(Pa)fuqia e muzeve dhe hapësirave të lirisë në proceset e ballafaqimit me të kaluarën

(Bazuar tek prezantimi i titulluar “Muzetë në vijën e parë të frontit. Fuqia e muzeve gjatë ballafaqimit me të kaluarën e vështirë: rasti i Muzeut të Historisë së Bosnje e Hercegovinës”, konferenca e përgjithshme e ICOM, Pragë, gusht 2022.)

“Dikur ishim si jeni ju dhe ju do të jeni si jemi ne tani…”. U përpoqa me ngathtësi ta perifrazoja shenjën mbi një gur mesjetar boshnjak teksa bisedoja me kolegët e mi nga Ukraina gjatë konferencës së përvitshme ndërkombëtare të ICOM (Këshilli Ndërkombëtar i Muzeve). Këtë vit, konferenca mblodhi në Pragë mbi dy mijë punonjës të muzeve nga e gjithë bota. Fokusi i konferencës ishte tek solidariteti me Ukrainën dhe tek prezantimet rreth trashëgimisë kulturore të rrezikuar dhe të rrënuar në vendin e shkatërruar nga lufta. Është diçka pozitive që komuniteti botëror i muzeve reagoi ndaj atij realiteti shoqëror dhe i kushtoi vëmendje temës së luftës në Ukrainë. Megjithatë, duhet përmendur se stafi nga Rusia nuk mori pjesë në konferencë, edhe pse pjesëmarrja e tyre nuk ishte e ndaluar zyrtarisht. Po ashtu, ishte prekëse t’i dëgjoje kolegët tanë ukrainës të cilët, disi në mënyrë naive për veshët me përvojë të boshnjakëve (kanë ende kohë të vetëdijësohen), por me shumë energji dhe angazhim, folën për trashëgiminë e humbur, për koleksionet e rrezikuara, për nevojën për dokumentim, hartëzim, shpëtim, ndërkohë që prisnin mirëkuptimin dhe përkrahjen e kolegëve të tyre ndërkombëtarë. Vazhdimisht më vinte ndër mend “dikur ishim si jeni ju dhe ju do të jeni si jemi ne tani …” dhe nuk mund ta ndalja veten, ndaj shtova “jo vetëm që ne e kuptojmë të tashmen tuaj, por me siguri mund ta ndjejmë edhe të ardhmen tuaj, sepse me siguri nuk do të jetë paqja; mos u mbështesni shumë tek komuniteti ndërkombëtar, çështja është se çfarë do të ndodhë me muzetë dhe thesaret tuaja kulturore”, kjo vazhdimisht më vinte në mendje. Sidoqoftë, ideja nuk ishte të përhapja disfatizëm, por të arsyetoja ftesën në konferencë, që kishte ardhur me synimin për të ndarë përvojat se si një muze, që ishte në vijën e parë të frontit në Sarajevën e rrethuar, sot e përdor muzeologjinë për t’u ballafaquar me atë periudhë dhe se si ai punon në fushën e ballafaqimit me të kaluarën. Mirëpo që në fillim, si rezultat i vetëreflektimit dhe pikëpyetjeve të vazhdueshme, u paraqitën pyetje tërësisht legjitime dhe të logjikshme: a është reale të presësh që muzetë mund të ofrojnë qasje të ndryshme nga ajo çka e përbën narrativën mbizotëruese për krijimin e identitetit politik/kombëtar të një komuniteti? Sa munden muzetë, të themeluar dhe të mbështetur nga elitat politike që krijojnë kujtesën politike dhe memorializimin në shoqëritë pas konflikteve, të ballafaqohen me të kaluarën në mënyrë kritike? A mundet një muze të jetë vërtet në shërbim të shoqërisë, sikurse dikton përkufizimi i ri i ICOM, apo thjesht është më e logjikshme për të që të jetë në shërbim të shtetit që e ushqen? Meqë të gjitha këto pyetje haptazi aludojnë për një përgjigje jooptimiste, pyetja tjetër është: sa mundet një muze të jetë faktor relevant në shoqëri kur është fjala për procesin e ballafaqimit me të kaluarën?

Muzeu i Çlirimit të Popullit, më vonë Muzeu i Revolucionit dhe sot, Muzeu i Historisë së Bosnje e Hercegovinës u themelua me qëllimin për ta përdorur narrativën e Luftës së Dytë Botërore që sapo kishte përfunduar për t’i shërbyer shtetit në procesin e ndërtimit të identitetit të komunitetit të ri jugosllav. Kjo narrativë bazohej në parimet dhe vlerat e antifashizmit, vëllazërisë dhe bashkimit të popujve, pra, bashkësisë dhe solidaritetit, vlera këto pozitive, por që megjithatë nuk lejonin që temat e ndjeshme nga e kaluara të hapeshin dhe të viheshin në pikëpyetje, përfshirë gjithçka që nuk përputhej me politikën zyrtare të shtetit jugosllav.[1] Në momentin kur shteti jugosllav u zhduk, me të gjitha pasojat tragjike të luftërave në këto hapësira, nevoja për ekzistencën e muzeut që kishte krijuar mori fund bashkë me të. Muzeu i Revolucionit mbeti pa shtet, pa qëllim për ekzistencën e tij dhe pa përkraje. Edhe pse muzetë si institucione shpeshherë janë të ngadaltë dhe konservatorë, me vështirësi për t’iu përshtatur apo të hapur ndaj ndryshimeve, është provuar se kur është fjala për mbijetesë, ata janë jashtëzakonisht vitalë dhe në fakt, u mbijetojnë sistemeve, ideologjive dhe politikave që i kanë themeluar (më së shpeshti, nëse sistemi pasues ka interes në funksionin dhe rolin e ri të muzeut dhe nëse është e mundur që një transformim i tillë të ndodhë). I tillë është shembulli i Muzeut të Historisë së Bosnje e Hercegovinës, që jo vetëm ka mbijetuar, por edhe ka evoluar, pavarësisht se u braktis nga politika zyrtare. Ose ndoshta pikërisht falë largimit nga politikat zyrtare. Ky faktor ka dalë të jetë kyç për institucionin që të fillonte të kërkonte mundësi alternative dhe të gjente një rrugë që nuk e refuzonte të kaluarën, por as nuk përfitonte prej saj. Sa i përket politikës së hapjes, transformimi nga “i askujt” tek “i të gjithëve”, pra në një muze për të gjithë dhe krijimi i hapësirës për dialog konstruktiv rreth së kaluarës, Muzeu me durim po e ndërton pozicionin dhe reputacionin e tij si institucion relevant jo vetëm në nivel lokal, por edhe në skenën rajonale dhe atë ndërkombëtare.[2] Ndërkombëtarëzimi, pra mbështetja tek partneritetet ndërkombëtare, shkëmbimi i njohurive dhe përvojave me shoqëri të tjera të dala nga konfliktet dhe me proceset e tyre të ballafaqimit me të kaluarën e kanë ndihmuar jashtë mase të dalë jashtë kornizave lokale, kufizuese dhe të shqyrtojë perspektiva më të gjera.

Mbi njëzetë vjet më parë, Muzeu i Historisë së Bosnje e Hercegovinës nisi të punojë për historinë më të re të Sarajevës dhe të Bosnje e Hercegovinës, më saktësisht për periudhën ndërmjet viteve 1992 dhe 1995, duke u bërë kështu pionier i hulumtimit dhe studimeve të muzeologjisë për rrethimin e Sarajevës. Si pasuesi i muzeumit i cili, që nga themelimi i vet në vitin 1945, ishte angazhuar në studimin dhe ruajtjen e L2B për pothuajse pesëdhjetë vjet, vijimësia logjike e punës dukej se fokusohej tek lufta gjatë viteve nëntëdhjetë dhe tek mbledhja dhe hulumtimi i materialit të ri. Kështu, në vitin 2002 u krijua koleksioni dhe ekspozita “Sarajeva e rrethuar” që u hap në prill 2003. Mirëpo vetëm pikënisja, pra tema e luftës, ishte e njëjta. Gjithçka tjetër ishte krejtësisht e ndryshme. Ndryshe nga narrativa kryesore për luftën heroike gjatë L2B, ekspozita “Sarajeva e rrethuar” fokusohej tek qytetarët gjatë rrethimit, tek jetët e tyre të përditshme, tek kreativiteti, fuqia dhe vullneti për të mbijetuar, tek rezistenca kulturore dhe qytetare e individëve dhe kolektivit. Këtë e bën duke paraqitur burime historike parësore, objekte autentike, fotografi, dokumente dhe rrëfime të qytetarëve që i kanë dhuruar objekte muzeumit. Fokusi tek jeta e përditshme dhe tek jeta e njerëzve të thjeshtë, në vend të historisë politike dhe ushtarake, ishe vendim i ndërgjegjshëm për të përcaktuar qasjen ndaj të kaluarës së vështirë dhe traumatike dhe një nga strategjitë për veprim konstruktiv.[3] Mbledhja e objekteve origjinale dhe e rrëfimeve direkt nga qytetarët e Sarajevës (më vonë edhe nga pjesëtarët e familjeve të tyre, pra pjesëtarët e brezit të dytë) rreth jetës nën rrethim, i fuqizon lidhjet me komunitetin lokal, fuqizon ndjesinë e përkatësisë, pjesëmarrësjes dhe pronësisë mbi narrativën historike. Ky lloj i procesit ka gjithashtu rol terapeutik dhe i kontribuon shërimit të shoqërisë.

Një tjetër udhëzues me rëndësi në procesin e punës me tema të ndjeshme, çështje të gjenocidit, mizorive, viktimave dhe kryesve, është mbështetja tek faktet e konstatuara që përdoren si prova (për ne, burimet historike) në gjykimet para Gjykatës Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë dhe gjykatat vendore, si dhe për hulumtuesit dhe partnerët e angazhuar në hulumtime të arkivave. Një shembull i tillë ishte 25 vjetori i gjenocidit në Srebrenicë. Parulla e fushatës së madhe rajonale ishte “Srebrenica 25: bashkë kundër virusit të mohimit”. Ajo udhëhiqej nga një prej partnerëve strategjikë të Muzeut dhe ndoshta eksperti më i mirë rreth punës së Gjykatës së Hagës dhe arkivimit, SENSE – Qendra për Drejtësi Tranzicionale, që bëri bashkë organizata të shoqërisë civile nga Bosnje e Hercegovina, Kroacia, Serbia, Mali i Zi dhe Kosova (Muzeu i Historisë së Bosnje e Hercegovinës ishte i vetmi muze në radhët e partnerëve), duke rezultuar në aktivitete të sinkronizuara në rajon dhe në ekspozitën “Srebrenica: gjenocidi në tetë akte” në Muzeun e Historisë së Bosnje e Hercegovinës (dhe në Pula). Shfrytëzimi i dokumentave, raporteve të gjykimeve, materialeve që dëshmojnë se si kanë hetuar ekspertët e TPNJ-së, si i kanë rindërtuar dhe ndjekur penalisht krimet dhe gjenocidin e kryer në Srebrenicë, të studiuar në mënyrën e muzeologjisë, i dhanë legjitimitet të plotë trajtimit të temës dhe nuk lanë shumë hapësirë për manipulim, abuzim apo mohim.[4] Kohëve të fundit, Muzeu është angazhuar në projekte të pavarura hulumtuese, duke u mbështetur tek kapacitetet e veta të fuqizuara, me qëllimin për të mbuluar disa tema nga historia e re e Bosnje e Hercegovinës. Shembulli më i ri është trajtimi i historisë politike dhe roli i institucionit të Presidencës së Republikës së Bosnje e Hercegovinës ndërmjet viteve 1992 dhe 1995, i paraqitur nëpërmjet dokumentave dhe materialeve të tjera origjinale në ekspozitën “Si të ruhet Bosnje e Hercegovina e plotë dhe shumëetnike. Presidenca e kohës së luftës së Bosnje e Hercegovinës 1992–1995”, e ekspozuar në galerinë e madhe të Muzeut në korrik të këtij viti. Pak më herët, tema e solidaritetit ndërkombëtar me Bosnje e Hercegovinën dhe qytetarët e saj në vitet 1992 deri 1995 u përpunua si temë në të njëjtën mënyrë.[5]

Një tjetër strategji me rëndësi që Muzeu e përdor shpesh në qasjen e vet është të punojë me artistë dhe ta përdorë artin në procesin e ballafaqimit me të kaluarën.[6] Ka patur shumë shembuj të kësaj, pavarësisht nëse artistëve u është dhënë mundësia të punojnë me burime historike dhe me material muzeal (p.sh. Vladimir Milladinoviq, koleksioni Crvena etj.) ose që kanë kërkuar shprehjen e vet artistike për të hapur disa nga çështjet e ndjeshme nga e kaluara (Adela Jushiq, Lana Çmajçanin, Aida Shehoviq, etc.), ose kanë ndryshuar perspektivën e këndvështrimit të luftës (ekspozitat “Paqja me fytyrë gruaje”, “Arti i antiluftës” dhe të tjerë). Është dëshmuar se gjuha e fuqishme dhe e sensibilizuar e artit është nxitës i fortë për reflektim dhe ka fuqi të madhe terapeutike.

Duke iu rikthyer pyetjeve fillestare të (pa)fuqisë së muzeve si institucione që punojnë në një kornizë të caktuar politike dhe sociale dhe si reflektime të gjendjes në shoqëri, dhe trajtimit të temës së ballafaqimit me të kaluarën, mund të arrijmë në konkluzionin se është e vështirë të thuhet dhe jorealiste të pritet që muzetë të mund të japin kontribut të konsiderueshëm për ndryshimet pozitive në shoqëri kur është fjala për këto procese. Sidoqoftë, ekziston gjithnjë një sferë më e vogël ose më e madhe e lirisë së veprimit dhe është çështje e vullnetit dhe kreativitetit se si të arrihet dhe të përdoret në mënyrë konstruktive. Muzeu i Historisë së Bosnje e Hercegovinës përpiqet ta përdorë hapësirën e pushtuar në të mirë të individit, komunitetit dhe shoqërisë ku vepron, duke besuar se përvojat dhe strategjitë e punës mund të shërbejnë si shembull për komunitetet e tjera.

Elma Hashimbegoviq është historiane dhe konsulente muzeale, e lindur në Sarajevë në vitin 1977. Ajo ka diplomuar nga Departamenti i Historisë së Fakultetit të Filozofisë në Sarajevë dhe e ka marrë gradën MA nga Departamenti për Studime Mesjetare pranë Universitetit të Evropës Qendrore në Budapest. Edhe studimet e doktoraturës i ka kryer pranë të njëjtit universitet. Që nga viti 2001 ajo punon në Muzeun e Historisë së Bosnje e Hercegovinës si kuratore, ku merr pjesë në projekte dhe instalacione të ndryshme, përfshirë ekspozitën e përhershme të muzeut “Sarajeva e rrethuar (2002/2003)”. Që nga viti 2013, ajo është drejtoreshë e Muzeut të Historisë së Bosnje e Hercegovinës, ku zhvillon dhe implementon strategji dhe politika të reja muzeale, e promovon muzen në mënyrë aktive si vend për hulumtime, arsimim dhe dialog konstruktiv dhe si një vend të hapur për të gjithë. Ajo është redaktorja e revistës së muzeut Facts and Artifacts dhe e publikimeve të tjera të muzeut. Ajo është anëtare aktive e shoqatave ndërkombëtare që punojnë në fushën e muzeologjisë, arsimit dhe ballafaqimit me të kaluarën (Rrjeti i Muzeve Ballkanikë, Euroclio, Laboratori i Kujtesës etj.). Asaj i është ndarë çmimi francez i Kalorësit të Urdhërit të Arteve dhe Letrave (Chevalier dans l’Ordre des Arts et des Lettres).


[1]Krijimi i Depos së Hapur brenda Koleksionit të Objekteve Tredimensionale përfaqëson një hap simbolik drejt hapjes së hapësirës për ta vënë në pikëpyetje në mënyrë kritike të kaluarën dhe trashëgiminë tonë socialiste. Rreth Depos së Hapur, shih: Hodžić, Elma, “Promotion of cultural heritage through the concept of ‘open museum’: The Open Depot of the Historical Museum of Bosnia and Herzegovina as a space for critical questioning of socialist heritage”, Koleksion i artikujve – Shoqata e Ekspertëve të Informacionit, Bibliotekistëve, Arkivistëve dhe Muzeologjistëve, 9, 2017, 45-52.

[2] Rreth Muzeut të Historisë së Bosnje e Hercegovinës janë shkruar disa disertacione dhe artikuj në dritën e transformimit dhe rolit të tij: Selma Harrington, Other Modernism: Underpinning the Case of the History Museum of Bosnia and Herzegovina, disertacion për doktoraturë (University of Strathclyde, 2020); Lana Balorda, Contested Heritage and Ethics of Care in the History Museum of Bosnia and Herzegovina, disertacion për MA (Eberhard Karls University of Tübingen, 2022); Chrzová, Barbora. “Performing a difficult past in a museum: The History Museum of Bosnia and Herzegovina”, Slavia Meridionalis (19), 2019, 1-19; Harrington, Selma, Dimitrijevic, Branka and Salama Ashraf M. “Cracks and light: observing the Resilience of the History Museum of Bosnia and Herzegovina”, Martor 23, 2018, 143-161.

[3]Johanna Mannergren Selimović, “The Stuff from the Siege: Transitional Justice and the Power od Everyday Objects in Museums”, International Journal of Transitional Justice, 16/2, 2022, 220-234.

[4] https://srebrenica.sensecentar.org/

[5] “Zgjohu Evropë. Mobilizimi i përkrahjes dhe solidaritet për Bosnje e Hercegovinën dhe qytetarët e saj gjatë luftës në 1992–1995”, është emërtimi i ekspozitës së hapur në Muze në tetor 2021, mbi bazën e të cilës më pas u krijua platforma digjitale www.wakeupeurope.ba

[6] Tiffany Fairey, Rachel Kerr, “What Works? Creative Approaches to Transitional Justice in Bosnia and Herzegovina”, International Journal of Transitional Justice 14/1, 2020, 142-164.