Koncerti “Yutel për paqen”, Banja Lluka, 24 gusht 1991

Fotot: Arkiv privat (Sasha Obradoviq)

Arkiv privat (Nemanja Çordiq Çorda)

Maj 1988. Sheshi jashtë shtëpisë së mallrave “Boska”. Sheshi i emërtuar për Edvard Kardeljin, një nga politikanët më të rëndësishëm dhe më të njohur të epokës socialiste dhe bashkëpunëtor i afërt i Josip Broz Titos. Sipas përllogaritjeve të bëra në atë kohë nga media, rreth 40,000 banorë të Banja Llukës u mblodhën atje, duke pritur me padurim arritjen e KF “Borac”, fitues i Kupës Marshall Tito. “Borac” kishte fituar lojën finale kundër “Yllit të Kuq” të Beogradit. Dhe ata ishin atje, lojtarët dhe drejtuesit e “Borac”-it, me kupën e madhe të argjendit, duke dalë në ballkonin e rrokaqiellit brenda të cilit gjendej shitorja e kompanisë së Travnikut “Borac”. Të gjithë sheshin Edvard Kardelj e përshkoi kënga: “Tulipanët e bardhë lulëzojnë, Kupën e Marshallit fitojmë”.

Tre vite më vonë, në gusht 1991, sheshi ende emërtohet Edvard Kardelj. Dhjetëra mijëra njerëz në shesh (kështu thotë media). Në vend të lojtarëve të “Borac”-it, në ballkon gjenden rokerë, këngëtarë, aktorë, shkrimtarë dhe poetë. Nën organizimin e kanalit televiziv Yutel, pas një koncerti në Zetra të Sarajevës, koncerti “Yutel për paqe” vjen në Banja Lluka. Ngjarja mbështetet nga Shoqata e Grave të Kontesë së Banja Llukës dhe Këshilli i Përkohshëm i Qytetarëve të Banja Llukës. “Njerëz, ejani në këtë ngjarje për paqen, ta japim mesazhin së bashku: Lamtumirë armëve, le të sundojë arsyeja, le të sundojë paqja në çdo shtëpi”, shkruhej në banderolë. Nga kjo banderolë, që e ka ruajtur Sasha Obradoviqi, një muzikant nga Banja Lluka i cili na e dha foton për këtë artikull, është e qartë se koncerti i datës 24 gusht 1991 pati shumë akte hyrëse: një ekspozitë artistike, performanca nga shoqatat kulturoro-artistike, një procesion për paqen…

Kitaristi Sasha Obradoviq, i cili ka performuar me grupin “Los Chairos Lakers”, një lloj supergrupi i Banja Llukës (i krijuar nga pjesëtarët e grupit “Dinar”, që e kishte publikuar albumin e vet të parë “Kur dinari vjen në pushtet” gjashtë vjet më parë), risolli në kujtesë se në atë koncert pati aq shumë grupe që bënë muzikë, saqë koncerti nisi pasdite dhe zgjati deri natën vonë.

Muris Çengiq, gjithashtu një nga muzikantët performues, e sjell ndër mend atmosferën atë ditë në qytet: Gjithçka nisi me mbledhjen e nënshkrimeve nëpër qytete të ndryshme. Të gjithë ata që ishin kundër luftën u nënshkruan. Unë isha një prej atyre njerëzve që ecnin nëpër qytet për të mbledhur nënshkrime. Ia dolëm që për pak kohë të mblidhnim një numër shumë të madh. Të gjithë që ishin kundër luftës u nënshkruan: kroatët, serbët, boshnjakët. Absolutisht të gjithë. Më kujtohet vetëm një person që na tha ‘po çfarë nënshkrimi, shkoni blini armë’, por e morëm me shaka. Pastaj erdhi dita e ngjarjes që u mbajt sipër mbi “Borac” – koncerti “Yutel për paqe”. Unë luaja me grupin “OK Jack”, ku Samir Bashiq luante bas dhe vëllezërit Shahuriq luanin në kitarë dhe bateri. Unë këndoja. Para atij koncerti e kishim patur dhe një tjetër në “Sebastijan” (një sallë e famshme muzikore në Banja Lluka – autorët) me të njëjtën listë këngësh. Këngët “War” (Lufta)  dhe “Aquarius” të Xhejms Braunit nga shfaqja muzikore “Hair” (Flokët) e Millosh Formanit. Provat i bëmë në shtëpi, si gjithnjë, në heshtje. Përdorën instrumente akustike dhe Hepi ushtronte baterinë mbi jastëkë. Për shkak të shfytyrimit të tingujve apo të amplifikatorëve gabimet nuk mund t’i dëgjonim ose na iknin. Duke udhëtuar për në “Borac”, mendova për grupin The Beatles dhe paraqitjen e tyre në skenën mbi çati. Nisa të kem ankth, ndaj e pyeta Denisin nëse ishte i sigurtë se do të mund t’ia dilnim mbanë. Ai u kthye nga unë, i relaksuar, dhe më tha: “Do t’ia dal mbanë edhe sikur të jem vetëm me një kitarë, as do kem nevojë të luaj”. Kaq doja të dëgjoj. U ngjitëm atje plot vetëbesim. Qyteti ishte stërmbushur, një det njerëzor shpalosej para nesh. Ishte një pamje e mahnitshme. Dikush thirri emrin tim, apo ndoshta m’u duk ashtu? Luajtëm me qejf. Ishte përvoja më e mirë e jetës sime. Emir Tahiroviq, në atë kohë pjesëtar i grupit “Los Chairos Lakers”, po ashtu ka folur për atmosferën në koncert: Luajtëm dy këngë: “Jihav kozak” dhe “Marš svetaca”. E di që u mahnitëm nga masa e njerëzve që kishin ardhur për koncertin. Kurrë nuk kishim luajtur para një audience aq të madhe më parë. Kënga e parë ishte “Jihav kozak”. Tahir (Edin Tahiroviqi, Tahir Dinari, këngëtari kryesor i grupit “Dinar”) bëri punë të mirë me koreografinë. Nisëm të luajmë, unë këndova strofën e parë, ndërsa pjesa tjetër e grupit ishin fshehur nga audienca dhe pastaj, kur ishte radha e korit, të gjithë u shfaqën me krahët lart dhe kënduan e vallëzuan bashkë me ne. Nuk gjej fjalë ta përshkruaj, ishte tronditje për audiencën, çmenduri si u befasuan. Njerëzit u mahnitën, duartrokisnin sikur të ishin në gjendje transi. Do të këndonim edhe një këngë tjetër dhe zgjodha “Marš svetaca”. Edhe ajo u pëlqeu.

Menjëherë para koncertit, banorët e Banja Llukës që prej vitesh mblidheshin në plazhin e famshëm Studenac buzë lumit Vërbas, organizuan edhe një mbledhi tjetër me këngë, program kulturor dhe aktivitete të tjera. Faruk Priliplija e ka fiksuar të gjithën me kamera (https://www.youtube.com/watch?v=LhSqQ_2NKIc). Përfaqësuesit e TV Yutel ishin të ftuarit e nderit në Studenac. Të gjithë ata që erdhën në koncert u bënë bashkë nga vizioni se prania e tyre do të mund ta ndalte luftën, nacionalizmin dhe vrasjet.

Për ta përmbyllur këtë udhëtim nëpër kujtesën e gushtit 1991 në Banja Lluka, do ta citojmë sërish muzikantin lokal Muris Çengiq: Të gjitha ta që ishin atje atë natë festuan paqen, vëllazërinë, dashurinë. Njerëzit e Bosnje e Hercegovinës nuk ishin të gatshëm ta pranonin atë që do të vinte më pas. Me siguri ka shumë prej nesh që do të donin ta kthenin kohën pas dhe t’i rijetonin ato çaste, në atë kohë mund të kemi qenë naive, por edhe të paprishur.

Jellena Jevgjeniq ka lindur në Banja Lluka në vitin 1985. Ajo është gazetare dhe redaktore në portalin Impuls. Ajo është aktiviste dhe shkruan poezi e prozë. Ajo ka fituar disa çmime rajonale për poezi. Ajo punon dhe jeton në Banja Lluka.

Misho Vidoviq ka lindur në fillim të viteve 1960 në Banja Lluka. Gazetar prej një kohe të gjatë, ai nisi këtë rrugë në vitet 80-të, duke shkruar për botime dhe gazetare rinore. Ai ka punuar në media të shtypur dhe elektronike. Që nga viti 2006 punon për Radio Televizionin e Federatës së Bosnje e Hercegovinës si gazetar pranë qendrës infoteknike RTVFBiH në Banja Lluka. Ai jeton në Banja Lluka.Anchor