Rreth pretendimeve bullgare për identitetin etnik dhe gjuhën maqedonase

Dr. Ognen Vangelov

Asistent Profesor

UACS, Shkup, Maqedonia e Veriut

Ky tekst është një përmbledhje e shkurtër e pretendimeve të Bullgarisë për identitetin etno-gjuhësor maqedonas (d.m.th., për origjinën e popullit dhe gjuhës maqedonase). Konflikti për identitetin etno-gjuhësor të popullit maqedonas që jeton në rajonin më të gjerë të Maqedonisë (në Maqedoninë e Veriut të sotme dhe në pjesë të Bullgarisë e Greqisë) së pari është shfaqur, në BE dhe më përgjithësisht edhe në çështjet ndërkombëtare, për shkak të vetos së dyfishtë që Bullgaria vendosi rishtazi për fillimin e bisedimeve për hyrjen e Maqedonisë së Veriut në BE.[i] Edhe pse duket se ky episod u shfaq papritmas, në të vërtetë konflikti rreth origjinës së popullit dhe gjuhës maqedonase zhvillohet prej kohësh, duke cenuar e hedhur hije mbi marrëdhëniet ndërmjet shteteve dhe popujve në Ballkanin perëndimor gjatë pjesës më të madhe të shekullit të 20-të dhe vazhdon edhe në shekullin e 21-të.

Si u ndërkombëtarizua çështja dypalëshe

Çështja mori emër jashtë fushëveprimit dypalësh maqedonas-bullgar kur u bë e qartë në vitet 2019-2020 se BE-ja do të rekomandonte fillimin e bisedimeve për hyrje të Maqedonisë së Veriut në BE. Më herët, në gusht 2017, të dy vendet kishin nënshkruar Traktatin dypalësh të Miqësisë, sipas të cilit, të dy vendet do të themelonin një komitet ndërdisiplinor për çështje historike dhe arsimore “për t’i kontribuuar interpretimit objektiv dhe shkencor të ngjarjeve historike në bazë të burimeve autentike dhe të mbështetura në prova historike”[ii]. Komiteti, që përbëhej nga shtatë ekspertë nga secila palë, u krijua menjëherë pas nënshkrimit të Traktatit dhe që nga ajo kohë është takuar nga katër deri në gjashtë herë në vit. Mirëpo, në tre vitet e fundit ka qenë e pamundur të gjendet terrern i përbashkët për interpretimet historike të ngjarjeve dhe personaliteteve nga historitë e të dy kombeve. Bullgaria e ka përdorur këtë ngërç të Komitetit si bazë për shfrytëzimin më pas të vetos në Këshillin Evropian për fillimin e negociatave të Maqedonisë së Veriut për hyrje në BE. Me fjalë të tjera, Bullgaria e ka racionalizuar shfrytëzimin e vetos nga ana e saj mbi bazën e pohimeve për mosrespektim nga ana e Maqedonisë së Veriut të Traktatit të Miqësisë për shkak të mungesës së rezultateve nga komiteti ndërdisiplinor.[iii]

Mirëpo, duket se që nga viti 2018, qëndrimi zyrtar i Bullgarisë ndaj Maqedonisë së Veriut është radikalizuar, pra pasi Maqedonia e Veriut dhe Greqia nënshkruan Marrëveshjen e Prespës në kuadër të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, që i dha zgjidhje mosmarrëveshjes prej tri dekadash të nxitur nga Greqia në vitin 1991. Marrëveshja e njihte ekzistencën e gjuhës maqedonase dhe të drejtën e popullit të Maqedonisë së Veriut për ta quajtur veten maqedonas, përfshirë dhe veçantësinë e tyre kulturore, historike dhe gjuhësore.[iv] Ky zhvillim duket ta ketë irrituar Sofien, pasi nuk përputhet me pretendimet e saj se populli dhe gjuha maqedonase në të vërtetë rrjedhin nga materiali etnik bullgar. Në tetor 2019, Bullgaria miratoi pothuajse unanimisht një deklaratë parlamentare rreth qëndrimit të saj mbi çështjen e zgjerimit të BE-së dhe identitetit maqedonas. Ndër të tjera në këtë deklaratë Bullgaria pohonte se e kundërshtonte kategorikisht “legjitimimin eventual nga Evropa të ideologjisë së të kaluarës me karakter antibullgar” dhe “rishkrimin dhe përvetësimin e historisë së pjesës së popullit bullgar pas vitit 1944, që është shtylla e strukturës ideologjike antibullgare të totalitarizmit jugosllav”[v]. Deklarata gjithashtu kërkon që Maqedonia e Veriut të heqë dorë nga çdo ide për minoritet etnik maqedonas në territorin e Bullgarisë.[vi]

Edhe pse deklarata nuk e shpjegon se çfarë nënkupton me “strukturën ideologjikë antibullgare”, shpjegimi gjendet në të ashtuquajturën “Pozicion-kornizë për zgjerimin e BE-së dhe procesi i asociim-stabilizimit: Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipëria” të nxjerrë nga qeveria e Bullgarisë ditën para miratimit të deklaratës parlamentare. Kjo pozicion-kornizë përmban një listë të gjatë me kërkesa për Maqedoninë e Veriut që t’i përmbushë nëse dëshiron të marrë miratimin e Bullgarisë për negociatat e BE-në. Në mesin e shumë pohimeve, aty kërkohet që Maqedonia e Veriut të largojë çdo pllakë përkujtimore për ngjarjet nga Lufta e Dytë Botërore që përmbajnë frazën “pushtuesi fashist bullgar”; që dokumentat e BE-së të përdorin frazën “gjuha zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut” (në vend të maqedonishtes) dhe nëse rastësisht përdoret termi “maqedonisht”, duhet të sqarohet se “norma gjuhësore në Republikën e Maqedonisë së Veriut lidhet me evoluimin e bullgarishtes dhe të dialekteve të saj në republikën jugosllave pas kodifikimit të tyre në vitin 1944”. Për më tepër, i ashtuquajturi “memorandum shpjegues” që Sofia ua dërgoi të gjitha shteteve anëtare të BE-së, deklaron se “pas Luftës së Dytë Botërore, shumica dërrmuese e popullsisë sllave të [Maqedonisë së Veriut të sotme] qartazi vetëidentifikohej si bullgare” dhe se “Beogradi u përpoq ta zhdukte identitetin bullgar të kësaj popullsie”[vii]. Më pas vijon duke pohuar se “gjuha ose etnia maqedonas nuk kanë ekzistuar deri më 02.08.1944”[viii].

Cilat janë arsyetimet për pozicionin e Bullgarisë?

Elitat politike dhe akademike kryesore të Bullgarisë shpeshherë pretendojnë se vetë popullsia në Maqedoninë e Veriut është vetëidentifikuar si bullgare në shekujt e 19-të dhe të 20-të, deri në Luftën e Dytë Botërore kur mori formë identiteti i ri në bazë të shtypjes dhe frikësimit nga komunistët. Në fakt, është shumë problematike, më së paku, të flitet për një identitet të qartë etno-kombëtar bullgar dhe për vetëidentifikim në shekullin e 19-të, qoftë në vetë Bullgarinë e sotme, apo në Maqedoni. Termi “bullgar” ishte përdorur historikisht (dhe duhet të theksohet se ky term nuk është përdorur ekskluzivisht, por herë pas here) për të treguar popullsi të ndryshme sllavofolëse gjatë periudhës osmane. Mirëpo kur vjen puna tek vetëidentifikimi i këtyre popullsive, ka pak, ose aspak, prova për të pretenduar se këto popullsi kishin shprehur bashkërisht identitet etnik bullgar. Procesi i kombndërtimit në Bullgari ndodhi në të vërtetë pas krijimit të Principatës Bullgare në vitin 1878 dhe të institucioneve të veta shtetërore, përfshirë edhe përhapjen e arsimit universitar, rekrutimit në ushtri dhe të praktikave të tjera shtetndërtuese. Menjëherë para krijimit të Principatës u krijua Ekzarkati Bullgar, që gjithashtu siguroi mënyrën për krijimin e vetëdijes bullgare. Sikurse shpjegon historiani belg Raymond Detrez (2020), përftimi i vetëdijes kombëtare nuk është dukuri e masave, por zhvillim psikologjik individual që rezulton nga socializimi, i cili imponohet nga mjete të ndryshme arsimore, administrative dhe shtypëse. Kështu, ai pohon se “në Perandorinë Osmane të shekullit të 19-të… masa të tilla kombëtarizuese… mungonin; po ashtu, konkurronin një shumëllojshmëri besnikërish ndaj ideologjive kombëtare dhe të tjera të ndryshme (rajonale, profesionale, shoqërore dhe kulturore)”[ix]. Ndryshe nga pretendimet e ligjërimit zyrtar bullgar se identiteti maqedonas u shfaq pas Luftës së Dytë Botërore, Detrez pretendon se në gjysmën e dytë të shekullit të 19-të ndodhën “treguesit e parë bindës të shfaqjes së ideologjisë kombëtare maqedonase, që historiografia bullgare i kapërcen në heshtje”[x]. Kësaj i bëjnë jehonë edhe historianë të tjerë jashtë Bullgarisë. Për shembull, Katrin Bozeva-Abazi shkruan se njerëzit në Bullgari nisën të identifikohen me kombin bullgar pasi ishte një proces i nxitur dhe i kompletuar nga shteti bullgar. Ishte shteti ai që “përshpejtoi shfaqjen e një identiteti të përbashkët kombëtar jo e anasjellta…” dhe ishin “… elitat politike bullgare të fundit të shekullit të nëntëmbëdhjetë që ‘rindërtuan’ periudhën e zgjimit kombëtar”[xi]. Për më tepër, edhe pas krijimit të shtetit bullgar në vitin 1878, thotë Abazi “besnikëria kombëtare vazhdoi të mbetet një nocion i turbullt, madje dhe i çuditshëm për shumicën e… fshatarëve bullgarë”[xii].

            Si përmbledhje, instrumentalizimi që po u bëhet rishtazi pretendimeve bullgare për identitetin etno-gjuhësor maqedonas (nëpërmjet abuzimit të së drejtës për t’i vënë veto fillimit të bisedimeve të Maqedonisë së Veriut për hyrje në BE) mbështeten tek politikat afatgjata bullgare që janë hartuar për të mohuar ekzistencën e identitetit të veçantë etnik dhe gjuhësor maqedonas. Këto politika kanë qenë konsistente së paku që nga vitet 1960-të[xiii] dhe janë rrënjosur në qëndrimet e Bullgarisë që kanë të bëjnë me “çështjen maqedonase”. Motivet prapa këtyre politikave janë komplekse. Nga njëra anë, ato gjenden në vizionin e mitologjizuar të identitetit etnik njëmijëvjeçar bullgar që është ndarë me forcë dhe dhunë nëpërmjet ndërhyrjes së komunistëve dhe personalisht të udhëheqësit jugosllav Josip Broz-Tito. Nga ana tjetër, këto pretendime janë pjesë përbërëse e proceseve kombndërtuese bullgare që nga fundi i shekullit të 19-të dhe kanë vazhduar edhe përmes përpjekjeve të ndërgjegjshme dhe trashëgimive dhe inercisë historiografike. Objektivi në themel të këtij mohimi sot duket të jetë “rikrijimi” i identifikimit etnik maqedonas në “veten e vërtetë bullgare” nëpërmjet procesit të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE dhe duke imponuar kurrikula arsimore në Maqedoninë e Veriut në bazë të këtij vizioni të mitologjizuar bullgar të historisë etnike njëmijëvjeçare bullgare. Interpretime të tilla historike jo vetëm janë të papranueshme, por janë edhe të paqëndrueshme nga perspektiva politike dhe historike.

Ognen ka diplomuar në Fakultetin Filologjik në Universitetin Sh. Kirili dhe Metodi në Shkup kurse matesterin e ka perfunduar në Universitetin e Denverit si anëtar i Ron Brown i Qeverisë së SHBA-së. Ognen ka doktoruar në Universitetin Queens në Kanada si anëtar i Qeverisë Kanadeze nën Bursën e Ontario Trillium dhe Bursën e Diplomuar të Canada Vanier.


[i] Gotev, Georgi dhe Željko Trkanjec, “Bulgaria Maintains its North Macedonia veto,” Euractiv, 23 qershor 2021, lexuar në https://www.euractiv.com/section/politics/short_news/bulgaria-maintains-its-north-macedonia-veto/

[ii] Kombet e Bashkuara, “Treaty of Friendship, Good-neighbourliness and Cooperation between the Republic of

Bulgaria and the Republic of Macedonia,” Shkup, 1 gusht 2017, Neni 8, f. 16, lexuar në https://treaties.un.org/doc/Publication/UNTS/No%20Volume/55013/Part/I-55013-08000002804f5d3c.pdf

[iii] Radio Evropa e Lirw, “Bulgaria Blocks Start of North Macedonia’s EU Accession Talks,” 17 nëntor 2020, lexuar në https://www.rferl.org/a/bulgaria-blocks-start-of-north-macedonia-s-eu-accession-talks/30955279.html

[iv] Kjo parashihet nën Nenet 1 dhe 7 të Marrëveshjes.

[v] Kuvendi Kombëtar i Republikës së Bullgarisë, “Декларация на Четиридесет и четвъртото Народно събрание на Република България във връзка с разширяването на Европейския съюз и Процеса на стабилизиране и асоцииране на Република Северна Македония и Република Албания”, 10 tetor 2019, [Deklarata e Kuvendit Dyzetekatër të Republikës së Bullgarisë lidhur me Zgjerimin e BE-së dhe Procesin e Stabilizim-Asociimit të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe të Shqipërisë] lexuar në https://parliament.bg/en/declaration/ID/157188

[vi] Ibid.

[vii] Ibid.

[viii] Ibid.

[ix] Detrez, Raymond, “About Two Scholarly Investigations and a Bulgarian Author,” Dzialo-e spisanie v oblastta na humanitaristikata Nr. 16 2020, lexuar në http://www.abcdar.com/magazine/XVI/44_Raymond%20Detrez.pdf

[x] Bozeva-Abazi, Katrin, “The shaping of Bulgarian and Serbian national identities, 1800s-1900s” tezw, McGill University 2003, f. 48 lexuar në: https://escholarship.mcgill.ca/concern/theses/qn59q634g

[xi] Ibid., f. 80

[xii] Ibid., f. 123

[xiii] Marinov, Tchavdar, Македонското прашање од 1944 до денес: комунизмот и национализмот на Балканот [Çështja maqedonase nga 1944 deri sot: komunizmi dhe nacionalizmi në Ballkan], Fondacioni Soros Shoqëria e Hapur – Shkup 2020, f. 44-60.