POLITIKAT E KUJTESËS: Muzetë e rinj dhe historitë e reja

Gjatë një interviste në TV në shkurt 2022, drejtori i Muzeut të Viktimave të Gjenocidit, historiani Dejan Ristiq, njoftoi për fillimin e rindërtimit të Kullës Qendrore dhe të kompleksit të Pavionit Italian në Staro Sajmište (Panairi i Vjetër). Ndërtimi në fjalë në të vërtetë do të ishte vijimësia e procesit që kishte nisur zyrtarisht dy vjet më parë, kur Parlamenti i Republikës së Serbisë miratoi Ligjin për Qendrën Përkujtimore “Staro Sajmište”. Me atë ligj, krijohej një institucion i ri kulturor, Qendra Përkujtimore “Staro Sajmište”. Roli i tij do të ishte të kryente detyra në fushën e muzeologjisë, edukimit dhe hulumtimit shkencor, sipas Nenit 2 të Ligjit, që thoshte “me qëllimin për të nxitur përkujtimin e viktimave të kampeve naziste të përqendrimit, kampit tranzitor të hebrenjve, Beograd – Topovske Shupe dhe në ish-terrenin e panaireve dhe Beogradit, kampin e hebrenjve të Zemunit dhe kampin e burgimit të Zemunit”.

Në fillim të nëntorit 2021, më shumë se një vit e gjysëm pas miratimit të Ligjit për Qendrën Përkujtimore të “Staro Sajmište”-s, Dr. Krinka Vidakoviq Petrov u emërua si ushtruese e detyrës së drejtoreshës së atij institucioni. Dr. Vidakoviq Petrov, shkencëtare me një karrierë të jashtëzakonshme në fushat e hispanizmit, studimeve hebreje, studimeve krahasimore dhe përkthimit letrar, shërbeu edhe si ambasadore e Republikës Federale të Jugosllavisë (pra, Serbisë dhe Malit të Zi) në Izrael ndërmjet viteve 2001 dhe 2006. Bordet Administrative dhe Mbikëqyrëse të Qendrës Përkujtimore “Staro Sajmište” u emëruan krahas me ushtruesen e detyrës dhe institucioni u bë me organet e veta të para menaxhuese.

Më në fund, më 27 korrik 2022, nisi zyrtarisht rindërtimi i Kullës Qendrore. Ajo është një pikë simbolike dhe emblematike e ish-kampit në Staro Sajmište, ku është planifikuar të vendosen zona e ekspozitës dhe pjesa edukative dhe e zyrave të muzeut të ri. Me atë rast, Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq mbajti një fjalim ku kërkoi falje për faktin që Kulla Qendrore ishte në gjendje aq të keqe “që për pothuajse tetëdhjetë vjet ne nuk jemi përkujdesur për të kaluarën tonë dhe as nuk jemi shqetësuar për të ardhmen tonë”.

Sidoqoftë, kërkimi për disa dekada për një mënyrë të përshtatshme që të shenjohej vuajtja dhe vendi i krimeve të kryera në Staro Sajmište, si dhe i gjithë ligjërimi social dhe historik i ndërtuar në fund të viteve 1980-të dhe në fillim të viteve 1990-të, flasin për një shkallë të caktuar të “shqetësimit” për të kaluarën dhe ndikimin e saj mbi të ardhmen. Në ato vite, ai “shqetësim” u shndërrua në përpjekje për t’i lidhur tmerret e L2B-së, përfshirë edhe ekzistencën e kampit nazist, me marrëdhëniet veçse të turbulluara në RFSJ dhe për ta përfshirë të kaluarën aktivisht në gatimin e konfliktit të ri.

Muzeu i Viktimave të Gjenocidit rodhi nga ideja që më në fund të përcaktohej numri i njerëzve të vrarë në Shtetin e Pavarur Kroat, që ishte “projekt” i mbështetur nga historiani Millan Bullajiq në fillim të luftërave civile jugosllave. Nisma e tij për të krijuar një muze që do të kishte një databazë të viktimave të cilat ai i quante “holokausti jugosllav”, pra krime të kryera në Shtetin e Pavarur Kroat, u realizua në vitin 1992, kur u krijua Muzeu i Viktimave të Gjenocidit, me Bullajiqin si drejtorin e parë. Mirëpo, zyra qendrore e institucionit nuk ndodhej në Beograd, pra në Staro Sajmište, sikurse kishte sugjeruar Bullajiqi, por në Kragujevc, në qytetin ku u bë pushkatimi masiv i civilëve në vjeshtën e vitit 1941. Vetëm pak vite pas krijimit, muzeu u zhvendos në Beograd, por edhe atëherë jo në Staro Sajmište. Megjithatë, fakti që Staro Sajmište u mor në konsideratë si hapësira e duhur për punën e muzeut të ri flet shumë për “potencialin përkujtimor” të atij vendi.

Mbetjet e kampit të përqendrimit në mes të kryeqytetit ishin si plagë që nuk shërohej, përplot shtresa të reja të ngjarjeve të pasluftës, që nga studiot e artit që gjendeshin aty, deri tek përmbajtja argëtuese krejtësisht e papërshtatshme që dëmtonte kujtesën veçse të brishtë të terrenit të ekzekutimit dhe të atyre që humbën jetët atje, të gjitha këto kryesisht të painstitucionalizuara dhe pothuajse krejtësisht të panjohura për shoqërinë e gjerë. Mirëpo që nga vitet 1990-të, kujtimi i viktimave nisi të zhvillohej krahas me rritjen e nacionalizmit që e shtyu vendit drejt luftës së përgjakshme civile. Ligjërimi historik dhe politikat e kujtesës më pas u përqendruan para së gjithash në shndërrimin e Staro Sajmište-s në “Yad Vashem-in serb”, duke theksuar idenë se Staro Sajmište ishte pjesë e “sistemit më të gjerë” të kampit të Jasenovacit në ish-Shtetin e Pavarur Kroat – vend ky i vuajtjes më të madhe të viktimave serbe të Luftës së Dytë Botërore. Krijimi i një lidhjeje të tillë dhe “shpërfaqja e të vërtetave të heshtura” u zhvillua në një atmosferë të debatit të nxehur ndërmjet historianëve nga Kroacia dhe Serbia, ku secila palë akuzonte tjetrën për “gjenocid” dhe paraqiste “prova” të ndryshme që kinse ishin dashur të mbuloheshin në RFSJ me qëllimin për ta ruajtur paqen në dukje ndërmjet popujve. Rreth asaj kohe, gjatë viteve ’90-të, Staro Sajmište u njoh si vend i torturës për serbët, hebrenjtë dhe romët, renditje që ka mbetur ende në disa pjesë të ndërgjegjes shoqërore edhe sot e kësaj dite.

Sigurisht, nevoja për Qendrën Përkujtimore “Staro Sajmište” nuk u zbeh nga fakti se njëherë e një kohë, vetë ekzistenca e këtij kampi në Beograd gjatë L2B-së i shërbeu pikësynimeve nacionaliste të udhëheqjes së shtetit për pothuajse pesëdhjetë vjet më vonë gjatë periudhës së shpërbërjes me luftë të ish-vendit të përbashkët. Pas ndryshimeve politike dhe demokratizimit të Serbisë në vitin 2000, u shfaq dikur madje dhe një propozim që në terrenin e kompleksit të bëhej edhe Muzeumi i Tolerancës, që do të ishte dëshmitar i historisë, do të shërbente si mjet edukativ për të mësuar rreth empatisë dhe paqes. Mirëpo, edhe pse antiteza e përpjekjeve për ta shndërruar Staro Sajmište-n në muze të dëshmorëve etnikë, Muzeu i Tolerancës nuk do të ishte përgjigja e duhur për pyetjet rreth vuajtjes dhe vdekjes në Beogradin e pushtuar. Pra, është e rëndësishme që toleranca të mbështetet në parimet e mirëkuptimit, dhembshurisë dhe shqetësimit për dinjitetin e “të tjerëve”, që së bashku nuk janë të mundura pa patur njohuri të plota rreth vendeve të ndjeshme dhe të dhimbshme në histori, ku ekzistenca e një kampi të vdekjes në kryeqytetin e një vendi është padyshim e tillë.

Sot, kur Presidenti i Republikës, gjatë fillimit të ndërtimit të Kompleksit Përkujtimor flet për “viktimat që nuk ishin shumë të rëndësishme apo u lanë anash, për hir të qëllimeve të politikës së ditës apo që dikush nuk ka hatërmbetje ndaj nesh”, fjalët e tij pasqyrojnë trashëgiminë e vështirë të viteve 90-të kur nënkuptohej se viktimat serbe ishin të fshehura dhe se ishte e ndaluar të flitej për to për dekada të tëra. Manipulimet e fakteve historike për të dëshmuar se çdo komb, përfshirë edhe serbët, ishin viktimë reale e shtypjes përgjatë të gjithë ekzistencës së RFSJ-së, shpeshherë janë mbështetur në periudhën e L2B-së me qëllimin për të vënë në dukje vijimësinë e vuajtjes. Bartja e atyre modeleve tek një ligjërim që ende po ndërtohet në një muze krejtësisht të ri edhe për Serbinë, unik, me qëllimin institucional për “të punuar dhe komunikuar në mënyrë etike, profesionale dhe me pjesëmarrjen e komuniteteve”, do të përfaqësonte një praktikë të keqe dhe në asnjë mënyrë nuk do të ishte në përputhje me misionin e shpallur. Pranimi i mendimeve të krijuara nën ndikimin e fuqishëm të qëllimeve nacionaliste dhe bartja pa kritikë e tyre në të tashmen do të ishte një peshë e stërmadhe për institucionin e ri dhe do ta pengonte misionin e tij që në fillimet e punës së vet.

Së fundmi, muzetë janë vende që eksplorojnë, zbulojnë, komunikojnë dhe gjatë atyre proceseve, punojnë me njohuri shkencore dhe objektive. Ata nuk janë dhe nuk mund të jenë vende të propagandës politike pavarësisht sa i fuqishëm është presioni për ta korigjuar kujtesën kolektive.

Nela Tonkoviq është historiane e artit, me master në politika dhe menaxhim të kulturës. Në periudhën ndërmjet viteve 2010 deri 2013, ajo ka punuar si kuratore e Galerisë Bashkëkohore të Suboticës dhe nga viti 2013 deri në 2018 ajo ka qenë drejtoreshë e asaj galerie. Nga shkurti 2019 deri në dhjetor 2020 ajo ishte udhëheqësja e Muzeut Kombëtar të Shabacit. Ajo është e angazhuar aktivisht në hulumtimin e politikave të mbledhjes dhe ekspozimit të artit bashkëkohor në institucionet publike në Serbi, ndërsa praktika e saj profesionale orientohet nga menaxhimi strategjik i institucioneve për mbrojtjen dhe shfrytëzimin e qëndrueshëm të trashëgimisë, menaxhimi në fushën e prodhimit të arteve pamore dhe ndërmjetësimi i artit bashkëkohor.