“Qe nizet vjet as n’tokë as n’qiell”

Halil e Zyle Ujkanit në prill të vitit 1999 u kanë humbur dy djem, Mahiti dhe Shaipi. Vëllait të Halilit, Sadriut, po ashtu i kanë humbur dy djem, Fatoni dhe Shkëlzeni. Edhe vëllait të tretë, Zahitit, të vdekur prej dy vjetësh, i ka humbur djali, Nazimi.  

Të pesë djemtë, pasi shohin se forcat serbe po i djegin fshatrat përreth, lëshojnë shtëpinë bashkë të njëjtën ditë, duke e ditur se gjasat për të mbetur gjallë i kanë të vogla po mbetën në fshat kur të vijnë forcat serbe. Largohen me disa zyrtarë politikë të LDK-së nga Mitrovica të cilët Halili i mbante të strehuar në shtëpinë e vet.  

Halili, Sadriu e Zyla, që detyrohen ta lëshojnë fshatin pak ditë më vonë, rrëfejnë përjetimet e tyre në kohën e luftës dhe odiseadën e përpjekjeve të pasluftës për t’u rënë në gjurmë të bijve që nuk i panë më kurrë. 

Halil Ujkani, Sadri Ujkani dhe Zyle Ujkani: Rrëfimi në bashkëbisedim 

Halil: Unë jam Halil Ujkani, djali i Sinanit. I lindun edhe i rritun në fshatin Vinarc. Kam punu 40 vjet e 9 muej n’kombinatin e Trepçës, deri pak para lufte, kur na kanë qitë prej pune. Jena dalë në nifarë pensioni. Martue jam me 1959. I kam katër djem e ni çikë. Djali i madh e ka emrin Refik, tjetri Shaip, masanej Ferid edhe Mahit, e çika Sadet. Djemtë i kanë krye shkollat e mesme edhe janë punësue. I madhi o pasë punësue n’industri kimike me mue. Deri kur na qitën, ka punu. Çika e ka kry shkollën për infermiere edhe sot osht n’spital tu punue. Dy djem, Mahitin edhe Shaipin, na i kanë marrë, na i kanë hupë. E këta dy djemtë qi metën te shpia, dolën n’Gjermani. Atje janë qe 20 vjet. I madhi o’ i martum, i ka dy çika, i dyti s’osht martu hala. N’shpi jena metë veç unë e plaka. Jena konë me vëllazni deri pak para lufte, 35-36 anëtarë. Jena dalë secili n’shpi t’vet. Unë jam metë qetu, n’truell t’vjetër. Tjerët janë pak ma anej.  

Jena konë katër vëllazën e tri motra. Dy motra janë gjallë, nji ka vdekë. Edhe nji vëlla, Zahiti, na ka vdekë. Edhe ai e ka nji djalë t’humbun. Zahiti ka vdekë para dy vjetësh. Dy vëllazën, me Sadriun, jemi këtu. I treti osht n’Gjermani. Inxhinier o konë i elektro-inxhinieringut. Te tonë i kemi shpijat tona.  

Përpara lufte e kena pasë shumë mirë jetën. Mirë kena rrnu, bashkë jena konë, po e kena pasë ni familje t’mbushun, t’rijtë punojshin, shkojshin n’shkolla. Të gjitha i kena pasë. Mirëpo n’kohën e luftës, erdh’ e na shkatërroi. T’punësuem i kam pasë dy djem të mi, edhe çika o konë n’spital tu punue. 

Baba na u pat pensionue. Kur i boni koxha do vjet, vdiq. Nana s’ka punu. Edhe ajo ka vdekë. Vëllaznit janë martu, kanë fëmijë. Unë jam martu me 1959. Këtyneherë bojshim darsma t’mira, t’mdhaja. Shyhret o konë kur jam martue. Ky vllau i tretë thojke: “A paska kësi lezeti?”, se jonë konë 300 veta a ma shumë. Zyle m’thirret gruja, osht prej Drenice, e fshatit Prekaz. Atje e kom marrë edhe kemi jetu jetë t’bukur deri qetash. Tash jena metë pak vështirë veç na dy. T’mira i kena pasë kushtet, e mirë rrnojshim. Po erdh kjo luftë e na shkatërroi. 

Ma së pari na qitën prej pune, 1992-shin. E te shpia jena konë gjithë, veç na patën qitë në nifarë pensioni. Edhe te shpia rrishim gjithë. Me 1999, kur u kall lufta, atëherë kryetari i Lidhjes Demokratike o konë ni profesor, Latif Berisha. E vranë n’shpi të vet n’Mitrovicë. Edhe shpallën që çka të jenë t’kryesisë t’Lidhjes Demokratike, me i nxanë e m’i pushkatue. Bash zavendës-kryetarin e Lidhjes Demokratike, Faruk Spahiu u thirrke, me nja dy shokë, unë i kom majtë nja dy-tre muejte shpia jeme. Deri erdh’ koha e luftës, me sa di me datë 15 a 16 prill 1999, kur na hinën forcat e serbëve. Pak pa ardhë forcat, djemtë qatëherë duelën prej shpie. Duelën ata të LDK-së me gjithë pesë djem tonë; dy fëmijët e mi e tre t’vëllaznive. Vëllau deshti me jau dhanë diçka pare. Po nji Adem Pantina i Lidhjes Demokratike i kish thanë: “Pare kemi boll, s’kemi nevojë.” Djali i kish thanë: “Po dalim përmi kodër n’Germovë, përtej Ibrit. N’koftë qi s’ka diçka atje, kthehemi, i kem’ dylbitë, e ju kqyrim prej atjehit. N’kofshi përzi, e çoheni, na vazhdojmë”.  

Pa ardhë forcat, u mlodhën këtu pesë katune krejt në katunit tonë, dy thirrën Vinarce, Gushavc, Çabër, nuk dojshin me ikë, veç me nejtë qetu. Secila shpi i kena pasë ka katërdhetë e kusur njerëz. I strehuem qashtu qata që kishin ikë. Mirëpo, t’nesrit kur hinën forcat paramilitare, ni mahallë qatje poshtë do i plagosën, nja dy i vranë. E na thanë se duhemi me shku për Shqipni. Me familje me krejt dolëm deri n’Zhabar. Thojshim po dalim anej, po nuk na lanë hiç, thanë veç ecni për Shqipni. U nisëm me shku për Shqipni. Ajo rrugë pak ma e vshtirë, shkuem deri n’Segllobarë, krejt komplet familja jonë bashkë çka ishim metë. Unë me grue, e me çikë. Vëllaznia me fëmijë e me krejt qysh kemë, traktorin e kishim. Valla gati 40 anëtarë i kena pasë. N’traktor janë konë veç dy prindët tonë, fëmija, ni kojshi me gjithë grue e djalë, baballëku i vëllaut. Traktori o konë plot, i mbluem me ceradë. 

Kur u nisëm për Shqipni nuk dishim gja ku janë djemtë, se ata dolën e ma nuk i pamë. Na dolëm nja dy a tri ditë ma vonë. Djemtë e panë që s’ka t’ardhme këtu, e u nisën me ni katun qi thirret Broboniq. Prej Broboniqi n’Kuqiçtë, n’Kotorr e aty bujnë ni natë, hanë edhe darkë. Edhe mledhen nizet e kusur vetë. Masanej, a nisen me dalë për Shqipni, a m’u bashku me ushtrinë tonë, aty s’dimë çka kanë ba. Zateten n’forcat ushtarake t’serbëve. Ai vend thirret Dreth. Aty i rrethojnë edhe i kapin menirend. Thojnë që s’ka krisë pushkë as kurrgjo, po i kanë shti në kerr edhe qysh kallxohet prej atyhit i kanë çu në katunin Velibreg.  

Unë e kom pasë banesën n’Mitrovicë. E kom pasë edhe ni serb aty kojshi. Ai m’ka thanë mue qi Shaipi ka nejtë me do shqiptarë aty. I kanë zhdrypë, i kanë marrë i kanë çue… ata thojshin n’Pozharevac i kanë çue. Prej aty, a i kanë vra, a janë gjallë, a janë n’burg, ma s’di për ta. Të humbun që ma nuk dimë për ta janë Shaipi edhe Mahiti. E Refiku me Ferizin kanë qenë n’Gjermani. Nafaka që i patëm do djem në Gjermani. Se, unë dy, vllau dy. Edhe djali i ni tjetër vllau, pesë. Ata çka kenë n’Gjermani, janë gjallë hala sot. E këta që metën këtu, të pestit na i morën. Nuk dimë a janë gjallë a t’vdekun. Prej tyne, dy i kanë pasë ka 17 vjet, e dy ka 19. Shaipi nja 33-4 vjet i ka pasë. Ata janë dalë me ka ni plaf nën sjetull, se shpinë e kena pasë plot me t’ikun prej kahmos. E djemtë pa gjumë, ka ni plaf jau kena dhanë nën sjetull.  

Sadri: Jonë nisë të tonë së bashku prej qetuhit, se vishin tonët e rrishin me këta t’LDK-së natën tu bisedue. Ata kaniherë shkojshin n’qytet, po atje iu kish pasë ngushtue puna. E qai Adem Beqiri i Pontinës tha: ”Baci Sadri, na kanë ardhë deri te shpia jonë, na kanë kallë me ka krejt. Ma aty nuk mundemi me u kthye. Janë ardhë qetu, duhet m’ia majtë dikah”. Atëherë e kishin bisedu edhe me këta djemtë, që dojnë me dalë dikun. Qatë natë krisi n’Çabër. Djali i madhi, i dyti Shaipi, me ni shoqni duelën me iu ndihmu. Po ku me dalë me ni automat? Nejse, prap dalin. E pamë që po vjen kiameti edhe knej. Unë isha tu e pregaditë traktorin.  

Kur o ardhë Shaipi, e kishin pasë bo llaf qashtu, e janë dalë. Kishim pregaditë diçka, i kanë marrë do gurabija, do vo t’zime, plafat, sikur ushtrija që majshin, se vyjke me bo me i nxanë nata. Do tesha i veshën, për mos me nirthë edhe u nisën teposhtë. E kanë kalu Ibrin, janë kapë përpjetë kodrës. Veç sa kanë kalue, për nja dhetë minuta i kanë pshtu atij kerrit të zi që qarkullojke, se të tonë ishin pre qaty n’rrugë. Po, osht nifarë rruge e gjatë per Gërmovë. Prej aty dalin në Broboniq. Aty bujnë atë natë. Prej Broboniqit nisen e shkojnë n’Kotorr.  

Halil: Kiqishtë, n’Kotorr. 

Sadri: Po, kanë kalu nëpër Kiqishtë, po nuk kanë nejtë. N’Kotorr shkojnë. Aty ku rrinë, te nji haxhi, nja 20 veta janë kanë… 

Halil: Po, 24 na pat’ thanë. 

Sadri: Se ishin kanë edhe tjerë. Edhe atëherë bile kish pasë mish e lakna. Zoti ja rrittë nerën atij, i kish pasë pritë mirë. Kur vjen sahati 12 e gjysë, pregaditën m’u çue. U kish pasë thanë plaku: “O djem, n’e ngofshi mixhën mos dilni, se tash osht kohë lufte. Kështu gjithmonë nuk shkon. Kanë ardhë rusët e NATO veç me i sulmu…” 

Halil: “Ikni maleve”, u thotë. 

Sadri: “Qesajde silluni, edhe vazhdoni.” Ata të tonë vendosin me ecë, se ata të tonë jonë konë që i lypke ushtria. E m’dhimen këta që janë shkue bashkë me gjind që i ka lypë hyqymeti (qeveria serbe), se këta të tonë të rij, po qe. Dy të mitë jonë konë. Fatoni edhe Shkelzeni, edhe dy të vllaut, Shaipi edhe Mahiti. Edhe djali i vëllaut tjetër, Zahitit. Ky me Shkëlzenin o konë moc. Nazim Ujkani ai e ka pasë emnin. 

Mue traktori s’më dhezke. Ma i mrami jam dalë. Thojsha, dojnë me m’nxanë me robë e me fëmijë qaty, me na ba kërsh. Po, e dheza, eca. Na mendojshim krejt këto pesë katune dojnë me shku bashkë, ku u konë TransKosova.  

Halil: N’Zhabar. 

Sadri: Tani u pat’ ba e madhe aty. Thojshin dojnë me hi të tona ato pesë katune, qaty me nejtë. Po ata e kishin pasë planin e vet. Në çdo kthesë ishin konë ka tre katër, veç ‘ec’ na bojshin, n’atë anë, n’këtë anë. Bile kur jena kthy prej Skenderajit, tre i kishin pasë vra n’Lubovec. Unë isha n’traktor, këta tjerët ishin mluet, e nuk shihshin. Kur jena shku te Shipoli, m’kanë nalë policia. Veç mu n’traktor, ata tjerët ishin nalë përmas. 

Halil: Ky i grahke traktorit, na mrapa n’traktor. 

Sadri: Më lypën pare. E nxora kuletën. Qysh e kisha marrë para tri dite pensionin. Ni top pare, po s’kishin kurrfarë vlefte. Ja gjuejta n’dorë. Ai kujtoi që marka, u kënaq. Kur i hetoi, po ma ban me dorë, po unë ma s’u nalsha hiç. Edhe po shkojmë rend qashtu pa nalë, prej Mitrovice e deri përtej Skenderajit traktorat rend jonë konë. Shkojshim rrugës, kah na thojshin ata. Se ish kolona. Po, kur jena shku te Proni i Keq, që dahet për Nish, për Skenderaj, edhe tjetra shkon për Pejë, na kanë kthy aty. Qaty ish konë punkti. Pushkën e kish ai edhe se nxjerrke me më vra, po e muer ni kazëm e m’ka bo yrysh. Po çka me ba këta, si më ra mue, të tonë me këta bashkë, bimë teposhtë n’prrue. 

Halil: Katër familje ishim n’traktor. 

Sadri: Njeri po u tutka deri dikun, e masanej dikur s’po u tutka. Kur e nali Zoti atà, na s’p’e ndalim traktorin. Edhe kaluem. E atëherë jena shku qashtu, tu na kontrollu ren. Bike shi, fryjke. Na kanë kthye n’Serbobranë. Ish ni shkollë aty. U mush me kerre n’tona anët. E kom falenderu Zotin qi na pshtoi. Aty tri ditë kena nejtë. Na me mendje qi dojnë me na lëshu me shku për Shqipni, po pse e kthyen ata, nuk e di. 

Halil: Ish mshelë kufini, ma s’ka. 

Sadri: Atëherë i qitën tre vetë aty, kishe me rujtë atë vend asajde. Edhe këtë vëllaun e thirrën. Njoni i katunit, nifarë Muja, njò i katunit poshtë atje, nifarë Rasimi, që m’u kujdesë mos me dalë, milicia i kishin pasë thirrë të tre. Ata t’mençëm, u kthyen. Ky me milicë aty përjashtë. Unë isha me plakun. E kishim smutë plakun. Ra n’traktor. 95 vjet i ka pasë. Edhe po vijnë njerëz, po më thojnë: ”Sadri, Halilin e kanë kapë, s’pe lshojnë milicia.” Ata janë hi mrena, ky o metë atje. Vallahi me falenderu Zotin që s’lujti as kerri i milicisë as gjo, se sot s’e kishim këtà këtu. E kishin qitë n’kerr, kushedi kah e kishin çue. Atëherë unë e kom pasë ni çikë, o konë pesë vjet, tash osht n’Suedi, e martume. Ka kry fakultet edhe tana i ka mirë. Edhe p’i thom: “Çika jeme, shko kape balin edhe le t’hi mrena”. Shkon ajo e kap, nuk e lshojnë. Munohet ky, po s’e lëshojnë. Erdh, e m’tha: “Babë, nuk p’e lshojnë”. Thashë: “Shko kape për dore, edhe mos e lësho. Kape zhag”. 

Halil: Ajo s’më lshojke.  

Sadri: Niherë e nijta unë kur e shajtën. I tha njoni: “Ti ma ke vra vëllaun”. Zaherë iu kish vra ni vëlla n’luftë ati shkaut (serbit) edhe i ka përngja Halili me musteqe. Ma nuk di, se unë isha pak ma larg. Po dha Zoti edhe e shtinën edhe këtà mrena edhe ata kapërcyn prej atyhit. T’nesrit, m’erdh urdhni m’u kthye. Jena kthy apet përmbrapa, unë i ngarkova. 

U nisëm për n’shpi, po nuk na lanë n’shpi. N’Zhabar, tha: “Vinarci nuk munet me dalë”. Ishin vra, që tha haxhia, babë e djalë, e do plagosë. Do shpi ishin kallë, po hala s’i kishin kallë krejt. Dojshin tjerat m’i kallë. Na u kthyem n’Zhabar te ni mik, ku e kem’ motrën. U kthyem aty, kishe për ni natë a dy, e metëm dy muj ditë n’Zhabar. Kaniherë dilshim me u afru pak kah katuni, ky vllau i  shihke kah kallen shpiat. E ju kish pasë kallë shpia e vet, po s’ish mushë as për t’veten, e jemja s’ish kallë, deri ma e mrama, e më thotë: “Qe bile qajo s’o kallë, noshta himë n’tà”. Thashë: “Ka m’u kallë edhe ajo. Ishalla jem’ na shnosh, se s’osht ajo problem.” Kur t’nesrit u kall. Kur erdh bile kajti. Për t’veten s’kajke, për temën po. Thashë: “Hajt vëllau jem, se s’osht punë…”  

Halil: E kishim t’re plakën e plakun, thojsha rrimë qaty. 

Sadri: E aty kena nejtë prej atëherë. Kur hinën NATO-ja, erdh hesapi, dulën edhe këta qytetarët qaty. E kishim ni dhandër t’vëllaut, qatij që i ka hupë edhe atij ni djalë. Osht profesor n’Tavnik, edhe s’ish kurrkush hiç te ata, ishin dalë të tonë. U zhdirgëm na n’shpi të tij. Se Zhabarin e kallën, s’u jetojke ma. Shkuem e aty tani kena kalue mirë, i kishim do sene, po mendimet tash të djemve: “Kah na shkuen? Ku metën?”. Ata të vllaut tjetër na thirrshin prej Gjermanie: “Çka ka?”. Prej Shipnie qashtu. Ju thojshim: “Nuk dimë pasha Zotin”. Hala s’kishin ardhë lajme që i kanë nxanë.  

Unë rrisha me plakun, ky vllau dilke me u marrë me hetime, qashtu nëpër Mitrovicë. Po thotë: “S’kanë nie që e kanë vra kon. As s’ka krisë kurrgjo. I kanë marrë, i kanë ngarku n’kerre, i kanë çu nuk dihet ku.” Nifarë Ismeti o konë i…  

Halil: …i Mikushnicës 

Sadri: Ai ish konë profesor, e kish pasë njoftë ni boshnjak. Ai kallxoi. E Ismetin me Farukun i lëshojnë. Këta ishin konë në grup me djemtë tonë. Ishin ra n’pritë. Jau kanë kallë ata reflektorat n’tana anët. Edhe jau kanë qitë rrethin n’tana anët. I kanë nxanë. E këta dy ishin konë në ni therrë, e s’i kanë gjetë. Kur shkojnë ata, që nuk nihet kurrfarë zani hiç, atëherë çohen, e shkojnë me ni katun. E drejt e te ni shpi e shkaut. 

Halil: Në Zubin Potok. Në Koloshin.  

Sadri: M’doket, haxhi, jo në Koloshin, po ma larg pak. Dikun në Vokne qaty. 

Halil: Jo, jo, ata vijnë prej Kotorrit n’Dreth. Prej Drethit kthehen teposhtë, mendojnë që janë tu shku për Shqipni, po e hupin udhën… 

Sadri: Jo, jo, janë nda prej këtyne, masi i kanë nxanë këta tanët. Ata marrin me u kthy kah janë ardhë. Edhe shkojnë n’shpi të ni shkau. Qeky Ismeti me gjithë atà t’Lidhjes Demokratike, Faruk Spahiun. Bien n’dorë të tyne. E kur t’bien n’dorë të tyne, e njeh ai boshnjaku këtë Ismetin edhe i kap i qet në kerr, deri qetu te Gërmova, te Vinarci i Epërm, qaty ku osht ni restaurant tash. I ndal, thotë: ”Zhdrypni!”. Boshnjaku polic, i veshun. Zhdrypin edhe shkojnë te ni shpi n’Vinarc t’Epërm. Rrijnë atë natë deri n’katër ora. 

Halil: N’podrum, se u kallke shpia… këta n’podrum. 

Sadri: N’katër ora dalin n’Broboniq atje, edhe pshtojnë. Qeto na i ka kallxu Ismeti. Vijnë te shpia, ia fillojnë punës edhe krejt shkon normal. E këta tanët hupën. Tha ky Ismeti qi bile njani i Lidhjes Demokratike ish lodhë e o rrëzu. E kish pasë kapë Shaipi edhe ni tjetër për krahësh, e kishin pasë çu deri n’qat bazë. 

Halil: nja dy-treqind metra e çojnë, se e lshojnë kamët, n’krah e majnë. 

Sadri: Derisa janë ra në pritë. Janë nisë asaj rruge kah i ka çu fati. Deri janë ra n’dorë t’ushtrisë… Ai Faruku bile o konë ba kryetari i komunës t’Mitrovicës… Ni ditë ishim para poste, i thamë: “Qysh bre Faruk, ju me pshtue, e djemtë tonë me shkue?” Thotë: “Pasha Zotin,  jau dhashë besën e nderës, që s’ka këtu sen, veç fati qi na jena metë qaty. Veç kena nejtë aty, deri i kanë ngarkue, nuk ka krisë as pushkë, as zhurmë, as kurrgjo. I kanë ngarku n’kerre. Kah i kanë çu, nuk e di.” 

Halil: E thojnë që i kanë çue qaty ku thashë unë. 

Sadri: Vllau e njihke qatë kojshinë e vet edhe grueja e tij ka pasë punu te na n’Lobriant. 

Halil: Aleqki Bole thirret kojshia, 30 vjet bashkë qaty n’banesë kena jetu. 

Sadri: Edhe shkon me e vetë, ai i thotë: “Halil, e kom pa Shaipin me ni grup shqiptarësh.” N’shkollën ‘Haxhi Sulejmani’, atëherë u thirrke ‘Sveti Sava’. “Aty ish konë. Boll u munova, pata qef m’i marrë… po s’guxova. Se masi ish me ta, qysh me e marrë?” Qaty i ka pa të tonë, edhe këta tjerët, po Shaipin e ka njoftë, se ma i madh, po edhe banesat i kanë pasë derë më derë. Atëherë tha: “Unë dola, veç e di, që thanë që p’i çojnë për Aleksinac a për Pozharevac, po nuk munem me e ditë kah i kanë çue.” 

Halil: E ai plaku i Kotorrit, që i kish pasë pritë mirë, ai kish pasë marrë me i qitë n’kufi t’Shqipnisë. E qai i merr; ai përpara, këta përmas. Deri atje n’pritë. Ai gjuhet n’do therra, e mlohet sikur lepër. Ata i marrin, atà s’e dinë hiç. Ai tha: “Nuk m’gjetën se u kthyen e i morën me kerr masanena”. Ai çohet edhe nuk zatetet me këta tjerët, po vetëm. Ky, që i ka pasë marrë mbi veti për m’i qitë n’atë anë. Kthehet te shpia. Këta dy tjerët e marrin udhën, e hupin, bien n’Zubin Potok. Aty i kapin, prej atyhit i çojnë n’Vilibregë. N’Vilibregë jau marrin deklaratat policia aty edhe qëllon qai boshnjaku, që e pshton këtë Ismetin, edhe i qet n’kerr e shkojnë deri n’Koshutovë.  

Kur jena shku n’Broboniqë, aty e kena ndie në radio që i kanë nxanë 25 shqiptarë. 

Mas lufte, ia kena nisë m’i lypë djemtë. Jem’ t’organizum te shoqata “Zëri i Prindërve”, e kem’ nji zyrë. S’ka pasë ven ku s’kena lypë. N’Prishtinë pa nalë kurrë, si bahet diçka, shkojmë gjithë. Kurrgjo s’ka! Veç fjalë. Po, Zoti e ka fuqinë e madhe. Se po bohen 19 vjet, ata janë t’kalbët dikun, për Zotin vështirë, mendja s’ma merr që janë gjallë ma. Mirëpo ymytin e kem’ si prind, hala. Deri sa ta dimë. Bile qetash e kanë gjetë njà, mik e kena pasë. I kishin pasë përzie. N’vorr masi e kanë gjetë tjetrin, tjetrin n’vorr e kanë marrë. 

Sadri: Unë thashë: “Ishalla i gjajmë gjallë, që e kanë ymrin”. Se sa për qeshtu eshtna, ishalla kurrë s’i gjajmë. I bien turlifare. M’u ka mushë mendja qi edhe eshtna t’gjave ka që bien. Se ma s’di sa vorre janë çelë, mule hiqja vorrin, ngjite tjetrin.  

Niherë shkuem me këtë vëllaun e me njonin të Pontinës te njoni i Gjakovës. Ai gjoja ka njerëz t’kapun me shkije, e paska thanë: “Mujna m’i gjetë ku janë gjallë”. Jena shku edhe kena lidhë me ta kontratë. Ka pesë mijë euro për anëtar, 10 mijë vëllau, 10 mijë unë, 5 mijë ai tjetri vëlla, 5 mijë ai i Pontinës. Të tonë ka 5 mijë për anëtar. E pritëm, e pritëm. Shkuem disa herë. Dallavere ajo punë krejt.  

Halil: Po, nëpunës i Gjakovës, po i lidhun me shkije (serbë). E ai bajagi që mundet m’i gjetë edhe thojke: “Po lyp pare shkau”. 

Sadri: Njeri kur o ngusht, shkon kahmos, edhe te armiku. I bonëm paret, ia çuem. S’di sa e pritëm. Ai dojke me i marrë paret krejt. Thamë: “O burrë, neve na kanë hupë mashkujt. Pasha Zotin deri n’filan dite ja gjeji, ja…”. Bile ai nipi prej Gjermanije prej atjehit flet me tà. I thotë: “Ta kom marrë adresën e krejt, e mos gabo m’u ba budallë.” E lamë për dy javë, tri javë, dikur e pamë s’ka kurrgjo. Kur shkuem, na i dha paret krejt. 

Halil: Vallahi qysh ma muer menja, veç dallavere kish pasë. Veç, kur e pa ngusht punën… ja shpirtin, ja paret.  

Sadri: Kur osht njeri ngusht, kah s’shkon. I thotë dikush baballakut tem për ni boshnjak që po i gjen gjindjen. E çohet ai shkon te boshnjaku, pa ditë na gja. Edhe i thotë: “Ka 200 euro për person deri te gjajnë. I paguen ai për pesë djemtë tonë 1000 euro. Ish konë pasë ardhë ni ditë ai boshnjaku, e kish pasë ni mik n’Kçiq. E kur shkojmë na aty, thotë: “Tash s’po muj me marrë lidhjen”, po na thotë: “Kqyre burrë, janë do n’Shac, n’Reznik. Ujkani thirren edhe ata. E në shpi të tynen janë masakru ata”. 

Halil: Ujkani u thirrshin edhe ata. 

Sadri: Nuk i kena kurrgjo. Ai boshnjaku e lidh punën. E kur shkojmë, del që nuk janë tonët, po t’Reznikut. E qeshtu, kah s’jena konë. E kjo shoqata, që e kem’ këtu, s’kanë çka bojnë as këta. Kanë punu boll. Me fotografi, gjithë sa herë kem’ tubime, tu i majtë ato fotografi ren.  

Jonë ardhë besa niherë n’Koshutovë. Kenë edhe do femna, që ishin zgedhë n’Kuvend edhe n’qeveri do. Na e paguen restoranin aty n’Koshutovë. Na dhanë drekë. Edhe e patëm ni bisedë. Tryezë të rrumbullakët. Unë e mora fjalën si vonë. Thashë: “Neve na kanë hupë mashkujt, dy djem i kom t’mitë. Sot me më thanë a po don me t’i gjetë djemtë, a me ardhë shkau (serbët)? Kurrë mos m’i gjetsh djemtë të thom, veç shkaun (serbin) s’e du ma këtu. Se s’jom ngusht hiç. Veç, deri sot keni punu ligsht”. S’e pritën kur u thashë qashtu, bile ngryk na morën kur na përcjellën.  

Sa i përket institucioneve tona, marre u koftë. Se kush nuk u interesu. Me dalë n’Bruksel puna e t’pagjetunve. Kush p’e pengon, që po jet qaty ku o konë? A ka ma vlerë seni se njeri? Po kur nuk interesohesh për shpirta t’njerzëve, po çka t’vyn malli, çka t’vyn parja? Qe 1600 e sa janë t’pagjetun hala? Sikur me konë kingja e dhen, se jo gjind.  

Hala nuk e gjet kohën njoni me thanë: “Faleminderit për qetë vatan, për qetë luftë, për qeto krejt”. Me ardhë me pa qysh jena, e po kena idare. Elham-dulilah, kurrë s’kena hjekë, ishalla kurrë s’hjekim. E kena pasë mallin tonë, kena pasë punu, s’jena nalë kurrë, as ditë as natë. Kena punu të tonë n’kombinat. Fundi fundit, as kryetari s’o kurrgjo, as kryeministri s’o kurrgjo. Me ardhë me na vizitu me thanë: “Qysh jeni, a po merziteni?” Se pesë mashkuj prej ni shpie, vallahi nuk o kollaj m’u konë zogj t’pulës, se jo mashkuj! Dy jonë konë studenta, tjerët n’shkollë të mesme. Ai nipi i madh ka pasë dugajë. 

E mos u koftë hallall kurrë, ishalla Zoti i gjykon, se vallahi nuk mujna me thanë hallall u koftë kur nuk osht qashtu. Edhe vëlla me pasë i thom: “Vëlla, nuk ke punu qysh duhet”. 

Zyle: Unë nuk e ndiej që m’ka dekë familja. Pëse evlad. Mendoj gjithë që janë gjallë, se s’kena gjetë kurrgja. Gjakun krejt na e kena dhanë për ta. Kund nuk janë gjetë, kund ai gjak s’u ka ra atyne, kur i gjojshin kufomat. Unë gjithë mendoj që janë gjallë, po n’burg. Po, nashta po punojnë këta kadalë. Punët e veta s’i prishin as këta t’jashtit. Marrin rrogë, punë e madhe që hjek populli knej. Zemra ma ndin që krejt gjallë i kam. Se kush s’ka thanë që jonë dekë. O ardhë ky Faruk Spahiu. O shku atje n’Koleshinë. Kur e kanë lëshu, na jena konë n’Zhabar tu nejtë, se këtu s’guxojshim me ardhë. Me gojë të vet, ka thanë qi i kanë marrë qaty, jau kanë qitë dritën edhe i kanë nxanë. Këta që jonë konë llugave, Zoti i ka pshtu. Po qitë kush s’ka, veç i kanë marrë, i kanë ngarku, i kanë çu. Kah i kanë çu, s’e di. Po maj ymyt që ishalla të tonë n’burgje janë. Tash mërzitna. E knoj kuluvallahin bismilahi menirend. Kurrë zemra nuk ma nin që s’jonë gjallë, boj shahadet… 

Kur o konë ajo lufta Shaban Polluzhës, unë jam konë dy-tre vjeçe. Mixha m’ka pasë hupë n’luftë, e ni kusheri. Kusherini erdh. S’di sa kohë i kanë pasë majtë n’luftë. E mixha ish dekë.  

Veç, këta po shkojnë kadale, shumë. E na niqind vjet nuk rrnojmë. Tetëdhetë vjeçe unë. E për këta tetëdhetë vjet, elhamdulillah, boll mirë jom. Prej zemre jam ligsht, nuk guxoj me folë shumë. Shtypja më rritet si t’mërzitna. Këtë televizor s’po kem’ çare pa e kqyrë. Se neve na duhet ni fjalë. Po edhe ma mirë mos me kqyrë, se po mërzitna për krejt popullin keq çka shoh.  

Halil: Ditën e Pavarsisë n’telvizor e kom kqyrë qysh janë ba paradat. I bana 83-4 vjet. I kallxoj vëllaut dje qi qaq jam mërzitë e atë ditë veni ven s’më zike. Dola n’ballkon e kalla cigaren, thashë noshta m’kapërcen pak. S’mujsha me nalë vajin, qaq m’erdh rondë diçka. Mirëpo, prindi si prind kahmos kujton, se 20 vjet u banë. Tash, n’paçin ymër vijnë, në mos i pastë mrri deka. 

Sadri: Djali i dytë i Halilit o konë n’dugajë (shitore) tu punue. Shaipi. I jemi vjen mas tij. Fatoni. Ai o konë n’vitin e dytë n’fakultet t’makinerisë. Bile kanë ba inçizime, n’fakultet t’Mitrovicës. Na kena mendu, që kanë me e krye, se janë t’aftë. E me hi n’institucione. Po s’e patën ymrin, se i nxani ajo farë nafake. Shokët e tyne, qeky Emrush Ujkani, ni klasë u konë me djalin tem Fatonin edhe me Mahitin. Ai sot, djali i mençëm, u ba politikan. Atà e morën shumë herët, se e panë edhe qeveria që osht i aftë edhe e kanë çue n’shkollë jashtë, ka marrë përvojë, ka marrë praktikë. Osht djali i mirë, edhe punëtor. Kur i shohim shokët e tyne, na vjen vështirë. 

Fatoni ka shku këtu n’shkollën tonë n’Gushavc. N’shkollë t’mesme masanej n’Mitrovicë. Makineria o kanë n’Mitrovicë. Ka pasë pasë qef me bo ni leje t’kerrit. Po e kishin pasë rrëzu. S’ka pasë qef jashtë me dalë kurrë. Kena mujtë me qitë jashtë, masi i kishim mashkujt atje, po s’dojke. Ditën që o dalë, ka pritu boll, po e panë që me ne jetë nuk kishin. 

Ditën e fundit kur e kena pa, e ka pasë ni palltë, kurrë s’e harroj. O konë si me lesh përmrena, e përjashtë sikur ceradë. Edhe ni palë këpuca t’dimnit i ka pasë. 

E Shkëlzeni ma i ri. Këta janë konë me gjithë Nazimin, me djalin e vëllaut edhe me djalin e haxhisë, n’gjimnaz, në vitin e tretë. Shkëlzeni i shoqnueshëm o konë boll, po n’shkollë nuk ka pasë qaq merak. Po, mashkujt tonë kah s’duhet s’jonë shkue. E ky, djali i madh, që e kam sot n’Prishtinë, punon. Ky o konë jashtëzakonisht i aftë. Bile n’matematikë u pat regjistru. Po iu desht me shku n’Gjermani, se s’i lejshin këtu, që msojshin nëpër shpia. Bile m’i lypi paret për pasaportë, tha: “O babi, pasha Zotin këtu badihava se s’po na lojnë. Në ni rrugë sa herë që shkojmë n’shkollë – se njoni i Maxherës e ka pasë lëshu shpinë – na vijnë kur kalojmë e na dhezin shuplakë”. Bash badihava osht.” Ai o konë i aftë. Po, ka mrri boll, bereqat versën. Se o konë n’Gjermani, e o kthy. Ata tjerët janë n’Gjermani. Veç kur vijnë për gjysëvjetor.  

Halil: Shaipi shkollën e mesme e ka kry për ekonomik. Edhe o punësue n’organizatën Luks. 

Sadri: Shaipi e ka kry shkollën e mesme. E këtu e maruen ni dugajë, hini aty. Djalë ma i zoti nuk ka pasë. Rrike n’banesë. Rrallë që vike te shpia. Kush fjalë t’keqe prej tij kurrë.  

Halil: E Mahiti i urtë, i qetë o konë. N’shkollë o konë hala. Jo veç që jonë konë tonët, po jonë konë t’edukum. Kur u kryjke shkolla, vishin n’shpi. Kohën e lirë dilshin me top me lujtë.  

Zyle: Deri sivjet o’ majtë ky plaku jem, haxhia. Sivjet o ligë, veç kán. Vallah u mërzit, përhajr u koftë kjo pavarësi të tonëve. Ishalla e gëzojnë. Kur e shoh rininë, që kanë pshtu gjatë luftës, se janë shqiptarë, muslimanë, kam qef. E ky kurrë nuk ia ka da vajin, veç tu kajtë. Ish mërzitë, s’mujke me folë. “Thirrma çikën”, më tha. M’u desht me thirrë çikën me ardhë me pajtu. Qeshtu puna jonë, po majmë ymyt te Perenia. 

 Halil: Ditën që jonë dalë, Shaipi e ka pasë ni vindjakne, si t’lëkurës. E tjerat, pantoll e këpucë, s’i di.  

Zyle: Këta jaknen t’kuqe, e këta jaknën e bardhë, si t’leshtë. T’leprit, të bardhë e ka pasë. Që e kthejke. Shaipit ia maj n’mend qatà. 

Halil: E Mahiti çka ka pasë veshë s’e di. 

Zyla: Ka ni plaf jau pshtollëm, jau dhamë me veti. T’lehtë, të vogël. Thojshim mlohen natën, ku e bojnë konakun.  

Sadri: Për Shkëlzenin, duhet me e vetë nanën e vet. Veç Fatoni e di që e ka pasë qatë janke, bile e ka pasë t’kthyme, si e leshtë o konë. E Nazimi, djali i vëllaut, çka ka pasë veshë nuk e di. Se edhe dolën si me t’shpejtë, veç i morën do sene. Na kish rrokë gajlja këtu, e kishim shpinë plot njerëz. Po unë atë ditë as s’i kom thonë as udha e mbarë. Pasha Zotin jo, kishe shkojnë e kthehen. Se që s’kam m’i pa ma kurrë, s’e kam pritë! Qatëherë nana vet e kapi për qafe, e puthi n’dy faqet. 

Po, na jena msue, se edhe plakun, n’Luftën e Dytë Botnore, 1946 e kanë qitë me ba batare, deshë e dathë, natën e Bozhiqit me dymdhetë vetë. Tanë kryesia e Drenicës që jonë konë aty. Po kur do Zoti me pshtue, a s’po munet a? Deshë jonë konë. Dikujt jelek e këmishë, dikujt tlinat, se deshun. Edhe kanë nisë me i rrehë. Vallahi, kur e lajsha, hala e kish mas krahu grykën e automatit, qysh i kanë pasë ra. E i qesin m’i ba batare. Tha: “Hala pa na qitë veç m’u shliruen duert, se s’kesh tu mujtë m’u zgidhë. Po veç m’i zgidhi Zoti”. E rrok gajlja mos po e shohin. Ushtria i rrehshin. I ka pasë do musteqe dredha-dredha. Tha: “Ma kapke musteqen, e ngrehke”. Masanej i qesin për m’i ba batare. Nja dy metra nalt qysh i kishin grumullu teshat, tu i ba njerëzit batare, tu i deshë aty. Edhe e kanë kapë çdonjanin me qitë përjashtë. “Kur jena dalë – tha – mue hiç s’m’u diktu se isha duert tu i majtë si t’lidhme me i pasë. Kur jam dalë, veç e kom qitë kamën përjashtë. Qysh i kom dhanë, i kom gjuejtë n’atë anë. Janë rrëzu e iu kom ikë. Bora deri n’gu. Dathë.” Tash e kanë maru aty spitalin n’Bajr. Qatje o konë burgu. Po du me thonë qi me gjenerata qeshtu kena vujtë pi tyne. 

Po, lufta ban sene turlifare. Me ditë qi kanë pshtue djemtë, kisha me iu thonë: “Kapne punën, n’mujshi naj shkollë”. Se tash i ka ba 30 e diçka vjet Fatoni. Po shumë herë m’rrok hesapi që, edhe me konë gjallë, ata s’di a vyjnë gja, që kanë nejtë qe 20 vjet n’dorë të tyne. 

Halil: Me mujtë veç m’i pa gjallë, qysh tha vëllau, tjetër sen, kisha me u thonë: “Zoti ju msoftë edhe veç shkoni n’udhë t’marë”. Manej, as që lypi gja prej tyne. N’punë n’shkoshin, nashta munen privat naj shkollë me kry.  

Sadri: Ishalla janë gjallë, se edhe mos t’kryjnë kurrgjo. Le ta vazhdojnë punën me tokë. Po s’osht asnjoni gjallë, po çfarë… Që me thanë po rren veç ai i Gjakovës që ke shqiptar edhe qai boshnjaku. Qeverisë me i thanë: “Interesohnu pak, e kqyrni çka o puna me ta. Ta dimë, se qe nizet vjet as n’tokë, as n’qiell. Të dimë për ta qysh osht, ku metën”. Na mos m’e ditë kurrgjo, e qeveria me ekzistue, vallahi nuk o n’rregull.  

Halil: Na shkojmë gjithë, kur ka diçka dikun. Shkojmë n’Prishtinë. Unë gjithë u thom: “Kurrë udheqësisë tonë hallall mos i koftë.” Fëmijët tonë jonë shkue, e çka duhen me marrë masa, s’kanë marrë. Jo që jem’ qajo organizatë, me Bajram Çerkinin. Ai punon, aktivist i fortë osht. Edhe Xhyla osht aty, edhe unë jam. Asni organizatë n’Kosovë nuk punon ma shumë sa e jona. Po kurrgjo nuk po kem mundësi me bo. E qeverisë me ni anë po i  hin në vesh, në tjetrin po i del. Nizet vjet mos m’u gjetë, për Zotin osht vshtirë. 

Sadri: Qeverinë e kisha lutë prej toke n’qiell, veç lypni, se gjallë na i kanë marrë, gjallë i lypim. Edhe na kanë lodhë, vorreza, vorreza. Po leji vëlla vorrezat. N’koftë vorrezë, ku osht? Kush nuk thotë: “P’i lypim të gjallë”. Veç të dektë. Po pse t’dektë? Lype gjallë, e mos daltë gjallë, valla qe ku osht i dektë. 

Halil: Na patën thanë, në të mramen mledhje që e patëm: “Pse s’p’e lypni gjallë?”. Gjallë na i kanë marrë, gjallë i lypim. Jo valla, gjallë s’janë, se s’ka. Ma s’çohet i dekti. Ama, gjallë na i kanë marrë, na gjallë p’i lypim. Po si tha vëllau, shkojmë n’Rashkë, e shkojmë n’Pazar, e shko kahmos… 

Sadri: E s’del kurrgjo. 

Halil: Vorre masive zbulohen. Punojnë e do i gjajnë, do s’i gjajnë. Pasha Zotin, se prind jam, prap ma qef kam me ia pa vorrin, se hiç kurrkund. Veç çka di unë çfarë ashti, kah vjen, a i kujt osht. 

Koha e mbramë o ardhë qetash. Prej Serbie si n’dialog, na p’i lypim gjallë. Gjallë m’i lypë, gjallë. Ata thojshin” “Vallah gjallë s’ka, veç qe ku janë të dektë”. Ma mirë o m’i lypë të gjallë, se dektë po lypin, e “na të dektë s’kemi”, munet me thanë shkau (serbi). Ai që o dekë ma nuk çohet. Ai i kalbët osht. Po jau bojnë kushtet serbëve që me këta me pasë jetë. Shkojmë te vorret, Ni ven te Rashka, veç i kqyrshin. Unë nuk kom mujtë me shku, qe dy tri herë, s’ma merrke menja, se s’muj qëndroj. Veç kqyrshin këta tonët. N’Pazar qashtu, po n’qetë mënyrë qysh osht tu shkue, kurrgjo s’ka. 

Sadri: Pasha Zotin, s’më kish shku mendja që m’kanë hupë djemtë, po na shkuen. Që kanë thanë, darsëm pa miq nuk ka. As luftë pa viktima nuk ka. Kush e ka pasë dekën, o dekë. Kem’ mashkuj apet, edhe na nuk jesim pa mashkujt. Po për ne ma së vshtiri osht që shkuen t’rijtë. E po kem’ mërzi ma tepër. Po bile me dalë diçka n’dritë. Sot ma mirë osht, veç qysh ish dashtë, nuk jem’. Hem na shkuen mashkujt, hem nuk po punohet sa duhet. Qysh ish dashtë me punue, nuk ishim na tash kështu, po ma ndryshe. E qajo m’brengos gjithë. Se pare e madhe këtu o shkri. O marrë gjithçka, o dalë gjithçka. Gjithmonë kena dashtë me pasë shtetin tonë. E morëm. Po, neve na ka ardhë kufini n’urë t’Ibrit. Merre me men! Pasha Zotin, asni simbol të Kosovës nuk e ki n’veri n’atë anë, kurrkun. 

(Ky rrëfim është pjesë e “Të jetosh me kujtimet e të pagjeturve: Libër kujtimi me rrëfime të familjarëve të personave të pagjetur nga lufta e fundit në Kosovë”, të realizuar nga forumZFD programi në Kosovë dhe Integra, në bashkëpunim me Qendrën Burimore për Persona të Pagjetur, me mbështetje nga Ministria Federale për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ), Rockefeller Brothers Fund dhe Ambasada Zvicerane në Kosovë)