Një amerikane në Kosovë: reflektime mbi identitetin kolektiv, përkatësinë kombëtare dhe trashëgiminë e luftës të Amerikës

Obri Hemillton (Aubrey Hamilton)

Në vitin 1999 unë isha nëntë vjeç. Nuk mbaj mend t’i kem përcjellë lajmet në SHBA për luftën në Kosovë. Në fakt, për Kosovën apo për luftën do të mësoja rreth dhjetë vjet më vonë.

Kosovën e vizitova për herë të parë në vitin 2010. Një shitës më pyeti se nga isha.

“Karolina e Veriut. Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

“Amerika! Ju falenderojmë! Ju falenderojmë, Amerikë!”

Nuk isha e sigurtë si t’i përgjigjesha. Sa e çuditshme, mendova, që dikush më falenderon për një vendim të marrë nga një president i SHBA-ve shumë kohë para se të kisha të drejtë të votoja, të paguaja taksa, apo të kuptoja një botë përtej kufijve amerikanë.

Pasi u zhvendosa në Prishtinë për punë në vitin 2011, hasa në reagime të ngjashme. Kur mësonin se isha nga SHBA-të, baristët, taksistët, prindërit e miqve të mi më falenderonin për rolin e SHBA-ve në dhënien fund të konfliktit në Kosovë.

Kur jetoja në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kombësia ime ishte një pjesëz e vogël e identitetit tim, që rrallëherë e ndjeja. Ajo as më dallonte dhe as më lidhte me miqtë apo kolegët. Nuk kisha perceptim të ndonjë “tjetri” në vend. Edhe pse për disa në Amerikën e Trampit si duket retorika nacionaliste dhe anti-emigrante është fushëveprimi ripërkufizues dhe i ngushtë i “amerikanizmës”, nga ana tjetër tërheq mbi vete kritika nga brenda vendit dhe nga ndërkombëtarët për lidershipin tonë dhe për gafat politike.

Gjatë kohës kur jetoja në Frankfurt dhe në Bruksel, kombësia ime më dallonte vetëm paksa nga shokët e studimeve, kolegët dhe miqtë evropianë. Zakonisht, ky dallim shpërfaqej si shaka për armët apo ushqimin e shpejtë në vendin tim.

Në Armeni, paaftësia ime për të komunikuar në rusisht apo armenisht më izolonte. Shumë nga kolegët e mi në Jerevan ishin më konservatorë në aspektin shoqëror në krahasim me profesionistët e rinj të kryeqyteteve evropiane (përfshirë Prishtinën), gjë që e bënte sfidues shoqërimin me ta. Një diasporë e madhe armeno-amerikane në SHBA i kontribuon marrëdhënieve relativisht të ngrohta mes dy vendeve tona. Megjithatë, armenët me të cilët kontaktoja dukej se kishin disa nocione paragjykuese për amerikanët.

Ndërsa në Kosovë, të qenurit amerikane merrte një domethënie krej tjetër, të ndërlidhur ngushtë me të kaluarën, luftën, me trashëgiminë e SHBA-ve dhe të Bill Klintonit në Kosovë dhe në Ballkan. Edhe pse nuk kisha aq vite jete që të kisha kontribuar në trashëgiminë amerikane të kohës së luftës në Kosovë, dy dhjetëvjeçarë më vonë, të qenurit amerikane vazhdon të formësojë identitetin tim personal dhe profesional si një amerikane që jeton në Prishtinë.

Si një e huaj që punon në Kosovë, kam qenë dëshmitare e narrativave të kohës së luftës që vazhdojnë të mbizotërojnë në diskursin socio-politik në vend dhe në rajon. I kam studiuar konfliktet etno-nacionaliste dhe territoriale nga këndvështrimi akademik dhe fokusin profesional e kam tek zhvillimi demokratik i Kosovës, tek strukturat që ndajnë pushtetin dhe tek marrëdhëniet në rajon. Megjithatë, si një e jashtme, është e vështirë për mua të kuptoj plotësisht, të përbrendësoj apo të ndjej empati për kujtesën kolektive të konfliktit të dhunshëm, të traumës së gjatë dhe breznore dhe për ndasitë etnike që vazhdojnë të ekzistojnë në Kosovë dhe në rajon. 

Sidoqoftë, përfshirja ime në një narrativë grupore të ndërlidhur me intervenimin e SHBA-ve në Kosovë në vitin 1999, edhe pse nuk kam qenë pjesëmarrëse direkte në të, është për mua si një vrimë çelësi prej nga mund të krijoj raportet personale dhe të nis të kuptoj këmbënguljen e narrativave të kohës së luftës dhe ngurtësinë e përkatësisë në grupe etno-kombëtare në Kosovë.

Duket se narrativat e kohës së luftës jo vetëm që gjejnë zbatim tek palët në konflikt, por edhe tek palët e jashtme që kanë ndërhyrë gjatë dhe pas luftës.

Narrativa pozitive e përfshirjes së SHBA-ve në Kosovë është dëshmuar të jetë e fuqishme, këmbëngulëse dhe e paluhatshme. Me siguri nuk ka asnjë vend tjetër ku ndikimi dhe ndërhyrja e SHBA-ve të duartrokiten kaq shumë. Pavarësisht rënies së thellë të opinionit global për SHBA-të viteve të fundit, ndoshta Kosova është i vetmi shtet evropian ku lëvdatat për SHBA-në nuk janë zbehur. Në janar 2018, 75 përqind e kosovarëve e përkrahnin administratën aktuale të SHBA-ve, që është shkalla më e lartë e përkrahjes në shkallë botërore.[1]

Edhe pse zyrtarët dhe korporatat amerikane janë përballur me akuza publike për korrupsion dhe sjellje të pahijshme në Kosovën e pasluftës, është narrativa e ndërhyrjes së SHBA-ve ajo që vazhdon të qëndrojë e fortë në përcaktimin e marrëdhënieve me SHBA-të dhe në perceptimet për amerikanizmën në Kosovë.[2] Lidhja ndërmjet Kosovës dhe SHBA-ve, e farkëtuar dhe e konsoliduar gjatë luftës dhe zgjidhjes së konfliktit, me sa duket mbetet e paluhatur.

Është me rëndësi të theksojmë se jo të gjitha grupet në Ballkanin Perëndimor kanë ndjenja proamerikane dhe këto ndjenja nuk i ka e gjithë popullsia e Kosovës pa dallim. Për disa në Ballkan, sidomos për qeverinë serbe dhe shumë serbë të Kosovës, fushata e bombardimeve të NATO-s në vitin 1999 dhe ndërhyrja e SHBA-ve në Kosovë konsideroheshin si akte agresioni, që i vendosnin SHBA-të në rolin e nxitësit ose ekzekutuesit dhe jo të paqebërësit.

Në radhët e shumicës shqiptare të popullsisë së Kosovës, grupe të shoqërisë politike kanë vënë në pikëpyetje atë që konsiderohet të jetë “modeli neoliberal” për zhvillimin në Kosovë, i imponuar nga amerikanët. Në një intervistë të vitit 2012, udhëheqësi i Vetëvendosjes Albin Kurti kritikonte “mikromenaxhimin” dhe “politikat neoliberale” të ish-ambasadorit të SHBA-ve Kris Dell, të cilin Kurti e konsideronte një nga dy “mbretërit jozyrtarë” në Kosovë bashkë me Piter Feithin, ish-kreun e Zyrës Ndërkombëtare Civile (që tashmë është larguar).[3]

Sidoqoftë, nocionet e “jashtëzakonshmërisë amerikane” duket se janë më të përhapura në Kosova se sa nocionet e imperializmit amerikan. Flamujt amerikanë valëviten nëpër rrugët e Prishtinës me rastin e festave publike dhe përballë ndërtesave qeveritare; një poster i ri që kremton miqësinë ndërmjet Kosovës dhe SHBA-ve rishtazi u shpalos prapa statujës së Bill Klintonit në Bulevardin Bill Klinton, që është rruga kryesore në kryeqytet.

Shumica dërrmuese e popullsisë së Kosovës vazhdon ta shohë praninë e SHBA-ve këtu me sy pozitiv. Ndryshe nga përvojat e mia në shumë vende të tjera, të qenurit amerikane më shpesh nderohet se sa dënohet në Kosovë. (Edhe pse kam përfituar nga gjë, personalisht nuk i besoj asnjë ideologjie tradicionale të jashtëzakonshmërisë amerikane dhe vetë mbështes një qasje më kritike ndaj reformave të imponuara dhe fuqizimit të pronësisë lokale për proceset e zhvillimit të brendshëm në Kosovë.)

Në Kosovë, që paraqitet si vendi më proamerikan në botë, e kam gjetur veten pjesë të një narrative breznore që më prek edhe mua për shkak të kombësisë time. Narrativa lidhur me ndikimin e SHBA-ve në Kosovë formëson se si perceptohem, në sipërfaqe si edhe rolin që jam në gjendje të luaj në aspektin profesional. Duket se në një formë apo tjetër, asociimet me të kaluarën dhe me grupin që janë farkëtuar dhe formësuar përgjatë konfliktit (dhe ndërtimit të paqes) na përcaktojnë secilin nga ne dhe rrethanat tona politike, pavarësisht përfshirjes tonë direkte.

Grupi kombëtar të cilit i përkas unë nuk është dhe aq ngushtë i lidhur me ndonjë narrativë të traumës kolektive apo breznore apo me ndonjë grup të viktimave apo kryesëve si identiteti i shumë grupeve të tjera në Ballkan. Megjithatë, kam kuptuar se është element publik i identitetit tim që më lidh me të kaluarën kolektive: të Amerikës, por edhe të Kosovës.

Obri Hemillton (Aubrey Hamilton) erdhi në Kosovë për herë të parë në vitin 2011 për të punuar si Hulumtuese Kryesore për Grupin për Studime Ligjore dhe Politike në Prishtinë, me theks të posaçëm tek dialogu Kosovë-Serbi dhe implementimi i marrëveshjeve të fasilituara nga BE-ja. Më pas, ajo vazhdoi të punojë për institute dhe OJQ të ndryshme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermani, Belgjikë dhe Armeni, ku në fokus të punës së saj ishte zgjidhja e konflikteve, zhvillimi pas konflikteve dhe tranzicionet demokratike. Obri u rikthye në Kosovë në vitin 2017 si bursiste e Fullbrajtit për Politika Publike dhe u angazhua në Zyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë për Administratë dhe Qeverisje Lokale në Kosovë (2017-2018). Ajo ka gradën M.A. në Konflikte Ndërkombëtare dhe Siguri dhe Ligjin për të Drejtat e Njeriut nga Shkolla për Studime Ndërkombëtare e Universitetit the Kentit në Bruksel.


[1] Sullivan, Stacy (2018). “Kosovo’s America Obsession.” TIME. http://time.com/kosovo-independence-america-obsession/

[2] Brunwasser, Matthew (30 janar 2015). “Steamrolled: A Special Investigation into the Diplomacy of Doing Business Abroad.” Foreign Policy. https://foreignpolicy.com/2015/01/30/steamrolled-investigation-bechtel-highway-business-kosovo/

[3] Nosan, Brad (15 gusht 2012). “Kosovo’s Vetevendosje Movement Doesn’t Like Foreign Intervention.” VICE. https://www.vice.com/en_us/article/3b57m5/kosovos-vetevendosje-movement-doesnt-like-foreign-intervention