“Të mos përsëritet kurrë më!”: traumat e viktimave të luftës civile në Bosnje dhe Hercegovinë vazhdojnë dhe 20 vjet më pas

Autore: STEFANI KËHLER (STEPHANIE KOEHLER)

{Foto: Stefani Këhler}

Burimi: http://www.rebellesociety.com/2015/12/02/not-to-be-repeated-ongoing-trauma-for-victims-of-bosnia-herzegovina-civil-war-20-years-later/

‘Gratë pa kufi’ është një fushatë ndërgjegjësimi globale që hedh dritë mbi çështjen e dhunës seksuale nëpër botë. Gjatë vitit 2015, fotografja dhe producentja ekzekutive Stefani Këhler udhëtoi në shtete të ndryshme të Ballkanit për të intervistuar gra që i kanë mbijetuar dhunës seksuale, si dhe ekspertë të kësaj fushe. Pjesë e kësaj fushate është mesazhi personal nga çdo e mbijetuar. Ky mesazh kapet përmes fotografisë. Gjetjet e saj do të publikohen në një seri artikujsh që dokumentojnë historitë e grave nga secili vend që ajo ka vizituar.

Pasi e caktova intervistën me Hasijen, unë nuk e dija se ajo ishte një nga gratë e para që kishte dëshmuar para Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë në Hagë. Për të siguruar privatësi të plotë, unë dija vetëm emrat e grave që do të intervistoja. Teksa ia nisëm dialogut, ajo përmendi se nuk e ndjente më nevojën të fliste për përvojat e saj, por që ishte e motivuar të bëhej pjesë e fushatës time, pasi ndjente se ekzistonte nevoja për shumë Hasije të tjera.  Hasija ka dhënë shumë intervista që kur doli hapur herën e parë dhe ka qenë një pjesë e rëndësishme e hedhjes dritë mbi mizoritë e luftës së viteve 90. Në vend që të zhgënjehej nga rezultati i intervistave të saj të shumta, ajo ndjen se e vetme nuk mund të ndryshojë asgjë.

Në maj të vitit 1992, kur sapo kishte filluar lufta, Hasijen 22-vjeçare e rrëmbyen nga shtëpia e saj dhe e mbajtën për rreth 2 muaj në një nga kampet e luftës. Gjatë asaj kohe, ajo u përdhunua pandërprerë nga shumë ushtarë serbë. Hasija ishte gruaja më e re në moshë në kamp. Ajo kishte jetuar në territorin që asokohe ishte serb. Babai i ushtarit që e rrëmbeu e njohu që ishte fqinja e tyre dhe e ndihmoi të arratisej me një autobus. Ajo shkoi të jetojë në Sarajevë, pa e ditur nëse e kishte ende familjen gjallë. Fatkeqësisht, përdhunuesit e saj kurrë nuk u sollën para drejtësisë.

Sot, ajo jeton me nënën e saj dhe motrat e vëllezërit më të rinj. Ajo fiton jetesën për familjen. Ajo merr pak dëmshpërblim nga një fond për viktimat civile të luftës, mundësi që shumë gra në Bosnje dhe Hercegovinë (BeH) nuk e kanë, me përjashtim të atyre që jetojnë në Federatën e Bosnjes. Procesi për ta arritur këtë status është shumë i vështirë dhe shpeshherë, i ritrtaumatizon gratë.  Hasija ende lufton me traumën që ka përjetuar, pavarësisht këshillimeve që ka ndjekur. Përshtypja ime është që ajo ndjehet e tradhëtuar dhe dëshiron që mbështetja në përgjithësi nga organizatat e grave të jetë më e mirë. Ngaqë shumë gra kanë vdekur pa i rrëfyer kurrë historitë e tyre, Hasija pyet nëse historia që ajo ndau me të gjithë ka bërë sjellë ndonjë ndryshim ndonjëherë. Ajo do ta mirëpriste nëse do të ofrohej më shumë përkrahje për gra sikurse ajo, sidomos përkrahje financiare, sa i përket strehimit dhe tregut të punës, mirëpo ende s’ka parë asnjë ndryshim.

Dr. Janine Natalya Clark (Xhanin Natalia Klark) Asistent Profesore në fakultetin juridik të Universitetit të Birminghamit studion pasojat afatgjate të përdhunimit në Bosnje. Ajo ka punuar me organizatën Snaga Žene (përkthimi: Fuqia e Grave) në kantonin e Tuzlës që nga muaji tetor 2014. Prapavija e saj akademike është marrëdhënie ndërkombëtare dhe drejtësi tranzicionale. Në vitet e 90-ta ka patur një shpërthim të librave për përdhunimin, thotë ajo, por që atëherë shumë pak është botuar. Ajo thotë “Në mënyrë që ta kuptojmë drejtësinë tranzicionale, duhet të kuptojmë nevojat afatgjate të viktimave”. Përmes intervistave të saj me të mbijetuarat e luftës ajo synon të hedhë dritë mbi atë çështje dhe shpreson se libri i saj do të ndihmojë në ngritjen e vetëdijësimit për këtë çështje.

Në një vend konservator si BeH, edhe tema si kanceri i gjirit janë tabu. Prandaj nevojiten më shumë fushata që të ndihmojnë në edukimin dhe ndryshimin e mendësisë së njerëzve. Edhe pse statistikat zyrtare nuk e mbështesin këtë shifër, besohet se gjatë luftës së viteve të 90-ta janë përdhunuar rreth 20,000 gra. Sot, shumë prej tyre vuajnë nga dhuna në familje si rezultat direkt i traumës që kanë përjetuar atëherë. Dr. Klark thotë “Kombinimi i individëve shumë të traumatizuar me situata ekonomike të vështira dhe me burra që nuk janë në gjendje të përmbushin rolin e tyre patriarkal për të siguruar jetën e familjeve të tyre për shkak të mungesës së punës është formulë për katastrofë. Dhe askush nuk po e trajton këtë çështje”.

Ngjashëm me situata të tilla katastrofike në pjesë të tjera të botës, në Ballkanin e pasluftës u derdhën shumë para dhe shpresat për rimëkëmbje ishin të mëdha. Tani, donatorët e kanë humbur interesimin; çështjet që ende ekzistojnë nuk raportohen më, ekonomia ka stagnuar dhe korrupsioni ka marrë përmasa të frikshme. Media është aq sensacionale, sa lajmet që nuk flasin për vrasje nuk ia vlen të ndahen dhe puna që duhet bërë bie mbi OJQ-të e vendit.

Žene Ženama (përkthimi: Gratë për Gratë), organizata që më vuri në kontakt me Hasijen, është themeluar në vitin 1997 dhe është një nga organizatat e grave në BeH që fokusohet tek të drejtat e njeriut për të gjitha gratë e Bosnje e Hercegovinës, inkurajon bashkëpunimin me rrjetet shoqërore lokale dhe siguron që nevojat e grave adresohen duke bashkëpunuar me qeverinë, median dhe OJQ të tjera. Në një hulumtim të kryer në vitin 2014, ata kërkonin të zbulonin katër shkaqet kryesore që pengonin gratë të lulëzojnë në shoqërinë e tyre. Morën pjesë mbi 400 gra dhe burra në të gjithë BeH (zona rurale dhe urbane). Ishte e qartë se:

1. Shumë gra ende nuk i dinë të drejtat e tyre,

2. Dhuna në familje kundër grave dhe fëmijëve është e përhapur shumë,

3. Edhe pse ekzistojnë ligje që mbrojnë gratë nga dhuna, ligjet nuk implementohen, dhe

4. Gratë janë të pafavorizuara në tregun e punës, edhe sa i përket vendeve të punës në dispozicion, edhe pagesës së barabartë.

Për ta bërë më pak tabu temën e dhunës seksuale, Hasija sugjeron që të ndryshohet ligji. Ligji që mbron viktimat civile nuk është specifik për të mbijetuarat e dhunës seksuale, sepse përfshin ato që kanë pësuar lëndime të tjera. Nëse ato fonde do të kanalizoheshin vetëm tek viktimat e përdhunimit, procesi për të aplikuar për një status të tillë do të ishte më pak i komplikuar dhe frikësues për ato që janë cenuar dhe ekzistenca e tyre do të bëhej e ditur më shumë për publikun e gjerë. Ajo i mirëpret fushatat që sheh nëpër shkolla të cilat bëjnë që njerëzit të jenë më të hapur për të dëgjuar rreth dhunës në familjë kundret dhunës seksuale.

Dr. Klark konfirmon pengesat e përbashkëta që kanë të mbijetuarat: nuk janë në gjendje të flenë, rijetojnë ngjarjet, nuk u pëlqen të jenë në hapësira të mbyllura apo të mbeten vetëm. Ashtu si kam konstatuar gjatë punës time me gratë në Shtetet e Bashkuara, edhe ajo raporton se disa gra kanë nivel të mahnitshëm të reziliencës dhe menjëherë shndërrohen nga viktima në të mbijetuara. Të tjerat mbeten në kurthin e rolit të viktimës. Ndryshimi ka të bëjë në mënyrën se si e kanë përballuar traumën. Dr. Klark përmend shumëllojshmërinë e mbështetjes që ofrohet në zona si Tuzla kundrejt zonave më rurale ku nuk ka ndihmë për viktimat. Ato që kanë mbështetje të mirë emocionale kanë më shumë mundësi për shërbim. Por ajo thotë, “Nuk mjafton të shërosh mendjen e individit. Duhet t’u japësh arsye të jetojnë”.

Dr. Branka Antiq-Shtauber, themeluesja e Snaga Žene në Tuzla, BeH, është një shembull i shkëlqyer se si puna e tyre transformon jetën e të tjerëve. Prapavija e saj profesionale mjekësore dhe puna e gjatë që ka bërë me gratë para luftës i ka mundësuar të studiojë dhe të kuptojë efektet e faktorëve të stresit në shëndetin e gruas. Organizata Snaga Žene i shërben shumë brezave në programe shumë-disiplinore. Në Tuzla, rreth 5000 vetë, shumica gra dhe fëmijë ende jetojnë nëpër kampe. Nëna pa shumë shkollim dhe që janë shumë të traumatizuara përballen me sfidat e tyre emocionale dhe psikologjike dhe tani duhet të luajnë dhe rolin e burrave të tyre të ndjerë në mënyrë që të sigurojnë jetesën për familjen. Shpeshherë fëmijët lihen të gjejnë vetë zgjidhje. Trauma që kanë përjetuar nënat e tyre tani bartet tek brezat më të rinj; fëmijët rriten pa askë, me përjashtim të tri të vërtetave se çfarë ka ndodhur në faktu gjatë luftës, në varësi se cilit grup etnik i përkasin. Kjo çon drejt thellimit të hendekut ndërmjet secilit grup. Organizata Snaga Žene ofron këshillim për fëmijët 3-6 vjeçarë, mjete për zgjidhje të konflikteve, për patologjinë e të folurit dhe përgatitje të përgjithshme që të bëhen nxënës të interesuar. Atyre u mësohet se viktimat e luftës gjenden në secilin grup dhe se është në dorë të secilit individ të vazhdojnë apo jo të arsyetojnë veprimet e tyre sot në bazë të asaj që ndodhi 20 vjet më parë.

Organizata Snaga Žene gjithashtu i shoqëron viktimat e luftës nëpër procedura gjyqësore dhe i përgatit për seancat. Çuditërisht, kryerësit kanë të drejtë të marrin në pyetje viktimat e tyre, por jo e kundërta. Përmes programit të hortikulturës, gratë që janë të interesuara në kopshtari mund të punojnë nëpër sera ose fusha, ku të rrisin dhe korrin livando, kalendula dhe ekinasea (echinacea). Puna në natyrë dhe prekja e dheut dhe luleve ndikon drejtpërsëdrejti në nivelet e hormoneve. Livando, kalendula dhe ekinasea kanë ndikim pozitiv në aspektin shpirtëror, mendor dhe fizik. Hormonet e balancuara rrisin shëndetin e tiroides, tëmthit dhe mëlçisë duke përmirësuar shëndetin e përgjithshëm të grave. Kjo ka ndikim të jashtëzakonshëm tek gratë që punojnë në fushë dhe tek ata përreth tyre. Ajo që nisi me vetëm 7 gra, tani ka bërë bashkë 72 gra në këtë program të posaçëm. Rezultate fantastike.

T’i kthehemi Hasijes. Unë shpresoj se historia e saj nuk shërben vetëm për të inkurajuar gratë e tjera që të ngrenë zërin dhe të ndajnë historitë e tyre, por që këto përvoja të cilat ato i ndajnë eventualisht të sjellin ndryshime në ligje dhe vazhdim të mbështetjes financiare nga komunitetet vendore dhe globale. Ajo është një grua e jashtëzakonshme e fortë. Takimi me  të ma ka pasuruar jetën.

Citati i saj i përzgjedhur për këtë fushatë përsërit mesazhin që ajo thotë vazhdimisht: “Të mos përsëritet kurrë më!” (Da se ne pomovi!!!)

*****

Stefani Këhler (Stephanie Koehler) është gazetare dhe fotografe që jeton në Kaliforni. Qëllimi i saj me ‘Gratë pa kufij” është të bashkojë të gjitha gratë e botës për të dokumentuar dhimbjen që ato përjetojnë si rezultat i dhunës seksuale dhe qasjen shëruese që ato kanë ndjekur për t’u shndërruar nga viktima në të mbijetuara. Puna e saj ka filluar në SHBA dhe hodhi rrënjë në formën e intervistave me gra në shtete të ndryshme të Ballkanit dhe në Gjermani. Artikujt e saj përfshijnë foto ese të të mbijetuarave dhe shërbejnë si platforma për të rrëfyer historinë e tyre. Punimet e saj mund t’i lexoni në The Women’s International Perspective. Vizioni i Stefanisë është që këtë punë ta rrisë në nivel të fushatës globale të vetëdijësimit kundër sulmeve seksuale.