Të kthesh sytë pas

Një nga betejat më të rëndësishme në ”lojërat për pushtet” është beteja për kuptim. Ata që janë në pozitë pushteti ia kanë dalë t’i bindin njerëzit t’i mbajnë atje me pajtimin e tyre se bota është ashtu si e shohin ata që janë në krye dhe të fuqishëm. Në rajonin tonë, ata shpeshherë e pranojnë se e tashmja është e vështirë, por që e ardhmja është e ndritur dhe e sigurtë në shumë mënyra. Duket se kontrolli mbi kuptimin që i kontribuohet së tashmes dhe monopolit për projektimin e së ardhmes janë gjërat më të rëndësishme për ta ruajtur pushtetin. Megjithatë, është e qartë për të gjithë se këtu mungon referenca kohore, ajo që i referohet së shkuarës. Beteja për kuptim që i mveshim të kaluarës është në fakt parakusht për kontrollin mbi interpretimin e së tashmes dhe projeksioneve për të ardhmen. Milan Kundera ka shkruar se e vetmja arsye pse personat dëshirojnë të kontrollojnë të ardhmen është që të jenë në gjendje të ndryshojnë të kaluarën. ”Ata luftojnë për qasje në laboratorë ku mund të jenë në gjendje të ‘retushojnë’ fotografitë dhe të rishkruajnë biografitë dhe historitë”, thotë Kundera.  

Kontrolli mbi kuptimin e së tashmes pra është siguruar nga ata që e kontrollojnë të kaluarën. Në ish-Jugosllavi, ata që në vitet 1990-të kanë ‘retushuar’ të kaluarën në lidhje me luftën kundër fashizmit gjatë Luftës së Dytë Botërore u instaluan në pozita të pushtetit pas shpërbërjes së vendit. Papritmas, çetnikët, ustashët dhe kolaboracionistë dhe fashistë të tjerë dolën nga kontrolli dhe nisën të flasin për ”hakmarrje kundër turqve” apo që ”ishin gati për atdheun” dhe të bënin gjenocid dhe persekutime. Prandaj është me rëndësi të theksohet se luftërat në ish-Jugosllavi nuk mund të kuptohen pa kuptuar fuqinë që narrativat për të kaluarën u japin politikave kriminale. Sot, ekziston një situatë e ngjashme. Kontrolli mbi të kaluarën, përfshirë të kaluarën e afërt të viteve 1990-të është shndërruar në themelimin dhe legjitimimin kryesor dhe mjet të pushtetit për momentin aktual. Themelet e republikave të sotme përmbajnë foto të ‘retushuara’, histori dhe biografi të rishkruara që janë shpëlarë me ujin e revizionizmit për të eliminuar gënjeshtrat dhe njollat e gjakut.

Mirëpo, ku qëndron vështirësia me ballafaqimin me të kaluarën nga vitet 1990-të? Vështirësia qëndron specifikisht tek fakti se është vetëm një pjesë e një mozaiku më gjithëpërfshirës të retushimit të së kaluarës, të fotografive dhe biografive. Kjo është arsyeja përse ballafaqimi me të kaluarën nga vitet 1990-të nuk mund të jetë i suksesshëm, nëse atë periudhë e analizojmë ndarazi nga e kaluara më e largët. Dhe arsyeja për këtë nuk është ngaqë është me rëndësi të kthehemi pas në “shekullin e shtatë” apo në kohën e ”Ban Kulinit” për të kuptuar çkado lidhur me të tashmen, mirëpo për shkak të faktit se politikat kriminale të viteve 1990-të janë të ndërlidhura direkt me faktin se akterët pro-fashistë u shndërruan në maniakë të luajtur dhe se rishkrimi i historisë më të largët bëhet për të motivuar njerëzit që të kryejnë krime dhe të legjitimizojnë krimet nga e historia e afërme. Vija që ndante fashizmin dhe antifashizmin në vitet 1940-të është e njëjta vijë që u bë relevante në vitet 1990-të dhe ka mbetur relevante edhe sot e kësaj dite. Kjo do të thotë se nismat për ballafaqimin me të kaluarën (nga vitet 1990-të) mund të jetë efektiv dhe i frytshëm vetëm në kontekst të të kuptuarit të kontekstit më të gjerë politik dhe historik kur ka ndodhur 1990-tat, si dhe narrativat që dolën të jenë efektive për kryerjen dhe më pas, mohimin dhe arsyetimin e krimeve.

Më specifikisht, ballafaqimi me të kaluarën është i mundur pothuajse ekskluzivisht nga këndvështrimi i antifashizmit dhe në këtë rajon, ka patur vetëm një këndvështrim të tillë – këndvështrimi i partizanëve. Përpjekjet e sektorit të shoqërisë civile dhe qendrës ideologjike që kanë zgjatur me dhjetëvjeçarë të tërë kanë qenë joefektive, pasi ata janë përpjekur të dënojnë vitet 1990-të dhe të relativizojnë apo mohojnë tërësisht përvojën jugosllave dhe luftën nacional-çlirimtare. Kjo, së paku, na çon drejt paradoksit logjik ku politikat kriminale të viteve 1990-të dënohen, ndërkohë që ekziston përplasje e pjesshme apo e plotë me narrativat antikomuniste që kanë qenë pjesë e politikave kriminale të viteve 1990-të.

Ballafaqimi me të kaluarën në ish-Jugosllavi mund të jetë ose i zakonshëm, partizan pra antifashist, ose mund të mos ketë fare ballafaqim me të kaluarën. Prapavija për përballje ndërkombëtare me politikat kriminale, kryesisht nga Serbia dhe Kroacia dhe më pas të gjithë të tjerët që gjetën legjitimimin në agresion e këtyre dy ”të këqinjve” kryesorë duhet të bazohen në të njëjtat themele të ushtrisë nacional-çlirimtare tetëdhjetë vjet më parë. Vetëm një prapavijë e tillë mund të mundësojë përballjen thelbësore me themelet e përgjakura të shtetësisë së republikave të sotme, gjë që është parakusht për përballjen me krimet e ndërthurrura në shtetësinë e këtyre republikave. Sigurisht që për këtë nuk ka rrugë të shkurtër.

Për të qenë të qartë, kjo nuk është ftesë për ”t’u kthyer pas”. Kjo është një ftesë, sikurse ka shkruar dikur Boris Budeni, për të ecur përpara dhe për të kujtuar. Për këtë arsye, ftesat për të ”parë nga e ardhmja” dhe ”për të mos parë pas” janë dështim total, pasi të ecësh drejt së ardhmes në bazë të një të kaluara aq të shformuar nuk është gjë tjetër pos të pranosh qeverisjen e atyre që duke kontrolluar të kaluarën, kanë siguruar pozitat e tyre edhe në të ardhmen.

Ndonjëherë duhet të ndalemi, edhe në jetë, edhe në politikë, ndoshta në të njëjtën mënyrë se si Emir Hoxhiqi bëri në Prijedor, kur vuri një shirit të bardhë rreth krahut të tij dhe qëndroi në shesh për të tërhequr vëmendjen tek joserbët e vrarë në atë qytet. Ndoshta ne vërtet duhet të themi se nuk ka rrugë përpara derisa të gjithë të ndalemi dhe të hedhim sytë pas. Megjithatë, është e nevojshme që të ngjitemi mbi supet e maleve Sutjeska dhe Kozara që të jemi në gjendje të shohim prapavijën e të gjitha tragjedive të luftës si Olluja, Srebrenica, Batajnica dhe Vukovari. 

Filip Balunoviqi ka marrë gradën e doktoraturës në Sociologji dhe Shkenca Politike nga Scuola Normale Superiore në Firence. Ai ka diplomuar nga Fakulteti i Shkencave Politike në Beograd dhe gradën e masterit në Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Studime Evropiane e ka marrë në Institutin Evropian në Nisë dhe në Universitetin Bilgi në Stamboll. Ai ka dhe një master të dytë në të Drejta të Njeriut dhe Demokraci nga Universiteti i Sarajevës dhe Universiteti i Bolonjës. Ai ka punuar në Universitetin e Kopenhagenit dhe Universitetin e Liverpulit si hulumtues i jashtëm. Ai është autor i studimit të titulluar ”Rreth dukurisë së procesit të privatizimit në Serbi” (Qendra për Politika Emancipuese 2015). Ai është edhe autor i monografisë “Shënime për lirinë” (Mediteran 2014). Ai është redaktori ekzekutiv i Le Monde Diplomatique në Serbi. Ai jep mësim në Departamentin për Studime Politike pranë Fakultetit të Medias dhe Komunikimit. Aktualisht është hulumtues pranë Qendrës për Studime të Avancuara – Evropa Juglindore pranë Universitetit të Rijekës dhe Institutit të Filozofisë dhe Teorisë Shoqërore në Beograd.

Foto: Revista e përjavshme Vreme