Fjalimi i Presidentit të ardhshëm të Serbisë në Srebrenicë me 11 korrik

Burimi: hld-rdc.org

Fjalimi i një Presidenti të ardhshëm të Serbisë në një nga ngjarjet e ardhshme të organizuara në Potoçari për të shënuar përvjetorin e gjenocidit të Srebrenicës.

Të dashur qytetarë të Srebrenicës dhe të Bosnie e Hercegovinës dhe të dashura Nëna të Srebrenicës,

Kanë kaluar shumë vite që të vazhdojmë të heshtim. Shumë fakte janë vërtetuar dhe nuk mund t’i mohojmë. Janë derdhur shumë lotë për të bërë sikur nuk e kemi vërejtur dhimbjen e nënave, motrave, bijave, baballarëve, vëllezërve dhe bijve që kanë humbur anëtarët e familjeve të ngushta në Podrinje në korrik 1995 pas rënies së Srebrenicës.

Sot kam ardhur këtu për t’ju siguruar se kemi hequr dorë nga mohimi i asaj që ka ndodhur në atë kohë. Kam ardhur këtu për të marrë përgjegjësi si Presidenti i Serbisë në emër të paraardhësve të mi nga strukturat qeveritare në Serbi dhe të aleatëve të tyre që udhëhoqën popullin serb në Bosnie e Hercegovinë gjatë dhe pas luftës. Qëndroj para jush si një qenie njerëzore e përulur dhe ndërshmërisht ju kërkoj falje për tmerret që janë kryer prej atyre që i planifikuan, organizuan dhe kryen krimet, mirëpo edhe në emër të atyre që i fshehën, mohuan e madje miratuan ato krime.


Çka dimë sot, pa asnjë dyshim dhe më e rëndësishmja, çfarë pranojmë lidhur me ngjarjet e korrikut 1995? Ne dimë se ushtria e Ratko Mlladiqit hyri në Srebrenicë, dimë se burrat që gjetën strehë këtu në Potoçari u ndanë nga gratë dhe fëmijët dhe dimë dhe pranojmë se shumica e tyre janë transferuar në Bratunac dhe pastaj në Zvornik, edhe pse disa prej tyre ishin vrarë. Ne e dimë se gjatë ditëve në fjalë nuk ka patur diskutime a të vriten apo jo, por vetëm se ku të vriten dhe të mbahen djemtë dhe burrat dhe e dimë se tetë mijë syresh janë ekzekutuar me gjakftohtësi përgjatë një periudhe prej vetëm disa ditësh në një fabrikë vrasjesh të organizuar në mënyrë të përsosur. Ne e dimë dhe e pranojmë se asnjë djalë, i ri apo i rritur nuk ka shpëtuar. Asnjë! Trupat e tyre u dogjën menjëherë. Gjithçka ishte përgatitur më herët për varrim. Në të njëjtën kohë, të gjithë civilët e tjerë u dëbuan me forcë. Vetëm pak ditë pasi ushtria e Mlladiqit hyri në Srebrenicë, aty nuk mbeti më asnjë boshnjak. Këtë e dimë dhe e pranojmë.

Të gjitha këto fakte janë vërtetuar falë hetimit penal, dëshmive të paraqitura në gjykatë dhe konkluzioneve të paneleve gjyqësore. Dy gjykata ndërkombëtare i kanë quajtur këto ngjarje në dhe rreth Srebrenicës në korrik 1995 si gjenocid. Ne nuk kemi të drejtë ta ndryshojmë këtë apo t’i japim emër tjetër. Ndryshe nga paraardhësit e mi që kanë udhëhequr Republikën e Serbisë, unë dua të deklaroj me zë të lartë se qeveria dhe qytetarët që unë përfaqësoj i pranojnë gjetjet e këtyre gjykatave. Në emër të tyre deklaroj sot – Po, në korrik 1995 në Srebrenicë ka patur gjenocid.

Kjo nuk do të thotë se populli serb është popull që kryen gjenocide, ashtu si përpiqen ta paraqesin revizionistët. Përkundrazi! Pranimi i përgjegjësisë për krimet e kryera nga paraardhësit tanë do të heqë stigmën e popullit serb si popull kriminelësh. Ata që kanë kryer gjenocidin janë të tillë, por jo bashkëqytetarët e tyre. Ata që ende mbështesin individët të cilët kanë kryer gjenocid janë kryerës të gjenocidit. Ju siguroj se do të ndërmarrim të gjitha masat e nevojshme për të patur sa më pak njerëz të tillë që është e mundur në Serbi dhe në kombin serb.

Faktet për Srebrenicën dhe luftën në Bosnie e Hercegovinë nuk do të shpërfillen në tekstet shkollore, në dokumentat publikë apo veprimet e zyrtarëve shtetërorë të Serbisë. Këto sjellje nuk do të ndodhin askund nën kontrollin e qeverisë së Serbisë. Ne do t’i informojmë ata që ende nuk e dinë, do t’i bindim ata që nuk e pranojnë dhe do t’i heshtim ata që miratojnë gjenocidin e Srebrenicës. Studentët në Serbi, kur të mbarojnë shkollën e mesme, do të kenë të njohur secilën hollësi të gjenocidit të Srebrenicës – nga librat shkollorë, mësuesit e tyre dhe nga ekskursionet e shkollave tek Qendra Memoriale ku jemi sot.

Nxënësit tanë duhet ta dinë se Srebrenica nuk ishte aksident, por ishte rezultat dhe i vetmi rezultat i politikës së përgjithshme të luftës së Serbisë dhe të Republikës Srpska në periudhën 1992-1995 në Bosnie e Hercegovinë. Serbët nuk donin vetëm Srebrenicën dhe Srebrenica nuk ishte i vetmi vend ku ata kryen krime. Objektivi ishte që ata të merrnin të gjithë rajonin e Podrinjes dhe Bosanska Krajinës, për të ndarë Sarajevën, të vendosnin kufirin e shtetit imagjinar serb në lumenjtë Una dhe Neretva dhe të fshinin atë që ekzistonte në Lumin Drina. Ajo që e bën më të keqe gjendjen është fakti se objektivi ishte të krijohej një shtet imagjinar serb i pastër etnikisht në Bosnie e Hercegovinë, që serbët të kontrollonin këtë shtet dhe aty të jetonin vetëm serbë. Të gjithë ata që i dolën përpara këtij plani u vranë, u burgosën, u përdhunuan apo u përndoqën në forma të tjera. Në fund, objektiva e tye ishte që një ditë, ky shtet të përfshihej në Serbinë e Madhe.

Sot dua t’ju siguroj se unë do të bëj gjithçka që mundem për të zhdukur edhe ëndrrën më të vogël të një Serbie të Madhe në vendin ku unë jam udhëheqës, sepse çdo ëndërr e kësaj natyre të çon drejt krimeve dhe spastrimit etnik. Kjo është arsyeja pse po u dërgoj mesazh bashkëqytetarëve të mi në Republikën Srpska: e vetmja rrugë drejt bashkëpunimit të vërtetë të çon tek ndërtimi i një shteti të bashkuar shumëkombësh të Bosnie e Hercegovinës, të mbështetur tek sundimi i ligjit.

Po, është e vërtetë se në Podrinje dhe në mbarë Bosnie e Hercegovinën janë vrarë dhe serbë. Gjatë luftës janë vrarë dhe civilë serbë nëpër fshatra. Ne duhet të flasim për vuajtjet e tyre dhe për vuajtjet e kroatëve, ne duhet të bëjmë më të mirën për të qartësuar fatet e tyre, për të identifikuar dhe dënuar kryerësit. Por krimet e kryera kundër serbëve në Bosnie e Hercegovinë nuk mund dhe nuk duhet të jenë arsyetim për fushatë të dhunës kundër jo-serbëve.

Duke patur këtë parasysh, nuk dua të jem i paqartë rreth rolit të Serbisë në gjenocidin e Srebrenicës dhe luftën në Bosnie e Hercegovinë. Roli i saj ishte i turpshëm dhe përgjegjësia e stërmadhe. Lufta u inicua dhe u udhëhoq nga Beogradi, armët dhe municioni që u përdorën për të vrarë viktima në Srebrenicë dhe nga vende të tjera erdhën nga Serbia, rrogat që iu dhanë atyre që planifikuan, organizuan dhe kryen gjenocidin në Srebrenicë dhe krime të tjera të kryera kundër popullsive jo serbe përgjatë të gjithë luftës në Bosnie e Herzegovinë erdhën nga Beogradi, trupat tona erdhën për të ndihmuar, ato morën pjesë në kryerjen e krimeve në shumë qyteza dhe fshatra të Bosnie e Hercegovinës dhe madje edhe në ekzekutimin e burrave të paraburgosur nga Srebrenica. Ne refuzojmë me përbuzje politika të tilla dhe jemi të vendosur t’i japim fund mbrojtjes dhe arsyetimit të paraardhësve tanë që kanë zbatuar politika të tilla.

Po ju shoh në sy dhe ju premtoj se autoritetet tona qeveritare do të bëjnë gjithçka për të ndjekur penalisht çdo individ në territorin e Serbisë që dyshohet se ka kryer krime të luftës, apo do t’i ekstradojmë në Bosnie e Hercegovinë. Serbia nuk do të jetë më strehë për ata që ia kanë përlyer emrin duke dëmtuar të tjerët.

Të dashur vëllezër boshnjakë, mos ëndërroni për hakmarrje. Qëndroj këtu para jush dhe ju lutem për falje. Ju lutem të pranoni kërkesën time për falje. Le ta ndalojmë njëherë e përgjithmonë këtë qark të poshtër të dhunës që ka shkaktuar kaq shumë dëme dhe dhimbje gjatë të gjithë historisë tonë dhe që e ka sjellë rajonin ku ne jetojmë në zgrip të mjerimit dhe dëshpërimit. Nuk kemi qenë në gjendje të lëvizim nga ky pozicion për vite të tëra. Kjo nuk ka ndodhur ngaqë jemi të paaftë, të paarsimuar apo përtacë, por kjo ka ndodhur sepse nuk jemi të bashkuar dhe jemi të ngarkuar nga mosmarrëveshje të pandërprera ndërmjet nesh. Ngaqë ende jetojmë me realitetin e kohës së luftës edhe kaq vjet pas përfundimit të saj. Një situatë e tillë është e paqëndrueshme dhe papërgjegjshmëria e zyrtarëve shtetërorë në rajon është e pafalshme. Unë kam vetëm një ëndërr. Ajo ëndërr është që të mbaj këtë fjalim, para jush sot, si hapi i parë drejt riparimit moral dhe të përgjithshëm dhe ripërtëritjes së marrëdhënieve tona. Prandaj ju lutem t’i pranoni fjalët e mia. Unë ju lus sot për këtë, për faljen tuaj. Pa pajtim, viktimat nuk do të pushojnë të qeta. As ne nuk do të jemi në gjendje të jetojmë në paqe pa pajtim.

Rroftë vëllazëria e boshnjakëve, kroatëvë, serbëve dhe popujve të tjërë të Bosnie e Hercegovinës! Rroftë Bosnia e Hercegovina të bashkuara dhe miqësia e tyre me shtetet fqinje!

Srebrenica të mos përsëritet kurrë dhe lufta ndërmjet popujve tanë të mos përsëritet kurrë. Le t’i japim fund njëherë e përgjithmonë të gjitha grindjeve dhe konflikteve ndërmjet kombeve tanë! Është detyrimi ynë ndaj viktimave të Srebrenicës dhe të gjitha viktimave të tjera që të sjellim paqen e përhershme, ashtu sikurse është dhe detyrimi ynë ndaj atyre që kanë lindur pas ngjarjeve në Srebrenicë, që jetojnë me ne dhe që do të vazhdojnë të jetojnë me njëri-tjetrin pasi ne të mos jemi më.
Autori ka qenë për një kohë të gjatë reporter për agjencinë e lajmeve Sense pranë Tribunalit Ndërkombëtar për Krimet në Ish-Jugosllavi në Hagë dhe sot është hulumtues pranë Qendrës për të Drejtën Humanitare.

Së pari është publikuar në 10 qershor 2016 në: www.pescanik.net.