Drejtësia tranzicionale dhe integrimi evropian

Evropa si komunitet i vlerave apo thjesht një bashkim ekonomik tjetër? Një Evropë së cilës i drejtohemi për përvoja të vlefshme dhe të rëndësishme për ndërtimin e një shoqërie më të mirë, apo bankomat që kujdeset për kërkesat afatshkurtra të votuesve? Këto pyetje nuk janë as të reja, as të panjohura, sidomos jo në Serbi. Ato janë ngritur që kur vendi nisi të mendojë për t’iu bashkuar komunitetit të popujve evropianë. Kjo ka qenë në vitin 1989, kur vetë qeveria e Ante Markoviqit shprehu dëshirën që Jugosllavia t’i bashkohej komunitetit ekonomik evropian, gjë që u konfirmua në janar 1990 në Asamblenë Federale. Ashtu si pjesa tjetër e përvojës jugosllave, së paku ajo pjesë që nuk u shenjua nga konfliktet ndërmjet popujve dhe republikave, edhe ky moment, që ishte shumë i rëndësishëm për historinë tonë, pothuajse është harruar. Kur na ra ndërmend sërish (asokohe veçse ishte bërë) Bashkimi Evropian, kishte kaluar një dekadë dhe ishte pikërisht ajo dekadë që përkufizoi marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe BE-së, në një mënyrë drastikisht të ndryshme.

Pas luftërave në Jugosllavi, çështjet që kishin të bënin me vlerat evropiane dhe me thelbin e Bashkimit Evropian u paraqitën me një ton edhe më të mprehtë. Asokohe, Evropa digjej nga argumentat dramatikë rreth kujtesës historike: çfarë mbanim mend, çfarë kishim harruar dhe pse; cilët ishin themelet e shoqërisë që po ndërtonim; a ishin tejngopur me përvojën e Holokaustit dhe bashkëpunimin e vullnetshëm me regjimin e Hitlerit, apo me rezistencën kundër tij, që shpesh vinte nga qarqe të përjashtuara, të majta dhe komuniste? Në radhët e të ashtuquajturve anëtarë më të vjetër, ky diskutim nuk varej shumë nga BE-ja, sepse nuk kishte se si diçka e tillë t’u imponohej anëtarëve. Mirëpo ishte ndryshe për ato vende që u bënë anëtare pas vitit 2000. Ekzistonte një mjet i fuqishëm në formën e procesit të paraanëtarësimit që ishte përdorur për t’i detyruar vende që jo vetëm të parandalonin abuzimin e konkurrencës apo prurjen e instrumentave të reja kapitale në treg, por edhe të punonin me themelet e vetë vlerave të tyre. Historia se si vendet e Evropës qendrore dhe lindore kaluan nëpër këtë proces është e veçantë dhe disi e trishtë. Atyre ua lejuan që jo vetëm ta pastronin të kaluarën, duke fshirë njollat e errëta të bashkëpunimit me fashistët, por edhe të fshinin të tërë periudhën e sundimin komunist, duke ia atribuar atë tankeve të famshme ruse dhe pushtimit të supozuar. Mirëpo, për shtetet e ish-Jugosllavisë u zbatuan rregulla të tjera, për shkak të luftërave që ishin zhvilluar këtu. U ngrit çështja e ballafaqimit me një të kaluar të vështirë dhe të rëndë dhe e implementimit të masave për drejtësi tranzicionale në mënyrë që së paku të fillonte zgjidhja e problemit.

Aktivistët e shoqërisë civile, sidomos aktivistët për paqe, kanë parë në procesin e integrimit në BE një mundësi për një aleat serioz në organizimin e shoqërive të tyre. Një aleat, që ka ndikim të pamohueshëm mbi politikat e të gjitha shoqërive të ish-Jugosllavisë. Logjika prapa këtij të menduari ishte e thjeshtë. Nëse BE-ja donte t’i ndihmonte vendet kandidate, t’i bënte ato të pranonin disa norma bazë të civilizimit (për shembull, të dënonte krimet dhe t’u jepte viktimave të drejtën për drejtësi, të vërtetë dhe reparacione), atëherë do të ishte e mjaftueshme që ato rregulla të bëheshin pjesë e detyrimeve që vendet duhej të përmbushnin për t’u bërë anëtarë. I gjithë procesi nisi në atë drejtim, mirëpo u pasua nga probleme të shumta, nga lëshime pe dhe nga një proces i dhimbshëm “tërhiq e mos këput” ndërmjet shteteve të BE-së dhe jugosllave, sidomos lidhur me bashkëpunimin me Tribunalin e Hagës. Megjithatë, gjërat ishin nisur në një drejtim deri diku të mirë. Pika serioze e kthesës ndodhi me krizën e madhe ekonomike të vitit 2009, që u shndërrua në krizë politike dhe krizë të legjitimitetit të BE-së. Ajo tronditi themelet e komunitetit. U ngritën pyetje për kuptimin dhe nevojën për angazhim të mëtejshëm, për sigurinë dhe migrimin, për mbrojtjen e interesave kombëtare në vend të atyre më universale. Po ashtu ajo ndikoi në proceset e ballafaqimit me të kaluarën. Përballë kësaj krize madhore, konflikteve brenda shteteve anëtare, Brexit-it, mbylljes së kufijve për emigrantët, fuqizimin e prirjeve autoritariane të shteteve anëtare, BE-ja e ka lënë anash çështjen e drejtësisë tranzicionale. Serbia ka mbetur në grupin e fundit të vendeve, ai grup që tani po ngre dyshime serioze nëse do hyjë ndonjëherë në BE. Po ashtu kjo ka ndikuar edhe tek fuqia e atij që dikur ishte mekanizëm shumë i fuqishëm për të ushtruar presion mbi vendet kandidate. Kur risjellim në mendje sa e rëndësishme dhe aktuale ka qenë gjatë viteve 2000 çështja e bashkëpunimit me Tribunalin e Hagës (madje më e rëndësishme edhe se Kosova), situata aktuale ku mezi përmendet që Serbia duhet të ekstradojë Vjerica Radetan dhe Petar Jojiqin në Hagë, kjo të duket si fantashkencë. Detyrimet ndaj viktimave, përfshirë dhe çështje shumë të ndjeshme si fatet e personave të zhdukur pothuajse janë fshirë nga agjenda e zyrtarëve evropianë. Disa prej detyrimeve ende përmenden me modesti në raportet e rregullta vjetora për progresin e Serbisë, mirëpo askush nuk u kushton më vëmendje.

Kjo situatë ku në thelb po humbet një aleat i rëndësishëm duhet ta detyrojë shoqërinë civile në Serbi që të ndryshojë taktikën e vet. Qëllimet që ende janë të rëndësishme nuk mund dhe nuk duhet të ndryshojnë, mirëpo metodat e punës nuk mund të mbeten më të njëjtat. Nga ana tjetër, shoqëria civile në Serbi mund ta ndihmojë të gjithë kontinentin që të zgjidhë çështjet e përmendura në hyrje të këtij artikulli. Sjellja e BE-së në këtë rast tregon se kriza e tij është më e thellë se sa duket në sipërfaqe. Masat e drejtësisë tranzicionale janë dizajnuar për t’ua rikthyer dinjitetin njerëzor atyre që u privuan prej tij me forcë, si rezultat i ideologjive dhe politikave të tmerrshme kundër grupeve të tëra të njerëzve, si dhe kundër shoqërisë moderne dhe të hapur si e tillë. Nëse BE-ja, projekti për paqen më i rëndësishëm dhe më i suksesshëm në botë, heq dorë nga themelet dhe vlerat mbi të cilat është ndërtuar, atëherë e ardhmja e tij është në pikëpyetje dhe qëllimi i tij edhe më shumë. Nuk ka asnjë bashkim, për të cilin ka nevojë ky kontinent, pa zotim ndaj viktimave të veta, pa luftë kundër pandëshkueshmërisë dhe pa vlera të tilla si drejtësia dhe e vërteta që vendosen në piedestalin më të lartë. Prandaj Serbia sot mund të jetë vend model për të ardhmen e BE-së. Duke këmbëngulur në vlerat e drejtësisë tranzicionale, Evropa do ta ndihmonte Serbinë, por edhe veten. Shoqëria civile në Serbi e ka mundësinë që t’i ndihmojë dhe inkurajojë kolegët në të gjithë kontinentin të luftojnë së bashkë për atë Evropë që ëndërruan themeluesit e vet pas ferrit të Luftës së Dytë Botërore.

Dragan Popoviq ka përvojë të gjatë si aktivist për të drejtat e njeriut dhe ballafaqimin me të kaluarën. Ai ka punuar për një sërë organizatash të shoqërisë civile në Serbi dhe në Ballkanin Perëndimor. Ai ka përfunduar studimet në nivelin BA dhe MA pranë Fakultetit Juridik në Beograd dhe aktualisht po ndjek studimet për doktoraturë në histori pranë Fakultetit të Filozofisë në Beograd. Ai është autor i shumë librave, studimeve dhe raporteve për drejtësinë tranzicionale, të drejtat e njeriut dhe të minoriteteve, sundimin e ligjit dhe shoqërinë civile.