Nuk e di emrin e babait tim

Ja si duket kjo:

  • Mirëdita, zonjë, si jeni sot? 
  • Mirë, e dashur, po ti?  
  • Mirë jam. Më duhet certifkata xx, të lutem.  
  • Si quheni?
  • Ajna Jusiq.
  • Emri i babait?
  • Zonjë, ju lutemi shkruani emrin e nënës time, Sabina. 
  • Ajna, këtë nuk mund ta bëj, na duhet emri i babait tuaj.
  • Për fat të keq, nuk e di emrin e tij, ndaj ju lutem përdorni emrin e nënës time, nëse është e mundur.
  • Si ka mundësi që nuk keni baba? Të lutem, nuk kemi kohë për këtë, emri i babait tuaj?
  • Zonjë, vërtet që nuk e di emrin e tij. Ju lutem shkruani emrin e nënës time, Sabina, është një emër i bukur.
  • Si ka mundësi që nuk e dini emrin e tij?

(Marr frymë thellë…) Zonjë, nëna ime është e mbijetuar e dhunës seksuale të konfliktit, prandaj ne nuk e dimë emrin. Ju lutem, kapërcejeni këtë dhe lini një rresh të zbrazët. Heshtje!! Heshtje prej 25 vitesh. Heshtje që lëndon, heshtje e mosekzistencës. Ndërmjet 30,000 dhe 50,000 gra, gra të reja, vajza dhe burra janë përdhunuar gjatë luftës. Krime të tilla lufte kanë rezultuar në lindjen e fëmijëve, të cilët ende nuk njihen në shoqëri, por as sipas ligjit të Bosnje e Hercegovinës, apo të ligjit kudo në botë. Këta fëmijë përballen me probleme të shumta dhe një prej tyre është çështja e përshkruar më lart. Për fat të keq, në Bosnje e Hercegovinë ne ende jetojmë me rregullin sipas të cilit babai ka përparësi, babai është kreu i familjes, babai është emri i prindit që të gjithë duhet të kemi. Unë nuk e kam atë emër. Ky emër më ka përkufizuar për 25 vjet, por unë as që e kam. Si rezultat i kësaj, përballem çdo ditë me diskriminim. Ky emër më ka shenjuar. Njerëzit më pyesin shpesh se përse ende nuk kam diplomuar, edhe pse studimet i kam kryer kohë më parë. Gjithnjë them se nuk kam kohë të shkoj të marr gjithë dokumentat. Por nga ana tjetër, vuaj për shkak të faktit se nëna ime ka ëndërruar gjithë jetën për ditën time të diplomimit. Ajo ka ëndërruar të më shohë me kapelen “fluturuese” akademike. Sidoqoftë, kam frikë se në fund të ëndrrës së saj, ajo nuk do ta gjejë vendin e saj në gradën time të diplomimit. Kam frikë se grada përmban ”rreshtin” që ka kryer krimet më të tmerrshme kundër nënës time. Ai rresht nuk e meriton të jetë aty. Më kujtohet, kur nisa të shkoj në fakultet, nëna ime bëri të pamundurën për të siguruar gjithçka. Ushqim, strehim, libra, lapsa, madje më bleu edhe një kuti lapsash kur nisa vitin e parë të studimeve. Ajo dhe njerku im bënë çka mundën që të më mundësonin të arsimohem. Doja emrin e saj në atë diplomë.

Pas përfundimit të luftës, numri i grave që i mbijetuan dhunës seksuale të konfliktit u bë i qartë shumë shpejt. Partitë politike në pushtet nisën t’i përdorin ato edhe më shpejt për qëllimet e tyre politike. Ato qëllime të atyre që nuk shqetësoheshin për dhimbjen e nënës time, për dhimbjen e të gjithë këtyre grave, qëllimet e atyre që kishin vendosur t’i linin vetëm. Të përballeshim të vetme me dhunën të cilës i mbijetuan. Ato luftuan dhe kundër shoqërisë, që gjithnjë e më shumë helmohej nga parti politike të tilla. Disi ia dolën t’i bindin se ishte faji i nënës time që e kishin përdhunuar, i bindën se nëna ime nuk ishte grua e ndershme dhe se ajo duhej ta mbante gojën mbyllur për këtë gjë. Përse t’i nevojitej një turp i tillë? Njerëzit nuk duhej ta dinin. Dhe njerëzit nuk e dinin.

E dini, unë nuk e fajësoj gruan në sportel. Dhe nuk më pëlqen kur i quajnë përtacet e sporteleve. Nuk është faji i tyre që sistemi për të cilin ajo punon nuk e pranon çmimin që ka paguar nëna ime gjatë agresionit. Nuk është faji i saj që nuk i kanë mësuar të vlerësojë barazinë, të vlerësojë jetët njerëzore, pavarësisht si duken ato. Por ajo mundet, dhe besoj se duhet, të tregojë dhembshuri për mua, për nënën time dhe për gratë e tjera si ne.

Kam pritur me vite. Mbaj mend se çdo shtator në vitet e fundit mezi prisja për thirrjet për bursa, me shpresën se do të fitoja ndonjë bursë. Duke shpresuar se do të fitoja mundësinë ta lehtësoja sadopak gjendjen e nënës dhe njerkut tim të dashur. Kjo nuk ndodhi kurrë. Ditë pas dite, shpresa zbehej. Studioja, pa asnjë të drejtë, a thua se nuk ekzistoja. Studioja e vetme, pa ndihmën e shtetit, nëna ime më financoi studimet me asistencën e saj sociale. Një kohë m’u desh edhe të puna dhe për fat të keq, m’u desh të punoja në një bar. Isha atje gjithë ditën. Studioja për provime në bar, bëja kafe dhe përsërisja mësimet. Asokohe nuk isha e lumtur, por më duhej ta bëja.

Bashkë me nënën dhe njerkun tim mblodha kurajo. Nuk do t’ia kisha dalë mbanë pa ata. Ata ma kushtuan mua gjithë jetën e tyre. Ata bënë më të mirën për të më mbrojtur, por me kalimin e viteve, ndjeja nevojën të ulëras, nevojën që t’u thoja të gjithë të tjerëve se isha atje. Nevojën t’u tregoja të gjithëve dhe t’ua dëshmoja të gjithëve se nëna ime ishte heroinë, se nëna ime ishte grua me nder dhe me dinjitet. Se ajo ishte grua e fuqishme, e cila, pavarësisht gjithçkaje që i mbijetoi, para së gjithash luftoi për mua çdo ditë dhe pastaj për vete. Dhe ia doli mbanë. Ajo luftoi dhe më mësoi edhe mua të luftoj. Ajo më dha zërin që sot po ua jap juve. Ajo më dha fuqinë që dua të kem për të ndërtuar shoqërinë. Ajo më mësoi të mos urrej, të di se të gjithë janë të barabartë. Ajo më mësoi se ka individë të këqinj, se nuk ka popuj të këqinj. Ende e besoj këtë. Jam e gatshme të shndërroj çdo lot në buzëqeshje bashkë me zonjën nga sporteli, jam e gatshme të sjell pak paqe, njerëzi dhe unitet. Shpresoj se do ta kapërcejmë bashkë me shoqërinë urën që na ndaj, se do të takohemi në mes të urës dhe bashkërisht të kërcejnë drejt së ardhmes më të mirë.

Ajna Jusiq – ka përfunduar studimet pranë Fakultetit të Filozofisë, Departamentit të Psikologjisë. Grua, bijë, aktiviste për të drejtat e njeriut. Aktualisht është fokusuar tek të drejtat e grave që i kanë mbijetuar dhunës seksuale gjatë konfliktit dhe të drejtave të fëmijëve të lindur si rezultat i konfliktit. ”Kur keni një zgjedhjem gjithnjë zgjidhni njerëzinë” – është motoja e jetës së saj.