“Ta kisha një varr ku t’i vija lule”

Miroslllav Trifunoviq ishte kthyer në Kosovë pas disa vitesh të jetës jashtë. Kishte shkuar 43 vjeç dhe mendonte të martohej e të krijonte familje. Punonte në mihjen sipërfaqësore të Bellaqevcit. Madje kishte ndërtuar një kat të shtëpisë në të cilën do të jetonte kur të martohej.  

Në qershor të vitit 1998, po bëhej gati të shkonte në bregdet me të dashurën, që kur të ktheheshin të bënin dasmën. Një mëngjes po shkonte me disa kolegë në punë sa për ta marrë pagën para se të nisej për pushime. Vëllai i tij Milloradi, anëtar i Komisionit për Personat e Pagjetur në Qeverinë e Kosovës, tregon se kjo do të ishte hera e fundit që e kanë parë të gjallë.   

Millorad Trifunoviq: Rrëfimi në vetën e parë

Kam lindur në fshatin Sllakovc të komunës së Vushtrrisë. Aty kam jetuar deri në moshën 8-vjeçare. Kur u mbyll shkolla e fshatit, m’u desh të jetoja në fshatin Plemetin me gjyshërit, prindërit e nënës, dhe deri në klasën e shtatë vazhdova shkollën në Prilluzhë. Pastaj pata ardhur në Vushtrri. Jemi zhvendosur nga fshati në Vushtrri, ku nëna dhe babai kanë punuar. Babai ka qenë luftëtar i Titos, ka shkuar ushtar si i mitur prandaj ka kryer vetëm katër vjet shkollë. Por në atë kohë ka qenë drejtor i një kooperative bujqësore.  

I kam pasur edhe katër vëllezër, tani i kam edhe dy. Kam edhe një motër. Babai më ka vdekur në vitin 2004, kurse nëna në vitin 2008. Kemi jetuar në një familje punëtore, shumë të lumtur. Kam pasur gjyshin, gjyshen, dy halla. Ato kanë shkuar rrugës së tyre, kurse gjyshërit më kanë vdekur. Kemi mbetur të jetojmë në Vushtrri dhe ishim prej familjeve më të vlefshme.  

Babai madje ka qenë edhe anëtar porote në gjykatë deri kur jemi larguar, si dhe në këshillin e paqes në atë kohë, ku ishin pesë shqiptarë e një serb, një lloj organizate e mbyllur e formuar nga populli i fshatrave për t’i zgjidhë konfliktet, kryesisht njënacionale, jo ndërnacionale. I ka pajtuar si shqiptarët, si serbët, kur kanë pasur probleme për shkak të ndonjë brazde, për arat, për mexhat. Ka pasur ndonjëherë goditje me sëpatë, me lopatë ose me fshesë, por që njerëzit kanë mbetur gjallë. Këta ishin këshilla që nuk i lejonin njerëzit të përfundonin në gjykatë, por i zgjidhnin problemet paqësisht.  

Ka pasur më shumë tolerancë mes njerëzve atëherë. Vuaj për ato kohë kur jetonim të lumtur, punonim, shkonim te njëri-tjetri nëpër dasma, festa fetare, kërshëndella, pashkë, bajram, kurban bajram, fejesa, pagëzime, syneti. Kanë qenë kohë të mira. Vështirë se do të kthehen më, të paktën unë nuk do t’i përjetoj. Por do të luftoj që të kthehen. 

Fëmijërinë e kam pasur shumë të vështirë. Isha fëmija i parë i prindërve dhe gjithmonë viktimë e çdo gjëje. Të gjitha u ndaheshin më të vegjëlve e të mëdhenjtë duhet të punonin për të ndihmuar. Që i vogël kam filluar të punoj. Në klasën e shtatë dhe të tetë shkoja në kooperativën bujqësore, rrëmihja dheun, fitoja para për familjen, sepse familjet shumanëtarëshe duhet të hanë shumë.  

Pastaj, të gjithë vëllezërit arritëm të punonim për firma të forta. Vëllai që është i zhdukur ka punuar për Hidro-Montazha në Beograd, unë në termocentralin e Obliqit, sikurse edhe gruaja ime më vonë, një vëlla ka punuar në mihjen e Bellaqevcit, e njëri ka qenë edhe nënkryetar i komunës së Vushtrrisë. Ai e ka kryer fakultetin, unë shkollën e lartë teknike, që në atë kohë ishte më e fortë se sot fakultetet. Kam kryer shkollën ekonomike fillimisht, por nuk kam mundur të punësohem, prandaj kam kryer një kurs për zanat, pastaj e kam regjistruar shkollën e lartë teknike dhe jam bërë inxhinier.  

Kam punuar në Termocentralin Kosova B, si inxhinier i furnizimit dhe novacionit, dhe kam marrë shpërblimin 1 Maji. Kam punuar edhe me shqiptarë dhe më vonë, në grupin e remontit që kam udhëhequr, ishim 34 persona, prej tyre vetëm 6 serbë. Edhe një koleg shqiptar e ka marrë më vonë shpërblimin 1 Maji. Atëherë ka qenë shpërblimi më i madh që është dhënë në nivel të Kosovës e Metohisë për inovacionin. Kjo është pulla, që kur ua tregoj tani nipave, e shikojnë me admirim e ndonjëri më thotë: “Gjysh, ti me të vërtetë paske qenë punëtor”. E mua më vjen mirë. I kam shtatë nipa dhe dëshiroj që të gjithë të bëhen punëtorë, të punojnë, të jetojnë, të mos kenë turp nga asnjë punë, përveç atyre të këqijave, vjedhjeve.  

Unë i kam mbledhur shqiptarët në grupin e remontit dhe një grup për prishjet që udhëhiqja, sepse ndodhnin këto në central, kështu që jam marrë me problemet më të mëdha dhe kemi pasur punëtorët dhe mjeshtrit më të mirë. Kur kanë pasur ndonjë nevojë, i kam liruar nga dy tri ditë nga puna dhe përgjegjësinë e kam marrë vetë, por u kam thënë se kur të ketë prishje e vij t’ju marr te dera e shtëpisë, duhet të vini. Atëherë nuk kishim telefona mobilë, por i kemi ditur sinjalet e trokitjes në derë, katër trokitje e kanë ditur që jam unë.  

Me gruan jam takuar në vendin e punës. Jemi martuar në vitin 1975 me të gjitha zakonet: komuna, kisha, dasma shumë e madhe, kanë qenë në të edhe kolegët e mi shqiptarë. Gruaja ime kaq gjatë rri pranë meje, e unë i kam dashur shumë kafenetë, shoqërinë. Por, në vitin 1972 bleva veturë dhe nuk guxoja të dehesha sepse gjithmonë kam vozitur. Shoqëria pinte, unë herë dy birra, herë një. Atëherë nuk kishte shumë polici, por rrugët nuk ishin të mira, më shumë kishim frikë nga rruga sesa nga policia. Prandaj, as tani nuk e teproj me pije. 

Pasi u punësuam të gjithë, filluam të jetonim tamam, i ndërtuam katër shtëpi në Vushtrri, kështu që ishim njëra prej familjeve më të forta. E kisha shtëpinë prej 260 metrash katrorë në qendër të Vushtrrisë, përballë kishës. Ende është aty ajo shtëpi që ka qenë e imja. Nuk është rrënuar, është fare pranë rrugës, kurse tri të tjerat janë djegur. Kur erdhi KFOR-i, babai ua dha atyre çelësat e shtëpisë sime. Ata kanë qenë aty dhe kanë shikuar si po rrënohet gjithçka prapa saj, por nuk kanë reaguar.  

Vëllai im i zhdukur quhej Mirosllav Trifunoviq. Ka lindur në vitin 1954. Është zhdukur tri javë pas datëlindjes. Në vitin 1998 ishte 43 vjeç. Ka përfunduar shkollën teknike në Mitrovicë. Pastaj i përfundoi kurset për saldim, elektro, autogjenë, aluminin e të tjera. Ka qenë ekspert për gjëra të tilla, ka pasur paga të mira. Paraja i tërheq njerëzit, nëse paguhet mirë dikush, ai mundohet edhe të mësojë. Ka punuar në Beograd por është kthyer në vitin 1992 për të punuar këtu. Në Bellaqevc është një vend i rrafshët aty ku ka punuar. Donte të martohej kur shpërtheu lufta, por nuk arriti. Pati punuar për gjashtë vjet, me ndërprerje, për një gazsjellës ndërkombëtar nga Siberia në Evropën Perëndimore. Ishte ekspert, madje ishte njohur me disa anglezë me të cilët ka salduar, pastaj dy herë ka shkuar edhe në aeroportin Heathrow të Londrës, ku ka salduar aeroplanë. Paga ka qenë e pabesueshme.  

Por, vëllai kishte vendosur të kthehej. Kemi pasur një parcelë të madhe prej 16 ari që e kemi ndarë vëllazërisht dhe aty i kemi ndërtuar shtëpitë. Edhe ai ka ndërtuar një shtëpi të madhe, njërin kat e ka përfunduar, ku mund të jetonte ndaras nga prindërit, të dytin nuk ka arritur. Nuk donte të punonte më jashtë, donte të martohej. Dhe vërtet i kishte ardhur koha të martohej. U punësua në mihjen e Bellaqevcit. E pata punësuar unë sepse atëherë isha kryetar i sindikatës, jo në mihje, por në termocentral. Por kam pasur kolegë, kemi qenë një firmë e përbashkët. Edhe i pata thënë se do ta transferoja në termocentral sepse atëherë nuk kishte konkurs në termocentral, po si ekspert doja ta transferoja dhe do të ishte përshtatur mirë me shoqërinë. Por nuk donte, sepse Bellaqevci është edhe nja 20 km më larg se centrali dhe me vajtje-ardhje nxirrte rrugë shtesë edhe një orë. Ai kishte zënë miq atje dhe nuk donte të vinte. Tash mua më vjen keq që s’ka ardhur por ç’të bësh, fati ishte i tillë. 

Priste të shkonte në pushim vjetor të hënën dhe të mërkurën të shkonte me të dashurën në det, që kur të ktheheshin të martoheshin. Po shkonte në punë sa për ta marrë pagën që pastaj të nisej për pushime. Ka shkuar me veturë, i ka pasur në të edhe disa kolegë. Policia e ka ndalur rrugës, i kanë thënë të mos shkonte sepse kish pasur trazira andej. Ata kanë pritur derisa kanë ardhur edhe dy vetura të tjera. Në njërën kanë qenë më duket tre kolegë të tyre, kurse në tjetrën gjithashtu një koleg, i cili u kishte thënë: “Të vazhdojmë, punë e madhe”.  

Ka pasur edhe të tjera kidnapime, por i kanë mbajtur nga një natë dhe pastaj i kanë lëshuar, mirëpo këta jo. Para tyre ishte kidnapuar një tjetër më 12 maj, as atë nuk e kanë lëshuar, e këta me 22 qershor 1998, pra kur ka qenë ende pushteti jonë këtu, pushteti serb, policia serbe, ushtria serbe.  

Problemi më i madh është që nuk ka lënë familje, as nuk është martuar. E kam pasur edhe një vëlla tjetër të pamartuar, kurse dy vëllezër kanë qenë të martuar, i kanë pasur shtëpitë e tyre. Mirosllavi jetonte në shtëpinë familjare me babanë, nënën dhe vëllanë tjetër beqar. Ka qenë një njeri i shëtitur, kishte kaluar nëpër gjithçka. E fliste anglishten deri diku, rusishten perfekt. Në Rusi ka kaluar shumë kohë, ka ditur edhe gjermanisht pak më mirë se anglisht. Gjithkujt i ndihmonte, por edhe kishte me se ta ndihmonte; kishte rrogë të madhe, punonte jashtë.  

Herën e fundit që kemi qenë bashkë, ishte një natë përpara se ta kidnaponin, kur po shikonim ndeshjen Jugosllavia-Gjermania. Ne po kënaqeshim me ndeshjen. Ishte ndeshje shumë burrërore, e ashpër, rezultati ishe në favorin tonë, bërtisnim, pinim, bënim shaka, askush nuk e ka parandjente se diçka e keqe mund të ndodhte. Data ishte 21 qershor 1998. Ishim unë, ai dhe një tjetër prej atyre që janë zhdukur, në restorant-kafenenë tonë në Vushtrri, e vetmja kafene serbe.  

Kafenenë e menaxhonte vëllai im më i ri, pasi ai rrinte në Vushtrri dhe nuk pati dalë jashtë fare. Ka qenë edhe nënkryetar i komunës, por jo në atë kohë, më parë. Pastaj e pati lënë politikën sepse në politikë duhet të gënjesh e të mashtrosh. U kërkoj falje politikanëve, por kështu mendoj dhe ende askush nuk ka arritur të më bindë që nuk kam të drejtë. Së shpejti do të jem 71-vjeçar dhe ende asnjëri prej politikanëve nuk më ka bindur se nuk kam të drejtë për këtë që e mendoj.  

Kah fundi i ndeshjes erdhi një koleg i tyre prej fshatit Gojbulë, nja tri kilometra larg Vushtrrisë, dhe e pyeti: “A e ke marrë pagën?”. Ky i tha: “Nuk e kam marrë dhe nuk po më duhet, kam para, do ta marr kur të kthehem. Ai ia ktheu: “Pse kur të kthehesh, a po e sheh si është gjendja?”. 

Vëllai më tha: “Po shkoj ta marrim rrogën, duhet të lajmërohem në punë”. Detyrimin për punë e ka vendosur shteti i Serbisë dhe duhet shkuar, sepse kush nuk shkon mbetet pa vend pune. Vëllai tashmë e kishte marrë vendimin, por paratë gjithmonë nevojiten. Atij në fakt nuk i nevojiteshin. Por, kishte veturë dhe shkoi për t’i çuar e kthyer kolegët.  

Të nesërmen në mëngjes kolegët e vëllait erdhën në orën 05:30. Ai ka qenë duke fjetur; e kanë zgjuar. Unë nuk e kam parë fare, por e di se çfarë ka pasur të veshur: pantallona të shkurtra adidas, atlete adidas, dres adidas. Në orën 09:15 më ka ardhur një shqiptar. Kisha dalë në qytet për të blerë gazetat dhe të kthehesha në kafene, sepse kisha marrë pushim dhe kisha në plan të shkoja në det me gruan dhe fëmijët. Ai më tha se çka i ka ndodhur vëllait tim. Kur kanë ardhur në parking, i kanë thirrur disa njerëz me rroba të UÇK-së e disa me rroba civile dhe i kanë nxjerrë nga vetura.  Ai ka kundërshtuar, u kishte thënë: “Çka është kjo?”. ia kanë drejtuar revolen në kokë dhe e kanë futur në ulësen e prapme. Një person është ulur në timon dhe kështu e kanë grabitur edhe veturën.  Ky shqiptari m’i përshkroi të gjitha me hollësi dhe ma tha me emër e mbiemër njërin që i kishte regjistruar të gjitha me kamerë. Ata kishin qenë të përgatitur për diçka të tillë. Më tha se të gjitha i kanë regjistruar me kamerë. Më tha që pastaj ka hyrë në autobus. Ai jetonte në Prishtinë. Hera e fundit që dikush e ka parë të gjallë kjo ishte.  

Atë ditë shkova menjëherë në Kryqin e Kuq në Prishtinë, në Komitetin Ndërkombëtar dhe e lajmërova rastin. Kanë pasur amerikanët një qendër informative e kulturore në Prishtinë, por më shumë merreshin me çështje politike. Shkova edhe te ata dhe i raportova zhdukjen e të gjithëve për të cilët e dija, pastaj i njoftova prindërit, vëllezërit e të tjerëve. Mandej shkuam të gjithë së bashku në Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, pastaj edhe në sindikatën e EPS-së së Kosovës që quhej atëherë, Kombinati Xehetar Energjetik i Kosovës.  

Kemi organizuar transport me autobus për në Beograd, kemi shkuar te ambasadat në Beograd, sepse atëherë nuk kishte ambasada në Prishtinë. I kemi raportuar në OSBE zotëri Walker-it. Ai na ka pranuar më shumë sa për ta respektuar rendin, por më duhet ta pranoj se ka qenë korrekt. Shkuam në Beograd, pesë ditë ndejtëm atje, i takuam edhe organizatat joqeveritare dhe të gjitha institucionet të cilat deshën të na pranonin.  

Natasha Kandiq na pranoi menjëherë dhe ishte shumë korrekte. Kur shkuam te Sonja Biserko, ajo nuk deshi të na pranonte. Pastaj unë në mënyrë perfide me njërin nga Beogradi, ish-koleg në Obrenovac, që e njihte Sonjën, kemi hyrë te ajo dhe më ka thënë fjalë për fjalë: “Çka mund të bëhet tash? Thjesht nuk janë më, duhet ta tejkaloni dhimbjen dhe me kaq merr fund”. Unë i thashë: “A do ta tejkaloje ti dhimbjen e vëllait tënd?” E ajo më tha: “Po ju edhe e keni merituar këtë”. “Urdhëro?” Tha: “E keni merituar”. I thashë: “Pirolla të qoftë!” dhe brofa në këmbë. Por, në rregull, nuk bëra ndonjë problem. Ai shoku më nxori jashtë dhe më nuk e di se çka ka ndodhur gjatë ditës, sepse isha krejt i shokuar. Është marri t’ia thuash këtë edhe armikut më të madh. Është tjetër gjë që ajo merret me politikë dhe bën çkado që bën, por t’i thuash ashtu dikujt është marri. Unë as sot nuk i them dot kështu askujt. Por, ekzistojnë monstra të ndryshme dhe ajo është njëra nga ato monstra për mua personalisht.  

Jam njohur me shumë politikanë në lidhje me këtë kidnapim, edhe në Beograd edhe në Prishtinë dhe të gjithë kanë premtuar se kjo do të jetë tema e parë për të cilën do të flitet në dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Asnjëherë deri më tani nuk është realizuar, madje edhe tani e kemi një premtim. Mua personalisht Thaçi më ka premtuar se tema e parë e cila do të diskutohet do të jetë kjo, dhe ja tani me të vërtetë e ka përfshirë, por nuk ka dialog tash. Kjo është politika. Sa më keq për popullin aq më mirë për politikanët. 

Më vonë kemi marrë informata të llojllojshme. I kam edhe emrat e njerëzve, të gjitha dosjet e bisedave, deklaratave me shkrim. Babai ka qenë shumë aktiv për këtë çështje, ka shkuar nëpër fshatra. Ka qenë edhe një grua, shqiptare, ia kam emrin, i ka kërkuar dhjetë mijë marka për të në treguar ato që dinte. Dhe babai ka pranuar t’ia jepte paratë. I kishim, sepse ishim tre vëllezër, dhjetë mijë marka atëherë ishin dy banesa në Beograd. Ajo erdhi një ditë, babai në vitin 1998 punonte si kryetar i pensionistëve të komunës së Vushtrrisë, ende gjithçka ishte serbe dhe institucionet serbe patën funksionuar deri në ardhjen e KFOR-it.  

Më vonë ndodhën gjëra të ndryshme, kishte edhe vrasje si nga njëra anë ashtu edhe nga tjetra, kidnapime, zhdukje, ndodhnin gjëra sa nuk guxonim të dilnim nga shtëpitë. Pastaj shqiptarët filluan t’i linin vendet e punës. Nga termocentrali nuk kanë dalë, sepse duhej të bëhej njëfarë ndarje. Mihja e Bellaqevcit që e furnizonte Termocentralin Kosova B me thëngjill do t’u takonte shqiptarëve, kurse mihja që furnizonte Termocentralin Kosova A do t’u takonte atyre që punojnë në të. D.m.th. drejtorët të jenë shqiptarët, sepse në centralin tim kanë punuar 8 për qind serbë, 2 për qind të tjerë dhe 90 për qind shqiptarë, por kurrë nuk kemi pasur ndonjë problem. Atje në Kosova A raporti ka qenë krejt ndryshe, 40 me 40 për qind dhe askush nuk ka bërë asgjë të keqe, mjeshtri ka qenë mjeshtër, i vlerësuar gjithmonë.  

Pastaj nisën bombardimet. Ne nuk kemi dalë nga Vushtrria as kur ka pasur bombardime. Kemi shkuar në punë. Unë nuk pata punuar, isha i sëmurë, por gruaja ka shkuar në punë nga Vushtrria në Obiliq. E di se centralet, sapo ka nisur bombardimi i parë, janë ndalur. Kam qenë kryetar i sindikatës së Kosova B në atë kohë e Drejtori Gjeneral na pati thënë… Edhe atij ia kanë kidnapuar vëllanë së bashku me timin atë ditë. Vëllai i tij quhej Marijan Buha, por e quanin Mirko. Ai ka qenë në veturën e tretë vetëm. Në veturën e dytë kanë qenë tre kushërinjtë Agjançiq nga Raskova dhe Millosheva, kurse në veturën e vëllait tim kanë qenë edhe Saviq Srbolub dhe Bozhidar.  

Gjysmë ore pas kidnapimit të tyre, i kanë kidnapuar edhe tre punëtorë me ata buldozerët e vegjël kështu që këta dhjetë veta janë zhdukur brenda gjysmë ore. Kur u ndërprenë bombardimet, hynë francezët në Vushtrri, shqiptarët filluan të ktheheshin, sepse kanë qenë të vendosur te varrezat myslimane te Sitnica. Ishin me të vërtetë shumë. Ne insistuam që të hapej furra e bukës për të punuar vetëm për ta, madje edhe miellin e kemi dhënë ne fqinjët. Veçanërisht mbrojtja civile ka punuar, furra ka punuar, gjithçka ka funksionuar. Është e vërtetë se shumë patën shkuar prej tyre, por më shumë se 70 për qind kanë mbetur.  

Ka ndodhur që edhe shqiptarët që nuk kanë dashur të shkojnë në UÇK, të ngacmohen e të kidnapohen. U kanë kërkuar para, nga 10 mijë, 1 mijë euro. Ne i dimë të gjitha këto, këtu kemi jetuar njëri pranë tjetrit. As atëherë nuk e patëm harruar solidaritetin, sidomos ne të cilët kishim të kidnapuar të zhdukur. Ne kemi pasur fqinjë shqiptarë, e gjatë luftës madje e kemi thyer murin mes nesh, sepse në shtëpinë e fqinjit kanë qenë 102 deri në 108 njerëz, kryesisht gra e fëmijë. Unë me vëllezërit u kemi çuar qumësht e bukë. Ne kurrë në jetë asnjë të keqe s’ua kemi bërë, vetëm i kemi ndihmuar. Këta nuk kanë pasur lidhje se çka ndodhte me të tanët atje, se si i mundonin,  si i torturonin. Tani i kemi të gjitha dokumentet, pas luftës këtu kemi blerë video-kaseta të regjistruara nga pjesëtarët e UÇK-së. Unë i kam edhe të gjithë librat në zyrë, për të kidnapuarit dhe të zhdukurit, me fotografitë dhe të dhënat e të gjithë të zhdukurve. 

Kur erdhën ushtarët francezë, na thanë: “Largohuni, se nuk mund t’ju mbrojmë. Pas Vushtrrisë, përtej Sitnicës, te Qyqavica, kanë vënë barrikada. Ushtria nuk mund ta ndalë UÇK-në. Ata duan të hyjnë të hakmerren”. Ne u thamë se nuk frikësohemi nga askush, nuk kemi bërë asgjë e francezët na e kthyen, e kishin përkthyesin: “Kush shikon a keni bërë gjë a jo? Ata që do të vijnë nuk janë nga Vushtrria, kushedi nga janë”. Pra, je serb, ik në Serbi ose të shkon koka. I larguam gratë e fëmijët, mbetëm këtu unë dhe vëllai më i ri me nënën e babanë.  

Pastaj vëllai më i ri shkoi në Mitrovicë. Mezi e binda të shkonte, ia dhashë veturën time dhe i thashë: “Ik!”. Mbetëm unë, babai dhe nëna. U thashë të kalonim në bodrum. Aty qëndruam dy net. Të gjithë ishin larguar nga Vushtrria, por ne mbetëm. Na erdhi fqinji ynë shqiptar, më tha: “Rade, pashë Zotin, bindi edhe prindët të largohen se për Zotin s’kemi ç’të bëjmë. Po duan të na detyrojnë ne fqinjët tuaj t’ju vrasim juve që na keni ushqyer gjatë kohës së luftës”. I them: “Çka?”. Ai betohet në fëmijët e tij. E thirra babën të dilte. Ai tha: “Nuk dua të largohem, le të më vrasin, por unë nuk largohem”.  

Mua më thirri një francez që e quanim Zhabe. Katër ushtarë më dërguan me veturë te pompa e Jugopetrolit në dalje për Mitrovicë. Aty ishte parkuar një tank. Ai më tha: “Zbrit këtu!”. Më tutje turma ishte mbledhur, mua më dukej se ishin me miliona, po i shihja duke e shkelur njërin. Unë e shihja atë pamje, kurse ky më thotë të zbrisja pikërisht drejt tyre. Unë dola dhe menjëherë u ngjita në tank. Nuk kam qenë kështu i shëndoshë atëherë, i kisha diku 95 a 96 kilogramë, jo si tani që kam 110 a më shumë. U ngjita te tanku, ai ushtari ma ofroi pushkën, e turma m’u kthye: “Ah nënën!”. Pastaj foli një njeri i arsyeshëm, nuk e di kush ishte, tha: “Mosni, ky është njeri i mirë…” Mandej, edhe nja pesë a gjashtë të tjerë iu bashkuan atij. 

Pra unë u ngjita në atë tank dhe doli njëri nga poshtë, nuk ia di gradën. Turma i kaloi këta ushtarët që mundoheshin ta ndalnin, se askush nuk mund ta ndalë turmën. Ai gjuajti rafal lart mbi kokat e tyre. Tanku u nis dhe më dërgoi në Smrekovnicë. Prej aty e tutje nuk ishte njeri.  

Kur kaloni prej Vushtrrisë deri në Mitrovicë, asnjë shtëpi shqiptare nuk është e djegur. As në Vushtrri nuk ka pasur djegie. Lirisht mund të pohoj se të gjitha shtëpitë e djegura shqiptare në Vushtrri i kanë djegur vetë shqiptarët, sepse serbët s’kanë pasur arsye. Ata që i kanë djegur, i kanë targetuar ata që kanë punuar në institucionet serbe, që nuk e kanë lënë punën, që nuk i kanë çuar djemtë në ushtri, e kështu me radhë.  

Shkova në Leposaviq, u ndala në një shtëpi që i kishte vetëm muret ku të strehoheshim. Llogarisnim se do të ktheheshim për 15 apo 20 ditë. Kam dalë me një palë farmerka veshur, nuk kam arritur as sandalet t’i mbathja, kisha një palë këpucë të vjetra të shkelura. Atëherë as nuk kemi pasur ndonjë veshje luksoze, kishim atlete, por kujt i binte ndër mend në atë moment t’i kërkonte. Kështu erdha në këmbë ngadalë prej atje deri në Mitrovicë, shkova te prifti në kishë, sepse shtëpia ime në Vushtrri ishte përballë kishës, prandaj i njihja priftërinjtë. E mora në telefon babanë, i thashë se kisha mbërritur në Mitrovicë. Ai ishte i lumtur që kisha arritë, por i thashë: “Fola me fqinjin, djali i tij do t’ju dërgojë në Mitrovicë, e unë do t’ju pres”. “Jo!”, më tha.   

Mandej erdhi KFOR-i, babai i dha çelësat e shtëpisë, sepse ky fqinji i bindi. Unë nënën e babën i prita te varrezat, i mora dhe i çova në Bataqino, ku e kisha tezen. Si kryetar i sindikatës pata marrë një pushimore në Vrnjaçka Banjë të distribucionit të Kralevës dhe atje i vendosëm të gjitha familjet e të kidnapuarve nga Kosova, e aty i solla edhe babanë e nënën me vëllanë më të ri, kurse unë dhe gruaja ndenjëm në Leposaviq.  

Më vonë pata blerë një banesë në qendër të qytetit, megjithatë gjysmën e kisha paguar e gjysmën tjetër do ta paguaja kur të bëhej përkthimi. E kam blerë nga një shqiptar i cili ka ikur në Serbi. Ai më tha: “Nuk guxoj të vij për ta bërë tjetërsimin e banesës”. Prandaj e bëmë në Gjykatën e Rashkës, por unë i thashë: “Derisa të vish në Mitrovicë për ta bërë tjetërsimin, nuk do t’i jap paratë e mbetura”. Ai më tha: “Nuk ka problem”, sepse vërtet gjysmën ia kisha dhënë.  

Atëherë patëm vlerësuar se apartamenti vlente 20 mijë marka. Ia pata dhënë 10 mijë dhe pastaj mbeta pa para. Në fakt edhe ato i kisha huazuar për t’ia dhënë atij, sepse unë kam pasur në banka të kursyera, por ku t’i mbaja në shtëpi paratë në kohë lufte? Në fakt nuk kam nevojë t’i mbaj as sot, kam jetë të mirë, pension të mirë, jetë të mirë familjare, nipa, mbesa, vajza, dhëndurë, gjithçka është super, vetëm vëllanë nuk e kam dhe nuk po mund t’ia gjej eshtrat. Sikur t’ia gjeja e të mund t’i varrosja me dinjitet si njeri, t’ia ngrija lapidarin, ta dija ku t’i vija lule… Para një muaji ishin përkujtimet. Babai e nëna më kanë vdekur në Kralevë dhe atje janë varrosur, e ne shkuam t’ua ndiznim nga një qiri dhe ta vajtonim vëllanë.  

Them ta vajtonim, sepse ndjenja nuk më thotë se është më i gjallë. Kriminelët i kanë vrarë edhe dëshmitarët e lëre më këta. Janë monstruozë. Si mundet dikush ta vrasë dikë për asgjë? Unë asnjë pulë nuk kam mundur ta vrisja e lëre më ta vrasësh njeriun për asgjë. Fundja, ai as që ka jetuar në Kosovë, ka qenë jashtë, nuk ka pasur kë ta zemëronte. Ai me të vërtetë ka jetuar edhe me shqiptarët, me serbët dhe të gjithë. Edhe tani kolegët e tij shqiptarët, veçanërisht këta dy vjet qyshse kam ardhur në Prishtinë, vijnë për ta kujtuar dhe me të vërtetë u vjen keq.  

Mendoj se është në interesin edhe të Beogradit edhe të Prishtinës që kjo çështje të zgjidhet, siç është edhe për ne që i kemi humbur më të dashurit. Për ne ky është prioritet mbi prioritetet, do të jepnim gjithçka që kemi. Unë nuk kam shumë, por të gjitha do t’i jepja vetëm që të kthehet ai. Në rrugë do të flija nëse do të kthehej ai… Vetëm eshtrat po të m’i jepnin do të shkoja të jetoja diku me qira. Do ta shija banesën.  

Por qeveritë në Prishtinë edhe në Beograd po e keqpërdorin vuajtjen tonë për qëllimet e tyre politike. Ata na kanë premtuar se tema e parë e bisedave në Bruksel do të ishte zbardhja e fatit të të zhdukurve, e ja deri më sot as që kanë biseduar për të. Bisedohet për gjithçka, e di që prioritet janë njerëzit që jetojnë, energjia, uji, furnizimet. Ne vërtet ndihemi të bllokuar, nuk kemi barna, duhet të shkojmë në Rashkë. Nuk ka qumësht p.sh. Ka, por jo mjaft. Nëse gjeni mirë, nëse jo… Miell duhet të ketë, as bukë nuk ka, por unë do t’i thosha Ramush Haradinajt: “Eja jeto pak në veri, por me familje, e ta shohësh si do të jetosh edhe pse je kryeministër!”. 

Po, është e vështirë të jetosh në enklava në jug, por ne në veri jemi as në qiell as në tokë. Nuk e dimë ku jemi. Problemi më i madh janë të rinjtë; ata janë e ardhmja jonë, forca jonë dhe kur kryejnë fakultete për profesione të ndryshme nuk kanë ku të punësohen. Nëse nuk i takon ndonjë partie, ke dështuar, nuk mund as të hysh diku, kot fakulteti, kot gjithçka. Kemi njerëz me shkolla që punojnë në ndërtimtari dhe edhe aty, nëse nuk punojnë si duhet, dështojnë. E për çka punojnë? Për një kilogram miell dhe për pashtetë, e as këtë nuk do t’ua jepnin, por u duhen që t’u vijnë të nesërmen.  

Unë i kam thënë edhe Haradinajt, në një takim para dhjetë ditësh në Prishtinë që patëm unë dhe Bajram Çerkini. Unë jam edhe anëtar i Komisionit për Personat e Pagjetur në Qeverinë e Kosovës, dhe ai erdhi pas takimit, bisedoi me kryetarët e shoqatave dhe me ne dhe i thashë: “Zoti Haradinaj ndërtoni fabrika, ndonjë institucion, sillni ekonomistë botërorë këtu të ndihmojnë. Nëse nuk ndihmon Bashkimi Evropian, atëherë Amerika. Nuk është ndihmë vetëm po e bëmë ushtrinë, po bëmë rrugë. Ndërtoni fabrika, punësoni njerëz, sepse fakultetet tona, shkollat tona po punojnë për amerikanët, gjermanët, zviceranët, belgët”. Të gjithë ekspertët tanë të kualifikuar kanë shkuar jashtë. Ne i shkollojmë kuadrot të cilat pastaj punojnë në vendet e tjera.  

Qeveritë në Beograd e Prishtinë do të ishte mirë që së pari ta vendosnin veten në pozitën e familjeve të të kidnapuarve. Ata të gjithë kanë biseduar me ne dhe i ndajnë ndjenjat me ne. A i kanë artificiale apo jo, nuk e di, por mendoj se janë të vërteta. Sepse ndjenjat tona janë shumë të pikëllueshme dhe askush nuk mund t’i aktrojë, madje as ata që bisedojnë me ne.  

Nuk i hyra fare temës së anktheve tona të natës, kur ëndërrojmë se janë me ne, kur zgjohemi me ankthe. Kjo i ndodh secilit prej nesh. Prandaj them, le ta vendosin veten në pozitën tonë dhe le të kthehen kah paqja. Gjithçka që ka ndodhur le të hidhet pas shpine. Jo ta harrojnë, le ta kujtojnë por të mos lejojnë të përsëriten krimet e tilla dhe për të gjithë ata përbindëshat vrasës, pavarësisht prej nacionalitetit, fesë e të tjerave, për të cilët kanë prova, le t’i qesin ato. Jo për shkak tonin, por për shkak të brezave që po vijnë, që ta shohin se krimet nuk vjetrohen dhe se të gjithë që kanë kryer krime do të përgjigjen herëdokur për ato që kanë bërë.  

Le të kthehemi kah e ardhmja, të punojmë për paqe, pastaj të gjitha të tjerat vijnë, nëse njerëzit pajtohen, nëse e vërteta del në sipërfaqe, nëse nisen kah paqja. Të gjithë duhet të nisen kah paqja, është e kotë njëri kështu e tjetri ashtu. Duhet të ulemi të gjithë dhe të flasim për paqe, e jo për atë që ka kaluar. Për të kaluarën, ka gjykata, institucione, shërbime që merren me këto gjëra, kurse politikanët le të orientohen që t’i krijojnë popullit jetë të qetë, kushte për punë, e të mos mendojnë për ndihmë sociale, se as ajo nuk mund të zgjasë përgjithmonë.  

(Ky rrëfim është pjesë e “Të jetosh me kujtimet e të pagjeturve: Libër kujtimi me rrëfime të familjarëve të personave të pagjetur nga lufta e fundit në Kosovë”, të realizuar nga forumZFD programi në Kosovë dhe Integra, në bashkëpunim me Qendrën Burimore për Persona të Pagjetur, me mbështetje nga Ministria Federale për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ), Rockefeller Brothers Fund dhe Ambasada Zvicerane në Kosovë)