst ku ajo deklaron se shumë kriminelë të luftës janë sërish në listat e zgjedhjeve lokale dhe në zgjedhjet e fundit në Serbi. Kjo ka ndodhur më parë, mirëpo pres se kjo do të ndodhë edhe në vendin tonë”, thotë Dino Mustafiq.

Ish-gazetari dhe redaktori i revistës politike “Dani” nga Sarajeva,  Senad Peqanin, thotë se në vend të kulturës së shumëetnicitetit ne kemi diktaturë të nacionalizmit dhe kjo është arsyeja pse shoqëritë nga ky rajon janë në një gjendje të tillë.

“Për fat të keq, po jetojmë në një kohë kur kultura e kujtesës është në kundërshtim të thellë me traditën e harresës, ku kultura e përgjegjësisë është në kundërshtim të thellë me rehatinë e papërgjegjësisë, ku kultura e antifashizmit është bërë temë e diskutimeve ideologjike të ngjashme me diskutimet që fokusohen tek çështja nëse dikush është i majtë apo i djathtë”, mendon Peqanin.

Kultura e kujtesës është e rëndësishme si katarsis, nëse ua duam të mirën fëmijëve tanë, thonë artistët dhe analistët dhe pyesin se a do të lëmë pas si trashëgimi për fëmijët tanë një botë ku vrasësit mund të bëhen qytetarë model.