Lufta në Ukrainë, frika verbuese dhe trauma kolektive e pashëruar në Ballkan

Lajmet për ngjarje negative kolektive, sikurse luftërat, e gjejnë rrugën shpejt për të depërtuar në botën tonë të brendshme. Përveç faktit se ngjarje të tilla mbulohen me imtësi në kontekstin e medias globale, evolucioni na ka pajisur që t’i kushtojmë më shumë vëmendje lajmeve negative se sa atyre pozitive, pasi ato kanë vlerë më të madhe informuese për mbijetesën tonë. Nga këndvështrimi i civilizimit për vlerat e humanizmit dhe solidaritetit, luftërat në Jemen dhe Ukrainë meritojnë të njëjtën vëmendje dhe përkrahje globale në rrugëtimin drejt paqes. Mirëpo, në nivel individual, aparati konjitiv nëpërmjet të cilit e kuptojmë dhe e interpretojmë informacionin social, për të vendosur pastaj se si të lundrojmë nëpër realitetin tonë shoqëror, ende funksionon me ndihmën e mekanizmave të zhvilluar gjatë së kaluarës së hershme të evolucionit tonë. Për hir të mbijetesës personale, ne jemi përshtatur që t’i japim më shumë vëmendje ngjarjeve që ndodhin pranë nesh, sepse ato bartin potencialin që të ndikojnë mbi funksionimin tonë personal. Ne jemi më të prirur të tregojmë empati më të fortë për njerëzit që u ngjajnë pjesëtarëve të komunitetit tonë, për hir të mbijetesës së grupit tonë. Prandaj, në krahasim me luftërat e tjera që po ndodhin në të njëjtën kohë në kontinente të tjera, lufta në Ukrainë zë një hapësirë mendore pakrahasueshmërisht më të madhe në mesin e qytetarëve të Evropës, sidomos të atyre nga vendet sllave dhe ekonomikisht më pak të qëndrueshme. Duke qenë se krijimi dhe të kuptuarit e informacionit shoqëror përfshin edhe lidhjen me njohuritë ekzistuese dhe përvojat e mëparshme, njerëzit në Ballkan janë pra, në një pozitë edhe më specifike. Përveç ngjashmërive grupore, afërsisë së menjëhershme dhe frikës nga kriza ekonomike, përvojat personale dhe/ose njohuria kolektive për luftërat e Jugosllavisë nga vitet ’90-të, si dhe procesi i brishtë dhe i papërfunduar i pajtimit shndërrohen në kontekst më relevant dhe bëhen kyçi për interpretimin e ngjarjeve aktuale në Ukrainë.

Ndërlidhja e informacionit të ri me përvojat e mëhershme dhe sidomos ato personale është një mekanizëm psikologjik shumë domethënës dhe efektiv që na mundëson të manovrojmë nëpër realitetin shoqëror. Në rrethana të ngjashme, ne përdorim modelet që më parë na kanë ndihmuar të mbijetojmë dhe kështu, ta ruajmë energjinë tonë mendore dhe t’i rrisim shanset për sukses. Problemet në funksionimin socialo-psikologjik mund të paraqiten në dy raste: 1) kur një situatë e re ngjan me një të mëparshme, por që modelet e mësuara nuk janë tërësisht të zbatueshme dhe nuk mund të përshtaten më, 2) kur informacioni i ri shpalos përvoja të ngjashme nga e kaluara, por këto kujtime janë emocionalisht aq fuqishëm negative saqë kurrë nuk jetësohen apo përkthehen tërësisht në ndonjë formë të tillë që të shndërrohen në udhëzues të dobishëm për veprimet e ardhshme. Në radhët e qytetarëve të Ballkanit, lufta në Ukrainë e ka potencialin të aktivizojë një nga dy modelet e përshkruara, apo që të dyja modelet në të njëjtën kohë. Në të dyja rastet, emocionet janë udhëzues domethënës për të kuptuar përvojat individuale dhe për të interpretuar sjelljen kolektive. Lajmet për krizën ekonomike, mungesat dhe inflacionin e pritshëm mund të ngacmojnë në radhët e qytetarëve të Ballkanit kujtimet e përvojave të ngjashme nga vitet 1990-të, duke nxjerrë në pah emocionet e shqetësimit, frikës dhe ankthit që nuk janë në përputhje me rrethanat aktuale apo shkallën e kërcënimit. Ata mund t’u rikthehen strategjive të njëjta që u kanë ndihmuar në të kaluarën të tejkalojnë rrethanat e pafavorshme, edhe pse ato mund të mos jenë as efikase, as të arsyetuara në këtë situatë të re. Një shembull i një strategjie të tillë është grumbullimi i artikujve ushqimorë esencialë. Ndjenjat jashtë proporcionit jo vetëm që çojnë në veprime të panevojshme, por edhe mund të shterojnë kapacitetet mendore. Për njerëzit që kanë faktorë të tjerë të rrezikut, kjo mund të çojë në probleme të tjera serioze mendore, ndërsa për njerëzit që nuk janë të rrezikuar, përdorimi i paarsyetuar i burimeve konjitive pakëson gatishmërinë për t’u përfshirë me kapacitet të plotë në aktivitete kuptimplote që i kontribuojnë cilësisë së jetës së tyre (pushim, socializim, etj).

Për një numër të konsiderueshëm të qytetarëve të Ballkanit, lufta në Ukrainë ka riaktivizuar traumën kolektive të luftërave të Jugosllavisë, që nga luftërat civile në Bosnje e Hercegovinë, Kroaci dhe Kosovë e deri tek bombardimi nga NATO-ja të Republikës Federale të Jugosllavisë në vitin 1999. Trauma kolektive dallon nga trauma individuale, sepse një grup i tërë merr pjesë në një ngjarje apo seri ngjarjesh në një kohë të caktuar, gjë që krijon një përvojë emocionale fuqimisht negative. Ngjashëm me traumën individuale, përvoja traumatike hyn në hapësirën mendore, zë një pjesë të konsiderueshme të saj dhe vazhdon të ndikojë në sjelljen e personit. Përballë stimujve që risjellin në kujtesë ngjarjen traumatike apo negative, aktivizohen reagimet e stresit pastraumatik. Individët rrallëherë e kanë aftësinë ta përballojnë ngjarjen traumatike më vete, dhe madje edhe me përkrahje nga shoqëria është proces sfidues. Prandaj ata mbështeten në strategji të ndryshme për ta përballuar, që kryesisht e mpijnë përvojën traumatike, si për shembull injorimi, mohimi, ulja e rëndësisë apo përdorimi i substancave psikoaktive. Disa fillojnë të kërkojnë kuptim pozitiv, duke besuar se përvoja traumatike i ka bërë më të qëndrueshëm dhe të aftë për t’u përshtatur. Lajmet nga Ukraina kanë zgjuar ndjenjat e vjetra të pasigurisë dhe ankthit tek shumë njerëz në Ballkan, që ata ndoshta nuk kanë qenë në gjendje t’i ndërlidhin me përvojat e tyre personale të luftës dhe ndoshta janë ballafaquar dhe kanë provuar mënyra për t’i eliminuar ndjenjat negative për një kohë të shkurtër. Shmangia e ndjenjave personale negative mund t’i ketë bërë më pak të ndjeshëm ndaj problemeve të atyre që aktualisht po humbasin jetën dhe kanë nevojë për përkrahje. Megjithatë, e vetmja mënyrë për ta tejkaluar traumën është që të përballesh me të, ta njohësh përvojën traumatike, të flasësh për të dhe të mendosh për të. Kur një përvoje të tillë i jepet domethënie, ajo pushon së qeni një përmbajtje negative e papërballueshme dhe e papërkufizuar, që na shteron energjinë mendore dhe e pengon rritjen dhe zhvillimin tonë personal. Përvoja traumatike për të cilën mendojmë shndërrohet në njohuri që mund të informojë veprimet e ardhshme në mënyrë të qëllimshme.

Për disa, lajmet nga Ukraina mund të jenë mundësi që të flasin për herë të parë për traumat e tyre, nga një distancë e sigurtë dhe pozicion i sigurtë dhe që më në fund t’i tejkalojnë ato. Për fat të keq, politikat e pajtimit në Ballkan deri tani nuk kanë bërë mjaftueshëm për të nxitur rëndësinë e të folurit hapur për përvojat personale nga lufta. Të kuptosh proceset psikologjike që mund të ketë ngacmuar lufta në Ukrainë në mesin e qytetarëve të Ballkanit po ashtu flet për rëndësinë e këtyre politikave. Gjithashtu, udhëheqja e përgjegjshme në këtë krizë aktuale të shkaktuar nga lufta në Ukrainë duhet të ishte informuar edhe nga proceset e tjera psikologjike të përshkruara, në mënyrë që të parandaloheshin veprimet e papërshtatshme shoqërore dhe problemet e shëndetit mendor.

Ivana Jakshiq, PhD, është Asistent Profesoreshë për psikologji sociale dhe politike pranë Fakultetit të Shkencave Politike të Universitetit të Beogradit. Interesat e saj në fushën e hulumtimit përfshijnë faktorët socio-psikologjikë dhe mekanizmat që ndikojnë mbi barazinë gjinore, psikologjinë sociale të marrëdhënieve gjinore dhe konjicionin social të nënkuptuar. Si hulumtuese apo menaxhere e të dhënave ajo ka marrë pjesë në disa projekte vendore dhe ndërkombëtare për hulumtime socio-psikologjike.