Media dhe e kaluara që nuk po kalon

Nuk mund të flasim në mënyrë kuptimplote për mediat dhe sfidën e ballafaqimit me të kaluarën në Serbi para se t’i japim përgjigje disa pyetjeve kryesore: a ka marrë fund e kaluara? A është e tashmja jonë asgjë më shumë sesa e kaluara, e mbuluar me një tis të lehtë? A mundet një shoqëri dhe mediat e saj të ballafaqohen si duhet me të kaluarën nëse nuk ballafaqohen seriozisht me të tashmen, për shkak të paaftësisë sistemike të perceptojë proceset dhe ngjarjet nga një këndvështrim më objektiv?

Këto pyetje janë mjaft abstrakte, ndaj le t’u japim përgjigje më konkrete. Është e pakundërshtueshme që në shtatë apo tetë vitet e fundit Serbia është udhëhequr nga të njëjtët njerëz që ishin aktorë kryesorë të luftënxitjes, politikave nacionaliste të viteve 1990. Të njëjtat parti politike që ishin në pushtet asokohe, edhe pse emrat kanë ndryshuar, janë ende në pushtet tani. Këto parti politike dhe udhëheqja e tyre, herë pas here pretendojnë se kanë ndryshuar mënyrën e punës që nga ato ‘ditë të hershme’. Mirëpo, këto pretendime të ëmbëlsuara rrallëherë ekzaminohen.

Atëherë, si munden mediat t’i qasen raportimit në realitet (qoftë në ‘të kaluarën’ apo ‘të tashmen’) në një vend, ku gjithçka që ndodh shkon rrotull dhe asgjë nuk përfundon apo nuk zhduket, sidomos ato gjëra që vërtet duhet të zhduken, si politikat luftënxitëse dhe protagonistët e tyre?

Duket sikur mediat kanë ngecur brenda rrathëve të tyre, njësoj si politikanët. Gazetarët që ishin kritikë ndaj politikave agresive nacionaliste të viteve nëntëdhjetë. Tani janë kritikë për pasojat dhe përkrahës këmbëngulës të atyre politikave. Sidoqoftë, këta gazetarë janë një grup i vogël. Vetëm një grusht mediash janë të gatshme të publikojnë analiza kritike të kësaj natyre, përfshirë një gazetë të përditshme dhe dy ose tre të përjavshme, një stacion televiziv kabllo, pak uebportale dhe, për fat të keq, asnjë radio (më i miri deri tani u mbyll kohë më parë), që janë aktualisht të vetmet media që vërtet kanë sjellë risi në krahasim me vitet nëntëdhjetë. Numri i gazetarëve kritikë është pak a shumë i njëjti si në vitet 1990. Sigurisht, disa nga këta gazetarë janë lodhur ose janë dorëzuar dhe disa kanë kapërcyer në anën tjetër, ndërkohë që vendin e tyre e kanë zënë gazetarë më të rinj. Pra, si përmbledhje, aty ku keni qenë – askund, çfarë keni bërë – asgjë. Vetëm një pakicë e vogël gazetarësh janë gati dhe të gatshëm të merren me dhe të analizojnë në mënyrë kritike edhe të tashmen, edhe të kaluarën në Serbi. Ata janë ishull në oqean.

Kush e përbën oqeanin pra? Nga njëra anë, keni shtetin dhe konglomeratet kripto-shtetërore, median e shtypur dhe të transmetueshme, që kanë ekzistuar prej dekadash të tëra. Ata janë të gatshëm t’i shërbejnë shefit dhe udhëheqjes politike të momentin dhe janë posaçërisht të trajnuar mirë si t’i përcjellin urdhërat nga vetë njerëzit që i kanë bindur të hedhin poshtë besueshmërinë dhe parimet në vitet nëntëdhjetë. Ata thjesht përsërisin të njëjtat shkelje, njëzet vjet më vonë.

Nga ana tjetër, një krim edhe më i madh ndaj profesionit të gazetarisë në Serbi është numri në rritje i tabloideve flakëruese dhe mutante, që botojnë histori të ulëta dhe sensacionale dhe që duken si lloji i gazetave që në Perëndim shpërndahen falas në transportin publik. Këtu, ato japin të reja të përditshme për ‘armiqtë’ dhe ‘urrejtësit’ e Serbisë, presidentit dhe sojit të tyre.

Konglomeratet e lartpërmendura që i shërbejnë shtetit serb kanë ngopur pjesën më të madhe të peisazhit mediatik të Serbisë. Ato krijojnë iluzionin e fuqishëm të realitetit që ka robëruar një pjesë të madhe të popullsisë së Serbisë dhe ndikon fuqishëm tek opinioni publik. Prandaj, shumica e qytetarëve të Serbisë nuk kanë më qasje në informacion që nuk ka kaluar nëpër filterin e medias së përshtatur me regjimin që deformon realitetin. Me kalimin e kohës, kjo gjë shndërrohet në problem politik: ajo bëhet dhe është, problem i shëndetit publik.

Kjo çështje paraqitet në mënyrë më intensive në portretizimin që mediat i bëjnë të ashtuquajturave ‘marrëdhënie rajonale’, pra, marrëdhënieve të Serbisë me fqinjët e vet, sidomos me ata që dikur ishin pjesë e ish-Jugosllavisë. Kur është fjala tek shkaqet, prapavija dhe pasojat e kolapsit të ish-Jugosllavisë, narrativa dominuese sot në pjesën më të madhe të mediave të Serbisë është pothuajse identike me atë të viteve nëntëdhjetë. Sipas kësaj narrative, Serbia nuk ka pothuajse asnjë përgjegjësi, të gjithë të tjerët u ngutën të shkëputen nga Jugosllavia, duke e shqyer atë dhe fajin e kanë vetëm të tjerët; kroatët janë ose haptazi, ose fshehurazi, ustashë; boshnjakët janë fondamentalistë islamikë dhe/ose serbë të arratisur, ndërsa shqiptarët janë… epo shqiptarë. Në peisazhin mediatik të Serbisë ka pak hapësirë për të kritikuar palën serbe apo për të pretenduar se Serbia ka faj për vuajtjet apo ndarjet që ende e bëjnë rajonin të lëngojë.

Për të siguruar ‘vazhdimësinë ideologjike’ të nëntëdhjetave, shumë prej tyre, që ishin pionierë të makinerisë së propagandës së kohës së luftës së Sllobodan Millosheviqit, tani janë përgjegjës për mediat më influencuese të vendit. Për shembull, kryeredaktori i gazetës së përditshme me qarkullim të lartë dhe pothuajse në pronësi shtetërore Večerenje novosti ka udhëhequr rrjetin televiziv shtetëror, famëkeq për propagandën brutale të kohës së luftës në vitet nëntëdhjetë.

Në një mjedis të tillë, si mund të këmbëngulet për konfrontim të hapur dhe të ndershëm me të kaluarën? Çfarë mund të arrihet? Është e lehtë të japësh përgjigje pesimiste për këtë pyetje, pasi shteti nën Vuçiqin të ofron një burim të pashtershëm të nihilizmit. Megjithatë, gazetarët kritikë dhe profesionistë, që ia dolën mbanë viteve të nëntëdhjeta dhe dekadave të fundit, ata që nuk ndoqën rrugën e rehatshme, ata nuk dorëzohen aq lehtë. Puna jonë është të bëjmë më të mirën që mundemi. Edhe nëse gjërat ndryshojnë me ritëm të ngadaltë në nivel makro, ka arsye për shpresë. Fakti që elita politike, për të cilën shkruajmë nuk mund ta fshehë dëshirën që të na fshijë, nënkupton se ne vërtet po bëjmë dallimin. S’ka rëndësi sa të aftë janë ata për t’i dhënë shkëlqim të kaluarës së tyre, ata nuk do të flenë të qetë për sa kohë që ne jemi këtu t’ua përkujtojmë se çfarë ishin, çfarë kanë bërë dhe çfarë janë tani.

Teofil Pançiq, ka lindur në Shkup në vitin 1965, është gazetar, kolumnist, kritik dhe redaktor kulture për të përjavshmen e Beogradit Vreme dhe komentator i Radios Evropa e Lirë. Ai ka botuar njëzetenjë libra me ese, kolumne, kritika dhe tregime të shkurtra. Ai ka shkruar për shumë media të rëndësishme në rajon, përfshirë Feral Tribune, Peščanik, Naša borba, Autonomija, BH Dani, Dnevnik (Lublanë), Globus dhe Jutarnji list. Aktualisht jeton në Novi Sad.

Foto: Martin Adler vrarë në Mogadishu, Chris Hondros, Getty Images (2006)