TË NDARË NGA HISTORIA, TË BASHKUAR NGA PUNA. SHKRIJNË RAPORTET E NGRIRA MES TË RINJVE SHQIPTARË DHE SERBË

“Mitrovica, për fat të keq, është ende një qytet i ndarë në kuptimin njerëzor”, është një ndër frazat më të dëgjuara që nga paslufta.

Jo vetëm Mitrovica, por kudo që banojnë shqiptarë dhe serbë është e ndarë.

Mirëpo, jo shumë larg kryeqytetit, në qendër të Graçanicës, një vendbanim me shumicë serbe, është një vend që i bën bashkë dy nacionalitetet.

Është një vend që nga pamja dhe emri të jep ndjesinë se frekuentohet vetëm nga komuniteti serb, por realisht në brendësi është krejtësisht tjetër histori.

Pronar serb, kamerierë shqiptarë e serbë, diçka rrallë e parë apo e dëgjuar.

Kuzhinë tradicionale, ushqime tradicionale, gjuhë serbe e gjuhë shqipe, vizitorë evropianë e vendorë.

Të gjithëve u shërbejnë Qëndrimi dhe Uroshi. Kjo është historia e tyre.

Historia i ka ndarë popujt shqiptar dhe serb, por këta dy të rinj i ka bashkuar puna.

Për Millorad Nikolliqin, pronarin e restaurantit “Etno Kuća” nuk ka qenë aspak e lehtë të bëjë bashkë punëtorë nga të dy etnitë.

Pronari i këtij restauranti ka thënë se kompletimi i stafit me shqiptarë e serbë ishte i vështirë, duke patur parasysh të kaluarën.

Ai ka thënë se aktualisht, serbët dhe shqiptarët punojnë në këtë restaurant për vite të tëra.

“Stafi mysafirët i ka pritë bukur mirë, bashkëpunimi ka qenë shumë i mirë, edhe gjuhën e kanë mësu prej njëri-tjetrit, sepse nuk i kanë ditë gjuhët e njëri-tjetrit. Kamerierat shqiptarë e kanë mësu gjuhën serbe, edhe kamerierat serbë e kanë mësu gjuhën shqipe, fjalët e ushqimit, fjalët e pritjes”.

Nikolliqi ka thënë se tash e dhjetë vite, prej kur është hapur restauranti, punëtorët shqiptarë me ata serbë asnjëherë nuk kanë pasur probleme mes vete.

“Jo, kurrë nuk ka pas inate për shkak të kalumes, kurrë nuk kam pas kësi raste e as nuk kam pas probleme, bash janë shokë të ngushtë, bile kanë një respekt të madh për njëri-tjetrin, saqë harroj kush çka është, këta mes vete kalojnë shumë mirë e as situata aktuale nuk i shqetëson e as probleme të tilla”.

Kamerieri nga Drenica, Qëndrim Selmani, ka thënë se në fillim kishte hezituar që të punonte për shkak të së kaluarës mes dy popujve dhe frikës nga paragjykimet nga shoqëria.

“Në fillim u kon menimi që pronari serb, kamerierat serb, qysh ka me kalu, krejt qysh e kom menu ndryshe më ka dalë krejt, djemtë jonë shumë punëtorë, jonë shumë të mirë, po ashtu edhe pronari. Fillimi ka qenë pak i vështirë se kam qenë shqiptari i parë që kam fillu me punu këtu, se më herët nuk ka pas shqiptarë të tjerë”.

Qëndrimi ka thënë se jo vetëm me Uroshin, por me të gjithë serbët e tjerë që punojnë këtu kanë relacione shumë të mira.

Ani pse thotë se në fillim e kishte pasur të vështirë komunikimin për shkak të gjuhës, ai shprehet se tashmë nuk e ka një problem të tillë.

“Keqkuptime kurrë e as probleme asnjëherë s’ka pas mes neve, bile unë që jam i vetmi këtu shumë kanë respekt për mu. Gjuhën e kam pas pak problem në fillim me mësu, se nuk i kam ditë as fjalët, mirëpo mas 3 muajve unë kam mbrri me kuptu krejt se çfarë po flitet edhe tash e kam mësu gjuhën shumë mirë. Me qenë me kalu mirë shqiptarët dhe serbët qysh kalojna na këtu, do të ishte perfekt, myshteritë që vijnë gjithë e dinë se qysh kalojmë na mes veti”.

Kurse kamerieri serb Urosh Nedeljkoviq ka thënë se tash e gjashtë vite, asnjëherë nuk kanë pasur probleme me punëtorët shqiptarë as me myshterinjtë shqiptarë që e frekuentojnë këtë vend.

Madje ai thotë se mes tyre nuk ka kurrfarë barriere dhe se me Qëndrimin janë shokë shumë të mirë.

“Super, me të kallxu drejtë super, bajmë bukë bashkë, punojnë bashkë, dalim bashkë, s’ka probleme. Na kur vijmë në punë i lajmë krejt, as politikë as histori, krejt i lajmë jashtë dhe hyjmë mrena me punu, me fitu edhe na dhe nuk e kemi problem nëse punëtorët janë shqiptarë”.

Nedeljkoviq, i cili e flet rrjedhshëm gjuhën shqipe, ka thënë se atë e ka mësuar gradualisht.

“Me punëtorët shqiptarë e kam mësu shqipen, fjalët pirun, lugë, thikë, kadal-kadale, se unë kur kam ardh nuk e kam ditë asnjë fjalë shqip. Unë e kuptoj krejt gjuhën edhe porosinë kur më thojnë myshteritë shqiptarë, e kuptoj, nuk kam nevojë asnjëherë kërkush me më përkthy”.

Jo vetëm në këtë restorant, ku shqiptarët dhe serbët shquhen për raporte të ngrohta, por në përgjithësi në Graçanicë ku banon shumicë serbe, të dy komunitetet jetojnë për vite të tëra në paqe.

Nënkryetari i Komunës së Graçanicës, Leutrim Ajeti, ka thënë se padyshim që e kaluara ka ndikuar në krijimin e raporteve mes dy komuniteteve, mirëpo shton se në krahasim me raportet e ngrira që nga paslufta, një gjë e tillë ka ndryshuar ndër vite.

Ajeti thekson se ka një bashkëpunim të mirëfilltë mes shqiptarëve dhe serbëve në Komunën e Graçanicës.

“Normalisht ka pasur ndikim të madh e kaluara që kemi pasur, pasi vitet e para të pasluftës kanë qenë sfiduese, por duhet pranuar që kohë pas kohë kjo është përmirësuar. Kujtoj që një kohë, menjëherë në vitin 1999, ka qenë mjaft e vështirë, ani pse isha fëmijë atë kohe, i kujtoj shumë sfidat që na përcillnin si dy komunitete. Kjo në masë të madhe ka ndryshuar pas vitit 2008, pra pas Pavarësisë së Kosovës, vërehet që kemi përparim në këtë aspekt, ani pse do të ishte më mirë që bashkëpunimi të thellohej më shumë. Komuna jonë është e qetë dhe në institucione bashkëpunimi mes neve si shqiptarë aty dhe serbëve që janë shumicë, është shumë mirë. Madje, punët e shumta të përditshme, na bëjnë t’i harrojmë edhe pengesat që kanë qenë të mëhershme. Pra, mund të konstatoj që në aspektin profesional në bashkëpunim qëndrojmë mirë”.

Ndryshe nga Graçanica, shqiptarët dhe serbët në Mitrovicën e Veriut kanë raporte jo shumë të mira apo të afërta.

Sipas Veroljub Petroniqit, i cili drejton organizatën joqeveritare “Humanity Center Mitrovica” në Mitrovicën e Veriut, të rinjtë shqiptarë dhe serbë që jetojnë në Kosovë e kanë shumë të vështirë të jetojnë dhe të punojnë bashkë për shkak të shumë problemeve që nuk janë shkaktuar nga faji i tyre.

Petroniqi thotë se një ndër faktorët kyçë që i penalizon këta të rinj është mosnjohja e gjuhës, kulturës dhe traditave të të dy popujve.

“Barriera gjuhësore është sigurisht e rëndësishme, por nuk është më e rëndësishmja, domethënë nuk është në radhë të parë. Në radhë të parë është mosnjohja totale e kulturës, traditës, zakoneve, të të kuptuarit, konceptit dhe pranimit të ‘anës tjetër si të ndryshme nga ne’. Të rinjtë shqiptarë dhe të rinjtë serbë nuk dinë asgjë për njëri-tjetrin. Ata nuk e pranojnë njëri-tjetrin në një kuptim global. Ata janë të gatshëm ta nënçmojnë njëri-tjetrin për shkak të antagonizmave të imponuara, të ngarkuara me shembuj historikë dhe kuazihistorikë, ta konsiderojnë njëri-tjetrin njerëz budallenj, shumë të këqij, të tallen dhe ta kërcënojnë njëri-tjetrin, veçanërisht në rrjetet sociale. Është një numër shumë i vogël i të rinjve serbë dhe shqiptarë që sinqerisht komunikojnë në mënyrë miqësore dhe fqinjësore pa asnjë problem. Disa do të donin, por nuk munden për shkak të frikës së refuzimit të miqve dhe fqinjëve nga komuniteti i tyre. Disa e bëjnë fshehurazi”.

Ndonëse kanë kaluar 23 vite nga lufta mes Kosovës dhe Serbisë, raportet mes dy shteteve mbeten të tensionuara për shkak të së kaluarës, ndërsa një zgjidhje e përhershme në normalizimin e marrëdhënieve duket vështirë e arritshme.

Autor: Gresa Bardhecaj dhe Blendi Aliu

Redaktor: Xhemajl Rexha

Ky shkrim është produkt i trajnimit rajonal për Ballafaqimin me të Kaluarën (BmK) dhe gazetarinë e sensibilizuar për konflikte, implementuar nga forumZFD-Programi në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut. Pikëpamjet e shprehura në këtë shkrim janë përgjegjësi e autorit dhe ato në asnjë mënyrë nuk pasqyrojnë pikëpamjet e forumZFD-së.